As në shtëpi, as në burg/ Xhelal Mziu fiton Kamzën dhe betejën me Edi Ramën. Konfirmohet për herë të tretë

0
163

 

Jetmir Olldashi

Xhelal MziuKryebashkiaku i Kamzës shprehet i hapur për të bashkëpunuar me qeverinë e majtë, në të mirë të qytetarëve

Xhelal Mziu është konfirmuar për herë të tretë si kryebashkiak i Kamzës, duke ia dalë të fitojë me rreth 3 mijë vota përballë kandidatit të majtë Safet Gjici. Kandidati i djathtë për Bashkinë e Kamzës u sulmua në mënyrë të paprecedentë nëpërmjet retorikës së Kryeministrit Rama gjatë gjithë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kryeministri në çdo fjalim publik dhe takim elektoral tentoi ta kërcënonte: “Xhelali do shkojë në shtëpi ose në burg pas zgjedhjeve”, duke e kthyer edhe në një objekt sulmi ndaj të djathtës. Rezultati dhe mbështetja e ofruar bënë që Xhelal Mziu të konfirmohet për herë të tretë si kryebashkiak i Kamzës nga qytetarët në një garë të fortë përballë biznesmenit Safet Gjici. Përfundimi i numërimit të votave në Kamëz në mjediset e shkollës së mesme “Ibrahim Rugova” aty ku është vendosur KZAZ nr. 27, e ka nxjerrë fitues z. Mziu me një epërsi prej 2696 votash mbi kundërshtarin. Pas përfundimit të numërimit, z. Xhelal Mziu i pyetur për diferencën nëse ajo ishte në pritshmëritë e duhura, tha: “E rëndësishme është se ishte një fitore shumë e mirëpritur, jo vetëm nga unë, por edhe nga qytetarët e Kamzës. Dua t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët e Kamzës e Paskuqanit që më votëbesuan në këto zgjedhje. Do të mundohem maksimalisht që ta realizoj projektin për zhvillimin e Kamzës dhe Paskuqanit. Do bëj të pamundurën ta meritoj besueshmërinë e qytetarëve të cilën e konsideroj vërtet një përgjegjësi shumë të madhe për menaxhimin e qytetit për katër vitet që do vijnë. Jam i bindur që unë dhe ata së bashku do t’ia dalim në katër vitet që do vijnë ta bëjmë më konkurruese Kamzën dhe Paskuqanin”. Ndërkohë, pyetjes se a do të bashkëpunojë me Ramën, z. Mziu iu përgjigj: “Absolutisht, unë jam i hapur për të gjetur mjaft faktorë siç është qeveria, donatorë të huaj, donatorë vendas, partneriteti me qytetarët dhe sidomos biznesi për të bërë më të mirën për qytetin”. Ndërkaq, mbetet për t’u parë gatishmëria e liderit socialist Edi Rama me një personazh, të cilin nuk la rast pa e sulmuar në daljet e tij publike në fushatë. Gjatë mbylljes së fushatës elektorale kryebashkiaku i djathtë iu drejtua mbështetësve ta votonin, pasi ai ishte makthi më i madh i Kryeministrit të majtë Edi Rama. Përfundimi i zgjedhjeve dhe numërimi i votave duket se i dha të drejtë zotit Xhelal Mziut, i cili ia doli ta sfidonte dhe të fitonte mbi kandidatin e Kryeministrit me një rezultat bindës.

 

Uroj fituesin e zgjedhjeve/ Kosova: Mbetem i angazhuar në shërbim të qytetarëve

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, doktor Halim Kosova, ka pranuar humbjen dhe ka uruar rivalin e tij për fitoren. Ai përshëndeti qytetarët e Tiranës dhe i falënderoi për mbështetjen dhe përkushtimin e ofruar. “Jam këtu sot për të shprehur falënderimet e mia të përzemërta për qytetarët e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë. Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe bashkëbisedimi me ju të dashur bashkëqytetarë do të mbetet një prej përvojave të mia më të çmuara”. Zoti Kosova shprehu edhe arsyet që e çuan në një mënyrë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë të të bërit politikë. Ai falënderoi forcën politike që e kandidoi dhe gjithë qytetarët që e mbështetën gjatë kësaj fushate. “Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë. Dua të falënderoj Partinë Demokratike, anëtarët e simpatizantët tanë, të rinjtë e të rejat që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që kanë punuar pa u lodhur dhe që shumë prej tyre janë ende duke qëndruar pranë votës, për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në dorë një tjetër moment të rëndësishëm, që janë votat për Këshillin Bashkiak”. Ai thumboi dhe uroi rivalin e tij, duke i kujtuar premtimet ndaj qytetarëve. “Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj, të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do t’i mbajë premtimet e nuk do t’i zhgënjejë qytetarët e Tiranës”.

 

Spahiu, thirrje amerikanëve: Mos i njihni zgjedhjet e 21 qershorit

Kreshnik Spahiu i kërkon nëpërmjet një letre të hapur ambasadorit amerikan Lu të bëjë publike emrat e kandidatëve të kriminalizuar që ia dolën të fitonin në zgjedhjet e 21 qershorit. Lideri i Aleancës Kuqezi i ka kërkuar amerikanëve të mos njohin “bashkitë që u fituan nga kriminelët”. Spahiu ka bërë një përmbledhje të gjithë veprimtarisë së diplomatit amerikan duke vënë në dukje dhe e falënderuar për mesazhet e çmuara për qytetarët shqiptarë. “Mijëra shqiptarë panë tek ju një rreze shprese 24 orë para ditës së votimit, kur ju i apeluat gjithë shqiptarëve që të mos votonin kandidatët për kryetar bashkie të cilët janë me rekorde kriminale. Ndërkohë që zgjedhjet përfunduan dhe emrat e kandidatëve fitues u publikuan, një sërë pikëpyetjesh u ngritën sërish për të ardhmen e Shqipërisë”. Më tej kryetari i aleancës kuqezi ka shtruar një sërë pyetjesh të cilat do ti jepnin mundësi qytetarve shqiptarë të kuptonin se ç’po ndodh me kryetarët e bashkive të kriminalizuar. “ Kriminelët u votuan apo u refuzuan me vota nga shqiptarët? A do legjitimohet fitorja edhe nëse atyre do u krijoj imunitet funksioni publik i kryetarit të bashkisë? A do i njoh Uashingtoni ata si partnerë? A do njihen këto zgjedhje të fituara nga “mercedesët e zinj” si proces zgjedhor me standarde apo jo? A do bëhen publikë emrat e kryetarëve që fituan, por që më pare, kanë pas rekorde kriminale apo do lihen anonim emrat e tyre”. Lideri i aleancës kuqezi ka falënderuar duke e quajtur mik të shqiptarëve si dhe ka shprehur shpresën e tij se me avokatinë e mikut amerikan qytetarët shqiptarë do ecin përpara. Aleanca kuqezi nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit duke e kontestuar hartën e ndarjes së re territoriale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here