Jetmir Olldashi
Veliaj thërret në PS drejtorët e Bashës, vetëm një drejtore shkon në takimin e Veliajt në selinë rozë, të tjerët e refuzojnë
Tërhiqen drejtorët e Bashës nga Bashkia e Tiranës. Burime pranë administratës së Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se drejtuesit kryesorë të administratës “Basha” po mbledhin sendet e tyre personale nga zyrat e Bashkisë, duke qenë gati për shkarkimet në masë që pritet të aplikojë kryebashkiaku i ri Erion Veliaj. Sipas nëpunësve publikë, të cilët kanë qenë pjesë e Bashkisë së Tiranës, të gjithë drejtorët e Bashkisë janë telefonuar nga zonja Armela Imeraj, zëdhënëse e Partisë Socialiste ish-gazetarja e “Shijak televizion”, që pritet të jetë shefe kabineti e zotit Erion Veliaj, dhe u ka kërkuar të shkojnë në një takim tek selia rozë me kryebashkiakun e ri. Kërkesa për të mbledhur drejtuesit e një institucioni publik, nëpunësit në selinë e një partie duket si e paligjshme, ndërkohë që zoti Erion Veliaj nuk është mandatuar akoma si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Padurimit të zotit Veliaj i është përgjigjur vetëm një drejtore aktuale e Bashkisë së Tiranës, e cila ka qenë drejtore që në kohën kur këtë institucion e drejtonte Edi Rama. Drejtuesit e tjerë nëpunës me statusin civil e kanë refuzuar si të paligjshme kërkesën e Veliajt. Sipas njërit prej tyre, “zoti Veliaj nuk është mandatuar ende nga organet përkatëse si kryebashkiak i Tiranës dhe nuk e ka marrë këtë detyrë. Ndërsa duket e pakuptimtë që na thërret në selinë e një partie politike. Ne jemi nëpunës publikë dhe jo nëpunës partiakë. Është vetë ligji që na e ndalon pjesëmarrjen në gjirin e partive politike”, – përfundon drejtori, i cili gjithashtu shton se zbatimi i ligjit ka qenë dhe mbetet deviza e stafit aktual të Bashkisë. Nën zë thuajse të gjithë në administratën e Bashkisë së Tiranës shprehen të bindur se Veliaj do të hakmerret për këtë refuzim, edhe pse në emër të ligjit. Punonjësit presin një furtunë që do të ngrejë Veliaj sapo të marrë zyrtarisht detyrën, duke i bërë koka turku punonjësit, sidomos ata të cilët kanë refuzuar këtë takim me fituesin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit për Bashkinë e Tiranës. Punonjësit shprehin bindjen se do të zbatojnë vetëm ligjin, pavarësisht presioneve që priten nga i zgjedhuri i ri. Sipas ligjit të ri, riorganizimi i pushtetit vendor u jep mundësi të zgjedhurve të rinj të riorganizojnë dhe administratën përkatëse në bashkitë e tyre. Frymëzimi i zotit Veliaj duket se ka ardhur nga shefi i tij, Kryeministri Rama, i cili në të njëjtin stil ka ftuar të zgjedhurit demokratë nëpërmjet një telefonate për një takim në selinë e qeverisë. Ndërsa të zgjedhurve, por të mandatuarve socialistë Rama u ka çuar ftesë zyrtare me protokoll, të zgjedhurve të pamandatuar të opozitës ka preferuar t’i njoftojë me telefon nëpërmjet shefit të tij të kabinetit Endri Fuga.
“Rilindja demokratike” drejt ish-SHQUP-it
Pas rreth 15 vjetësh gazeta zyrtare e Partisë Demokratike do të ndërrojë selinë e saj. “RD”-ja ka qenë e vendosur në ndërtesën e vjetër të Partisë Demokratike në rrugën “Abdi Toptani”. Kur Partia Demokratike ndërroi selinë e saj para dy vjetësh, organi i saj zyrtar qëndroi tek të njëjtat zyra të cilat kaluan në administrim të Bashkisë së Tiranës. Me afrimin drejt Bashkisë të zotit Erion Veliajt, gazeta zyrtare e opozitës po përgatit mjediset e saj në godinën e ish-SHQUP-it. Eksodi i “Rilindjes demokratike” përveç mjediseve nuk pritet të ndryshojë gjë në politikën e saj editoriale. Shkrimet, lajmet dhe analizat e saj pritet të jenë po ato që janë në mbështetje të linjës zyrtare të partisë më të madhe të opozitës.
Shtatorja e Rugovës/ Bashkia e Tiranës akuzon Kryeministrin për paligjshmëri
Një shtatore e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, është bërë shkak për përplasje politike mes administratës aktuale të Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrit të majtë Edi Rama. Shtatorja e përfunduar me kontributet vullnetare të qytetarëve të Tiranës pritej të vendosej në rrugën që mban emrin e tij përballë parkut “Rinia”. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, në një deklaratë për mediat ka akuzuar shefin e qeverisë se po pengon qëllimisht duke bërë presion mbi këshilltarët socialist. “Propozimi i kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha është refuzuar të merret në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak me urdhër të Edi Ramës, me pretendimin se i ka mbaruar mandati, por ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, në nenin 31 të tij, “për funksionimin e këshillit komunal ose bashkiak”, në pikën 1 të tij thekson se Këshilli Komunal dhe ai bashkiak ushtron funksionet e tij, qysh nga krijimi, sipas nenit 26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës”, – ka thënë numri dy i Bashkisë së kryeqytetit. Më tej zonja Xhindi tha: “Refuzimi është thjesht dhe vetëm alibi për të mos lejuar vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë”. Sipas zëvendëses së Bashës në Bashki, ky vendim është në vazhdën e bllokimeve që qeveria e majtë i bëri Bashkisë së Tiranës këto dy vitet e fundit. “Tirana, kryeqendra e shqiptarëve, e ka për krenari të lartësojë shtatoret e heronjve të kombit dhe arkitektëve të lirisë së saj. Krah shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, shtatorja e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të parë të saj Ibrahim Rugova, i bën nder Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, por me sa duket, për Edi Ramën është më e rëndësishme të bllokojë kryebashkiakun Basha, sesa të nderojë, siç u takon personaliteteve të kombit shqiptar”. Nevila Xhindi, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, ka shkuar edhe më tej duke e akuzuar dhe duke i kujtuar Kryeministrit Rama vizitën e tij në Kosovë. Sipas numrit dy të Bashkisë së Tiranës, ky veprim i zotit Rama tregon mungesë respekti ndaj figurës së Presidentit historik të Kosovës. “Për fat të keq, ky vendim absurd dhe i turpshëm është jo vetëm në vijim të bllokimeve politike, por edhe shenjë mosvlerësimi ndaj figurës së Ibrahim Rugovës, në vazhdën e qëndrimeve shpërfillëse që Edi Rama ka mbajtur edhe më herët si për shembull në Kuvendin e Kosovës”. Xhindi u ka bërë thirrje këshilltarëve të majtë të distancohen nga urdhrat dhe vendimet politike. Numri dy i Bashkisë u ka kërkuar këshilltarëve në këtë fund mandati të votojnë me ndërgjegje qytetare. “Bashkia e Tiranës u bën edhe një herë thirrje këshilltarëve të majtë në detyrë të kryejnë detyrën e tyre qytetare dhe atdhetare, duke shpërfillur urdhrin politik të Edi Ramës dhe duke miratuar vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova dhe nderimin e këtij personaliteti të kombit shqiptar”, – mbyllet deklarata e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.