Nga av. Xhafer Sadiku
Në një mbledhje me sekretarët e KQPPSH, disa ditë para kongresit të nëntorit 1986 të PPSH, Ramiz Alia i vuri në dijeni se ato ditë i kishte rënë në dorë një dokument tepër sekret i amerikanëve, që siç tha ai, “hedh dritë të qartë mbi këtë armik (M.SH.) dhe spiunët e tij”. “Ky dokument, – theksoi Ramiz Alia, – tregon se sa e arsyetuar e sa e saktë ka qenë analiza e sh. Enver për komplotin e Mehmet Shehut, megjithëse shumë të dhëna i mungonin”.
Por cila ishte përmbajtja e letrës, sipas Ramiz Alisë:
‟…tetor 1960. Tepër sekret. Në shtatorin e kaluar, u bë një mbledhje me një mik në Nju Jork, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me vetë atë u arritën disa përfundime: M-008 u zotua të marrë pushtetin. Propozon të veprojë kështu: të ftojë për drekë E. H. dhe t’i hedhë në pijen e tij një helm me efekt të mëvonshëm që do t’i shkaktojë vdekjen. Agjenti ynë na lajmëron se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet se Enver Hoxha po krijon një ndjenjë fanatizmi kolektiv.
Miku ynë e quan krejt të mundur, se është zgjedhur për të qenë vazhdues i Enver Hoxhës, dhe me kohë, do fillojë të zëvendësojë pasuesit, duke vënë në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në qoftë se do të fitojë kjo tentativë, do të zbatohet program minimum si më poshtë:
- Do të vendosen marrëdhënie me të gjitha vendet kryesore të perëndimit; SHBA dhe Anglinë.
- Konflikti për arin shqiptar do të zgjidhet nga një Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës.
- Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: FMN, si dhe të tjerave të krijuara me këtë qëllim.
- Do të bëhet paqe me fqinjët (Jugosllavi, Greqi) duke mënjanuar me të parën që të gjitha konfliktet që vijnë si pasojë e luftës ideologjike nga Enver Hoxha dhe grupi i tij, duke firmosur me të dytën një traktat paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi, që do të hapë kufijtë e të dy vendeve.
- Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm.
- Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e izolimit ndërkombëtar.
- Qeveria e re do të thërrasë zgjedhjet brenda një afati prej 3-5 vjet, duke pranuar lindjen e të gjitha partive politike në shkallën më të re…”.
Këtë njoftim ua bëra të ditur, shokë, vetëm juve,.. Ai nuk sjell ndonjë gjë të re, veçse, siç e thashë, vërteton se sa drejt ka gjykuar Partia jonë dhe shoku Enver edhe pa i njohur këto prapaskena të armiqve. Për këtë arsye nuk ia vlen barra t’i jepet Partisë, po ky dokument do t’i bashkëngjitet dosjes me dokumentet e tjera të kësaj çështje”.
A mund të besohet se këto radhë janë të një dokumenti të vitit 1960? Me përjashtim të çështjes së arit që u zgjidh me pajtim, a nuk është zbatuar ku plan me përpikmëri nga Ramiz Alia? A nuk u bene zgjedhjet ne 1991, pra 5 vjet nga kjo mbledhje? A qëndron në ketë platformë dominimi i socialistëve në jetën politike shqiptare edhe pas kaq vjetësh?
___________
AQSH, FO. 14, viti 1986, dosja 57, f. 378-381; (Në arkiv nuk është dokumenti, por janë fjalët e Ramiz Alisë)