Surprizat e zgjedhjeve/ PD fiton në Përmet, Pogradec dhe Mallakastër, PS fiton Hasin dhe Dibrën, Gjergji goro fiton në Himarë, PD del e katërta

0
172

fitorja ne permet e pdPavarësisht se PD humbi në tërësi zgjedhjet vendore, mund të thuhet se surpriza e opozitës ishte në disa bashki, të cilat njihet si bastione të së majtës. Kështu pas shumë viteve PD fitoi në Bashkinë e Pogradecit, ku kandidati i APPD Eduard Kapri arriti të mposhtë Diana Milen e ASHE-së me 50.93% të votave, gjithsej 17647 vota. Një tjetër bastion i humbur nga e majta në këto zgjedhje lokale ishte edhe bashkia e Përmetit, ku ish-kryebashkiaku i saj që rikandidonte në emër të ASHE-së Gilberto Jaçe humbi me diferencë garën përballë Niko Shupulit të APPD-së. Ky i fundit siguroi 58.58% të votave, gjithsej 4771 vota përballë Jaçes që siguroi vetëm 38.53% me 3138 vota. Fitore surprizuese të së djathtës ishin edhe ato në Mallakastër, Cërrik dhe Selenicë të cilat prej kohësh janë quajtur si bastione të majta. Agron Kapllanaj në Mallakastër me 1750 vota më shumë ndaj kandidatit të majtë Shqyqyri Kapllani, i cili kandidonte si propozim i LSI-së. Ndërkaq kandidati i djathtë për Bashkinë e Selenicës Përparim Shametaj me 6.096 vota ose me 53,8% të votave ka dale fitues përballë kandidates së pavarur Alma Golemaj e cila ka marrë vetëm 151 vota dhe Kasëm Cenajt i mbështetur nga ASHE, ky i fundit ka marrë 5078 vota ose 44.86 vota. Por fitoret surprizë nuk ishin vetëm në krahun e të djathtëve, pasi pavarësisht se e majta ka humbur disa bastione të saj në jug, ka fituar disa bastione të djathta në veri. ASHE mori rezultat pozitiv në bashkitë e Pukës dhe Fushë Arrësit, që njihen si të djathta si edhe siguroi fitoren pas shumë vitesh edhe Bashkinë e Delvinës. Më e veçantë ka qenë fitorja e të majtëve në Has, ku Adem Lala ka siguruar garën me 4884 vota përballë 4245 vota të marra nga Elez Maçi, kandidati i të djathtëve.

 

Gjegji Goro fiton në Himarë, PD del e katërta

Kandidati i koalicionit të majtë Gjergj Goro doli fitues në garën për Bashkinë e Himarës. Kryebashkiaku i rizgjedhur nga himarjotët me 4747 vota duke lënë pas me 2412 vota diferencë konkurrentin kryesor të PBDNJ-së, Fredi Belerin. Në fund të garës, Goro i ka dhënë dorën miqësisht kundërshtarit të tij, Fredi Beleri, duke pohuar se janë miq dhe që duhet të punojnë së bashku, ndonëse mendimet janë të ndryshme. “E gjithë kjo duhet të bëhet në të mirë të Himarës”, – tha ai. Ndërkaq, Partia Demokratike mori një rezultat më shumë se negativ në këto zgjedhje ku siguroi vetëm 596 vota e ndërsa kandidati i pavarur Vladimir Kumiu 861 vota. Ndërkaq, historike ishte edhe diferenca prej 2412 vota midis fituesit Goro dhe rivalit kryesor të tij Bejleri. Në zgjedhjet e kaluara në mandatin e parë, diferenca midis Goros se PS dhe ish-kandidatit të PBDNJ Bollano ishte rreth 70 vota.

 

PD merr Lezhën me Fran Frrokajn, Tushaj humbet garën pas dy mandatesh

Gara në Bashkinë e Lezhës ka shpallur fitues kandidatin e djathtë Fran Frrokaj me 55% të votave, kundrejt 45% të kandidatit të ASHE Viktor Tushaj. Ky i fundit i propozuar nga LSI humbi Bashkinë e Lezhës pas dy mandateve dhe nuk arriti të fitonte mandatin e tretë në këto zgjedhje vendore. Gara mes dy kandidatëve të kësaj Bashkie ishte mjaft e fortë dhe rezultati paraprak mes tyre ka qenë mjaft i ngushtë gjatë gjithë numërimit. Diferenca e fitores së Frrokajt vjen me 10%. Vlen të kujtojmë se në 2013, PD ka pasur 2300 vota minus në krahasim me koalicionin e majtë në Lezhë e ndërsa tanimë kemi 700 vota minus vetëm në qytetin e Lezhës, duke rikuperuar kështu rreth 1500 vota.

 

PD fiton Matin, Farrici: Ankimojmë 5 kuti votimi. Në Lushnjë fiton Tushe, i pari që rizgjidhet

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Mat, aty ku kandidonte për kreun e Bashkisë kandidatja e mazhorancës, Adelina Farrici, si dhe kandidati i opozitës Nezir Rizvani, me këtë të fundit të përcaktuar fitues. Megjithatë, pas procesit të numërimit, kandidatja e ASHE-së Farrici ka kërkuar pezullimin e procesit të nxjerrjes së rezultatit, duke shtuar në kërkesën e saj edhe ankimimin për 5 kuti votimi, të cilat i argumenton si të parregullta. Farrici ka premtuar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore deri në fund për të mësuar edhe zyrtarisht fituesin e postit të kryebashkiakut të Matit, nga një garë që kur kishte mbetur edhe vetëm 1 QV për t’u numëruar, i shihte kandidatët rivalë me vetëm 29 vota diferencë në favor të Adelina Farricit. Rezultatin e ka përmbysur pikërisht numërimi i qendrës së fundit të votimit, që i përkiste njësisë administrative të Bazës. Ndërkaq, në garën për Bashkinë e Lushnjës u shpall fitues kandidati i majtë Fatos Tushe përballë kandidatit të opozitës Darien Xhindoli. Tushe i cili u rizgjodh me 25026 vota kundrejt 22912 të kandidatit të opozitës në Bashkinë e Lushnjës, shënoi edhe një tjetër arritje. Për herë të parë në 25 vite, asnjë kryetar Bashkie në këtë Bashki nuk ka mundur të fitojë dy herë radhazi, edhe pse ka pasur disa kryebashkiakë që kanë rikandiduar.

 

Në Memaliaj, PD forcë e pestë/ Lazarati, “shpullë” mazhorancës: 1919 vota PD-së e vetëm 133 të majtëve

Megjithëse garën për Bashkinë e Gjirokastrës e fitoi kandidatja e majtë Zamira Rami, Lazarati ka dhënë një votë plebishitare në favor të së djathtës dhe kandidatit Igli Kokalari. Me hapjen e kutive, PD-ja mori 1919 vota, ndërsa e majta mori 133 vota. Kjo votë kundër vjen edhe për shkak të operacionit të zhvilluar nga qeveria pak kohë më parë në këtë fshat, ku opozita akuzoi në atë kohë për ushtrim terrori ndaj qytetarëve që nuk kishin lidhje me grupin e armatosur që iu kundërvu forcave të policisë. Por ndërsa PD siguroi një rezultat kaq të thellë në Lazarat, në Memaliaj ajo ka marrë rezultatin më të dobët në të gjithë vendin, duke u renditur në vendin e pestë. Kandidati i djathtë në këtë Bashki, Sadik Xheli ka marrë vetëm 9.32% të votave.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here