“Kush është përgjegjës për dështimin e negociatave të Brukselit”? – shtrojnë pyetjen mediat europiane.
Drejtuesit grekë të negociatave, shkruan gazeta e përditshme spanjolle “ABC”. “Ciprasi dhe Varufakisi i çuan në dëshpërim partnerët e tyre të bisedimeve. Dhe e bënë këtë në atë masë, sa arritën çarje në një çështje shumë thelbësore. Kjo shkoi aq larg, sa më fund u publikua një komunikatë, ku fiksohet zyrtarisht kjo çarje”.
E përditshmja italiane “Corriere della Sera” mendon se përgjegjësit për dështimin janë në Athinë. “Gjatë negociatave me kreditorët, Cipras dhe Varufakis asnjëherë nuk kanë lënë përshtypjen se po negocionin me zemër të hapur dhe se synonin dakordimin. Asnjëherë ata nuk kanë pasur synim serioz për të bërë reforma, të cilat mund ta bënin Greqinë një vend konkurrues. Ata vajtën edhe shumë hapa pas vendimeve të qeverisë së mëparshme greke. Para së gjithash ata i shtynë partnerët e bisedimeve që të japin para evropiane, pa u dhënë garanci për kthimin. Dhe tani referendumi! Ai e mbushi kupën!
“Jo, grekët nuk janë ata që e mbajnë përgjegjësinë kryesore”, shkruan britanikja “Telegraph”. “Në të vërtetë, të çmendurit janë ata që e krijuan Euron, këtë konstrukt qesharak. Janë ata që besuan se ëndrrat politike dhe snobizmi mund të zëvendësojnë logjikën ekonomike dhe të kapërcejnë dallime kulturore dhe nacionale. Kështu, në një kontinent gjigant ata krijuan një bashkim monetar pa siguritë e nevojshme”.
Po shtypi në Greqi?
Të paktën gazeta “Kathimerini” nuk është e entuziazmuar nga sjellja e dyshes Cipras-Varoufakis. Mungesa e sjelljes joprofesionale të tyre u tregua deri në fund, deri në shpalljen e referendumit, shkruan gazeta. “Të paktën pritëm që barra e këtij vendimi ta kishte bërë më të thellë e më të menduar fjalimin e Ciprasit. Shpresuam që një vendim, i cili seriozisht e vë në rrezik dëmtimi vendin, të argumentohej mjaftueshëm dhe që fjalimi ta justifikonte disi vendimin”. Por “vendimi-shok” u shpall pa asnjë përgatitje. As fjalimi nuk qe i përgatitur”. Kështu, shkruan Kathimerini, grekët duhet të vendosin brenda një jave një çështje që do të kishte pasoja edhe në brezat e ardhshëm. “Grekët nuk kanë kohë as ta studiojnë këtë çështje, pa folur fare për mungesën e kohës për ta diskutuar.”
Marrë me shkurtime nga “DW”.