Vota është pushteti juaj

0
147

Nga Bujar Nishani*

Nga Bujar NishaniTë dashur qytetarë,

Këtë të diel, më datë 21 qershor, jemi ftuar të gjithë për të ushtruar sërish të drejtën tonë të votës së lirë, pasurinë tonë më të çmuar në shoqërinë e hapur demokratike që po ndërtojmë prej vitesh. Do të manifestojmë secili bindjet tona, lirinë e gjykimit, përgjegjësinë e zgjedhjes. Do të shërbejmë të gjithë bashkë demokracinë tonë të re.

Thirrja ime për ju, të nderuar qytetarë të vendit tim, është të merrni pjesë në mënyrë masive në votime, të ushtroni lirisht dhe vendosmërisht të drejtën tuaj sovrane të zgjedhjes, të vendosni me vote të lirë mbi alternativën më të mirë për bashkinë tuaj për të orientuar politikë-bërjen drejt shqetësimeve tuaja, për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën tuaj. Ky është misioni, kjo është detyra e çdo qytetari të përgjegjshëm. Vota e lirë i jep jetë gjykimit publik të pushtetit, i jep jetë llogaridhënies së drejtuesve të zgjedhur para qytetarëve. Indiferenca, mospjesëmarrja, e ca më keq shitblerja e votës, investojnë papërgjegjshmërinë e pushtetit.

Testi zgjedhor i datës 21 qershor, thuajse një vit nga marrja e Statusit të Vendit Kandidat, duhet të shërbejë si investimi ynë kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke marrë shkas nga denoncime dhe të dhëna të ofruara edhe nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe jo vetëm, gjej rastin t’u drejtohem me besim të plotë drejtuesve të administratës zgjedhore, të organeve të pavarura dhe të Policisë së Shtetit, nëpunësve të Administratës Publike dhe shoqërisë civile, të jenë të angazhuar në punën e tyre të përditshme në përputhje me ligjet e vendit, në funksion të mbarëvajtjes së procesit. Dëshiroj të theksoj se roli i tyre në këtë proces është thelbësor dhe vazhdimisht i monitoruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, siç dhe evidentohet nga raporti i ndërmjetëm i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it. Çdo veprim në kundërshtim me ligjet e vendit dhe parimet demokratike është në dëm të procesit zgjedhor në tërësi, aq të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve dhe çeljen e ardhshme të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Si President i Republikës së Shqipërisë, në emër të gjithë shqiptarëve, gjej rastin t’u shpreh partnerëve tanë ndërkombëtarë mirënjohjen e thellë për angazhimin dhe kontributin e tyre të vyer në procesin e zgjedhjeve vendore 2015 në Shqipëri. Dëshiroj të falënderoj veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasadorin e këtij vendi të madh mik, Shkëlqesinë e Tij, zotin Donald Lu, qëndrimet e të cilit po orientojnë jo vetëm politikën shqiptare, por dhe votuesit të shkëputen nga dukuria e shitblerjes së votës dhe nga kandidatë apo përfaqësues me të shkuar kriminale, të padenjë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.

Të dashur qytetarë,

Ushtroni të drejtën e tuaj të votës në mënyrë të pavarur dhe të lirë ditën e diel, më datë 21 qershor 2015, mos e tjetërsoni votën tuaj, mos e shisni votën tuaj! Vota është pushteti juaj sovran, vota është dinjiteti juaj.

*President i Republikës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here