“Miku im Cipras!”

0
146

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim MehmetiSi rrallëherë, referendumi në Greqi për të vazhduar reformat e detyruara prej Bashkimit Evropian apo qëndrimi kundër tyre rreshtoi pro e kundër shumë njerëz në mbarë Evropën. Profesorë, njerëz të thjeshtë, njohës të politikave monetare, gjeostrategjike, anarkistë shpejtuan të jepnin mendimet e tyre për të ardhmen e Greqisë. Me këtë rast edhe shqiptarët nuk mbetën pas. Rrjetet sociale u mbushën me parullat “NAI” ose “OXI”, në varësi të pëlqyeshmërisë ndaj Tsiprasit. Pak më të ftohtë dukeshin ekspertët e ekonomisë, që me shumë të drejtë, shtruan pikëpamjet e tyre mbi pasoja që mund të rridhnin nga një “Jo” e Greqisë për të ardhmen tonë. Përse gjithë kjo ndjeshmëri ndaj Tsiprasit në vendin tonë? Thjesht për solidarizim me problemet e fqinjëve apo se po cenohej ndonjë interes i madh kombëtar? Një pjesë e atyre që tani e quajmë me mburrje “ο φίλος μου” Tsipras, nuk ia kanë idenë e çështjeve ekonomike, madje edhe kuptimin e fjalës greke e kanë mësuar përmendësh. Madje as nuk e njohin historinë e Greqisë, si u pranua në BE, përse erdhën e u majisën gjithë këto probleme, e shpërthyen në mënyrën më të egër në vitet e fundit. Atyre u interesonte të mbështesnin “Jo”-në e popullit grek, jo për ndonjë simpati të veçantë ndaj tij. Tek referendumi grek këta njerëz shikonin të ardhmen e tyre “rebele” ndaj të pasurve që po marrin frymën të varfërve. Sipas tyre, ka ardhur koha për barazi. Ka ardhur koha që më mirë t’i thyhet hunda Gjermanisë, Francës, Italisë, sesa të humbasim Greqinë. A u duhet Greqia, sepse është atdheu i demokracisë? Luftës për fjalën e lirë? Filozofëve që vunë bazat e mendimit të lirë e përparimtar?Jo. Për këta njerëz që bredhin me çantë në shpinë sa në një qytet evropian në një tjetër, mjafton që protestat të jenë kundër Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë vlerë Sofokliu, Sokrati, Platoni e me radhë. Për ta ka rëndësi që “popujt e mëdhenj të mos shtypin të vegjlit”. Prandaj ata janë aty, “miq” të Tsiprasit, që ta mbështesin këtë të fundit, që të mos lëshojë pe. Nëse e bën nuk e kanë të vështirë ta kthejnë në “εχθρός” (armik), që “la mënjanë parimet” dhe iu nënshtrua Evropës. Këta punë pabitisur nuk ia kanë haberin as GDP-së, as problemeve ekonomike dhe as atyre politike. Për ta ka rëndësi të thuash “Jo”, se kështu i jep “një mësim të mirë Evropës për të respektuar sovranitetin”.

Po atë që ka bërë Evropa për Greqinë, Portugalinë e Spanjën në fillimet e viteve `80 të shek. XX? Tani ajo s’ka rëndësi. Fëmijët e dikurshëm, që mezi ecnin me këmbët e veta, “tani u bënë burra” dhe duhet të mos pyesin për askënd. Prandaj, edhe “aktivistë rebelë kundër pabarazisë dhe diktatit të BE-së” nuk vënë gjumë në sy për të mirën e popujve. Ata udhëtojnë, vetëm udhëtojnë, larë e palarë, ata i ke në mes të protestës, mjafton të thuhet “Jo”. Sa shërben “Jo”-ja? Punë e madhe, mjafton të jemi kundër. Alternativën e gjen populli me vullnetin e tij. Këta “trima”, pa asnjë trimëri të njohur, u ekzaltuan jashtë mase me intervistën e heroit të tyre “Varoufakis”, sa ndoshta ishin gati edhe të flinin një natë me të. Nga dita e martë e tutje, mbase ndihen të pezmatuar. Jo aq shumë për faktin se Varoufakis ishte njeriu që këshillonte Papandreun para pak viteve për ekonominë, e tani luante rolin e të fortit me Evropën. Ata janë pezmatuar për faktin se Varoufakis, mbas lehtësimit që i dha vetes me dorëheqjen e tij, “rrëmbeu” bashkëshorten e hipi në një “papaq”, që është mjeti më popullor në Greqi dhe festoi në një shoqëri të përzgjedhur lavdinë e tij ekonomike e politike me birra pa fund. Kjo është të kesh në “zemër popullin” e në shpirt interesin tënd. Ndërkohë që grekët e thjeshtë presin çdo ditë radhën për 60 euro, gardiani i financave të tyre ato 60 euro i ka thjesht për pak qejf, “pas shumë vuajtjesh që i shkaktoi vetes, po jo popullit”. Gjithsesi, festimi i tij në një lokal apo edhe thjesht një gotë e më shumë birra të ish-ministrit grek, nuk është se janë ndonjë gjë që duhet dënuar. Një profesori të shkolluar në Perëndim e të shpenguar si njeri, kjo i shkon për shtat. Por ata që e mbështesin, me siguri, nuk e gëlltisin këtë gjest. Ata marrin rrugët e Evropës, me një këmishë, ca të holla, një çantë dhe një qese duhan, për të shtyrë ditët e gjata të “antiglobalizmit”, në “emër të lirisë, barazisë dhe të drejtës së popullit për të marrë në dorë fatet e tij”, ndërsa i parapëlqyeri i tyre ua “punon në këtë mënyrë”. Por në fund të fundit kjo është një çështje e popullit grek, ku besoj se hundët tona janë të tepërta. Populli grek e zgjedh të ardhmen e tij, sipas dëshirës së vet. Nëse ata kanë menduar se një “Jo” është zgjedhja e duhur, janë ata që do t’u vënë shpatullat vështirësive të vendit. Nuk besoj se populli grek reagoi për faktin se delirantë të ndryshëm apo ndonjë këngëtar u thuri këngë e ata u emocionuan aq shumë për të thënë “Jo”. Tani ata janë përpara sfidës që e zgjodhën vetë, i dalin për zot vetë e në fund do t’i japin zgjidhjet e veta. Mbështetësit e tyre do të marrin çantën e tyre të pluhurosur, mund të ndërrojnë këmishën dhe të shkojnë në Spanjë, Portugali a gjetiu, ku “populli është gati të tronditë politikën e të majmurve të BE-së”. Besnikë të idealit të “lirisë dhe barazisë”, ata s’i ndal asgjë. Nuk i ndal asgjë, sepse nuk njohin asgjë. Ata nuk duan t’ia dinë për autoritetin e shtetit, mendimet e akademikëve, rregullat e demokracisë, respektin ndaj mendimit të tjetrit. Të gjitha për ta janë gjepura. “Nuk i mori populli borxhet, por qeveria, e cila i përdori për vete”. Mundet të jetë një reagim i drejtë. Po ku ishin këta “trima”, pas lufte, në raste të ngjashme për atdheun e tyre?

Pse të ashtuquajturit rebelë të vendit tonë i ka hipur kjo dashuri e madhe për Tsiprasin? Sepse shumica e tyre dhe individë të veçantë shohin tek ai veten ose atij që duan t’i ngjajnë. Dhe si mendojnë t’i ngjajnë? Pa pyetur për shtetin, por gjithçka t’i nënshtrohet vullnetit të tyre. Pa pyetur për akademikët, ekonomistët, njohësit e politikës, që kanë harxhuar vite dhe orë për t’u bërë të tillë. Këta “rebelë” flasin për shtetin e popullit nga njëra anë dhe sfidojnë autoritetin e shtetit, nga ana tjetër. Vërtet kanë hallin e Tsiprasit që e quajnë mikun e tyre, pa e njohur fare? Kanë hallin e ekzistencës së tyre, në mungesë të një alternative për veten. Këta njerëz, nuk i kam parë e dëgjuar kurrë, të ngrenë zërin e tyre “të fuqishëm, që mbart fuqinë e popullit”, për të drejtat e emigrantëve shqiptar në Greqi, e gjithkund në Evropë. Nuk i kam parë asnjëherë, të vizitojnë kampet e shqiptarëve në Gjermani, ndonëse pak kilometra i ndajnë prej vendbanimit të tyre. Do të ishte një gjest domethënës, të takoje njerëz që janë kaq shumë refuzues ndaj politikës së një shteti, saqë lënë vendin e tyre, në një aventurë të panjohur, vetëm me shpresën për një jetë më të mirë. Por kjo duket qartazi që nuk ka shumë interes për këtë kallëp njerëz. Në fund të fundit edhe unë mbase kërkoj shumë prej tyre. Ata janë internacionalistë dhe nuk ju intereson shumë fati i bashkatdhetarëve në vendin e tyre e jo më në Evropë. Miku i tyre Tsipras është më i shtrenjti. Tsipras, miku i tyre imagjinar, në fakt është miku ose kundërshtari i popullit të vet, në varësi të pëlqimit të atyre që e votojnë. Grekët e dinë vet të ardhmen e tyre pa ndihmën e kaotikëve të vetëquajtur zëdhënës të interesit të popullit. Ndërkaq, ne nuk dimë asgjë se cila do të jetë e ardhmja e qytetarëve tanë në Greqi. Me justifikimin e “ekspertëve” të emigracionit, se “parlamenti grek gati sa nuk e votoi ligjin mbi të drejtat e shqiptarëve, por kishte ca halle të tjera” apo se “gjithçka është gati dhe në shtator, do të marrim të drejtat tona”, vështirë se besohen më. Në fund të fundit, “shqiptarët duruan 25 vjet le të durojnë dhe pak”, do të ishte një përgjigje, që nuk është se nuk thuhet në mendjen e “mbrojtësve të interesave të tyre”. Shqiptarët janë në mes të katër rrugëve, ku zgjedhja e tyre është sa e vështirë aq edhe e dhimbshme. Vështirë se zotësia e Tsiprasit për t’u thënë “Jo” masave shtrënguese për vendin e tij të ndihmojë emigrantët tanë atje. Por mbase edhe kjo nuk ka shumë rëndësi për “miqtë” e Tsiprasit, që nuk e shohin dot me sy Gjermaninë dhe Evropën. Ata janë gati të thërrasin fort: “Njerëz të pashpresë si ne, por të vetëquajtur rebelë, bashkohuni rreth mikut tonë Tsipras! Mos mendoni për popullin tuaj, por për popujt e tjerë! Lavdi veprës sonë!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here