Merkato/ Siti, 100 milionë për Pogbanë, Valencia më dorëlëshuara e merkatos

0
149

 

100 milionë për PogbanëAnglezët janë gati të derdhin për lojtarin 100 milionë euro në arkat e Juventusit dhe nëse realizohet mund të kthehet në transferimin më të bujshëm të këtij sezoni

Merkatoja e sivjetshme është një ndër më aktivet në këto vitet e fundit. Kjo, pasi zërat për lëvizje të lojtarëve janë të shumta dhe të gjithë duket se e kanë një çmim. E ardhmja e Pol Pogbasë vazhdon të jetë në qendër të merkatos evropiane. Pak ditë më parë, ishte Barcelona që dukej në “pole position” për shërbimet e francezit, ndërsa sot më afër tij janë anglezët e Mançester Sitit. Sipas të përditshmes britanike “Daily Mirror”, “the citiziens”, duke mos pasur më mbi supe sanksionet e “fair play”-t financiar, janë gati të shpenzojnë një shifër stratosferike për mesfushorin. Raportohet se presidenti Mansur po përgatit një ofertë prej 100 milionë eurosh, të cilat do t’ia parashtrojë Juventusit për t’i bindur të heqin dorë nga 22-vjeçari. Madje, drejtuesit anglezë kërkojnë të fillojnë sa më shpejt bisedimet, me qëllim që të arrihet akordi në një kohë sa më të shkurtër, pasi trajneri Manuel Pelegrini e do në skuadër për turneun 14-ditor që Siti do të ndërmarrë këtë javë në Australi. Sipas tabloidit në fjalë, “Sky Blues” janë gati të përballojnë çdo ankand të mundshëm, vetëm e vetëm për ta pasur në ekip Pol Pogbanë. Kujtojmë që oferta e Barcelonës kapte shifrën e 80 milionë eurove, por zgjedhjet presidenciale në klubin katalanas duket se kanë bllokuar merkaton e blaugranëve. Ndërkohë që dëshira e presidentit të Siti është që të formojë një dyshe muskujsh dhe cilësie në mesfushë me Jaja Turenë dhe Pogbanë. Gjithsesi, ajo që është e qartë është se e ardhmja e yllit të Juventusit po merr gjithnjë e më shumë trajtën e një telenovele, e cila ndoshta do të zgjidhet vetëm në seritë e fundit. Ndërkohë, në total për sa u përket shifrave të shpenzuara është Valencia e manjatit nga Singapori Peter Lim skuadra që mbretëron deri në këtë moment të merkatos së verës. Klube të mëdha dhe shumë të fuqishme financiarisht si Reali i Madridit, Barcelona, Mançester Junajtid, Çelsi, Mançester Siti dhe Paris Sent Zhermen janë lënë në hije nga “Los Che” për sa u përket shpenzimeve në merkato. Drejtuesit e Valencias deri tani kanë nxjerrë nga arka e klubit shumën e 102 milionë Eurove edhe pse shumica e këtyre parave janë përdorur për të blerë në mënyrë përfundimtare disa lojtarë që sezonin e fundit ishin pjesë e skuadrës nga “Mestalla” në formë huazimi. Valencia ka shpenzuar 60 milionë euro për të blerë nga Benfika, Rodrigo Morenon, Andre Gomesin dhe Zhoao Kanselon, ndërkohë 30 milionë euro të tjera kanë përfunduar në arkat e Mançester Sitit për Alvaro Negredon, pa harruar këtu edhe 2 milionë eurot e shpenzuara për Joel Rodrigezin. I vetmi lojtar që nuk ka luajtur më parë për “Los Che” dhe do të jetë pjesë e Valencias sezonin e ardhshëm është talenti Santi Mina të cilin klubi i “Mestalla”-s e bleu për 10 milionë euro nga Selta Vigo. Në total, Valencia deri tani ka nxjerrë nga llogaria e saj 102 milionë euro, duke lënë pas Juventusin dhe Liverpulin respektivisht me 67 dhe 63 milionë euro të shpenzuara. Blerja më e shtrenjtë deri tani në merkato është ajo e Roberto Firminos i cili la Hofenhajmin për t’u bërë pjesë e Liverpulit që bleu brazilianin nga klubi gjerman për 41 milionë euro. Gjithsesi, me heqjen e kufizimeve në lidhje me fair-play-in financiar nga Gjykata e Apelit për Mançester Sitin dhe Paris Sent Zhermenin vështirë se Valencia, Juventusi dhe Liverpuli do të mbretërojnë edhe shumë, sepse anglezët dhe francezët janë gati të shpenzojnë qindra miliona euro në merkaton e kësaj vere.

 

Iniesta: Ramos qëndron te Reali

Andres Iniesta është një prej senatorëve të futbollit spanjoll. Ai është njohës i mirë i kësaj loje në Gadishullin Iberik. Edhe pse aktualisht ndodhet me pushime, mesfushori nuk kursehet në komente për merkaton e verës, madje edhe kur bëhet fjalë për një çështje të nxehtë si ajo e Serxho Ramosit që po trazon kampin madrilen. “E kam thënë përherë se Serxho Ramos është një nga qendërmbrojtësit më të mirë të botës. Ai është pjesë e një skuadre të madhe si Reali dhe nuk besoj se Perez do ta lërë të lirë. Ramos te Barcelona? Unë jam shumë i lumtur me shokët e skuadrës sime”. Në vijim të intervistës, mesfushorit iu kërkua të bënte një krahasim mes Josep Guardiolës dhe Luis Enrikes, por ai u mjaftua me një përgjigje diplomatike, duke theksuar se ata janë dy trajnerë që ngjajnë dhe i kanë dhënë shumë Barcelonës. Në vijim, Iniesta u ndal edhe të një konsideratë për lojtarët e sulmit katalanas. “Unë jam pjesë e një skuadre që në sulm ka lojtarët më të mirë. Mesi, Nejmar dhe Suarez janë një avantazh i madh për Barcelonën pasi me këta lojtarë kemi pasur dhe besoj se do të kemi suksese të mëdha edhe në të ardhmen”. Në fund, Iniesta u ndal te lamtumira e Ksavi Hernandezit, duke u shprehur se mungesën e tij do ta ndiejë shumë.

 

 

Mario Suarez afër Interit

Mario Suarez është emri më i nxehtë në taborin e skuadrës italiane Inter. Drejtuesit e zikaltërve janë në Spanjë dhe kanë filluar bisedimet me lojtarin për një transferim të mundshëm në “Meazza”. Bisedimet me agjentin e lojtarit janë duke shkuar mirë dhe pastaj do të synohet arritja e marrëveshjes me Atletiko Madridin që zotëron kartonin e tij. Besohet se Interi do të paguajë rreth 15 milionë euro që ta veshë Suarezin zikaltër. Ndryshe, interesim për mesfushorin qendror kanë shprehur edhe disa skuadra angleze si Evertoni, Totenhemi dhe Sauthemptoni.

 

Loris drejt Junajtidit

Hugo Loris pritet të zërë vendin e spanjollit David de Gea në portën e Mançester Junajtidit. Portieri i Totenhem Hotspërs ka treguar haptazi që dëshiron të luajë në Ligën e Kampioneve dhe një gjë të tillë skuadra aktuale nuk ia mundëson. Junajtid është në ndjekje të francezit, i cili ka shkëlqyer në Premier Ligën, edicionin që lamë pas. Mediat në Angli kanë shkruar se marrëveshja mes dy klubeve mund të arrihet për një shifër prej afro 25 milionë eurosh. Interesim për kapitenin e kombëtares së Francës ka shprehur edhe skuadra italiane, Roma, që ka probleme me portierë.

 

PSG, gati të rrëmbejë talentin e Milanit

Milani ka në radhët e saj të ardhmen e futbollit, Hachim Mastour, por që lehtë mund të mbetet pa të. Talenti i madh i Milanit, Hachim Mastour, është vënë në shënjestër të gjigantit francez Paris Sent Zhermen. Sipas asaj që ka shkruar gjatë ditës së djeshme “calciomercato”, parisienët janë të interesuar për lojtarin e talentuar dhe gjatë këtyre ditëve do të dërgojnë edhe ofertë zyrtare për ta transferuar atë. Pesë milionë euro është shuma që PSG do t’ia ofrojë Milanit për Mastourin, i cili është në përgatitje me ekipin e parë të Milanit. Kujtojmë që 16-vjeçari ka debutuar me skuadrën e Milanit në një turne parasezonal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here