Opozita shqiptare në Maqedoni

0
184

Nga Fitim Dika

Nga Fitim DikaDeri sot, politika shqiptare në Maqedoni na bëri të qajmë e të qeshim me prapavajtjet e saj, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë Zoti të na bëjnë nesër krenar vetëm se na bënë të qeshim e të qajmë mjaft.
Prej momentit të fillimit të shfaqjeve të bombave nga ana e kryeopozitarit maqedonas, Zoran Zaev, gradualisht filloi të binte besueshmëria ndaj qeverisë, VMRO-BDI, por edhe ndaj opozitës shqiptare në letër, PDSH, e cila gjithashtu ka qenë pjesë e përgjimeve.

Kjo nuk do shumë mend për t’u vërejtur, pasi sallat që dikur stëmbusheshin nga ana e Gruevskit, sot nga videot shikohen se janë të zbehura dhe të lodhura; kampi i ngritur prej tij është i pakët në numër dhe pa ide koncize për protestën e tyre. Ndërsa ulja e besueshmërisë te partitë shqiptare vërehet tek mungesa e kurajës për të vizituar Lagjen e Trimave pas shpartallimit të grupit “kriminal shqiptar” dhe djegies në masë të shtëpive të shqiptarëve. Për herë të parë ndodh që liderët shqiptarë kanë frikë të vizitojnë një vend që u dha votën si liderë dhe me gjasë këtë problem do ta kenë edhe gjatë zgjedhjeve. Kjo tregon se Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti vetëm kanë filluar ta ndiejnë veten jolegjitimë për të përfaqësuar shqiptarët dhe “ekskursionet” e tyre në Bruksel për zgjidhjen e krizës politike janë njëlloj si “ekskursionet” e mëpërparshme, kur merrnin pjesë në kryeqytetet e Perëndimit për zgjidhjen e kontekstit të emrit.

E gjithë kjo rezyme tregon se partitë e reja shqiptare, LR-PDSH e Zijadin Selës me Lëvizjen BESA, së bashku me RDK-në, të bëhen shpresë për ndryshimin e diskursit politik shqiptar në Maqedoni, pas thuajse 25 vitesh pluralizëm.

Lakimi i opozitës së vërtetë shqiptare

Vetë fakti se shumica e përfaqësuesve të kampit opozitar shqiptar nuk kanë qenë aktivë në politikat e mëpërparshme ose tërësisht pa vendimmarrje, tregon se ata i shqetëson gjendja momentale e vendit. Mirëpo, duket se brenda kampit të mirëfilltë opozitar shqiptar, pa PDSH-në e Menduh Thaçit, ka një konflikt të tërthortë dhe debat në distancë. Deri këtu nuk ka asnjë problem, duke pasur parasysh se jetojmë në kohë demokratike dhe idetë e ndryshme i shërbejnë lirisë. Lëvizja BESA shfaqet si e financuar nga autoritet turke dhe si e tillë edhe fetare, LR-PDSH e Zijadin Selës si e lidhur me doktrinën e Arbën Xhaferit dhe si e tillë kombëtariste dhe jo fort e lidhur me orientin, ndërsa RDK si një parti më shumë e lidhur me intelektualizmin, por jo shumë e re në skenën politike të vendit. Këto dallime dhe disa “goditje në distancë” mes tyre mund të vërehen mjaft lehtë nëpër media, por siç thamë, nuk është se prishin thelbin e ekzistimit të tyre – rrëzimin e BDI-së dhe PDSH-së si parti përfaqësuese të shqiptarëve.

Problemi i tre partive më serioze shqiptare, do i shërbente qeverisë aktuale nëse personat që deri dje ishin dhe i shërbyen pushtetit, papritmas shfaqen “rilindas” dhe “opozitar” duke u këqyr dhe duke u pranuar në partitë e lartpërmendura, ndërsa këta të fundit i integrojnë vetëm e vetëm që t’u rritet numri i votave. Rasti tjetër do të ishte nëse konflikti i tri  partive shqiptare do të kryhej nga gara se kush të dalë i pari mes kampit të tyre, pa parë armikun e tyre të përbashkët, qeverinë e sotshme aktuale e gjendja e mjerueshme e popullit që duan ta përfaqësojnë. Andaj, nëse tri partitë shqiptare dëshirojnë të bëjnë diçka ndryshe nga ajo që shqiptarët kanë parë këta 25 vjet pluralizëm, lypset një aleancë e mirëfilltë mes tyre, pavarësisht dallimeve në koncept dhe ideologji në planprogramet e tyre. Dhe kjo mundësisht sa më parë.
Deri sot, politika shqiptare në Maqedoni na bënë të qajmë e të qeshim me prapavajtjet e tyre, tamam si me Don Kishotin dhe me Sançon. Dhëntë Zoti të na bëjnë nesër krenar vetëm se na bënë të qeshim e të qajmë mjaft.
Nesër gishti do të drejtohet karshi Zijadin Selës, Bilal Kasamit dhe Xhevat Sherifit. Por do të shohim se në ç’mënyrë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here