Jetmir Olldashi
Partia Demokratike ka thyer bastione të vogla në jug, ka humbur disa bastione në veri, ndërkohë që ka humbur bashkitë kryesore në vend, përveç Shkodrës dhe Lezhës
Një rezultat të dobët si në vitin 2000 ka arritur Partia Demokratike në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Pavarësisht se ka arritur të fitojë bastione të majta si Mallakastra, Përmeti dhe Dropulli, rezultatet flasin për më pak se 25% të zonave zgjedhore të fituara nga opozita. Humbja në bashkitë e mëdha ishte e njëtrajtshme si në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Durrës, Elbasan, Korçë dhe sigurisht në Tiranë.
Tirana ka sjellë një humbje, e cila sa vjen edhe zgjerohet pavarësisht se kandidati i djathtë Halim Kosova ishte një nga më të mirët në historinë e opozitës. Rezultatet janë të rënda në të gjitha njësitë zgjedhore, por sidomos në qendrën tradicionale të Tiranës, ku e djathta ka fituar historikisht. Humbja e Tiranës me një rezultat kaq të thellë lë shije shumë të hidhur, sidomos me një diferencë e cila ka projeksionin të kalojë 40 mijë vota. Organizimi i Partisë Demokratike në Tiranë është i tillë që s’ka kryetar të degës më të madhe në Shqipëri. Rrjedhimisht, nuk dihet se kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë humbje historike të së djathtës në Tiranë.
Durrësi
Humbja e Durrësit ishte po aq e papritur edhe për nga rezultati, por edhe nga pritshmëritë e opinionit publik. Me një përplasje të fortë me aleatin historik PR përpara nxjerrjes së rezultateve, mbi kandidaturën e Agron Dukës, kryesia e vogël e PDSH-së vendosi të paraqitej para zgjedhësve me ofertën e Grida Dumës. Përfundimi i procesit të numërimit ishte katastrofik, një rezultat si asnjëherë tjetër duke e zbritur në rreth 40% mbështetjen e të djathtës në Durrës. Përplasjet për Bashkinë e Durrësit duket se ndikuan në humbjen e bastioneve të tjera në këtë qark si Shijaku dhe Kruja.
Elbasan
Një humbje e njëtrajtshme është regjistruar edhe në qarkun e Elbasanit me një mbështetje rreth 40% për opozitën. Bashkia e Elbasanit u fitua nga e majta në një mandat të tretë dhe nuk iu përgjigj kandidatit të djathtë, i cili është votuar në vitin 2003 si qytetar i parë. Humbja ishte evidente në Cërrik, Librazhd edhe Gramsh.
Fier
Kandidatura e Enkelejd Alibeajt nuk i ka mjaftuar të djathtës të thyente një bastion të majtë si Fieri. Sidoqoftë, rezultati i Fierit është ndoshta më pozitivi në jug të vendit. Mallakastra ishte rezultati, i cili shpëtoi disi nderin e së djathtës në qarkun e Fierit, ndërsa humbja ishte e thellë në Lushnjë, Divjakë, Roskovec dhe Patos.
Vlorë
Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje u pa si një fitore e së djathtës, por në fakt kutitë treguan së humbja e PD-së ishte më e rëndë se mendimi i çdo skeptiku. Bashkia e Vlorës e zbriti në 30% koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, ndërsa humbje e rëndë u shënua në Delvinë dhe vendi i katërt në Bashkinë e Himarës. Qarkun e Vlorës e shpëtoi disi Saranda, e cila edhe pse u humb, u luftua pas çdo kutie dhe vote. Ndërkaq, Selenica me Përparim Shametin mbajti lart flamurin blu në qarkun e Vlorës.
Shkodra
Opozita po shkon drejt një fitoreje të thellë në Shkodër, ndërsa ka fituar gjithashtu bindshëm dhe në Vaun e Dejës. E deleguar për Bashkinë e Shkodrës ishte ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila duke u gërshetuar me një kandidaturë si Voltana Ademi, ka arritur të marrë mbështetjen maksimale nga elektorati i kryeqendrës së veriut. Ndërkohë, PD humbi Pukën e Fushë-Arrëzin dhe ka një trend humbës në Malësinë e Madhe. Humbja e bastioneve duket se ka qenë e papritur dhe do të ketë kosto për drejtuesit lokalë të PD-së në këtë qark.
Korça
Pogradeci dhe Devolli nuk i mjaftojnë PD-së të shpëtojë nderin e saj në qarkun e Korçës. Humbja e Bashkisë së Korçës, Kolonjës dhe Maliqit e zvogëlon opozitën, pavarësisht se këto njësi qeverisen prej disa mandatesh nga e majta. Në Korçë Partia Demokratike delegoi Eno Bozdon, i cili më pas u tërhoq në Tiranë, pasi u cilësua si joorganizativ prej strukturave lokale. Nuk dihet nëse përgjegjësinë do ta mbajë zoti Bozdo që vendosi për kandidatët apo krerët lokalë të PD-së Korçë.
Gjirokastra
Opozita humbi në Gjirokastër përballë një kandidature të përfolur të së majtës edhe pse votat e Lazaratit u derdhën lumë. Fitorja në Dropull i jep vlera gjeografike dhe kulturore, ndërsa ajo në Përmet, thyerjen e një bastioni të majtë. Humbja në bashkitë e Gjirokastrës, Tepelenës, Këlcyrës dhe Memaliajt ishte goditje për shpresat e demokratëve për t’u ringritur në jug. Memaliaj, bastioni i së djathtës në jug, qyteza që shpalli e para Azem Hajdarin qytetar nderi, e nxori PD-në dhe kandidatin e saj të pestin. I deleguari i këtij qarku ishte deputeti Tritan Shehu, i cili është sigurisht dhe personi përgjegjës në përzgjedhjen e kandidaturave.
Berati
Berati humbi 5 me 0, duke humbur të tria përballjet me LSI në këtë qark. Debatet për kandidaturat dhe listat e këshillave bashkiak i hoqën një mundësi të madhe këtij qarku të thyente së paku dominimin PS-LSI. Rasti i një këshilltari në Bashkinë e Beratit, Jançe, i cili iu vetofrua të majtës dhe pas refuzimit u fut në listat e PD-së, duke spostuar disa figura historike dhe me kontribute solli pasoja në këtë situatë. Lënia pa mbështetje dhe fillikat i kandidatëve në Skrapar dhe Poliçan ishte atribut i të deleguarit të qendrës Fatbardh Kadilli në këtë qark. Zoti Kadilli pati përplasje të forta me eksponentë lokalë dhe qendrorë të kësaj partie, çka solli keqorganizim duke e kthyer në anemike strukturën partiake.
Lezha
Fitorja spektakolare e Fran Frokajt është zbehur disi nga humbja në tavolinë e Kurbinit dhe me vota e Mirditës. Fran Frrokaj ia doli të mposhtte me rezultat të thellë rivalin e LSI-së, Viktor Tushaj, falë mbështetjes nga elektorati, duke pasur në krah edhe një të deleguar si Aldo Bumçi. Opozita gaboi në disa manovra paraelektorale kur e fali Kurbinin në tavolinë, pasi zgjedhjet u zhvilluan vetëm me pjesëmarrjen e kandidatit të majtë. Altin Biba dha dorëheqjen, por dorëheqja e tij nuk u pranua nga KQZ-ja dhe Kolegji zgjedhor.
Dibra
Dibra është qarku me rezultatin më të balancuar, duke qenë në garë për Bashkinë kryesore të qarkut deri në votën e fundit. Megjithatë, humbja e Bulqizës si një bastion ka goditur rezultatin edhe në këtë qark.
Kukës
Fitorja e thellë në Kukës, përballë LSI-së, dhe Tropojë kanë zbutur disi humbjen milimetrike në Has.
Memaliaj, PD del e pesta
Memaliaj, bastioni i Partisë Demokratike në jug, i ka dhënë një shuplakë të fortë opozitës, duke e renditur selinë blu të pestën mes po aq kandidatësh. Vendosja e kandidaturës së gabuar ka prekur në sedër demokratët e qytezës së jugut, duke u dhënë një leksion drejtuesve në qendër të Partisë Demokratike.
Ndërkaq, në Himarë PD u rendit e katërta, ku kandidatja e sponsorizuar nga qarqet greke pranë opozitës nuk arriti të merrte as 7% të votave.
PD arriti rezultatin më të ulët në Çorovodë në një garë dyshe, duke marrë më pak se 15% të votave.
Shuhet PBDNJ-ja e Vangjel Dules
PBDNJ është partia që ka pësuar humbjen më të madhe në zgjedhjet lokale. Për herë të parë partia historike e minoritetit grek nuk do të përfaqësohet në nivel drejtuesi vendor. Në Konispol, PBDNJ është renditur e treta me 20% megjithë mbështetjen e PD-së. Edhe në Dropull fitoi Ahilea Decka, përfaqësues i koalicionit të djathtë, duke shënuar edhe herën e parë në historinë e pluralizmit që kjo zonë minoritare voton për të djathtën shqiptare. Në Himarë ka fituar kandidati i majtë ndërsa Fredi Beleri i kandiduar nga Dule ka marrë vetëm 23% të votave.