PD akuzon/ Erion Veliaj, vetëm spote televizive 1.2 milionë euro

0
157

 

jorida tabakuOpozita vazhdoi akuzat ndaj Erion Veliajt, llogaritë sipas KQZ-së, shifra të frikshme vetëm për spote elektorale

Ku i gjen Erion Veliaj paratë e fushatës së tij luksoze? 1.2 milionë euro është vetëm kostoja e transmetimit të spoteve televizive. “Prej 5 ditësh, Erion Veliaj fshihet dhe nuk bën të ditur shifrat e fushatës së tij luksoze. Ai gënjeu publikisht, kur tha se kishte një buxhet prej 108 milionë lekë të vjetra. Ne po bëjmë sot publike, milionat e Erion Veliajt për spote televizive. Qysh se ka nisur zyrtarisht fushata e deri dje në darkë, sipas tarifave zyrtare që kanë paraqitur në KQZ televizionet për kostot e një spoti televiziv, Erion Veliaj ka shpenzuar 1 milion e 144 mijë euro”. Jorida Tabaku nga selia blu deklaroi se shifrat e fushatës së Veliajt janë shumë të larta. Faktet e publikuara nga opozita sot rrotullohen vetëm për çështjen e spoteve dhe jo për zyrat elektorale apo shpenzime të tjera në fushatë. “Ky është një çmim mesatar. Shifra është me siguri edhe më e madhe, nëse do të marrim në konsiderata, që ka televizione kombëtare, që kanë tarifime deri në 5 mijë euro një spot në emisionet e tyre të rëndësishme. Ne nuk po llogarisim këtu miliona euro për zyrat elektorale, banerat e posterat që ka vënë në çdo cep, e me të cilat ka mbuluar edhe ndërtimet pa leje”. Opozita ka ngritur pyetje për burimin e financimeve të kandidatit të majtë për kryebashkiak të Tiranës. Prej disa ditësh selia blu ka lidhur emrin e bashkëshortes së Veliajt me dy operacione të pastrimit të parave për të cilat ka pasur nisje hetimesh nga prokuroria, për rastin Dzanazhvilli dhe Becheti. Në të dyja rastet Ajola Xoxe ka qenë avokate me prokurë dhe përfaqësuese e personave të përfolur. Opozita ka aluduar se duke qenë pjesë e operacioneve të pastrimit të parave një pjesë e tyre mund të kenë përfunduar si donacione në fushatën e kandidatit të majtë për kryebashkiak të Tiranës. “Nga vijnë paratë e Erion Veliajt? Kush është burimi i tyre? Pse nuk jep shpjegime për lidhjet me rastet e bëra publike deri tani të pastrimit të parave? Erion Veliaj fshihet, por këto janë fakte për të cilat do të mbajë përgjegjësi, dhe përgjigjen më të mirë do të japin qytetarët e Tiranës me 21 qershor”. Akuza të forta ndaj fushatës së kandidatit të majtë ka pasur edhe nga zoti Bojaxhi. Në një deklaratë të pak ditëve më parë kandidati i pavarur theksoi se sipas ekspertëve të tij të fushatës shpenzimet e Erion Veliajt do të kalojnë shifrën e 3 milion eurove. Ende nuk është e qartë dhe ende nuk ka një transparencë nga kandidati i majtë se ku është burimi i financimeve të fushatës së tij elektorale. Financimi i partive politike në Shqipëri ka qenë një problem i pasqyruar në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet në Shqipëri. Media dhe shoqëria civile shpesh ka ngritur zërin duke kërkuar rritjen e transparencës dhe publikimin e plotë të financimeve të partive politike. Por kjo si dhe shumë çështje të tjera të ngritura në Shqipëri, pas zgjedhjeve kalon në heshtje dhe harrohet. Duket se palët nuk janë të interesuara për të bërë transparencën e këtyre financimeve. Analistë të pavarur dhe raportet vjetore të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësues të BE-së janë shprehur shpesh se financimet e paligjshme të partive politike prodhojnë dhe fuqizojnë korrupsionin, duke reflektuar më pas në qeverisjen qendrore dhe lokale të vendit.

 

Vokshi: Në 21 qershor Rrogozhina voton Eqerem Deliun

Gratë vajzat dhe nënat e Rrogozhinës mbështesin kandidatin e djathtë Eqerem Deliu. Me pjesëmarrjen edhe të deputetes së Partisë demokratike Albana Vokshi Lidhja Demokratike e gruas ka organizuar një takim me mbështetëset e opozitës në këtë qytet. Ligjvënësja e selisë blu u kërkoi votën dhe mbështetjen zonjave të pranishme. “Vota juaj në këto zgjedhje është vendimtare jo për politikën apo për bashkitë, por për familjet, për të tashmen dhe të ardhmen e qytetit ku jetoni. Ti japim fund papunësisë,, skamjes në çdo vatër. Asgjë nuk po bën për ju kjo qeveri e pushtet lokal i drejtuar nga pushtetarët e majtë, që kanë të parin interesin vetëm të xhepit dhe jo të komunitetit”. Vokshi ka gjetur rastin të sulmojë dhe deklaratat e njëpasnjëshme të Kryeministrit Rama mbi vajzat dhe gratë në të gjitha takimet e tij të fushatës elektorale. “Kemi një kryeministër që në realitet i përçmon dhe i fyen gratë e vajzat. Në fushatë ai bën shoë mashtron dhe kërcënon, sepse ai pyet vetëm për klanet e tij në pushtet dhe jo për familjet e varfra që mbijetojnë me vështirësi nga faturat e dritave, ujit dhe papunësia që rritet mbi 50% të grave dhe vajzave në çdo qytet e fshat”, – u shpreh ndër të tjera znj. Vokshi. Eqerem Deliu kandidati i të djathtës për kryebashkiak të Rrogozhinës ka përballë kandidatin e së majtës të propozuar nga PDIU e Shpëtim Idrizit.

 

Zgjerohet harta e incidenteve/ PD: Incidenti mes simpatizantëve të PS-LSI-së, po ndajnë paratë

Policia e quan sherr banal, dega lokale e selisë blu akuzon se po ushtrohet terror mbi qytetarët

Një sherr masiv ka ndodhur në qendër të Pukës, ku grupe të rinjsh janë përleshur mes tyre dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të vendosur rregullin dhe qetësinë. Raportimet e para nga terreni përfolën një sherr mes militantëve të PD dhe PS. Por ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë blu e cila ka hedhur poshtë supozimet e ngritura nga media. “Sot është shënuar një incident në Pukë. Partia Demokratike hedh poshtë të gjitha aludimet se Partia Demokratike apo simpatizantë të saj kanë qenë të përfshirë në këtë incident. Partia Demokratike në Pukë distancohet nga të gjitha aktet vandale dhe vazhdon të bëjë një fushatë të qetë dhe fituese. Bëjmë me dije se personat të cilët ishin të përfshirë në incident ishin simpatizantë të PS-së dhe LSI-së. Sipas informacioneve tona këta persona janë konfrontuar në lidhje me shpërndarje të hollash për fushatë. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë dhe zbardhë shkaqet dhe autorët e dhunës dhe t’i vërë ata para drejtësisë”. Ndërkaq, kreu lokal i Partisë Demokratike Pukë, zoti Prel Gjoni, akuzoi policinë se s’po bën detyrën të ruaj rendin dhe qetësinë. “Gjatë natës lëvizin mjete me dhe pa targa duke terrorizuar fuqishëm qytetin, nëse shefi i komisariatit nuk e bën dot punën le të japë dorëheqjen”. Demokrati i parë i Pukës akuzoi eksponentë të së majtës se po blejnë vota dhe po përpiqen të frikësojnë pukjanët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here