Hetimet në Lazarat/ Prokuroria zbulon se si u vra oficeri i RENEA-s, Ibrahim Basha. Përgatitjet e grupit

0
159

Artan Cena

policia ne lazarat reneaProkuroria e Krimeve të Rënda ka arritur në rezultatin se pas sulmit me armë në Lazarat, të rinjtë dyshohen se janë pjesëtarë të këtij grupi të armatosur kanë pasur qëllim rikthimin e kanabisit

 Të shtënat e grupit të armatosur që i morën jetën efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, nuk kanë qenë aspak të rastësishme. Ky grup kriminal e kishte përgatitur skenarin për të sulmuar forcat e Policisë së Shtetit prej më se gjashtë muajsh. Nga hetimet që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kryer në terren pas sulmit me armë në Lazarat, rezulton se të rinjtë që dyshohet se janë pjesëtarë të këtij grupi të armatosur kanë pasur qëllim rikthimin e gjendjes së mëparshme në fshat ku të krijohej mundësia për të kultivuar sërish lëndë narkotike pa u penguar nga uniformat blu. Sipas prokurorisë, janë krijuar dyshime të arsyeshme se organizatorë të këtij grupi kriminal janë dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko. Kjo akuzë vjen kur ka kaluar një vit nga super-aksioni i Policisë së Shtetit për çrrënjosjen e lëndës narkotike në këtë fshat, e mbjellë thuajse në shtëpitë e çdo banori të fshatit Lazarat në Gjirokastër. Deri para këtij operacioni njohur si “republika e kanabisit”, Lazarati po përpiqet t’i rikthehet sërish këtij etiketimi.

 

Përplasja me armë

Mesnatën e të mërkurës të shtënat që vinin nga qendra e fshatit nga një grup të armatosurish bënë që në Lazarat të zbarojnë forcat RENEA. Në një kurth të këtij grupi kriminal humbi jetën speciali Ibrahim Basha sot dëshmor i Atdheut, i cili u qëllua befasisht ndërsa drejtohej me furgonin e pablinduar të policisë në një aksion për të neutralizuar Xhulio Malon, i cili ndodhej në një makinë me arsenal armësh. Efektivi nuk mund të çojë deri në fund misionin e tij pasi u qëllua me snajper duke humbur jetën nga një plumb në kokë ndërsa dy kolegët e tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj që ndodheshin në makinë me të u plagosën lehtë. Xhulio Malo dhe Sinan Rabaj një tjetër i ri nga Lazarati janë të vetmit që qëndrojnë në qelinë e paraburgimit në Komisariatin e Gjirokastrës, ndërsa policia vijon aksionin në terren për të kapur pjesëtarët e grupit të armatosur. Për vrasjen e specialit të RENEA-s dhe sulmin ndaj uniformave blu, Krimet e Rënda kanë nisur procedimin penal nr 176 me 4 akuza që rëndojnë mbi Xhuliano Malon 17-vjeçarin e arrestuar dhe ndaj 2 vëllezërve Aliko ende në kërkim.

 

Akuzat ndaj të rinjve

Të rinjtë akuzohen për vrasjen e punonjësve të policisë kryer në bashkëpunim, vrasje e mbetur në tentativë, prodhim dhe armëmbajtje pa leje si dhe prodhim e shitje narkotikësh. A1Report ka mundur të mësoj se Xhuliano Malo mesditën e të shtunës do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku do të njihet zyrtarisht me akuzat ndaj tij. Deri më tani nga kontrollet në të gjithë fshatin, shumë persona janë shoqëruar e disa të tjerë janë lënë të lirë pas verifikimeve të kryera. Policia ka bërë vazhdimisht thirrje për dorëzimin e grupit të armatosur, e po ashtu ka përsëritur qëndrimin se është e vendosur të kapë secilin prej tyre, deri në asgjësim!

 

Dita e katërt e aksionit

Sot hyjmë në ditën e katërt që Policia e Shtetit mban të rrethuar Lazaratin pas vrasjes së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e dy të tjerëve. Policia ende vazhdon kërkimin e dy vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko, të cilët janë dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Ibrahim Bashës. Deri tani policia ka arrestuar 2 persona, Xhulio Malo dhe Sinan Rabaj. Gjatë ditës së djeshme Policia ka bërë kontrolle në shumë shtëpi në Lazarat, por ende nuk ka arrestuar disa nga personat e shpallur në kërkim. Policia ka bërë dhe shoqërimin e shumë personave të tjerë të cilët i ka marrë në pyetje. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Ardi Bita duke folur për “Associated Press” thotë se është ekzagjeruar në lidhjen e bërë mes të kërkuarve dhe ISIS. “Për momentin nuk ka asnjë të dhënë me atë që po ndodh në Lazarat me Shtetin Islamik”, shprehet Bita.

 

Facebook-u i Albion Alikon

Forcat speciale të policisë kanë kryer orët e fundit kontroll në një tunel në Lazarat ku dyshohej se fshihej një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Policia mori shkas nga postimi i një fotografie në Facebook nga vetë Aliko, ku ai shfaqej i shtrirë në tunel. Pas kontrollit ka rezulton se i riu nuk gjendje aty. Aktualisht, kontrollet në Lazarat vazhdojnë në pjesën e sipërme të fshatit dhe pranë shkollës së mesme. Ndërkohë, dje policia ka bërë shoqërimin e dy personave.

 

Municione të tjera në një banesë të braktisur

 Në vijim të kontrolleve të imtësishëm në Lazarat, policia ka zbuluar edhe një sasi të tjerash municionesh në një banesë në pronësi të Edmond Bocit, e cila ka qenë e pabanuar. Ndërsa janë krijuar dyshimet e para se kjo banesë mund të ishte përdorur si bazë nga personat që qëlluan mbi policinë, bëhet e ditur se disa municionet e gjetura janë të të njëjtit kalibër me të cilin u vra Ibrahim Basha.

 

Snajperi që vrau oficerin Basha

 Arma që qëlloi mbi efektivin e RENEA-s në mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat është snajper model rus “Draganov” i kalibrit 7.5 mm. Është ky përfundimi i arritur nga grupi hetimor i cili në vendngjarje ka mbledhur provat material mes tyre dhe gëzhojat e kësaj arme e cila rezulton se ka qëlluar më shumë se njëherë. Snajperi model “Draganov” është një armë prodhim rus dhe hetuesit dyshojnë se kjo armë përdoret nga vëllezërit Arbjon e Alban Aliko, të cilët rezultojnë ende në kërkim. Një prej plumbave të këtij snajperi i mori jetën Ibrahim Bashës, ndërsa në këtë pamje që shihni me rreth të kuq është vrima e krijuar në autoblindën e RENEA-s i cili pas të shtënave me armë ka dalë në krah të furgonit “Volkswagen” për të mbrojtur efektivët e tjerë. Të shtënat me snajperin model “Draganov” kanë ardhur nga kjo vrimë e hapur në murin rrethues të banesës në hyrje të fshatit Lazarat, ku sipas hetuesve vëllezërit Aliko kishin parapërgatitur një kurth për policinë e cila sapo është futur në fshat ka rënë në breshërinë e armëve të zjarrit.

 

Neutralizohet një person në pyll

 Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, forcat e policisë kanë kapur një person në një zonë të pyllëzuar në Lazarat. Policia po vëzhgonte personin, i cili tentoi të fshihej në një pemë dhe ka arritur ta neutralizojë atë. Kontrolli i policisë është zhvilluar në lagjen Gjokaj. Forcat e policisë po ndjekin personin në fjalë, pasi dyshohet se është një nga personat e shpallur në kërkim. Distance e këtij personi dhe efektivëve të policisë është një distancë prej 300 metra.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here