Ngjarja e pazakontë në mes të Tiranës, ku pasagjerët e linjës Kombinat-Kinostudio kanë qenë në panik. Policia mbërrin pas 20 minutash. Policia ka vënë në pranga një person të dyshuar.
Rreth orës 11:00 të dy ditëve më parë në linjën urbane të Kombinatit, në Tiranë, pasagjerët e linjës Kombinat-Kinostudio janë mbajtur peng për 15 minuta. Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, kur autobusi nuk ka ndaluar në stacionin e tij të zakonshëm, por disa metra më larg. Nxitimi i fatorinos duke shtyrë njerëzit nga fundi i autobusit në fillim, për t’i dhënë “urdhër” kolegut të tij, shoferit, për të bllokuar dyert kishte si shkak paratë e zhdukura nga kuleta e parave të biletave.
Ngjarja
Në pranga është vënë Marsel Binjaku, i dyshuar për këtë vjedhje. Autobusi nuk ka ndalur menjëherë. Vetëm pasi fatorinoja ka komunikuar me shoferin, si dhe eprorët e tij të linjës atëherë ka telefonuar edhe policinë. Deri në këto momente “hajduti” nuk është ndier. Ndërsa pasagjerët as nuk janë njoftuar për këtë ndalesë, as me mikrofon që duhej të ishte në kësi rastesh, të paktën, në autobusë. Nuk është kuptuar prej tyre se çfarë po ndodhte, ndërsa tentonin shumë prej tyre të zbrisnin nga dera e parë, afër shoferit. Në këtë rrëmujë, një djalë rreth të 30-ave i gjendur papritur tek dera, ka shtypur butonin e emergjencës dhe ka dalë me forcë nga autobusi. Pas tij ka nxituar edhe fatorinoja, duke e ndjekur disa metra në rrugë e gati përleshur me të në trotuarin afër kryqëzimit tek “21 Dhjetori”.
Pasagjerët peng
Gjithë skena është ndjekur nga pasagjerët të ngujuar prej më shumë se 15 minutash në autobus. Ndërsa policia si gjithmonë ka vonuar ardhjen, ndonëse ngjarja po ndodhte në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Fatorinoja është kthyer mbrapsht në autobus pa mundur të “fitojë” me përleshjen fizike me hajdutin, ndonëse jo me dhunë. Pas kësaj, mjaft pasagjerë kanë nisur të thërrasin për hapjen e dyerve të autobusit; njëra thoshte “kam vajzën në spital duhet të iki menjëherë”, një djalë i ri, pa hequr syzet gati po hapte derën “dhunshëm” prej nervozizmit, të tjerët bërtisnin nga mesi i autobusit… Të gjithë këta në çdo sekondë dukeshin “të dyshuarit”, edhe pse “hajduti” tashmë ja kishte mbathur ende pa ardhur policia.
Arrestimi
Vetëm pas shumë minutash ia mbërriti makina e policisë, kur pothuaj gjysma e autobusit ishte boshatisur. Në fakt, kjo është skenë e zakonshme për policinë tonë, në vlerësimin e të tillë situatave. Po ashtu, të zakonshme janë edhe historitë me hajdutë, sidomos të linjës së autobusit të Kombinatit… ndërsa pak qytetarë ka të mësuar më kësi ngjarjesh, që u merret koha si pengje, në mes të kryeqytetit. “Më datë 18.6.2015, u arrestua në flagrancë shtetasi Marsel Binaku, 38 vjeç, banues në Tiranë, sepse në Rrugën e Kavajës, në autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio, është kapur në flagrancë duke vjedhur shumën prej 11.000 lekësh shtetasit A. Sh., 35 vjeç”, – ka bërë të ditur dje Policia e Tiranës.
Gjuta nuk pranon akuzat, u kap me një pistoletë të larë në ar
Vladimir Gjuta nuk pranoi asnjë nga akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ai nuk pranoi të jetë organizator i sulmit me tritol në farmacinë e të atit të ministrit të Brendshëm dhe nuk pranoi as të ketë kërcënuar vetë ministrin me mesazhe telefonike. Burime të policisë bënë të ditura se Gjutës iu gjet një pistoletë tip “Glock” e personalizuar me inicialet e tij dhe e larë në flori, armë kjo e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Armëmbajtja pa leje do të jetë një tjetër akuzë që do t’i shtohet atij. Gjuta tha për grupin hetimor se ai do të dorëzohej vetë në polici pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Policia e ka lidhur këtë në mënyrë jozyrtare me faktin se në xhep i kanë gjetur një listë me persona të stafit elektoral të kandidatit Hasan Halili për Bashkinë e Kukësit, qytet ku edhe Vladimir Gjuta ishte duke udhëtuar. Gjuta ishte vëzhguar për një kohë të gjatë nga agjentë të policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Në 48 orët e fundit, kohë në të cilën ai po bëhej gati për të lëvizur drejt qytetit verior, forcat policore shtuan numrin e agjentëve në vëzhgim dhe mundën të kryenin arrestin sapo ai hyri në tunelin e Kalimashit, në autostradë. Lokalizimi i Gjutës ka qenë tepër i vështirë ka thënë policia, e cila shpjegoi se nuk ka përdorur celularë por bashkëpunëtorë për komunikimet. Ndaj Gjutës ka nisur edhe hetimi pasuror. Grupi hetimor tha se, ka të paktën 3 prona të pajustifikuara. Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me autoritetet britanike, pasi dyshohet se aktivitetin e tij kriminal ky shtetas e ka zhvilluar në Angli. Në arrati mbetet ndërkohë nipi i Gjutës së vjetër, Baftjar Bruka, i cili është i shpallur në kërkim si autor i vendosjes së tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit.
Shkon për të vjedhur, e “arrestojnë” banorët e pallatit
Një i ri është vënë në pranga nga policia gjatë ditës së djeshme, pasi ishte kapur në flagrancë, duke vjedhur. Në fakt, kanë qenë banorët e një pallati që e kanë “arrestuar” dhe më pas kanë pritur policinë për ta dërguar në qeli. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se gjatë ditës së djeshme është prangosur në flagrancë Arsen Qose, 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë disa herë për vjedhje. Ai është arrestuar sepse në rrugën “Tre Dëshmorët” Yzberisht, pallatet e firmës “Sivi”, në bashkëpunim me 28-vjeçarin me inicialet E. K., i shpallur në kërkim, banues në Tiranë, kanë thyer bravën e derës së jashtme janë futur në një banesë. Por ata janë pikasur nga e zonja e shtëpisë, 52-vjeçarja me inicialet A. Ch. Pasi ajo ka dhënë alarmin, Arsen Qose është kapur në flagrancë nga banorët. Nga hetimet e kryera rezulton se këta persona janë autor të vjedhjes së banesës së shtetases Sh. Gj., më datë 16 maj 2015, në Tiranë dhe në qytetin e Durrësit. Punohet për kapjen e autorit tjetër me inicialet E. K.
Shqiptarja kishte vdekur në 2014, familja vazhdonte e merrte pensionin
Kishte vdekur që në fillim të tetorit 2014 në Shqipëri, por në Pinerolo të Torinos INPS vazhdonte t’i jepte pensionin social. Ka qenë Guardia di Finanza që ka zbuluar vjedhjen me mashtrim në dëm të INPS-it. Sipas policisë financiare, i biri L. A. i gruas së vdekur ka vazhduar të tërheqë pensionin social të saj që derdhej nga instituti i sigurimeve shoqërore italiane në një librezë postare. Duke i shkaktuar INPS-it një dëm prej 1.714 eurosh. E nuk mbaron me kaq. Financierët kanë zbuluar se edhe i shoqi i të vdekurës, J. A., merrte një pension social në emër të tij, 568 euro në muaj. Edhe ky padrejtësisht. Nga kontrollet mbi të është vërejtur që burri nuk ka hyrë në Itali që nga korriku i vitit të shkuar, ndaj ka përfituar padrejtësisht nga INPS 5.672 euro. Me sinnjalizimin e policisë financiare, INPS ka pezulluar të dyja pensionet e ka nisur procedurat për rikuperimin e rreth 7.500 eurove që atë e bir i kanë marrë pa pasur të drejtë.