S.Berisha
Rafteve të librave nga sot mund t’u shtohet edhe një titull i ri i botimit, është fjala për veprën “A di Zoti shqip” nga publicisti dhe shkrimtari Gani Mehmetaj. Libri “A di Zoti shqip” në pjesën e parë e trajton çështjen e vendit që zë gjuha shqipe në predikimin fetare të tri feve me një qasje historike nga mesjeta e deri në ditët tona. Ndërkaq, në pjesën e dytë merret me problemet fondamentale të shoqërisë sonë në raport me individin dhe rrjedhat dinamike sociale. Nga po vete elita jonë politike e intelektuale: në Perëndim a në Lindje, është një preokupim tjetër i libri: “A di Zoti shqip”. Mesazhi i librit “A di Zoti shqip” u tha të jetë se vetëm atëherë kur të fillojmë të mendojmë shqip, të ndjejmë shqip, të flasim shqip, të sillemi shqip, të bëjmë veprime shqip, siç është dëshmuar dikur, vetëm atëherë ne do të përparojmë, madje edhe në vend të fjalës “amin” mund të themi se është në shqip.
Studiuesi dhe kritiku letrar, Femi Cakolli, tha se autori ka përgjigje, duke thënë se Zoti di shqip, flet shqip, sepse ka krijuar kombin shqiptar, gjuhën shqipe, madje Zoti i di edhe dialektet e shqipes, të folmet e të nën folmet e çdo fjale tjetër. Sipas tij, çështja që trajtohet në këtë libër është se ne a po flasim shqip. Ai tha se kjo pyetje është shtruar si ballafaqim i shpirtnisë a fetarisë aktuale që ushtrohet në trevat shqiptare, është shtruar si reflektim dhe meditim i një realiteti historik që autori po e sheh se po përmbyset gradualisht. “Libri “A di Zoti shqip” përmbledh shkrime autoriale të Gani Mehmetaj gjatë viteve të fundit dhe pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve janë botuar në gazeta të ndryshme dhe si i tillë libri ofrohet si kronikë e kohës. Mjeshtëria kryesore e Mehmetaj është gazetaria dhe ky stil dhe kjo kompetencë shpaloset kudo, por kjo prozë publicistike ofron edhe zgjidhje problemesh, kritikon dukuri të ndryshme, personalitete e individ”, tha Cakolli. Gjithashtu edhe Memli Krasniqi, i cili në promovimin e librit “A di Zoti shqip” të Gani Mehmetaj, ishte në cilësinë e vlerësuesit të librit, e ngriti shumë lartë këtë botim letrar”.Libri i publicistit Gani Mehmetaj, “A di Zoti shqip’ është një vepër e cila në qendër të shtjellimit ka raportet religjioze brenda shqiptare, për jetën politike në Kosovën e para dhe pas luftës si dhe të kaluarën e popullit shqiptar. Fillimisht autori me të drejtë shtjellon dukuritë e civilizimit në të cilat bëhet fjalë për dukuritë e reja që në të ardhmen si bazament do t’i kenë dallimet religjioze dhe kulturore. Në shumë segmente duket sikur bota islame nuk e ka kaluar periudhën e pjekurisë, ajo ende vazhdon të theksojë rëndësinë fetare si element të domosdoshëm të përkatësisë shtetërore, pra shteti komb, si duket ka dështuar në Lindjen e afërme, përderisa Turqia moderne luhatet në mes të vlerave civilizuese perëndimore dhe trashëgimisë së saj të fuqishme islamike”, deklaroi Krasniqi. Të pranishmit me rastin e promovimit të librit, e lavdëruan lart punën e Gani Mehmetaj, duke e cilësuar si punë mjaft të guximshme atakimin e tij me predikuesit e fesë islame në vend. Ndërsa autori Gani Mehmetaj, duke mos dashur të shtojë shumë, ai falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe fjalët inkurajuese që thanë për të. Gjithashtu gjatë këtij promovimi u lexuan edhe fragmente nga libri “A di Zoti shqip”.
Shkëlqemi i Blidos në Tiranë
Joel Blido, 16-vjeçari shqiptar po shkëlqen në skenën gjigante të Teatrit të Operas në Berlin. Madje në moshën 10-vjeçare ka shënuar koncertin e parë si solist në teatrot gjermane. Për të riun karriera artistike ka nisur në vitin 2008 me muzikë dhome bashkë me orkestrën “Filarmonia e Re” në Dusendorf. Prej këtij viti veprimtaria muzikore ka vazhduar pa reshtur. Ndërsa mbrëmë për herë të parë ishte edhe në Tiranë, në një koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit, i cili kishte zgjedhur të luante në violonçel dy vepra, atë të kompozitorit rus Shostakovich dhe Simfoninë e 4-t të gjermanit Brahms.