Artan Cena
Në dokumentet e sekuestruara nga prokuroria, bëhet e ditur se mungonin procesverbalet e kontrollit të 4 farmacive, ku Pjerin Xhuvani kishte urdhëruar vartësit e tij të firmosnin falsifikimin
Tri ditë para arrestimit, ish-drejtori i fondit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor për Tiranën, Pjerin Xhuvani detyroi vartësit e tij te falsifikonin dokumente të tjera. Pas publikimit të skandalit të ilaçeve, u plotësuan edhe dokumentet e kontrollit të 4 farmacive që bënin recetat fiktive. Pjerin Xhuvani, drejtori rajonal i FOND-it të rimbursimit të ilaçeve, mësohet se kishte falsifikuar dokumente të tjera, vetëm tri ditë para arrestimit. Për prokurorinë, i arrestuari i ka bërë këto veprime pasi çështja ishte bërë publike, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se dosja ishte dërguar për hetim në institucionin e akuzë. Ka qenë juristja Frida Lamçe ajo që gjatë seancës në gjykatë të zhvilluar ditën e diel, deklaroi se ishte kërcënuar me heqje nga puna nëse nuk do të kishte hedhur firmën në dokumente.
Si u bë falsifikimi
Në dokumentet e sekuestruara nga prokuroria, bëhet e ditur se mungonin procesverbalet e kontrollit të 4 farmacive, ku Pjerin Xhuvani kishte urdhëruar vartësit e tij të firmosnin falsifikimin. Por pas rrëfimit të një prej punonjëseve, Frida Lamçes, prokuroria ka arritur të zbuloje se procesverbalet janë firmosur pak ditë më parë dhe jo në kohën kur paguheshin paratë për ilaçet e rimbursuara. Prokurorët thanë se pas publikimit të skandalit në media, Xhuvani ka nxituar të manipulojë dokumentet për të qenë në rregull me ligjin. Dyshimet janë se drejtori rajonal i Tiranës, ka urdhëruar juristen Edlira Mara të marrë firmat e dy specialisteve Keti Mahmutaj dhe Frida Lamçes në dy procesverbalet e kontrollit dhe inventarizimit, duke i vendosur datat e tetorit të vitit 2014. Para nënshkrimit të kontratës për ilaçet e rimbursueshme, drejtoria rajonale, e drejtuar nga Pjerin Xhuvani duhet të kryente dy kontrolle. Atë të inventarizimit të barnave që do të rimbursohen si dhe vendndodhjen e farmacive. Por, në dosjen e dorëzuar në drejtorin e fondit, ku edhe është nënshkruar kontrata, krahas mungesës së disa dokumenteve bazë, prokurorët nuk kanë gjetur edhe këto dy procesverbale, të cilat janë dorëzuar tre ditë para arrestimit. Hetuesit dyshojnë se drejtori Xhuvani dhe juristja Mara kanë bashkëpunuar me pronarin e 4 farmacive Hysni Roçi, duke përfituar shuma të mëdha që kapin vlerën e rreth 500 mijë eurove.
Përfitimi i parave
Prokurorët dyshojnë se Nikollaq Thanasi, Mimoza Tufi, Arens Spahiu, Adelina Manaj dhe Hasime Tahiraj kanë përfituar një rrogë mujore për përdorimin e emrave në dokumentet që Hysni Roçi ka dorëzuar te drejtoria e rimbursimit të ilaçeve. E gjithë kjo skemë e mashtrimit për përfitime personale është bërë prej muajsh nga zyrtarë të Fondit apo edhe zyrtarë të tjerë të ministrisë, çka i kanë shkaktuar shteti një dëm të konsiderueshëm parash. Pavarësisht se ky megaskandal vazhdonte prej muajsh, drejtori i përgjithshëm i fondit Astrit Beci vazhdon të mbajë detyrën e drejtuesit edhe pse kishte për detyrë kontrollin dhe inspektimin në drejtorin rajonale të drejtuar nga Pjerin Xhuvani.
“Trekëndëshi 3”, arrestohen sërish për vjedhje të sapoliruarit nga burgu
Tre hajdutë dyqanesh, mjeshtra të vjetër në zanatin e tyre, me moshë nga 19 deri në 23 vjeç, janë arrestuar nga Policia e Durrësit në një operacion të emërtuar “Trekëndëshi 3”. Operacioni mori këtë numër, sepse dy të parët, “Trekëndëshi” 1 dhe 2 i kishin ezauruar po ata. Të arrestuarit: Erlind Beçaj, 19 vjeç; Olgert Jana, 19 vjeç dhe Edmir Cumraku, 23 vjeç, të gjithë banues në Durrës, ishin hajdutë profesionistë të dyqaneve. Policia e Durrësit tha dje se “në sajë të një pune hetimore profesionale, të kryer nga Specialistët për Hetimin e Krimit,u bë e mundur të dokumentohen 3 raste vjedhjesh të dyqaneve, nga ana e tyre. Ata i realizonin vjedhjet duke hapur qepenat e dyqaneve me mjete të forta dhe duke vjedhur mallrat. Dy prej tyre, Edmir Cumraku dhe Olgert Jana kanë qenë më parë të dënuar për 23 vjedhje, të cilat janë dokumentuar në operacionet e mëparshme “Trekëndëshi” dhe “Trekëndëshi 2” dhe kishin pak kohë që ishin liruar nga burgu. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.
Doshi në Gjykatë për gjyqin ndaj Brahos: Ka qenë fukara, të mos e dëmtoj
Deputeti i Shkodrës Tom Doshi nuk pajtohet me deputetin e LSI-së, Spartak Braho. “Me mostra nuk pajtohem. Ai është mostër, – deklaroi ai dje nga Gjykata e Lartë, ku u paraqit në pritje të seancës së parë, atë të pajtimit me Brahon, të paditur për shpifje. Seanca e parashikuar për në orën 11:00 u shty për më 23 qershor, pas zgjedhjeve, pasi Braho nuk u paraqit. Bie në fakti që Doshi ka kërkuar vetëm 1 lek dëmshpërblim, në rast se e fiton procesin. I pyetur nga gazetarët pse ka kërkuar këtë shumë minimale, Doshi ironikisht tha: “Ka qenë fukara, thashë të mos e dëmtoj ekonomikisht”. Për çështjen e ngritur ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, lidhjen me deputetin Mark Frroku dhe akuzat e tjera, Doshi hodhi poshtë lajmin e përhapur se hetimet qenë mbyllur. “Sot ishim në Prokurori, – tha ai, – dhe nuk është e vërtetë se janë mbyllur; hetimet vazhdojnë”. Avokatët e tij, Vladimir Meçi dhe Ferid Muçaj shtuan se “hetimet vazhdojnë, sepse ne kemi ngritur një sërë kërkesash në Gjykatën e Lartë për shfuqizimin e disa veprimeve hetimore. Por, ne presim prova të tjera nga Prokuroria dhe mendojmë se ka ndërhyrje në procesin hetimor, ndaj kemi kërkuar të marrim si prova, bisedat telefonike të disa personave”. Doshi kaloi një ditë në njërin prej spitaleve private të Tiranës kur më 26 mars 2015 pritej të paraqitej në Këshillin e Mandateve në Kuvend, që do të merrte vendim lidhur me akuzat që ai I kishte drejtuar Kryeparlamentarit Ilir Meta. Mungesën e tij, Braho e konsideroi si një mashtrim për t’iu shmangur të vërtetës dhe e akuzoi Doshin se raporti mjekësor i paraqitur ishte fals, i siguruar nga bashkëshorti i punonjëses së tij. “Ç’lidhje ka ky mjek me këtë çështje! – tha Braho para medias në mars. – Mjeku Eduart Shota siç rezulton nga certifikata, është i martuar me zonjën Aurela Shota. Zonja Aurela Shota është punonjëse e “Profarmës” me detyrë nëpunëse e Marrëdhënieve me Publikun. Pra me një fjalë Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës. Ashtu si video e Tomës me Durim Bamin, ashtu si dhe dëshmia e Petrit Cinarit, që po merrte një apartament dhuratë nga Doshi. Ky është qarku dhe siç e shikoni është shumë i djegur”. Kryetar i trupit gjykues për këtë çështje është Artan Zeneli dhe anëtarë, Arjani Fullani, Mehdi Bici, Mirela Fana dhe Andi Çeliku.