Pazaret ndaj LSI-së/ Meta i tregon “muskujt” Ramës: Morëm 255 mijë vota. Ndryshime në qeveri? Vota duhet lexuar

0
174

Gëzim Saliu

ilir metaKreu i LSI-së: Humbja e Kosovës në Tiranë s’ishte personale, e urova sepse vlerësoj kulturën e pranimit të rezultatit. Parashikoja fitore më të thellë të Veliajt

Pas mbylljes përfundimtare të numërimit si për kryebashkiakët ashtu edhe për këshillat bashkiakë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vendosi dje të dilte para publikut, duke vlerësuar fort forcën që drejton për atë që ai e cilësoi si “rritje të jashtëzakonshme”. Përmes një konference për shtyp nga selia e LSI-së, ku shoqërohej nga 13 anëtarët e kësaj force që do të jenë pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Meta bëri një demonstrim të forcës së LSI-së, e cila në përqindjet për këshillat bashkiakë ka siguruar 255 mijë vota. Duke “shmangur” komentet për ato që u cilësuan vetë nga LSI-ja si pazare elektorale si edhe për një ftohje të mundshme me Kryeministrin Rama, Kryeparlamentari nuk ngurroi të tregonte “muskujt” e forcës që drejton. Ndërsa në vitin 2013 LSI mori 180 mijë vota, në zgjedhjet e 21 qershorit në këshillat bashkiakë kjo forcë siguroi 255 mijë vota, nga 400 mijë që mori PS. Në të gjithë Qarkun e Tiranës, LSI-ja ka arritur një rezultat më të lartë edhe se dyfishimi i saj, pra nga 25 mijë vota në vitin 2013, ka arritur në më shumë se 73 mijë vota. “LSI ka arritur rezultatin që do ta konsideroja më të mirin në shkallë kombëtare, duke arritur jo vetëm të ketë 13 këshilltarë në Bashkinë e re të Durrësit, një më pak sesa forca e dytë politike, por njëkohësisht ka arritur të ketë 30 mijë vota, përkrahës në të gjithë Qarkun e Durrësit. në Qarkun e Fierit dhe në Bashkinë e re të madhe të Fierit, ku LSI si në Bashkinë e re doli në mënyrë bindëse forcë e dytë politike në Këshillin Bashkiak, ashtu sikurse ka dalë forcë bindëse e dytë në të gjithë Qarkun e Fierit, që është qarku i dytë më i rëndësishëm i vendit. në Bashkinë e re të Korçës dhe në të gjithë Qarkun e Korçës, rritja e LSI-së është mjaft e ndjeshme, gati 60 për qind të votave, në krahasim me 2013-ën”,- renditi Meta rezultatet e LSI-së, të cilat në vetvete ishin edhe një mesazh jo aq shumë i koduar për Kryeministrin Rama.

 

Rezultatet dhe qeveria

I pyetur nga gazetarët në konferencë nëse do të kërkojë ndryshime ne qeveri për ministrat që përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, Meta theksoi se kjo çështje i takon Kryeministrit. Por nga ana tjetër ai nuk ngurroi të theksonte se pavarësisht se vota e 21 qershorit ishte një votë vendore, ajo duhet të lexohet me të gjitha mesazhet që vijnë prej saj. Në këtë kontekst, kreu i LSI-së u pyet nëse do të kërkojë më shumë përfaqësim në qeveri dhe përgjigjja e Metës la shumë hapësirë për interpretime. “E thashë edhe një herë, për ne ishte një votë vendore. Patjetër, duhet lexuar gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ju e dini shumë mirë që LSI rritet, sepse di të lexojë. Kjo është arsyeja. Do të lexojë vlerësimet dhe di të lexojë kritikat. Fuqia e LSI-së është normaliteti dhe aftësia për të reflektuar”.

 

Gara e Tiranës

Një tjetër temë e konferencës së Kryeparlamentarit ishte edhe gara e Tiranës, ku Meta tha se mesazhi i tij për kandidatin e djathtë, Halim Kosova, ishte një vlerësim ndaj kulturës së pranimit të rezultatit dhe urimit të kundërshtarit. “Nuk para ndodh në vendin tonë që ai që nuk fiton ta pranojë humbjen, pavarësisht se në këtë rast nuk kemi ndonjë humbje personale”,- u shpreh ai. Nga ana tjetër, Meta nuk ngurroi të theksonte se votat e LSI-së në garën e kryeqytetit shkuan në drejtimin e duhur, duke shtuar se priste një fitore më të thellë të Veliajt. “Parashikoja një fitore shumë më të thellë dhe natyrisht edhe shumë përfaqësues apo drejtues të tjerë, por edhe vetë elektorati i majtë në kryeqytet kishte besim në një fitore mjaft bindëse të kandidatit tonë të përbashkët, z. Erion Veliaj”.

 

Meta: Analizë e thellë aty ku humbëm, shpresoj që nuk e besuat vërtet se do merrnim 61 bashki

I pyetur a ndihet i prerë në besë nga PS-ja për humbjen në Lezhë dhe Pogradec dhe si e shpjegonte votën në këto dy qarqe Meta u përgjigj: “Ne do të bëjmë një analizë të plotë të detajuar për çdo qendër votimi për të lexuar arsyet e mosrealizimit të suksesit dhe reflektuar për të ardhmen kur arsyet janë nga më të ndryshmet në bashki të ndryshme. Edhe pse kam thënë që ne duam të fitojmë 61 bashkitë, shpresoj që ju të mos e keni marrë seriozisht, pasi nuk do të ishte demokratike”.

 

Numërohen 99% e kutive për këshillat/ PS me 399.455 vota, PD merr 312.321 vota e LSI forcë e tretë me 254.811 vota

Në numërimin e 98.30% e qendrave të votimit për këshillat bashkiakë nga 5301 në total në rang kombëtar rezulton se Partia Socialiste është forcë e parë në vend me 399.445 vota ose me 25. 94% të votave. Në vend të dytë rezulton Partia demokratike e cila ka marrë 312.321 vota ose 20.28% e në vend të tretë Lëvizja Socialiste për Integrim me 254.811 vota ose 16,55%. Ditën e djeshme u mbyll numërimi në këshillat bashkiakë Durrës, Lezhë dhe Kamëz, ku në këtë të fundit megjithëse fitoi kandidati i së djathtës Xhelal Mziu, shumica do t’i takojë të majtës. Në Lezhë ka rezultuar forcë e parë PD me 7 këshilltarë e ndjekur nga PS me 5 këshilltarë e më pas Partia Ora e Shqipërisë me 5 këshilltarë. LSI rezulton forcë e 4-t me 4 këshilltarë. Ndërkaq. në Kamëz forca e drejtuar nga Ilir Meta ka dalë forcë e dytë politike me 9 këshilltarë, në vend të parë 12 PD dhe PS me vetëm 8 këshilltarë. Ndërkaq. mazhoranca do ketë shumicën edhe në Këshillin Bashkiak të Durrësit, PS rezultoi pas numërimit forcë e parë me 16 këshilltarë. Pas saj si forcë e dytë vjen PD me 14 këshilltarë dhe LSI e cila mori 13 vende.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here