Në Lezhë/ Rama e quan kandidatin e opozitës Fran Frrokaj, Frrok Frroku: Më vjen të qaj për PD-në

0
190

Gëzim Saliu

rama lezheKryeministri: PD më mirë do udhëhiqej nga Sudja, s’jeni budallenj që të votoni Frrok Frrokun

Kryeministri Edi Rama kaloi dje në një tjetër nivel të akuzave dhe ironive me kandidatët e së djathtës për zgjedhjet vendore, ku në takimin elektoral të Lezhës i ndryshoi emrin propozimit të PD-së për këtë njësi. Ai e ka quajtur Fran Frrokajn e propozuar nga demokratët për bashkinë e Lezhës si Frrok Frroku, gjë e cila u komentua gjerësisht në rrjetet sociale si një “racizëm i papranueshëm” nga ana e Kryeministrit. Kjo pasi emri Fran është mjaft i përdorur në Lezhë e sidomos në pjesën e katolikëve të veriut. “ Dalin nëpër Shqipëri dhe thonë votoni Partinë Demokratike që ti bëjmë pensionet si në Evropë. Frrok Frroku do ti bëjë pensionet sin ë Evropë? A ka ndonjë këtu në këtë bashki që beson se do t’i japë votën Frrokut që të ulë çmimin e dritave”, – tha ai.

 

Për PD-në

Në fjalën e tij në takimin përmbyllës në Lezhë, i cili ishte organizuar e një formë pritjeje të madhe në shesh, ku të gjithë pjesëmarrësit ishin ulur në karrige, Kryeministri Rama akuzoi PD-në si një forcë që ka humbur drejtimin. “Partia Demokratike është një pasuri kombëtare që sot ka rënë në duar të gabuara, por do vijë një ditë që do ë zgjohet nga gjendje e epilepsisë që e ka zënë më 23 qershor të 2013. Më vjen për të qarë me PD, që shikoj që është bërë një forcë që do ishte udhëhequr shumë më me dinjitet nga Sudja, se sa sot nga dikush që akoma nuk e ka kuptuar se çfarë votojnë shqiptarët më 21 qershor”, – u shpreh Rama.

 

Lezha

Ndërkohë, Kryeministri pohoi se në këto 18 muaj qeverisje është bërë shumë për transformimin e Lezhës, ku sipas tij mazhoranca e majtë ka treguar se po ndërton shtet. “Ne kemi dhënë provën e sigurt që të bëjmë shtetit që meritojnë shqiptarët. Kush ndjen dhimbjen për vete, është i gjallë, kush ndjen dhimbjen e tjetrit është njeri. Dhe besoj se fakti që e ndjen dhimbjen deri në fund. Kemi ende punë për të bërë, dhe ky është vetëm fillimi. Nuk do të rreshtim deri sa fuqitë tona dhe programi ynë të shterojë të gjithë potencialin dhe të gjitha mundësitë për t’u dhënë më në fund lezhjanëve të marrin frymë”, – tha ai. Më tej, kreu I qeverisë u shpjegoi qytetarëve rëndësinë e votës në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, pasi sipas tij është vota për familjen. “Ky shesh ishte një parkim i rëndomtë makinash. e pra sot, ky organizim spektakolar është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë, që e ka bërë Lezhën një nga modelet rrezatuese. Ky është fillimi i transformimit europianizues i Lezhës. Kjo do jetë një hapësirë kulture, pikëtakimesh, për të gjithë ata banorët e rinj pas zgjedhjeve lokale, ku do kenë bashki të re. Kjo krenari po rikthehet për Lezhën dhe merita i shkon Viktor Tushës”, – u shpreh ai. Ndërkaq deputetja e LSI0-së për Lezhën Monika Kryemadhi nënvizoi në fjalën e saj se problemet më të mëdha janë në fshatra. “PD u tall me ish-të persekutuarit. Ndaj, drejtimi i duhur është vota për Viktor Tushajn. Nuk do ketë më përmbytje nga mospastrimi i kanaleve”, deklaroi Kryemadhi.

 

 

Rama në Belsh: PD për llafe në Parlament, kudo ku jep një shesh bën përshesh

Kryeministri Edi Rama e quajti dje PD-në si një forcë në Parlament për llafe, por jo për punë, sepse sipas tij, kudo ku i jep një shesh, bën një përshesh. Duke prezantuar Arif Tafanin për Bashkinë e Belshit, Rama Rama hodhi një paralele mes drejtues të një skemë piramidale dhe kreut të PD-së, Basha. “Po ku mendojnë ata t’i gjejnë kaq shumë budallenj, sa t’ju shkojnë nga mbrapa, me një fushatë kaq budallallepsëse dhe të turpshme?! Sepse është një fushatë e turpshme, të dalësh e t’u thuash qytetarëve në zgjedhje vendore, ku shkojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, se do t’jua japim dritat qyl. Kush do t’jua japë dritat qyl, doktori i tyre këtu?! Si dhe me se?! Me stetoskop?! Me këta, në 22 qershor do bëhet hataja dhe ju do t’i keni dritat qyl! Taksa jo! Dhe të gjithë do të marrin çfarë të duan! As Sudja, në qoftë se do të drejtonte sot Partinë Demokratike, nuk do të bënte një fushatë kaq qesharake dhe nuk do t’i merrte njerëzit për budallenj, sa ç’po i merr Luli”, – deklaroi Rama.

 

Mitingjet përmbyllëse në Tiranë, PS të enjten, PD të premten

Partitë kryesore të koalicioneve respektive kanë përcaktuar tashmë mitingjet përmbyllës në garën për Tiranën. PS ka zgjedhur të mbajë takimin ditën e enjte një ditë para mbylljes së afatit zyrtar të fushatës  në sheshin “Nënë Tereza”. Ashtu si dy vite më parë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare PS ka zgjedhur që të mos jetë kryeqyteti takimi i fundit përmbyllës, ku ndërkohë të premten PS do jetë në Kavajë dhe Durrës. Ndërkaq PD do të përmbyllë fushatën e saj në Tiranë ditën e premte, duke i dhënë rëndësi parësore garës së kryeqytetit.

 

Meta: Bashkia e Përrenjasit do shndërrohet në model të qeverisjes vendore

Kryetari i LSI-së Ilir Meta deklaroi dje se Bashkia e re e Përrenjasit do të shndërrohet në model të qeverisjes vendore. Në një takim me banorët e Rrajcës, Meta shprehu mbështetjen e plotë ndaj kandidates së ASHE-së Miranda Rira dhe programit të saj në interes të komunitetit të kësaj zone. “Kam besim të plotë që Miranda me aftësitë e saj do të arrijë që të menaxhojë dhe administrojë në mënyrë më të mirë dhe më të shkëlqyer, në inter të komunitetit tuaj, Bashkinë e madhe të Përrenjasit. Mbështetja jonë do të jetë e jashtëzakonshme”. Nga ana tjetër ai ftoi veçanërisht gratë dhe vajzat të votojnë pro kandidates së majtë për zgjidhjen e problemeve të tyre. “Uji i pijshëm është një problem jetik për çdo familje të Maqellarës, por sidomos për gratë, vajzat dhe fëmijët. Problemi i vaditjes është një legjendë për fat të keq, pasi dihet që Maqellara është hambari i të gjithë Shqipërisë verilindore. Prandaj duhet patjetër t’ia japim ujin që meriton jo vetëm kjo tokë e begatë, por mbi të gjitha ky popull jashtëzakonisht punëtor dhe me tradita”.

 

Mallkimi i kreut të qeverisë/ Konispoli ribashkon Idrizin me Ramën, PDIU vlerëson Kryeministrin për mbështetjen e kandidatit

Përplasje e forcës së Idrizit me Partinë Socialiste dhe LSI-në për heqjen e numëruesve në zgjedhjet vendore duket se është zbutur pas mbrojtjes që Kryeministri Rama i bëri dy ditë më parë kandidatit të PDIU-së në Konispol. Gjatë takimeve elektorale në Patos, përkrah kandidates Rajmonda Balili për Bashkinë e këtij qyteti, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, nuk nguroi të shprehte lëvdatat dhe vlerësimet e tij për fjalimin e Kryeministrit Rama në Konispol, madje duke e cilësuar atë si brilant. “Përshëndes Kryeministrin Rama në një fjalim brilant në Konispol, i cili sot iu drejtua të gjithë qytetarëve që të jenë të gjithë bashkë e të kuptojnë se Konispoli nuk mund të jetë transferimi i konflikteve etniko-fetare siç ka qenë Himara. Por, Konispoli duhet të jetë vendi i bashkëjetesës myslimanë, ortodoksë e katolikë”, – u shpreh ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here