Gëzim Saliu
Rama vlerëson Ademin në Shkodër: E përgëzoj për fitoren. Çdo votë duhet të numërohet saktësisht, koha kur partive të vogla u merreshin votat ka marrë fund
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ndryshe nga opozita, i cilësoi dje zgjedhjet e 21 qershorit si më të mira në të gjithë historinë e vendit, ku, sipas tij, një sërë problematikash të së shkuarës nuk u panë në 21 qershor. Në një konferencë nga selia e Kryeministrisë, Rama tha se nuk kishte dyshuar asnjë ditë për mbështetjen e reformave të ashpra të marra nga qeveria, të cilat shpeshherë kanë prekur qytetarët. “Dua të ndaj me ju krenarinë time për zgjedhjet më të qeta, më të lira dhe më të ndershme që kemi zhvilluar ndonjëherë. Që nga Tropoja deri në Konispol u zhvilluan zgjedhje qytetare. Qeveria bëri që për herë të parë të mos mbyllej asnjë shkollë për të çuar nxënës dhe mësues për të shkuar në mitingun e Kryeministrit apo shefit të Kuvendit, për herë të parë të mos ushtrohej presion nga asnjë punonjës i shtetit, të mos implikohej asnjë forcë e ushtrisë për të hedhur çakull elektoral për votat e kandidatëve të pushtetit, të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të fortët për vota për llogari të pushtetit, të mos hapeshin dyert e burgjeve për kriminelët me damkë, siç ndodhte deri në 2013”, – deklaroi kreu i qeverisë.
Qëndrimi
Ndërkaq, në konferencën dedikuar zgjedhjeve të 21 qershorit, Rama tha se rezultatet e këtyre të fundit treguan se referendumi i opozitës ndaj qeverisë dështoi. Sipas kreut të qeverisë, “ka lindur një Shqipëri e re e gjeneratës tjetër. Me 61 njësi zhvillimi ekonomik urban dhe social. Kjo është një Shqipëri e re, e qytetarëve të barabartë. Me votën e 21 qershorit barazia e plotë gjinore është kthyer në një fakt që krijon premisat e një epoke të re emancipimi. Jam krenar që ASHE i ka bërë të mundura këto ndryshime historike pa u mbushur dy vjet. Referendumi i PD-së kundër reformave të qeverisë ka humbur akoma më thellë. Nuk dolëm në këtë fushatë për referendumin qorr të PD-së”, – u shpreh ai. Nga ana tjetër duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHRI-t, Rama theksoi se qeveria do të marrë masa për përmirësime. “Falënderoj vëzhguesit ndërkombëtar, misionin e OSBE/ODIHR ambasadorin e BE dhe SHBA për kontributin e tyre. Ne nuk do flemë mbi dafinat e këtij suksesi, por do të shikojmë çdo gjetje të raportit të misionit të OSBE/ODIHR. Ka nevojë për përmirësime dhe ne do t’i bëjmë”. Po ashtu Kryeministri uroi të gjitha kandidatet gra të zgjedhura në lokalet e 21 qershorit, ku shprehu përgëzime edhe për fitoren e Voltana Ademit në Shkodër. “Në 9 bashki do qeverisin gra, 8 kandidate të ASHE, të cilat i uroj për fitoren, ashtu siç ia uroj përzemërsisht kandidates në Shkodër. Uroj që PD të na bashkohet në reformën territoriale. Ky është momenti fantastik, Shqipëria s’ka kohë për të humbur ashtu siç ka humbur”, – pohoi Rama.