Qeveria ndjek politika të ekstremit të djathtë ndaj më të varfërve

0
182

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie–  Ulja e ndihmës sociale nuk mund të jetë politikë ekonomike, as majtiste dhe as konservatore. Balancimi i buxhetit në kurriz të të varfërve është një turp i ngritur në ligj nga mazhoranca aktuale në pushtet

Në mënyrën më skandaloze, qeveria “Rama”, në kulmin e krizës më të thellë, më të egër dhe më të pamëshirshme, që godet më së pari shtresat në nevojë, ka gjetur si rrugë për të pakësuar shpenzimet buxhetore shkurtimin me 20 për qind të transfertave për familjet e varfra. Nga të dhënat zyrtare, po del në pah e vërteta, e vështirë për t’u justifikuar, se në mënyrë të pamëshirshme, qeveria po shkurton fondet e shpenzimeve për ndihmën ekonomike, për pagesën e papunësisë, pensionet e invaliditetit, kompensimin e shtresave në nevojë dhe çdo lloj shpenzimi tjetër me natyrë sociale.

Kjo ecuri u dedikohet rezultateve negative nga të dy institucionet fiskale, Doganat dhe Tatimet, të cilat kanë mbledhur përkatësisht 7.5 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë më pak se plani. Rënia e fortë e të ardhurave ndaj planit e vendos administratën fiskale në një pozicion të vështirë, që nuk justifikon dot as rritjen e taksave.

Sipas orientimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, me justifikimin se ka pasur abuzime, në vend që të pastrohen listat dhe të zëvendësohen me ata që e meritojnë ndihmën sipas ligjit, fondet për këto kategori janë shkurtuar dhe vazhdojnë çdo muaj të reduktohen më tej. Krahasuar me 5-mujorin janar-maj 2014, ndihma ekonomike del se është reduktuar me mbi 2.5 miliardë lekë, ose 25% më pak. Ndërsa, pagesa e papunësisë është ulur edhe më tepër në muajin maj 2015, kur rezulton se në fund të 5-mujorit ishin dhënë -174 milionë lekë më pak, ose -38.3% më pak se sa vitin e kaluar.

Edhe për ish të përndjekurit, pagesa e dëmshpërblimeve vazhdon më ngadalësi. Për 5-mujorin nga ky fond janë dhënë 105 milionë lekë më pak. Po ashtu, shpenzime shumë më të ulëta se sa vjet janë bërë për kompensimin financiar të ish-pronarëve të cilët morën 763 milionë lekë më pak, e shprehur ndryshe 76.8% më pak.

Në fillim të vitit, kur prezantoi paketën e re fiskale, qeveria e rriti barrën e taksave mbi qytetarët dhe biznesin me 18 miliardë lekë për vitin 2015. Por, për pesëmujorin, të dy institucionet kanë mbledhur po aq të ardhura sa një vit më parë, edhe pse taksat dhe çmimet janë rritur dhe prodhimi kombëtar është zgjeruar.

Sipas zërave, rënien më të madhe e ka akciza me 4.5 miliardë lekë, e ndjekur nga tatimi mbi të ardhurat personale me 3.2 miliardë ose 22 për qind më pak se plani i periudhës.

Këto ditë ka mbërritur në Tiranë misioni i Fondit Monetar, i cili është duke analizuar treguesit dhe ecurinë e ekonomisë. Rënia e të ardhurave ka qenë një nga pikat më të nxehta të diskutimeve, që ekspertët e FMN-së kanë pasur me autoritetet. Pak kohë më parë, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Reinke, e konsideroi si zhgënjyese ecurinë e të ardhurave, duke i kërkuar qeverisë të identifikojë arsyet e rrëshqitjes fiskale për të mos vënë në rrezik buxhetin.

Ulja e ndihmës sociale nuk mund të jetë politikë ekonomike, as majtiste dhe as konservatore. Balancimi i buxhetit në kurriz të të varfërve është një turp i ngritur në ligj nga mazhoranca aktuale në pushtet, po të mendosh se kur i hiqet 3-mijëlekëshi familjes në nevojë, fëmijët e një familjeje rrinë një javë më shumë pa bukë në muaj. Pra, nuk mjaftoi gjenocidi me faturat e dritave, që ka zhytur me dhjetëra mijëra familje në varfëri; tani u shkurtojnë edhe ndihmën ekonomike.

Kur disa kongresmenë republikanë i prezantuan dikur Xhorxh Bushit një draft buxhetor që shkurtonte transfertat e të varfërve, përgjigja e tij ishte: “Unë nuk do të pranoj asnjëherë korrektim fiskal mbi kurrizin e të varfërve”.

 

 

Rritet indeksi i shitjeve me pakicë, shqiptarët kursejnë për blerje karburanti

Në tremujorin e parë 2015 indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë është rritur 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, raportoi INSAT. Ndërkaq, në grupin e Tregtisë me Pakicë, pa përfshirë këtu Tregtinë me Pakicë të Hidrokarbureve, ky indeks ka pësuar rritje prej 9.5% kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 16% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, duke dhënë në këtë tremujor dhe kontributin më të madh në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me Pakicë.

Indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë për grupin e “Produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 63% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në tremujorin e parë 2015, në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara|, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 2.6% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, dhe 12.7% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në tremujorin e parë 2015 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndikimi pozitiv i nëngrupeve në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë prej 4.7 pikë përqindjeje, është dhënë përkatësisht nga këta nëngrupe: nëngrupi “Artikuj të përzier kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara” me +3.9 pikë përqindjeje, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë; nëngrupi “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike, parfume dhe të tjera të higjienës personale” me +1.9 pikë përqindje; nëngrupi “Veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure” me +0.9 pikë përqindje; nëngrupi “Artikuj të tjerë industrial në njësi tregtare të specializuara të pa klasifikuara në grupet e sipër përmendura” me +0.3 pikë përqindje; nëngrupi “Artikuj të përzier kryesisht jo ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara” me +0.3 pikë përqindjeje; dhe nëngrupi “Libra, gazeta, artikuj shkollor, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara” me +0.2 pikë përqindjeje.

Ndërkaq, ndikimi negativ në këtë indeks është dhënë përkatësisht nga: nëngrupi “Pajisje të ndryshme elektro-shtëpiake, mobiliet dhe pajisje të tjera shtëpiake” -0.9 pikë përqindje; nëngrupi “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“ me -0.8 pikë përqindje; nëngrupi “Ushqime pije e duhan në njësi tregtare të specializuara” me -0.7 pikë përqindje; dhe nëngrupi “Pajisje kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit” me -0.3 pikë përqindje.

 

Përcaktohet edhe një herë formulë e re për privatizimin e INSIG-ut

Kompania e vetme shtetërore e sigurimeve po del sërish në treg për t’u privatizuar. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 18 qershor, është përcaktuar forma e re e privatizimit të paketës së aksioneve të shoqërisë “INSIG”, sh.a., që do të bëhet nëpërmjet procedurës “Tender i hapur”. Formula e privatizimit të paketës së aksioneve të shoqërisë “INSIG”, sh.a., do të jetë shitja 100% e paketës shtetërore.

Kriteret bazë për vlerësimin e ofertave për blerjen e 100% të paketës shtetërore të shoqërisë “INSIG”, sh.a., të jenë, si më poshtë:

  1. a) Çmimi i ofruar 80 pikë;
  2. b) Plani i biznesit dhe cilësia teknike e propozimit 10 pikë;
  3. c) Cilësia e investitorit 10 pikë.

Depozita e garancisë së tenderit të jetë vlera fikse prej 30 milionë lekësh.

VKM ka hyrë në fuqi, duke qenë se është publikuar dje në Fletoren Zyrtare.

 

Dështimi

Kompania shtetërore, INSIG, mbeti e tillë, pasi procesi i fundit i privatizimit në vitin 2009 nuk arriti qëllimin për shitjen e aksioneve. Lajmi për tërheqjen nga gara e kompanisë “American Reserve Insurations”, e shpallur fituese nga Ministria e Financave, iu bashkëngjit një tjetër largimi, atij të BERZH dhe IFC.

Procesi i privatizimit të INSIG-ut ka kaluar në disa faza të vështira, si dështimi i tenderit tri herë, por edhe ristrukturimi, humbja në treg, dhe së fundmi largimi i aksionerëve.

Fati i kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve, INSIG, duket edhe më i paqartë pasi BERZH dhe IFC (pjesë e Bankës Botërore), dy institucione që zotëronin në total 39% të aksioneve, janë tërhequr zyrtarisht nga kjo kompani. Në dhjetor 2008, BERZH dhe IFC i kanë rishitur qeverisë shqiptare pjesën e tyre të aksioneve që kishin blerë 5 vite më parë.

 

Renta minerare, performanca më e keqe në pesë muajt e vitit

Renta minerare (taksa që kompanitë e naftës dhe të minierave paguajnë për shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit) ka pasur performancën më negative në pesë muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga statistikat e Ministrisë së Financave, të ardhurat nga ky zë, të mbledhura nga dogana ishin vetëm 1.4 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë të planifikuara, ndërkohë që shënuan një rënie prej 60%, apo dy miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Arsyet kryesore të rënies së këtij zëri në dogana lidhen me koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare, me çmime të ulëta, sidomos ato të karburanteve dhe ndryshimin e koniunkturës së prodhimit (Bankers Petroleum, që është dhe paguesi më i madh i rentës në vend, në pjesën e parë të këtij viti rreth 40% të prodhimit e ka shitur në tregun e brendshëm, duke mos e paguar rentën në dogana).

Ulja e të ardhurave nga TVSH në dogana me 2.9 miliardë lekë dhe rënia e të ardhurave nga renta me 2 miliardë lekë, janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në performancën e dobët të doganave në pesë muajt e parë të vitit, me të ardhurat në total, që ranë me 3.6 miliardë lekë, apo 6.5%.

Edhe të ardhurat nga akciza në doganë, megjithëse janë 1.4 miliardë lekë më shumë se fakti i 5 mujorit 2014, janë 4.4 miliardë lekë më të ulëta sesa planifikimi i financave në fillim të vitit, me optimizmin që vinte nga rritja e akcizës për disa produkte, si p.sh. cigaret.

 

Studimi: Evazioni fiskal në industrinë e duhanit në Shqipëri, 20 për qind

Pjesa ilegale e duhanit (i grirë, cigare) në Shqipëri shkon deri 20%. Vlerësimet bazohet në studimet për konsumin dhe të dhënat zyrtare të importit. Tregu ilegal i duhanit dhe cigares përbën 15% të konsumit total në tregjet e Ballkanit Perëndimor, sipas një studimi të kompanisë Japan Tobacco International (JTI) paraqitur para ministrave të financave të rajonit në samitin e Becicit zhvilluar pak kohë më parë në Mal të Zi.

Raporti vlerëson përpjekjet e autoriteteve serbe dhe Kroate, duke i përmendur si një shembull i mirë në luftën për reduktimin e informalitetit.

Por, raporti thekson se ka shenja alarmuese në Shqipëri dhe Kosovë, që po vihen nën presion të rritur nga tregtia ilegale.

Sipas vlerësimeve të brendshme të JTI, pjesa ilegale e duhanit (i grirë, cigare) në Shqipëri shkon deri 20%. Vlerësimet bazohet në studimet për konsumin dhe të dhënat zyrtare të importit.

Importet në vitin 2014 ishin rreth 2.9 miliardë cigare, ndërsa këtë vit parashikohen 2.8 miliardë cigare. Konsumi total mesatar në Shqipëri vlerësohet rreth 3.5 miliardë cigare bazuar në importet mesatare të disa viteve rresht, përqindjes së konsumatoreve duhanpirës dhe numrit të cigareve në ditë.

Drejtues të financave e kanë pohuar se ka një zhvendosje të konsumit drejt duhanit të dredhur, informaliteti i të cilës është i lartë, çka ka bërë që dhe të ardhurat nga akciza të mos jenë sipas pritshmërive, pavarësisht rritjes graduale së kësaj takse vitet e fundit, nga 70 lekë për paketë dy vite më parë, në 110 lekë për paketë aktualisht. Megjithatë, në treg mund të gjesh ende paketa me akcizë 70 lekë.

Në rajon, të ardhurat nga taksa e cigares (përjashtuar TVSH) përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të hyrave buxhetore, duke arritur deri në 9%. Për Shqipërinë kjo peshë është 4%.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here