Kupa e Amerikës/ Dunga qëndron te Brazili

0
181

 

 Dunga qëndron te BraziliTekniku, pavarësisht eliminimit nga Paraguai do të qëndrojë në krye të stolit të brazilianëve

Telashet te Brazili nuk kanë fund. Pas dështimit në Botëror me humbjen e turpshme 7-1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale, Seleçao mori një tjetër goditje të rëndë teksa u mposht pas goditjes së penalltive nga Paraguai, duke i dhënë lamtumirën Copa America-s e megjithatë drejtuesit e Konfederatës Braziliane të Futbollit besojnë ende te 51-vjeçari Dunga. Ish-mesfushori i cili udhëhoqi Brazilin si lojtar të fitonte Botërorin që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1994-ën, me shumë mundësi do të jetë trajneri i 5-herë kampionëve të botës deri në përfundim të Kupës së Botës Rusi 2018. Një ndryshim në stol në këtë moment krerët më të lartë të Federatës e cilësuan si të padomosdoshëm dhe në dëm të kombëtares, kështu që ata i bënë të ditur Dungës të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë punën që ka nisur rreth 1 vit më parë. 51-vjeçari ka arritur rezultate të mira në eksperiencën e tij të dytë si trajner i Brazilit, teksa në 14 ndeshjet e para regjistron 12 fitore 1 barazim atë ndaj Paraguait që u kthye në një eliminim të dhimbshëm për Seleçaon dhe 1 humbje atë 1-0 kundër Kolumbisë në fazën e grupeve, me Brazilin që ka pësuar vetëm 6 gola. Një tjetër zhgënjim për Brazilin. Pas disfatës katastrofike kundër Gjermanisë në Botërorin e vitit të shkuar, “Seleçao” regjistron një tjetër hap fals, kësaj here në çerekfinalet e Kupës së Amerikës duke u eliminuar për meritë të Paraguait. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, me skuadrën e Ramon Diaz që arriti të kalonte më tej pas goditjeve nga pika e bardhë e penalltisë. Në fakt Brazili e filloi ndeshjen në mënyrën e duhur kur në minutën e 15-të kaloi në epërsi me anë të Robinhos. Sulmuesi u tregua i shpejtë dhe i aftë duke devijuar në rrjetë një harkim të ulët të Dani Alves. Pjesa e parë nuk dhuroi emocione të shumta, ndërsa në të dytën paraguajanët filluan të këmbëngulnin, me Jefferson që devijoi një goditje të Da Silvës, ky rast ishte prologu i golit. Thiago Silva përsëriti të njëjtin gabim që kreu në sfidën Çelsi-PSG, duke devijuar me dorën lart një harkim të Valdezit. 11 m i padiskutueshëm. Nga pika e bardhë Derlis Gonzales u tregua i saktë, megjithëse Jefferson arriti të kuptonte gjithçka, por pa forcën e duhur për ta devijuar sferën. Nuk ndryshoi më asgjë. Sfida ju drejtua 11 m. Everton Ribeiro ishte i pari që gaboi për brazilianët duke mos shënjestruar kuadratin, ndërsa më pas ishte radha e Douglas Costës mos të konvertonte në gol goditjen e tij. Santa Cruz nuk realizoi duke i dhuruar një shpresë minimale Brazilit, por Gonzales me ftohtësinë e duhur u tregua edhe një herë i saktë, me Paraguajin që siguroi një vend në gjysmë finale, aty ku do të ketë përballë Argjentinën e Lionel Messit. Një tjetër disfatë e rëndë për “pentacampeonët” të cilët duken shumë larg emrit të madh që përfaqësojnë, ndërsa të besuarit e Diaz tashmë kanë të gjithë të drejtën të ëndërrojnë triumfin në këtë kompeticion të rëndësishëm.

 

La Liga ngre padi ndaj FIFA-s

Liga profesioniste spanjolle e futbollit ka ngritur një padi kundër FIFA-s në lidhje me përcaktimin e muajve nëntor-dhjetor për zhvillimin e Botërorit të Katarit. Ky institucion, i cili është ndër më të rëndësishmit për sa i përket futbollit në Spanjë e ka depozituar këtë padi në zyrat e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, ku kërkon ndryshimin e datave të caktuara nga organi vendimmarrës i futbollit në botë. Presidenti i Ligës Profesioniste spanjolle, Javier Tebas, e ka bërë të qartë se me këtë lëvizje kërkon të mbrojë interesat e klubeve dhe futbollistëve të cilët aktivizohen në Spanjë, pasi një kompeticion kaq i rëndësishëm në atë periudhë të vitit do të shkaktonte shumë probleme për të gjithë. Për më shumë që sipas Tebas ndërprerja e kampionatit spanjoll do të shkaktonte një humbje prej 65 milionë eurosh, e cila do të vinte nga ndryshimet e të drejtave televizive. Dhjetorin e shkuar si Shoqata e Ligave Evropiane të Futbollit, po ashtu edhe ajo e klubeve evropiane i propozuan organit drejtues të këtij sporti, që Botërori i vitit 2022 të zhvillohej nga data 5 maj deri më 4 qershor, një periudhë e cila nuk do t’i dëmtonte kampionatet në kontinentin e vjetër, por ky propozim nuk u mor në konsideratë nga FIFA. Për këtë arsye ndërprerja tashmë e konfirmuar e kampionateve evropiane në kohën kur ky kompeticion do të zhvillohet, e ka detyruar ligën profesioniste spanjolle ta dërgojë qeverinë e futbollit botëror në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Një vendim që është mbështetur për momentin vetëm moralisht edhe nga Seria A italiane, Bundesliga gjermane dhe Premier Liga angleze. Kujtojmë që FIFA vendosi në mars të këtij viti që kampionati botëror, i cili do të mbahet në Katar, të luhet nga data 20 nëntor deri më 18 dhjetor, për shkak të temperaturave të larta gjatë periudhës së verës në vendin e Gadishullit Arabik.

 

Laporta: Juventusi do ta shesë Pogbanë

Kandidati presidencial i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë se Juventusi do ta shesë Paul Pogbanë, por ja para 19 korrikut. Bianconerët kanë thënë se nuk e kanë ndërmend ta shesin mesfushorin francez, mirëpo një ofertë prej 100 milionë eurosh do t’ua ndërronte mendjen. Sipas Mundo Deportivo, Zonja e Vjetër do të presë se kush do të zgjidhet president i Blaugranëve (në zgjedhjet e 18 korrikut) dhe pastaj do të vendosë se kujt do t’ia shesë lojtarin. “Krejt çfarë kam thënë është se kam raporte të shkëlqyera me Raiolan. Nuk mendoj se Juventusi do të bëjë diçka derisa të zgjidhet një president i ri i Barcelonës. Ne do të flasim me klubin italian, por derisa të ketë president të ri, ata nuk duan të flasin për këtë çështje”, – ka deklaruar Laporta. Manchester City, Chelsea dhe Paris Saint-Germain janë klubet që e rivalizojnë Barcelonën për 22-vjeçarin.

 

Reali ofertë për Biglian

Real Madridi ka ofruar 22 milionë euro për mesfushorin e Lazios, Lucas Biglia – njoftojnë mediat italiane dhe spanjolle. “AS” dhe “La Gazzetta dello Sport” raportojnë se Rafa Benitez e ka kërkuar 29-vjeçarin për ta përforcuar mesin e fushës. Krahas Biancocelestëve, argjentinasi ka luajtur me kombëtaren e tij edhe në Kampionatin e kaluar Botëror, ndërsa këtë vit po luan në Copa America. Lazio shpreson të përfitojë 30 milionë euro për Biglian, i cili kërkohet edhe nga Paris Saint-Germaini dhe Manchester City. Mesfushori argjentinas u transferua në “Stadio Olimpico” në vitin 2013 nga Anderlechti.

 

Vidal pranë akordit me Arsenal

Arsenali raportohet se ka arritur marrëveshje me Juventusin për transferimin e Arturo Vidalit. 28-vjeçari momentalisht është në Kili duke luajtur në Kupën e Amerikës, ku të martën kombëtarja e tij luan kundër Perusë në gjysmëfinale. Ai ka kaluar katër sezonet e fundit te “Zonja e Vjetër” duke ndihmuar skuadrën nga Torino për të fituar katër tituj rresht në Serie A. Performanca e tij kanë zgjuar interesimin e disa skuadrave të mëdha evropiane dhe, sipas “La Stampa”, Arsenali ka arritur marrëveshje me Juventusin për shërbimet e kilianit. Besohet se Vidali do t’i kushtojë Arsenalit 21 milionë paund dhe se transferimi do të zyrtarizohet javën e ardhshme, pas përfundimit të Kupës së Amerikës. Vidal te Arsenali mund t’i bashkohet bashkëkombësit Alexis Sanchez.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here