Intervistoi: Arbër Selmani
Ta takosh dikë në një kafe të rëndomtë në Beograd, e të flasësh për Kosovën apo Isa Qosjen, duket absurde e interesante në të njëjtën kohë. Njëjtë ndodhi edhe me regjisorin Vladimir Blazhevski. Derisa ai vetë dikur përjetoi ethet e nominimit për The Oscars me filmin “Punks not dead”, është kategorikisht kundër filmave që nuk thonë asgjë. E sipas tij, Ballkani të tillët i ka me bollëk. Blazhevski pajtohet me temën e luftës, por jo për përfitime personale. E pëlqen filmin e Qosjes për Oscar por thotë se nëse ky film nuk ka lojtarë seriozë në terrenin evropian e amerikan, që ta shpërndajnë e lobojnë, atëherë perdja e The Oscars është e mbyllur dhe ka pak shanse që do të hapet. Regjisori që bëri filmin për kulturën punk në vitin 2011 dhe u nominua nga shteti maqedon për The Oscars, vjen në një rrëfim për KultPlus mbi filmat evropianë, mbi motivet e tij krijuese, mbi shimpanzat e Shkupit dhe lidhjen me Kosovën.
“Punks not dead” ishte film që bëri bujë kudo nëpër Evropë. A mund të na thoni pse zgjodhët pikërisht këtë subkulturë për ta trajtuar në filmin tuaj?
Motivi im kryesor ishte zhgënjimi. Edhe ju tani po kaloni nëpër atë që unë e quaj zhgënjim, dëshpërim, “arritjet e qytetërimit dhe kulturës evropiane“, pa pretendime. Këto janë, më saktë, arritjet e tranzicionit të Eropës Lindore në demokraci. Në mënyrë të veçantë, filmin e kam bërë për të qëndruar në konformitetin tim ndaj të tjerëve, sepse kultura në të cilën unë kam jetuar kur kam qenë adoleshent, në të 60-tat e 70-tat, ka qenë shumë më ndryshe. Unë besoj se bota duhet ndërruar për të mirë, pse jo edhe duke bërë filma. Për të luftuar gjendjen e një rebelimi kësisoj. Unë bëj analizën e vetvetes si regjisor dhe më pas merrem me sociologjinë dhe psikologjinë sociale, njerëzore.
Unë merrem me kulturën punk, dhe jo muzikën punk. Unë po e përjetoj këtë traditë si një lloj dinozauri, si diçka ekzotike. Shpirti subversiv i rebelimit, aktivizmit, sot ekziston dhe nuk përmbahet nga shumë njerëz. Filmi është për diversitetin, kjo do të ishte fjala e duhur.
Njerëzit e tillë, rebelët në dashuri e gjithçka tjetër, kam dashur të jenë protagonistët e filmit tim. Unë kam qenë i hipnotizuar nga fakti se këto karaktere e dijnë se po jetojnë në absurditetin e tyre dhe nuk kanë shans për revolucion, por prapë nuk heqin dorë dhe nuk duan të përshtaten. Liria është e ndryshme dhe secili paguan çmim për të.
Shoqëritë tona janë të dala nga lufta, dhe kriza duket se ka qenë dhe është e pranishme edhe në film. Ne vazhdojmë të trajtojmë luftën si koncept filmik. Është kjo sepse nuk kemi ide e kreativitet apo sepse lufta është plagë e rëndë dhe duhet elaboruar ende?
Unë nuk kam asgjë kundër filmave të ndershëm dhe me përvojë artistike rreth luftës. Sigurisht që, në anën tjetër, nuk më pëlqen që këta filma të përdoren për qëllime të përfitimit artistik. Mua më duket vulgare madje, e mjerueshme, të shfrytëzosh ndoshta shqiponjat për të marrë para. Unë e di se Amerika i ka në qejf këta filma. Filmat evropianë duhet ngritur një vetëdijë dhe kjo pritet nga regjisorët, që me gjak e djersë e lot ta kthejnë besimin tek njerëzit. Filmat e trafikimit njerëzor, luftërat, filmat e agresionit e represionit, duhet të ndodhin deri në një pikë kur është fundi. Megjithatë, edhe në Evropë që të jesh i dukshëm duhet realizuar një sipërmarrje të tillë. Në thelb, filmi është problemi i së vërtetës dhe gënjeshtrave. Nëse filmi ka autenticitet, është task-forcë dhe realizohet. Unë dua të besoj se njerëzit bëjnë dallimin mes filmave të mirë për luftën dhe filmave bërllog për luftën.
Kosova sapo ka bërë debutimin në nominimet për filmin më të mirë të huaj në ceremoninë Oscar. Ju para disa vitesh keni kaluar nëpër të njëjtën procedurë. Çka i duhet një filmi kosovar për të arritur suksesin në këtë ceremoni, për ti shkuar deri në fund?
Unë po e përjetoj tregimin e Oscarit si një lloj prove të kompleksitetit dhe inferioritetit tonë. Për shtetet e vogla si ne, hyrja në këtë garë nënkupton lobim, të bëhemi pjesë e botës dhe të dukemi. Të merremi me globalizmin, komik do të thoja unë. Nuk bëhet fjalë për kualitetin e filmave. Nëse filmi ka mundësi shpërndarjeje në shtetet evropiane, ka partnerë, atëherë ka disa mundësi. Dhe këta filma janë të rrallë. Deri tani, i gjithë pompoziteti rreth kandidaturës së shteteve tona është i tepërt. Gjithçka është e kuptueshme për mua, dhe psikiatria e shpjegon shumë mirë. Janë momente kur harrohet poshtërimi, mjerimi, kur merresh me glamurin, kalon pak minuta të famës dhe mendon se je pjesë e kësaj botës së madhe të ëndërruar.
Unë nuk e di nëse filmi i Isa Qosjes po merr mbështetje ndërkombëtare, por nëse nuk ka lojtarë seriozë në këtë mes, sidomos në Evropë e Amerikë, ka shumë pak shansa dhe është jashtëzakonisht e vështirë për ta thyer pengesën „e padukshme“ të kësaj ceremonie. Isa do të mbahet mend si i pari i Kosovës në këto nominime, e shpresoj që filmi të mund të ecë shumë më shumë se vetë pjesëmarrja në këtë ceremoni.
Duke qenë se jeni goxha i familiarizuar me kinematografinë ballkanase, çka mendoni se mbivlersojnë e nënvlerësojnë regjisorët e Ballkanit?
Na mungon sinqeriteti dhe pasioni, prandaj përfundojmë duke prodhuar filma me renditje të mirë kronologjike, me modele të vjedhura dhe me zhanre që tanimë janë shterruar. Disa filma nuk thonë asgjë, absolutisht asgjë. Nuk është vështirë të gjesh një koncept të rëndë, apo siç thotë shprehja angleze, heavy concept. Duhet të ikim larg patetizmit dhe të merremi me të kaluarën e të tashmen. Në anën tjetër, e mbivlerësojmë rolin e artit dhe parasë në të bërit filma. Shumë prej nesh ankohemi në kushte. Në këtë rast më duhet të sjellë në tavolinë filmin e Danis Tanovic, i cili është xhiruar me vetëm 15 mijë euro dhe ka dalë i mahnitshëm. Do të duhet ta shihnit që të bindeshit, sa tregues i mirë i gjendjes është ky film.
Na flitni pak pë projektin tuaj të ardhshëm, dhe ndoshta një ardhje tjetër tuajën në Kosovë…
Filmi im i ardhshëm është një komedi e zezë, një komedi absurde. Kohëve të fundit jam ndier shumë absurd edhe vetë, prandaj dua të sjell dicka që buron nga vetë trupi im. Historia është e thjeshtë, një shimpanzë, një majmun, një hero kombëtar, një simbol rezistence. Gjithçka është kaq e lidhur. Jam i lumtur që kam futur këta akterë në shfaqje sepse nxjerr dicka që unë më përpara se kam njohur në vete, dhe vetë absurdja më është dukur ende më absurde. Qasja estetike mbetet gjithmonë e njëjtë, sepse unë i qasem rrezikut, pasigurisë dhe kuptimit teknologjik. Projekti im i ri është një aventurë dhe jo rutinë. Historia ka karakter shqiptar, por është multikulturore. Pasi lidhet me Shkupin si zonë etnikisht e përzier, atëherë ka mundësi të kërkoj edhe bashkëpunim me partnerë nga Kosova, ende nuk e di saktë. Herën e fundit atje isha në PriFilmFest dhe mendoj se shpejt do të vij prapë, ta mbajë ende gjallë publikun tim kosovar.
Dhe së fundmi, cila është këshilla juaj për regjisorët e zonës komforte. Çka duhet bërë që ata të sfidojnë veten dhe punë e tyre… Kjo është një pyetje shumë e qartë dhe bukur. Dhe më vjen mirë që dikush e kupton këtë gjë, që njerëzit duhet të dalin nga lëvozhgat ku kanë hyrë qëmoti.
Regjisorët sot janë nxënësit e dobët, ndërsa unë dua të kundërtën. Dua më shumë rrezik dhe më pak llogaritje. I lus regjisorët të dalin nga zona e sigurtë, sepse edhe politika e pushteti kësisoji i kanë në duar më shumë. Filmi ka nevojë për konflikt dramatik, dhe temat e reja sidomos në Ballkan na duhen urgjentisht.