Provat e manipulimit/ Basha- Glover: Ja si i shkatërruan zgjedhjet dyshja Rama-Meta

0
156

 

Jetmir Olldashi

basha gloverShqetësimet tona dhe të ODIHR-it kanë pika të përbashkëta, siç është shitblerja masive e votës, kandidimi i personave me rekorde kriminale

Partia Demokratike e ka gati raportin e saj për shkatërrimin e standardeve zgjedhore, i cili ka pika të përbashkëta me OSBE/ODIHR-in. Burime zyrtare nga selia blu bëjnë me dije se kjo forcë politike ka në dorë një raport të plotë, të cilin do ta publikojë në një seri takimesh me diplomatët ndërkombëtar vetë kryetari Basha. Një gjë të tillë e konfirmoi indirekt dhe vetë kreu i selisë blu Lulzim Basha pas një takimi që pati me shefen e misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 21 qershorit në Tiranë, znj. Audrey Glover. Lulzim Basha në një prononcim për mediat tha se Rama Meta shkatërruan zgjedhjet dhe se forca politike që ai drejton është e gatshme të paraqes prova të pakundërshtueshme për të faktuar rrënimin e standardit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh për më tepër lidhur me takimin që pati me shefen e misionit të ODIHR-it në Shqipëri zonjën Audrey Glover. “Shqetësimet e prekura në raportin paraprak për shkatërrimin e standardeve zgjedhore janë dokumentuar nga vëzhguesit në terren. Shqetësimet tona dhe të ODIHR-it kanë pika të përbashkëta siç është shitblerja masive e votës, kandidimi i personave me rekorde kriminale, përdorimi i bandave nga pushteti për të kërcënuar votuesit dhe aktivistët e opozitës, presioni mbi median e lirë, shitblerja, mbledhja, falsifikimi i kartave të identitetit, presioni mbi administratën publike dhe përdorimi i saj për të ushtruar presion tek zgjedhësit, tek të afërmit e anëtarëve të administratës publike ose jo. Politizimi i institucioneve zgjedhore dhe vendosjen e dy standardeve të vendimeve të këtyre institucioneve”. Lideri demokrat theksoi axhendën e forcës së tij politike për të paraqitur para ndërkombëtarëve, çdo problem dhe shqetësim të ndeshur gjatë fushatës elektorale dhe procesit zgjedhor. Zoti Basha u përpoq të tregojë se qëndrimet e forcës politike që ai drejton janë në sintoni të plotë me faktorin ndërkombëtar. “Këto shqetësime dhe shqetësime të tjera tashmë janë bërë publike, siç u pa qartë edhe në takimin e djeshëm të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian. Shkatërrimi i zgjedhjeve të 21 qershorit është tashmë i dokumentuar. Ne do të bashkëpunojmë me OSBE-në, ODIHR-in, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian që çmojnë standardet demokratike dhe progresin demokratik të 25 viteve të Shqipërisë për të ndalur këtë gremisje të demokracisë shqiptare, për të dalë nga ky udhëkryq i rrezikshëm i zhbërjes së demokracisë ku e futën vendin Edi Rama me Ilir Meta me shkatërrimin e zgjedhjeve të 21 qershorit”. Kreu i PD-së tha se në krye të procesit të kthimit të standardeve demokratike do të jetë opozita. Ai garantoi qytetarët shqiptarë se si kreu i opozitës do të bëjë gjithçka për të mbrojtur vlerat e tyre themelore të të drejtave të njeriut siç është e drejta për të zgjedhur. “Por, natyrisht kjo është një betejë në të cilën Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi misionin dhe detyrën të qëndrojmë në ballë të gjithë qytetarëve të lirë shqiptarë, të cilët duhet të kenë besim të plotë se e drejta e tyre themelore për të dhënë votën e tyre të lirë nga presionet, nga kërcënimet, nga frika, nga shantazhi, nga blerja e votës, për kandidatë të denjë për votën e tyre, kjo e drejtë themelore do të mbrohet deri në fund nga Partia Demokratike dhe nga unë personalisht dhe se jemi të vendosur që me gjithë forcën tonë të nisim një betejë pa kthim për rivendosjen e standardeve të zhbëra demokratike në zgjedhjet e 21 qershorit”, – përfundoi prononcimin e tij kryetari i PD-së Lulzim Basha.

 

Berisha: Ndërkombëtarët po faktojnë dhunimin e zgjedhjeve

Zgjedhjet në Shqipëri, farsë zgjedhore me standarde të shkatërruara i ka quajtur ish-kryeministri Berisha votimet e të dielës së 21 qershorit. Deputeti demokrat i është referuar edhe deklaratave të ndërkombëtarëve për këtë çështje. “Në nje akt te paprecedent Komisioni i Jashtem i Parlamentit Europian futi me urgjence ne rend te dites ne mbledhjen e tij te djeshme debatin paraprak per zgjedhjet e shkaterruara apo farsen zgjedhore Rama – Meta, ne te cilen u manipulua dhe u fallsifikuan ne shkallen me te larte vullneti i qytetareve shqiptar. Kryetari i Komisionit te Jashtem e PE Elmar Brok, dhe ai per Balkanin Eduard Kukan theksuan se flamuri i ketyre zgjedhjeve ishte shkaterrimi i standarteve nga blerja masive e votes dhe kandidimi nga mazhoranca e krimineleve per kryetar dhe keshilltar te Bashkive, pabarazia ekstreme e paleve ne gare, perdorimi i administrates shteterore dhe infrastruktures te institucioneve shteterore per qelime elektorale nga mazhoranca”. Berisha theksoi: “Ky eshte rasti i pare ne 23 vjet pluralizem qe zgjedhjet ne Shqiperi denohen nga Parlamenti Europian qe javen e pare pas perfundimit te tyre. Nje jave para dites se votimit kryetari i komisionit te Helsinkit te kongresit te SHBA, kongresmeni Christopher Smith dhe njekohesisht zevendes president i Asambles Parlamentare te OSBE, Robert Aderholt parlajmeruan qeverine shqiptare, se kishte te dhena te shumta se ishin shkelur parimet e zgjedhjeve te lira dhe te ndershme!”

 

Glover me Nishanin: Vullneti politik mbetet kyç në këtë proces

“Zgjedhjet mbeten gjithmonë një test maturimi për një shoqëri demokratike”, – tha Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një takim që pati me shefen e Misionit Monitorues të ODIHR-it në Shqipëri ambasadoren Audrey Glover. Në një njoftim për mediat Presidenca bën të ditur se takimi ishte konstruktiv dhe në frymën bashkëpunuese mes palëve. “Gjatë takimit, Nishani theksoi rëndësinë që kishin këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të bashkive në vend. Kreu i Shtetit theksoi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare”. Ndërsa ambasadorja Glover vuri në dukje: “Vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion. Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të përmbyllin raportin në harkun e 8-10 javëve të ardhshme, duke reflektuar edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri”, – përfundon njoftimi i presidencës.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here