Nga Nebil Çika
Kush i vrau turistët çekë?! Në këto dy ditë, pas ndodhjes së krimit makabër, shumë shqiptarë të dëshpëruar kanë përdorur mundësinë e rrjeteve sociale për të dhënë versione të ndryshme për vrasjen dhe vrasësin që ka tronditur mbarë vendin. Vrasja e bujshme është vërtet një fakt tronditës dhe i neveritshëm, por nuk është një surprizë në vendin ku krimi është kryefjala e ditës.
Vendi prej kohësh është mbërthyer në një krizë politike dhe në një debat të madh publik për krimin dhe dekriminalizimin, një çështje ku janë angazhuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE. Por debati për krimin dhe mosndëshkueshmërinë e tij është edhe më i hershëm, ai nis që me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Kriminalizimi i shoqërisë shqiptare është një problem sa historik aq edhe aktual. Pothuaj për gjysmën e historisë si shtet, shqiptarët kanë qenë nën sundimin e krimit politik, i cili u bë pothuaj mënyre jetese. Sistemi komunist ishte në fakt sundimi i një bande kriminale, që kreu aq shumë krime e mori kaq shumë jetë shqiptarësh. Krimi i të gjitha formave u ngrit në sistem e u bë modeli dhe fytyra e njeriut të ri të socializmit pa besim tek Zoti, familja, prona etj. Rrëzimi i komunizmit, të keqes më të madhe e më të gjatë që ka kaluar ndonjëherë ky vend, u prit dhe u desh të ndëshkohej jo vetëm si veprimtari kriminale në aspektin juridik e politik, por edhe si model i të keqes, i cili nuk duhej përsëritur me sidomos nga brezat e ardhshëm. Kjo nuk ndodhi e për pasojë krimi dhe kriminelët vazhduan “të nderuar” të dominonin jetën politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të vendit, duke u kthyer në modele edhe për brezin e ri që nuk kishte lindur në komunizëm, siç ishte edhe ky vrasësi i turistëve çekë në Malësinë e Madhe.
Vrasësit dhe terroristët e të gjitha llojeve të komunizmit vazhduan të trajtoheshin si “heronj” në historinë zyrtare, në edukim e tekste shkollore. Bustet dhe emrat e tyre mbushin institucionet publike, rrugët dhe sheshet e vendit, ndërkohë që jo vetëm vazhdojnë të gëzojnë të gjithë titujt dhe dekoratat e dhëna nga komunizmi, por po dekorohen e nderohen edhe nga shteti de jure demokratik i Shqipërisë. Një pjesë e tyre më të rinj në moshë vazhduan karrierat politike e profesionale dhe janë ende pjesë e pushtetit politik e juridik dhe administratës shtetërore ose janë kthyer në biznesmenë që kontrollojnë ekonominë e vendit. Pra, ata që ishin e keqja e madhe e vendit ruajtën statuset “e nderuara” politike e shoqërore që u dha komunizmi, duke u kthyer në një model suksesi edhe për demokracinë.
Nuk ka se si kjo shoqëri të mos jetë e kriminalizuar, kur po të mos jesh i tillë, shanset për sukses apo mbijetesë janë shumë të pakta. Siç thashë më lart, krimi dhe përfaqësimi i tij në politikë është kthyer në një problem kombëtar. Kemi parë e dëgjuar që persona të akuzuar apo të përfolur si autorë të vrasjeve, trafikut të drogës, grave, armëve etj. janë pjesë e rëndësishme e Parlamentit. Opozita pretendon për 19 deputetë me rekorde kriminale, ndërkohë që njëri prej tyre po gjykohet si i pandehur për një vrasje të kryer në shtetin e Belgjikës. Ndërkohë, ka akuza për inkriminim të dhjetëra pjesëtarëve të administratës shtetërore që akuzohen si të përfshirë në rrëmbim fëmijësh deri tek trafiqet e të gjitha llojeve. Zgjedhjet lokale e theksuan edhe më shumë debatin njëherazi edhe problemin e madh të Shqipërisë me kriminalizimin e politikës dhe shtetit, por sërish gjendja nuk pati asnjë ndryshim. Dhjetëra të akuzuar si të inkriminuar u përfshinë në listat e kandidatëve për kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave të bashkive të reja, ku “korrën” fitore spektakolare me gjithë paralajmërimet e opozitës, drejtësisë dhe faktorit ndërkombëtar. Votimi për ta, i blerë apo jo, tregon statusin e nderuar që gëzojnë krimi dhe kriminelët në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë, politika dhe shteti ofrojnë krimin jo vetëm si një model suksesi, por si një alternativë qeverisëse dhe vendimmarrëse. Një nga skandalet e këtyre ditëve ka qenë edhe lirimi nga gjykata, angazhimi në fushatën e procesin zgjedhor në krah të qeverise dhe lejimi për t’u larguar nga vendi dhe më vonë dënimi me burgim të përjetshëm i të akuzuarit për vrasjen e një komisari policie, një fakt ky që dëshmon raportin e politikës dhe shtetit me krimin dhe autorët e tij.
Por le të bëjmë një krahasim midis raporteve të vendeve të tjera demokratike dhe Shqipërisë me krimin dhe kriminelët.
Dje, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Borovës, ku forcat gjermane vranë 107 civilë si reprezalje pas sulmit nga partizanët. Masakra ka ndodhur më 9 korrik 1943. “Jemi këtu për të kujtuar krimin më të rëndë të ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është e drejtë dhe e domosdoshme të kujtojmë ngjarje të tilla të dhimbshme. Në këtë vend ajo që mund të ndiejë një gjerman është një turp për çfarë ka ndodhur. Është një ndër mrekullitë e parimit evropian që pas dekadash kujtohen gjëra të tilla”, – tha z. Hoffman.
Dy javë më parë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një miting elektoral në sheshin qendror të Kukësit, pikërisht atje ku vetëm 26 vjet më parë, në gusht të vitit 1989, edhe me firmën e të atit të tij biologjik, Kristaq Rama, u var poeti antikomunist Havzi Nela, një nga krimet më të renda, i fundit i këtij lloji në të gjithë Lindjen ish-komuniste të Evropës. Dëgjuat ndonjë fjalë nga z. Rama për këtë krim të të atit?! Bëjeni vetë krahasimin midis qëndrimit të ambasadorit gjerman dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Mjafton vetëm ky fakt për të kuptuar qasjen kaq pozitive që manifeston politika, në mënyrë të veçantë mazhoranca ndaj krimit dhe kriminelëve. Këta janë rritur në krim e gjak. Ajo që për shumicën e shqiptarëve është masakër, krim e fatkeqësi, për pjesën më të mirë të këtyre që na qeverisin ka qenë e është pushtet dhe përfitime të tjera ekonomike dhe shoqërore. Komunistët kryen shumë më shumë krime se nazistët në Shqipëri dhe jo në kohë lufte, por askush nuk mbajti përgjegjësi, as ligjore, as politike e as morale. Për ndjesë publike as që bëhet fjalë.
Nga të dhënat e bëra publike të vrasësit të turistëve, duket se kemi të bëjmë me një injorant që e ka kryer vrasjen e parë që 15 vjeç, nga i cili nuk mund të pritej ndonjë vetëreflektim, kur askush, veçanërisht shteti dhe politika manifestojnë qasje kaq pozitive ndaj krimit. Çfarë prisni nga një injorant i rritur në male,, ndoshta edhe me probleme mendore, kur vetëm dy javë më parë opozita dhe media denoncuan faktin që vetë deputeti i Malësisë së Madhe nxori pistoletën dhe goditi kundërshtarin e tij politik në një sherr gjatë numërimit të votave në këtë bashki?!
Shumë shigjeta drejtohen sot te drejtësia, e cila si e varur, e strukturuar ligjërisht dhe e emëruar nga politika, nuk mund të jetë jashtë sistemit të kriminalizuar. Kur ajo merr urdhra për të liruar kriminelët e politikës, i është dhënë çdo mundësi të lirojë nga të gjitha kategoritë e tyre. Por edhe këtu modelet e ofruara janë kriminale. Shumë prej të inkriminuarve të sistemit juridik komunist janë sot anëtarë të Parlamentit apo drejtues e anëtarë të gjykatave, prokurorisë dhe administratës shtetërore. Shumë prej autorëve të krimeve të komunizmit janë nderuar me dekorata të larta nga vetë shefat e drejtësisë, presidentët e Republikës, përfshi edhe këtë aktualin, Bujar Nishani. Mungesa e drejtësisë nuk është dhe nuk mund të jetë një problem vetëm i sistemit juridik, por si pjesë e problemit të madh shqiptar, ajo është përgjegjësi e plotë e politikës.
Pashë në media një pohim të prindërve të një prej turistëve të vrarë se edhe “në Çeki të vrasin për 20 korona”, gjë që mund të jetë e vërtetë, por nuk mund të përdorët si paralelizëm me Shqipërinë. Çekia nuk ka deputetë apo kryebashkiakë të akuzuar për vrasje apo rekorde të tjera kriminale, ndërkohë që është vendi ish-komunist evropian me ligjin më të ashpër të lustracionit dhe krimeve të komunizmit. Në këtë situatë, mendoj që Çekia, si vend i BE-së, ka shansin e madh të rrisë presionin mbi politikën dhe shtetin shqiptar për dekriminalizimin, duke kufizuar kështu shanset që shtetasit e saj që vijnë në Shqipëri, por edhe shqiptarët e të tjerët të jenë viktima të krimit në çdo formë që do të mund të shfaqet ai.
Në fund të radhës, dua të theksoj sërish se vrasja e turistëve çekë është vetëm një nga shfaqjet e krimit në Shqipëri që, siç thamë, tashmë është pjesë e sistemit politik e më gjerë. Shpresoj shumë që kjo gjëmë e madhe për shqiptarët të bëhet pjesë e fortë e shqetësimit të opinionit dhe institucioneve perëndimore, të cilat kanë mundësi të mëdha ta ndryshojnë këtë gjendje, nëse rrisin presionin dhe nuk përkrahin politikën e inkriminuar shqiptare, gjë që deri tani, për fatin e keq tonin, por me sa duket edhe të tyre, e kanë bërë.