Kërkesa e Prokurorisë/ Trafikonin 240 kg kanabis drejt Greqisë, kërkohen 37 vite burg për 4 të ndaluar

Artan Cena

per faqen e dyteErgest Prifti, Fadil Demaj, Naim Maloku dhe Ezmir Jauri gjykohen në Tiranë, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit: Edmond Kabashi, Julian Bedollari, Erion Velo e Georgios Moysidis, po vuajnë dënimin në një burg grek

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar këtë të premte dënimin me 37 vjet burg për katër shtetas, të akuzuar si pjesëtarë të një grupi kriminal që trafikonte drogë drejt Greqisë. Sipas një njoftimi për shtyp, 4 të akuzuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë që janë arrestuar dhe tashmë ndodhen në një burg grek, janë kapur me 240 kilogramë kanabis në aksin Kapshticë – Athinë. Sasia e bimës narkotike u konfiskua në prill të vitit 2014, pas hetimeve të përbashkëta të policisë shqiptare dhe asaj greke. Prokurorët kanë kërkuar dënimin e shtetasve: Ergest Prifti, Fadil Demaj, Naim Maloku dhe Ezmir Jauri, ky i fundit për moskallëzim krimi. Gjykimi për ta është kryer me procedurë të shkurtuar, ndërkohë që për një bashkëpunëtorin e tyre, shtetasin Gentian Dervishi, procesi po vijon me gjykim normal.

 

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin total prej 37 vitesh burgim për katër shtetas, të akuzuar se bashkë me katër shtetas të tjerë, të arrestuar dhe të dënuar në Greqi, janë pjesë e një grupi kriminal përgjegjës për trafikimin e një sasie prej rreth 240 kg lëndë narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, e cila është zbuluar pas një hetimi të përbashkët shqiptaro-grek në datë 8.4.2014 në zonën e Kozanës, në segmentin Kapshticë – Athinë.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda cilëson fajtorë dhe kërkon dënimin e shtetasve: Ergest Prifti, Fadil Demaj, Naim Maloku dhe Ezmir Jauri, për moskallëzim krimi. Gjykimi për këta 4 persona është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, ndërkohë që për bashkëpunëtorin e tyre, shtetasin Gentian Dervishi, procesi po vijon me gjykim normal. Këta persona, në bashkëpunim edhe me shtetasit Edmond Kabashi, Julian Bedollari, Erion Velo dhe Georgios Moysidis, të cilët u arrestuan dhe aktualisht janë dënuar në Greqi për këtë fakt penal, janë përgjegjës për sigurimin, transportin dhe trafikimin e 240 kilogramë lëndë narkotike, e cila, pas një bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe greke, u zbulua në një automjet në zonën e Kozanës, në segmentin Kapshticë – Athinë, në datë 8.4.2014.

Fillimisht, pas një hetimi të nisur nga autoritetet shqiptare, u vunë në dijeni edhe autoritetet greke, të cilat arrestuan në flagrancë shtetasit që tashmë janë dënuar në Greqi dhe më tej u kryen veprimet e arrestimit për bashkëpunëtorët e tyre. Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda arriti të provojë skemën e trafikut dhe rolin e gjithsecilit prej tyre. Sipas këtyre hetimeve, të nisura në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, shtetasi Fadil Demaj ishte i dyshuar se kryente veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin Edmond Kabashi, i cili jetonte në Greqi.

Në vijim të hetimit, rezultoi se shtetasit Gentian Dervishi dhe Ergest Prifti disponon një sasi lënde narkotike, të cilën synonin ta trafikonin drejt Greqisë. Këta dy shtetas siguruan një kamion tip “Steyr” me targa të huaja dhe kryen procedurat e targimit pranë autoriteteve shqiptare. Këta dy persona e dërguan mjetin në shtëpinë e shtetasit Naim Maloku, sipas porosisë së shtetasit Edmond Kabashi (i cili ishte në Shqipëri në atë kohë), ku gjendej sasia e lëndës narkotike, si edhe pajisjet për prerjen dhe paketimin e saj. Pasi e ngarkuan lëndën narkotike, mjeti, në dt. 7.4.2014, arriti të kalonte pikën kufitare të Kapshticës për në drejtim të territorit grek dhe në të udhëtonin shtetasit Edmond Kabashi dhe Julian Bedollari, të cilat do të bënin dorëzimin e lëndës në Athinë tek shtetasi shqiptar me banin në Greqi, Erion Velo.

Të gjitha këto veprime të asaj dite, si edhe të disa ditëve më parë, kanë qenë nën vëzhgimin e autoriteteve shqiptare, në kuadër të procedimit penal të nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, si edhe në bashkëpunim me autoritetet greke.

Në bazë të informacioneve të autoriteteve greke mbi vijimin e operacionit në territorin e tyre, rezulton se pas mbërritjes së mjetit “Styer” të nisur nga Shqipëria, saktësisht në vendin e quajtur “Parking 90” i cili ndodhet në Athinë/Greqi, në autostratën Selanik – Athinë, më datë 8.4.2014 rreth orës 08:30, janë afruar shtetasit Georgios Moysidis dhe Erion Velo, të cilët pasi janë takuar me shtetasit Edmond Kabashi dhe Julian Bedollari, kanë marrë kamionin për ta transportuar në një magazinë ku do të bëhej edhe shkarkimi i lëndës narkotike. Pas ndërhyrjes së autoriteteve policore Greke, është bërë e mundur sekuestrimi i sasisë prej 239 kg e 689 gr kg lëndë narkotike marijuanë, e cila ishte fshehur në kamionin me targë AA 526 JB, si dhe arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur. Menjëherë pas këtij informacioni mbi veprimet e autoriteteve policore Greke, sekuestrimit të sasisë së lëndës narkotike dhe kapjes së personave nga autoritetet policore Greke, nga shërbimet e Policisë Shqiptare është bërë i mundur arrestimi i të pandehurve Gentjan Dervishi, Ergest Prifti, dhe Fadil Demaj. Gjithashtu është arrestuar dhe i pandehuri Ezmir Jauri, i cili ditën e ngjarjes ka qënë nën shoqërinë e të pandehurve dhe ka pasur dijeni lidhur me trafikimin e lëndës narkotike.

 

TË PANDEHURIT:

Ergest Prifti

Fadil Demaj

Naim Maloku

Ezmir Jauri

 

Trafikonin kanabis “çokollatë”, dy në pranga e dy në kërkim

 Dy trafikantë droge janë arrestuar mëngjesin e djeshëm në fshatin Qeparo-Fushë të Vlorës, pranë fabrikës së vajit dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata u kapën në flagrancë me 26 kg kanabis të paketuar si “çokollatë” në momentin e shkëmbimit me një grup tjetër, në kuadrin e një operacioni policor të koduar si “Qeparoi”. Personat e arrestuar janë Alsid Cani, 25 vjeç dhe Fatjon Rexho, 29 vjeç, banues në Gjirokastër. Ndërsa, janë shpallur në kërkim kërkim Florenc Proko, 34 vjeç dhe E. Çuni. Sipas policisë së Vlorës “është finalizuar operacionin e koduar “Qeparoi”, ku është sekuestruar 25 kg dhe 530 gram lëndë narkotike “çokollatë”. Janë arrestuar në flagrancë poseduesit: Alsid Cani, vjeç 25, lindur dhe banues në Gjirokastër dhe Fatjon Rexho, vjeç 29, lindur dhe banues në Sarandë”. Arrestimi i tyre është bërë i mundur pas një hetimi 1-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, në fshatin Qeparo-Fushë të Vlorës, në afërsi të fabrikës së vajit. Policia ka bërë të mundur arrestimin e këtyre poseduesve në momentin kur ata po tentonin të shkëmbenin lëndën narkotike me një grup tjetër, që është në ndjekje nga Policia. Lënda narkotike e llojit “çokollate” (kanabis sativa) ishte e vendosur në 57 pako në formë drejtkëndëshi të mbështjellë dhe 4 të tjera të mbështjella 2 e nga 2 me qese plastmasi ngjyre jeshile dhe me natriban të tejdukshëm. Nga tërësia e të gjitha veprimeve, Policia ka shpallur në kërkim edhe dy të rinj të tjerë: Florenc Proko, 34 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër dhe E. Çuni, 35 vjeç, banues në Delvinë, të cilët rezultojnë bashkëpunëtorë me shtetasit e mësipërm.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko