Nga Nebil Çika
Sot Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel viziton Shqipërinë. Një vizitë historike kjo, jo vetëm për faktin se është e para Kryeministre gjermane që viziton vendin tonë, por për shanset e mëdha që i ka ofruar e besoj se i ofron shtetit, popullit e kombit tonë miqësia me Gjermaninë. Gjermanët mund të konsiderohen pa frikë kombi evropian më proshqiptar në histori. Elitat politike, shkencore e kulturore të këtij vendi dhe kombi e kanë ndihmuar e përkrahur kombin shqiptar që nga fillimi i lëvizjes sonë kombëtare e deri më sot.
Nga Bismarku te Merkeli janë dhjetëra momente që spikasin në miqësinë gjermano-shqiptare, të cilat jo gjithnjë janë vlerësuar nga klasat dhe kastat tona politike. Gjermanët kanë një kontribut të jashtëzakonshme në njohjen e shtetit shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit deri në vitin 1912. Përveç politikës, dhjetëra albanologë e historianë të njohur gjermanë shkruan e folën për Shqipërinë dhe shqiptarët në një kohë kur Evropa Perëndimore dinte pak apo aspak për ne.
Kryetari i parë i shtetit shqiptar i vendosur nga fuqitë e mëdha është Princ Vidi, një fisnik gjerman që u përpoq ta ndihmonte shtetin tonë në një kohë shumë të vështirë për Shqipërinë dhe krejt Evropën në kulmin e Luftës së Parë Botërore. Këtu fillon edhe refuzimi i parë apo më mirë të themi kafshimi i parë nga një pjesë e shqiptarëve e dorës së shtrirë gjermane ndaj Shqipërisë. Një lëvizje e qartë antishqiptare e njohur si Lëvizja e Haxhi Qamilit, e sponsorizuar nga fqinjët tanë shoviniste, u drejtua kundërt kurorës, shtetit dhe sundimit te tij, njëherazi edhe kundër asaj pjese të Perëndimit miqësor ndaj shqiptarëve, duke e bërë të pamundur misionin e tij në Shqipëri që fatkeqësisht zgjati shumë pak kohë.
Momenti i dytë ku gjermanët dëshmuan dashamirësinë e tyre ndaj shqiptarëve ishte Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria ishte nga vendet e pakta, në mos i vetmi, ku gjermanët nuk erdhën si pushtues, por si rrugë kalimi, status ky i njohur juridikisht, por edhe me aktet dhe sjelljet e tyre në hapësirat shqiptare. Ata respektuan në shumë drejtime vendimmarrjen politike shqiptare, gjë që nuk e kishin bërë në vende të tjera më të rëndësishme nga ana gjeopolitike se ne. Autoritetet e atëhershme politike e administrative shqiptare morën vendimin për të mos dorëzuar asnjë hebre që ndodhej apo mund të vinte në Shqipëri në këtë periudhe, gjë që iu komunikua zyrtarisht shtetit gjerman të kohës që duhet thënë se e pranoi dhe e respektoi deri në fund këtë vendim të shtetit shqiptar. Fakti që Shqipëria nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore është pa dyshim një meritë dhe krenari e madhe e shtetit, kombit dhe popullit tonë, por edhe një tregues që autoritetet gjermane të kohës, edhe pse në një sundim brutal, siç ishte ai nazist, respektuan vendimin e shqiptarëve, edhe pse ai shkonte kundër politikave të tyre me hebrenjtë.
Aq korrektë ishin ata me shtetin shqiptar, saqë është tashmë e vërtetuar me dokumente që ushtria gjermane e ndodhur në Shqipëri gjatë luftës mori kredi nga Banka e Shqipërisë për nevojat e saj. Një pushtues klasik nuk e bën këtë, ai e grabit bankën. Gjermanët nuk e morën kredi në vendet e tjera që pushtuan. Po në këtë periudhë gjermanët mbështetën dhe respektuan të drejtën legjitime të shqiptarëve për të jetuar në një shtet të vetëm, duke respektuar vetëvendosjen dhe bashkimin e trojeve amtare sipas vullnetit të kombit tonë. Shqipëria etnike ekzistoi vetëm dy vjet, pikërisht në kohën e “pushtimit” gjerman. Më vonë, politika komuniste dhe historiografia shqiptare i mohoi këto fakte, për arsye ideologjike, gjë që vazhdon të pretendohet zyrtarisht fatkeqësisht edhe sot.
Një tjetër dorë e shtrirë gjermane, fatkeqësisht sërish “e kafshuar” nga kasta politike është përpjekja e ish-kryeministrit të Bavarisë, Shtraus, në gjysmën e dytë të viteve 1980 ndihmë e hapje të Shqipërisë me Perëndimin 5 vjet para kthesës në Lindjen komuniste, gjë që u refuzua me cinizëm kriminal nga qeveria komuniste e kohës. Ky është ndoshta shansi me i madh i humbur i shqiptarëve me të cilin sigurisht që gjërat për ne do të ishin shumë më mirë sot.
Viti 1990 është pa dyshim një tjetër shenjë miqësore dhe e ndihmës së Gjermanisë për Shqipërinë. Rreth 4000 shqiptarë në përpjekje për t’u larguar nga diktatura, u futën në territorin e Ambasadës Gjermane në Tiranë, e cila i mbrojti e i strehoi, duke dhënë kështu një ndihmë e shpresë të madhe se gjendja edhe këtu mund të ndryshohej.
Lufta e Kosovës në 1999, ku Gjermania doli hapur me të gjitha mjetet në ndihmë të shqiptarëve dhe njohja e pavarësisë më vonë janë shenja të arta miqësie e dashamirësie të Gjermanisë ndaj nesh. Pavarësia e Kosovës në fakt u farkëtua dhe zhvillua në Gjermani. Nga 1990 deri në 1999 qeveria e Kosovës dhe shumë liderë politikë jetonin e vepronin në Gjermani. Atje mblidhej shumica e fondeve dhe zhvilloheshin aktivitetet politike pa asnjë pengesë, sikur të ishin në Shqipëri. Përkrahja e vazhdueshme e shtetit të Kosovës është si në fonde ashtu edhe në procesin e njohjes dhe konsolidimit, një kontribut i madh gjerman për popullin e kombin tonë.
Hyrja e Shqipërisë në NATO dhe arritja tek statusi i vendit kandidat në BE kanë pa dyshim kontributin e madh të Gjermanisë. Roli lider i shqiptarëve në rajon është kuptuar, pranuar e sidomos përkrahur nga Gjermania, veçanërisht nga zonja Merkel. Në samitin e Ballkanit në Berlin, znj. Merkel zgjodhi jo pa qëllim z. Rama të ishte i vetmi në krahë me të në konferencë shtypi, ndërkohë që atje ishin edhe kryeministra të tjerë të rajonit. Ky është pa dyshim një sinjal i qartë dhe një tjetër dorë e shtrirë e Gjermanisë ndaj nesh që fatmirësisht deri tani nuk është kafshuar nga politika.
Vizita e znj. Merkel është historike, por ajo mund të mbetet përjetësisht e tillë nëse ne do të dimë ta vlerësojmë e ta respektojmë këtë mundësi gjermane që në kushtet politike e ekonomike ku ndodhet rajoni, merr një rëndësi të veçantë pothuaj jetike për shqiptarët. I djegur nga qulli, jam i detyruar t’i fryj kosit, duke shpresuar që politika jonë mos ta “dhjesë” sërish, duke e shpërdoruar si shumë të tjera më parë edhe këtë mundësi unikale e historike për popullin e kombin tonë.