Në Kosovë përmenden disa alternativa se si do të mund të themelohet Gjykata Speciale për Krime Lufte, pas dështimit të Kuvendit për ta themeluar atë. Votimi për Gjykatën mund të riprocedohet në Kuvendin e Kosovës.
Reagimi i parë i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas dështimit që pati Parlamenti ta miratojë themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, ishte që ata ndihen të zhgënjyer, por paralajmëruan se Kosova nuk ka alternativë tjetër pos që t’i trajtojë supozimet serioze për krime lufte që dalin nga raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës. “BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës”.
Ky ishte reagimi i parë i përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, pas dështimit që kuvendi ta mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale. Reagime të ngjashme kishte edhe nga shumë ambasadorë në Kosovë të vendeve më të industrializuara, të cilat thanë se Kosova nuk ka alternativë, pos që duhet ta mundësojë themelimin e Gjykatës, sepse në të kundërtën këtë do ta bëjë KS i OKB-së.
Obligim ndërkombëtar
Tash për tash akoma nuk ka njoftim nga Kryesia e Kuvendit nëse votimi për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale do të riprocedohet në Kuvend. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi se orientim i qeverisë së tij është që çështja e votimit të Gjykatës Speciale të riprocedohet në Kuvendin e Kosovës, duke bërë përpjekje që të bisedohet me grupet parlamentare dhe me secilin deputet veç e veç, në mënyrë që të arrihen dy të tretat e votave që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Kryeministri Mustafa tha se ky është obligim ndërkombëtare që Kosova duhet ta përmbushë.
Në anën tjetër analistët politikë dhe njohësit e çështjeve juridike thonë se mosmiratimi i formimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte nga Kuvendi i Kosovës do të ndikojë negativisht në proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, ndonëse këto dy procese nuk ndërlidhen drejtpërdrejt njëra me tjetrën. Sipas analistëve, Kosova është dëmtuar, por kjo ndoshta edhe mund të korrigjohet.
Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike, i tha “DW”-së se mosvotimi për Gjykatën Speciale në Kuvend është një paralajmërim i keq për Kosovën për ditët në vijim. Sipas tij, ka tendenca të tjera të ngritjes se ndonjë alternative me synim arritjen e qëllimit të bashkësisë ndërkombëtare. “Përpjekjet do të jenë në drejtim të gjetjes së ndonjë modeli tjetër për themelimin e një gjykate të tillë me kompetenca të veçanta”. Analisti Blerim Burjani thotë se nuk ka pasur nevojë që Kosova të acarojë raportet me miqtë ndërkombëtarë. “Politika vendore është e stresuar me pak informata me shumë presione sesa shpjegime adekuate se çfarë do të ndodhë, edhe pse kjo gjykatë punën pret ta bëjë në Kosovë, për disa raste është thënë se zhvillimi i procedurave mund të bëhet në ndonjërin nga shtetet e BE e që më së shumti përmendet sërish Haga”.
Imazhi i Kosovës dëmtohet
Analisti Blerim Burjani thotë se nuk ka rëndësi se si ka ardhur puna deri këtu, “por kjo gjykatë duhet të fillojë punën, pa marrë parasysh se a ka fakte a nuk ka fare, ideja ishte që të zbardhen raste gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 nga raporti i Dick Marty-t”. Sipas tij nuk do të ishte mirë që rasti të hapet në OKB. “Kjo do t’i sillte një dëm të madh imazhit të Kosovës, andaj një pjesë e historisë së OKB-së do të mbetej në sirtarët ndërkombëtar për rastet e gjykuara në Kosovë, andaj më mirë kjo çështje të përmbyllet në Kosovë pa zhurmë dhe pa ndonjë publicitet ndërkombëtar”.
Një njohës tjetër i zhvillimeve politike në Kosovë, Naim Rashiti, hulumtues nga Grupi Ballkanik për Politika (BPRG) thotë për “DW” se krijimi i Gjykatës Speciale është një zotim që Kosova e ka bërë qysh vitin e shkuar në këmbimin e letrave ndërmjet Presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Prandaj, sipas analistit Naim Rashiti, mosmiratimi i këtyre zotimeve dëmton thellë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në. Ai thotë se nëse Gjykata votohet në Kuvend, ruhet sovraniteti i shtetit dhe subjektiviteti i rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kontrollohet jetëgjatësia dhe mandati i Gjykatës.
“Nëse partitë politike janë serioze në krijimin e Gjykatës brenda vendit, ato duhet të veprojnë shpejt, të krijojnë Gjykatën Speciale, buxhetin e saj dhe të ftojnë BE-ne ta menaxhojë gjykatën në tërësi. Në këtë rast, Kosova duhet t’i bindë partnerët e saj se do të respektojë autonominë e Gjykatës. Po ashtu Kosova do të duhet të arrinte marrëveshje ndërkombëtare për vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur. Ndoshta kështu do të mund të arrihej qëllimi i hetimeve të raportit të senatorit Marty dhe ruajtjes se konsensusit në Kosovë e njëkohësisht përmbushjes së kushteve të BE-së. Me siguri se po te ishte bërë më herët do të ishte arritur qëllimi”, – thotë Naim Rashiti.
Mundësi për Gjykatën Speciale
Analisti Naim Rashti, pas dështimit të Kuvendit për themelimin e Gjykatës Speciale, numëron një varg mundësish që Gjykata të jetë funksionale, mundësi këto që në fakt janë më të dëmshme sesa votimi të bëhej në Kuvendin e Kosovës. “Vetë shkëmbimi i letrës mes Presidentes Jahjaga dhe Ashtonit të lejojë që misioni EULEX të fillojë krijimin e kësaj gjykate, dëgjimi i rasteve të bëhet në një vend jashtë Kosovës. I mbetet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vlerësojë kushtetutshmërinë e marrëveshjes Ashton-Jahjaga. Por, disa muaj më herët kjo gjykatë e ka njohur shkëmbimin e letrave si marrëveshje ndërkombëtare, me vazhdimin e mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë”.