Ftesa e Ramës/ Të zgjedurit e PD-së: Takim i paligjshëm. Nuk shkojmë, s’kemi marë mandatet e as ftesë zyrtare

0
135

 

Edi_Rama2Portalet e ndryshme online kanë bërë të ditur se Kryeministri Edi Rama nëpërmjet shefit të tij të kabinetit ka njoftuar një mbledhje për ditën e hënë të të zgjedhurve vendorë. Ndërsa bëhet e ditur se njoftimet janë pa protokoll dhe nëpërmjet një telefonate nga kabineti i Kryeministrit. Ndërkaq, të gjithë të zgjedhurit vendorë të opozitës bëjnë me dije se nuk janë njoftuar zyrtarisht për këtë takim. Askujt prej të sapozgjedhurve vendorë të opozitës nuk i ka shkuar një shkresë zyrtare me numër protokolli që t’i njoftojë për takimin dhe axhendën e vendosur dhe diskutimet e mundshme. Sipas njoftimeve në shtyp, duket se takimi do të ketë në qendër të vëmendjes organizimin e ri të pushtetit vendor në përputhje me ndarjen e re territoriale. Kryebashkiakët e rinj të zgjedhur të opozitës konfirmojnë se askush nuk ka marrë ende një ftesë zyrtare për këtë takim. I kontaktuar nga “Standard”, Agron Kapllanaj, fituesi i zgjedhjeve në Mallakastër, thotë: “Jo, nuk kam marrë një ftesë zyrtare, më ka marrë dikush në telefon dhe më ka thënë se ju kërkon Kryeministri në një takim në datën 6.7.2015. E supozojmë që është e vërtetë dhe personi që bëri njoftimin është vërtet ai që u prezantua. A mund të quhet ftesë zyrtare një telefonatë?” Të njëjtat shqetësime ngre dhe kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, dhe të zgjedhurit e tjerë të opozitës. Xhelal Mziu shton më tej se mosmarrja zyrtarisht e mandatit nga institucioni përkatës që certifikon zgjedhjet e bën të pamundur pjesëmarrjen në këtë takim. “A mund të zhvillojmë ne takime si kryebashkiakë pa marrë akoma mandatin? A s’ju duket pak tallëse kjo ftesë? Cila është axhenda e këtij takimi? A nuk i ngjan një takimi me strukturat e partisë së vet ky?!! Pse kaq me ngut ky takim? Pse të mos zhvillohet ky takim në momentin që të gjithë të kenë marrë mandatin përkatës nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve? Pastaj takimet zyrtare njoftohen me shkresë zyrtare ose e pakta me email, ku dhe bëhet e ditur axhenda”. Të njëjtin prononcim jep edhe kryetari i Bashkisë së Selenicës, Përparim Shameti. Një rrugë e tillë e zgjedhur nga Kryeministri duket se i shërben alibisë së tij për të mos bashkëpunuar me kryebashkiakët e opozitës. Retorikën e përdorur në fushatë duket se zoti Rama po e vë në jetë menjëherë pa u tharë boja nga gishti i votuesve.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here