Minisrri grek i financave dëshiron nga kancelarja Merkel një “fjalim të shpresës”. Varoufakis tha në Berlin, se për 500.000 grekë që punojnë prej muajsh pa pagesë është “më keq se skllavëria”.
Janis Varoufakis ndonëse konsiderohet si Enfant Terrible i politikës europiane, është i padëshiruar nga homologët e tij, e ndonjëherë në media e ironizojnë e madje edhe e denigrojnë – të hënën (08.06) në mbrëmje ministri grek i Financave u prit si një yll në Berlin. Qindra qytetarë kishin ardhur në prezantimin e tij në katedralen franceze në Gendarmenmarkt, për ta ndjekur drejtpërdrejtë profesorin elokuent të ekonomisë. Një radhë e gjatë ishte krijuar tek hyrja dhe para katedrales ishin mbledhur disa duzina demonstruesish, që mbanin pankarta me parrulla solidariteti për Greqinë. Brenda ministri, i cili prej javësh u ka shkaktuar pakënaqësi politikanëve të BE-së dhe të institucioneve kredidhënëse, u prit me muzikë greke dhe shumë duartrokitje.
“Unë kam ardhur të vendos ura”, tha Varoufakis. Ai tha se do të sjellë harmoninë në sfondin e përpjekjeve të vazhdueshme për të nxitur grindje dhe mosmarrëveshje mes popujve. Gjermanët dhe grekët i kanë kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre që nga Lufta e Dytë Botërore dhe janë afruar gjithnjë e më shumë me njeri-tjetrin. Vetëm kriza financiare ka futur tani një pykë mes dy popujve dhe po bën që monedha e përbashkët të pësojë një çarje të mëtejshme.
“Ne europianët kemi krijuar një sistem defektoz të euros”
Sipas tij, për hiperborxhin e vendit të tij nuk e kanë fajin as grekët dhe as vendet e fuqishme europiane. Gjermania p.sh. me forcën e saj ekonomike dhe me pagat e ulëta ka krijuar teprica gjigante eksporti – në kurriz të vendeve në periferi, të cilat kanë hyrë gjithnjë e më shumë në borxhe. Sistemi i monedhës së përbashkët qysh në krye të herës ka qenë defektoz dhe si rrjedhojë kriza ishte e pashmangshme. “Nuk ka asnjë dobi, kur ne flasim për borxhet në kategoritë morale”, theksoi Varoufakais. “Ne europianët e kemi krijuar këtë sistem dhe ne duhet ta riparojmë atë bashkarisht.”
Tri qeveri greke njëra pas tjetër i kanë çuar në hulli të gabuar për pesë vjet resht grekët e gjermanët. Ato pretendonin, se mund ta ndalnin falimentimin e Greqisë përmes borxheve të reja dhe varfërimit të popullsisë. Por kjo nuk ka funksionuar dhe as nuk mund të funksionojë. Një vend, që nuk gjeneron rritje ekonomike, nuk mund t’i shlyej borxhet, argumenton Varoufakis.
Varfëri në rritje në Greqi
Në Greqi dhjetra mijëra kanë humbur punën, shtëpinë dhe pensionet dhe janë shfuqizuar ligjet për mbrojtjen e kontratave të punës. Sipas tij pasoja është, që prej gjashtë muajsh 500.000 grekë punojnë pa pagesë. “Kjo është më keq se skllavëria”, tha Varoufakis. Ndaj qeveria e tij u ka propozuar institucioneve kredidhënëse, që të shqyrtojnë ligje moderne pune dhe ta reformojnë sistemin e pensioneve, në mënyrë që të derdhen më shumë para në arkat sociale dhe që sistemi të jetë më i qendrueshëm. Të dyja propozimet janë hedhur poshtë. Ne vend të kësaj kredidhënësit kërkojnë shkurtime të mëtejshme në sistemin e pensioneve, që janë ulur me 40%. Veç kësaj ato kërkojnë rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar për energjinë nga 13% në 23%. Por ekonomia greke nuk mund të shpëtohet me këto reforma. “Nëse vazhdoni t’ia merrni edhe më shumë frymën popullsinë tonë e ta çoni atë në mjerim, ne asnjëherë nuk do të jemi të reformueshëm”, paralajmëroi Varoufakis.
Një “fjalim i shpresës” për Greqinë
Ministri grek i Financave kujtoi Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, kur aleatët nisën, ta deintrustrializojnë vendin e mposhtur, për ta kthyer në një vend agrar. Ishte “fjalimi i shpresës” që mbajti në vitin 1946 ish-ministri i Jashtëm i SHBA-së James F. Byrnes në Shtutgart që i dha impulsin kthesës dhe krijoi premisat për planin Marshall dhe mrekullinë ekonomike në Gjermani. Edhe Varoufakis theksoi, se shpreson për një fjalim të ngjashëm nga kancelarja Angela Merkel, që t’i japë popullit të tij sërish shpresë për një të ardhme më të mirë.
Varoufakis e mbylli fjalimin me një kujtim personal nga fëmijëria e tij dhe respekti për Deutschen Welle. Ai tha se kujton shumë mirë, se si prindërit e tij gjatë diktaturës ushtarale mes viteve 1969 dhe 1975 dëgjonin përmes valëve të shkurtra emisionet në greqisht të radios Deutsche Welle. “Deutsche Welle ishte aleati ynë kundër shtypjes”, tha Varoufakis. Çdo natë radioja gjermane për botën e jashtme sillte një fllad të freskët prej Gjermanisë, që qëndronte fort pas demokracisë greke, tha Varoufakis. “Gjermania ishte për mua një burim shprese”, theksoi ministri grek i Financave.
Në katedralen franceze të Berlinit Varoufakis takoi publik dashamirës, që e ndoqi atë me interes. Në të kundërt në politikën gjermane dhe europiane ai has në skepticizëm, mosbesim dhe idninjatë. Një zgjidhje në grindjen për borxhet ende nuk po duket.