Urdhri i policisë/ Pastrimi i parave, Francesco Becchetti shpallet në kërkim ndërkombëtar

0
183

Artan Cena

Francesco BecchettiKatër ditë pasi u dha urdhër-arresti për italianin e Agon Channel, Policia e Shtetit ka lëshuar urdhrin ndërkombëtar ndaj tij. Gjykata i ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”

Italiani Francesco Becchetti dhe administratori i kompanive të tij, Mauro De Renzis, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Tirana. Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sipas së cilës, urdhër arresti i lëshuar me vendim të Gjykatës së Tiranës i ka kaluar të gjithë zyrave të Interpolit. Pritet që ky urdhër të vlerësohet edhe nga policia italiane, e cila bazuar në kërkesën e drejtësisë shqiptare, ka detyrë të arrestojë Francesco Becchettin pronarin e televizionit Agon Channel dhe aksionerin e saj Mauro De Renzi. Ndaj dy të shpallurve në kërkim, gjyqtarja Manjola Bejleri me kërkesë të prokurores Antoneta Sevdari ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, masë kjo tashmë e apeluar nga avokati mbrojtës.

 

Mbledhja e provave

Grupi hetimor i prokurorisë, vazhdon të administroje në dosjen hetimore prova që implikojnë kompanitë e drejtuara nga Becchetti ndër vite në Shqipëri. Burimet thonë se janë sekuestruar me cilësinë e provës, të gjitha faturat e dorëzuara nga kompanitë e Becchettit në drejtorinë e tatimeve, ku edhe janë rimbursuar nga TVSH-ja disa prej tyre. Prokurorët thonë se mes faturave të sekuestruara janë edhe ato të dorëzuara për punimet e kryera në Hidrocentralin e Kalivaçit. Referuar këtyre faturave dhe të tjerave të sekuestruara në Gjykatën e Arbitrazhit në Tiranë, që dyshohet se janë fiktive dhe të falsifikuara është deklaruar se kompanitë e italianit Becchetti në kantierin e Kalivaçit kanë kryer punime në vlerën rreth 24 milionë euro. Këto punime, sipas faturave, rezultojnë se janë kryer brenda periudhës 2007-2013. Ndërkohë, nënkontraktorët shqiptare që kanë kryer punime për llogari të kompanive të Becchettit, kanë dorëzuar fatura me vlerë rreth 9 milionë euro për punë të ndryshme të kryera në hidrocentral. Sipas këtyre statistikave dhe llogaritjeve të kryer nga ekspertët kontabël të caktuar nga prokuroria, rezulton se kompanitë e Becchettit kanë rritur çmimet e punimeve shumë herë në krahasim me çmimet e deklaruara nga nënkontraktuesit, të cilët kanë kryer punimet. Gjithashtu, janë konstatuar edhe fatura të lëshuara për punë të pakryera ndonjëherë në Hidrocentralin e Kalivaçit. Ekspertët kanë konstatuar se diferenca mes shumës së deklaruar nga nënkontraktuesit me ato të kompanisë Becchetti, që dyshohet se janë fiktive, kapin shifrën rreth 15 milionë euro.

 

Akuzat ndaj Becchettit

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për biznesmenin italian. Në dosjen voluminoze të prokurorisë, thuhet se italiani Becchetti dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka shfrytëzuar bizneset e ngritura në Shqipëri për “pastrimin” e rreth 80 milionë eurove që dyshohet se kanë burim të paligjshëm. E gjithë kjo shumë, sipas akuzës, ka ardhur nga 4 shtete të ndryshme, Itali, Austri, Gjermani dhe Luksemburg. Fillimisht paratë kanë hyrë në Shqipëri në formën e një huaje për investime në kompanive të Becchettit në Shqipëri por më pas janë ri-transferuar në shuma të ndryshme drejt kompanive të biznesmenit italian jashtë Shqipërisë. Njësia e task-forcës në prokurori, gjatë fazës hetimore ka ngritur dyshime se biznesmeni Italian akuzën e pastrimit të parave, e ka konsumuar me hapjen e televizionit Agon Channel, me kompanitë e ndryshme në fushën energjetike, atë ndërtimore apo edhe në kontratën e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit. Për ndërtimin e këtij hidrocentrali, italiani Becchetti apo administratorët e tjerë të tij kanë falsifikuar dokumente dhe nuk kanë paguar detyrimet tatimore në Shqipëri. Këto akuza, dyshohet se i ka konsumuar pasi ka dorëzuar fatura tatimore të falsifikuara për punë të kryera në këtë kantier ndërtimi por që realisht asnjë nga këto veprime të paguara, sipas faturave nuk është bërë.

 

Kundërpërgjigjet Becchetti: TV e kam hapur me transaksione bankare

 Gazeta italiane “La Repubblica” ka arritur të intervistojë Francesco Becchettin me anë të telefonit në studion e tij në Londër ndërkohë që mbi të është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai e nis intervistën duke thënë se është viktimë e qeverisë shqiptare pasi ai mundëson informacionin e lirë. Por nga ana tjetër ai shton se nuk do e mbyllë asnjëherë televizionin dhe se kundër tij nuk ka akuza të vërtetuara por vetëm një montazh. Pyetjes së gazetarit për akuzat e pastrimit të parave dhe evazion fiskal ai shprehet se këtyre akuzave i janë dedikuar vetëm katër radhë në aktin gjyqësor pasi ka dyshime për tre pagesa. Pagesa e parë është 12 milion euro, e dyta 1 milion dhe e treta 300 mijë euro. I pyetur për burimin e 40 milion eurove me anë të cilave hapi fillimisht televizionin Agon, Beketi përgjigjet se vijnë nga një prej bankave më të rëndësishme të Evropës, nga një marrëveshje transaktive mes një shoqërie të grupit të tij dhe institutit bankar. Por gjithsesi ai nuk pranon të thotë emrin e bankës, dhe se ka dokumente për atë që thotë. Duke shtuar se 500 nëpunësit i japin kurajë për të vazhduar Beketi thotë se dhe nëse gjithçka sekuestrohet dhe televizioni si pasojë mbyllet, ai do të hapë një të ri. Edhe pse pranon se nuk ka asnjë ide se si sot të vazhdojë të paguajë kontratat milionere dhe pagat e punonjësve. Ndërsa për hidrocentralin e Kalivaçit, të cilin premton se do e përfundojë ai thotë se ka investuar 80 milion euro, qeveria shqiptare s’ka bërë asgjë, ndaj duhet ta falënderojë. Në fund të intervistës i pyetur se pse nuk tregon pafajësinë e tij në një gjykatë shqiptare Becchetti qesh dhe thotë së nuk mund të përjashtojë mundësinë se prokuroria dhe gjykatat janë në duart e Kryeministrit shqiptar.

 

Angli, dënohet me 12 vite i riu shqiptar për përdhunim

 Një i ri shqiptar, është dënuar me 12 vjet burg. Edison Mulaj, 19 vjeç (në foto), sulmoi dy femra në rrugë duke përdhunuar njërën pre viktimave të tij. Ngjarjet kanë ndodhur në shkurt dhe mars të këtij viti, ndërsa 19-vjeçari kishte mbërritur në Britaninë e Madhe vetëm nëntorin e kaluar. Viktima e parë ishte duke u kthyer nga puna në shtypi, ndërsa e dyta po kthehej në shtëpi e vetme në orën e para të mëngjesit pasi kishte kaluar natën jashtë. Pamjet e kamerave të sigurisë, tregojnë Mulajn, djalin e një punonjësi policie në Shqipëri, se ishte në të njëjtin lokal me viktimën e dytë dhe nga pamjet ai shihet duke qëndruar afër saj. Kamerat gjithashtu tregojnë se ai po ndiqte nga pas vajzën në fjalë deri tek vendi ku ajo kishte parkuar makinën. 19-vjeçari shqiptar e ka grabitur dhe më pas e ka zhveshur duke e përdhunuar tri herë. Makthi i vajzës ka zhvatur një orë e gjysmë, para se ajo t’i shpëtonte nga duart shqiptarit dhe të hidhe para një makinë që po kalonte aty pranë duke i kërkuar drejtuesit të saj që të lajmëronte policinë. Pas denoncimit të saj, Mulaj u arrestua tri ditë më pas ku u gjet me të njëjtën bluzë dhe atlete që mbante vesh ditën e përdhunimit. Para gjykatës, Mulaj pranoi akuzat për përdhunim, grabitje dhe sulm seksual. Gjatë dhënies së vendimit, gjykatësi tha se shqiptari kishte një skenar për sulmin e çdo femre që ecte natën e vetme në rrugë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here