Masakra e Srebrenicës/ Berisha ngre në këmbë Kuvendin. 1 minutë heshtje për viktimat e gjenocidit serb në Bosnje

0
165

Gëzim Saliu

Berisha ngre në këmbë KuvendinFjalimi i Berishës për Srebrenicën, Braçe nuk pajtohet me ngritjen në këmbë: Ishte një hipokrizi

Ndonëse të gjithë dje në sallën e Kuvendit po prisnin që ish-kryeministri Berisha ta niste fjalimin e tij me ndonjë batutë apo akuza ndaj pasardhësit të tij Rama lidhur me vizitën e Kancelares Merkel në Shqipëri, krejt e kundërta ndodhi. Berisha mbajti një fjalim që zgjati për thuajse 30 minuta, po ku 10 minutat e para ia kushtoi përkujtimit të 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Në fund të fjalimit për këtë ngjarje ai kërkoi që të gjithë deputetët në sallë të mbanin 1 minutë heshtje në nderim të 8 mijë viktimave. Këtë herë, ndryshe nga pak kohë më parë nga salla u ngritën edhe deputetët e mazhorancës, të cilët respektuan thirrjen e ish-kreut të qeverisë shqiptare. Edhe pse në fillim pati pak hezitim, ku deputetët socialistë panë njëri-tjetrin në sy se kush po çohej i pari, ngritja në këmbë e kreut të grupit parlamentar vulosi vendimin e socialistëve për të respektuar thirrjen e Berishës për të nderuar të vrarët në masakër. “Gjenocidi i Srebrenicës ku të rrethuar nga forcat serbe nën mbrojtjen e plotë të OKB-së në një kamp të OKB-së u grinë nga barbarët e këtij rajoni 8 mijë burra, gra, dhe fëmijë vetëm e vetëm se i përkisnin besimit myslimane. Gjenocidi i Srebrenicës është ngjarja më e turpshme, më tragjike në historinë e pas-Luftës së Dytë Botërore. Është ngjarja më e turpshme në historinë e Kombeve të Bashkuara që nuk arritën të mbronin nga mizoria serbe njerëzit që strehonin në kampin e tyre. Për të nderuar viktimat e Srebrenicës ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje për ta. Kemi nderuar shpirtin e tyre të pafajshëm”, – u shpreh Berisha.

 

Masakrat ndaj shqiptarëve

Ndërkaq, në fjalën e tij, Berisha renditi ato që ai i cilësoi si masakrat më të ashpra që ka kaluar në kurriz populli shqiptar. “Ne shqiptarët jemi një komb i cili po të shohim mbrapa shekullin që shkoi na del që ai ishte një shekull gjenocidesh për ne. Ne e nisëm shekullin me njërin prej gjenocideve më të shëmtuara të realizuar ajo që quhet tragjedia e Kumanovës ku hordhitë serbe mbushën me koka shqiptarësh Vardarin dhe territorin shqiptar në Maqedoni. Por shqiptarët përjetuan një gjenocid të dytë. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore është gjenocidi i Tivarit. Bashkëpunim i Enver Hoxhës me Titon. Çdo familje shqiptare nën platformën se këta nuk u vranë në luftë dhe ne duhet t’i vrasim që t’i pakësojmë iu mor nga një djalë. Nga Kukësi deri në Tivar i grinë dhe i korrën kudo mitralozat e Enver Hoxhës, të terroristëve shqiptarë, të Rankoviçit dhe Titos”, – theksoi ai. Por, sipas Berishës, një tjetër gjenocidi ishte edhe ai i diktaturës komuniste, ku, sipas tij, kampet e përqendrimit ishin si furrat e gazit për shqiptarët. “Sot është një ditë solidariteti me popullin e Bosnjës. Është një ditë në të cilën duhet të dënojmë me ashpërsinë më të madhe barbarinë e Srebrenicës. Të dënojmë qëndrimin e Putiit, këtij “Hitleri të ri””, – u shpreh Berisha. Por ndonëse të majtët mbështetën thirrjen e Berishë për t’u ngritur në këmbë e respektuar me një minutë heshtje të vrarët në Masakrën e Srebrenicës, nuk munguan kritikët nga radhët e socialistëve për këtë gjest. Deputeti Erjon Braçe, i cili njihet si një ndër më aktivët në radhët e PS-së në rrymën ‘antiberisha’ deklaroi se fjalimi i ish-kryeministrit për masakrën ishte një hipokrizi.

 

Strehë me tela pa leje te Kryeministria/ Topalli: Jemi sipërfaqësorë, duhet t’u hyjmë thellë gjërave e jo të besojmë se “fluturon gomari”

Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, në fjalën e saj në Parlament për vizitën e Kancelares Merkel në Tiranë, kritikoi Kryeministrin Edi Rama për organizimin, duke e cilësuar këtë të fundit si servil. “Merkel vizitoi Ballkanin duke filluar nga Shqipëria si vend i NATO-s. Kryeministri na nderoi. Kryeministrisë i vuri një strehë të kapur me tela të trashë për fasadë, si ato të shtëpisë. Natyrisht pa leje, në kundërshtim me ligjin. Kush thotë që shteti ynë nuk është serioz? Rama harxhoi ditë të tëra dhe nxori kërpudhën. Pastaj i tregoi zyrën, murin me insekte që rrethonte Ismail Qemalin. Nuk pashë aty breshkën. Në një sjellje që duket gati servile i tregoi barsoletën e përjetimit të shqiptarëve kur gjermanët bëjnë gol. Për ta mbyllur lideri porositi pyetjen, por Merkel i tha se lider është demokraci”, – tha Topalli. Më tej duke marrë në analizë mesazhet e Merkelit, Topalli tha se Kancelarja kishte të drejtë për mungesën e garancisë ligjore për biznesin gjerman. “Ju nuk qëndruat në nivelin e premtimeve tuaja, ndaj nuk hiqni dot maskën. Për çfarë duan të mbahen mend dy njerëz: Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit? Do mbahesh mend si kryebashkiaku i betonit, si Kryeministri që krijoi Parlamentin e bosëve të trafiqeve, për tritolet apo pasigurinë”, – tha Topalli. Më tej ish-kryetarja e Kuvendit u shpreh se pas kësaj situate ku është vendi, shqiptarët duhet të bëjnë një analizë dhe jo të besojnë çfarë thotë qeveria. Ajo i vlerësoi shqiptarët si njerëz sipërfaqësorë që e besojnë edhe kur u thuhet “fluturon gomari”. “Kjo kërkon edhe një analizë për ne shqiptarët. Ndoshta kombi ynë do kishte sot një faqe tjetër, po qe se populli do t’i gërmonte gjërat pak më shumë. Ne jemi njerëz pak sipërfaqësorë dhe nuk hyjmë thellë. Kurdoherë në çdo kohë dhe çdo rast shqiptarët janë gënjyer sa prej vëllezërve të tij, aq edhe prej të huajve. Ajo që na shquan ne që pësimet nuk na bëhen mësime. Me këtë mentalitet nuk mund të bëhemi kurrë një shtet serioz sa kohë që na thonë ‘fluturon gomari’ dhe ne e besojmë”, – deklaroi Topalli.

 

Vetëm për 20 minuta/ Tom Doshi rikthehet në Parlament, biseda me Braçen dhe refuzimi për Arben Ndokën

Deputeti Tom Doshi iu rikthye dje punimeve të Parlamentit pas një mungese thuajse 4- mujore që u lidh me akuzat e ngritura prej vetë ligjvënësit ndaj Kryetarit të Kuvendit si porositës të vrasjes së tij. Edhe pse është përjashtuar tashmë nga grupi parlamentar socialist, Doshi u ul pikërisht atje ku ai qëndronte kur ishte në radhët e socialistëve. Ndonëse qëndrimi në sallën e Parlamentit nuk zgjati më shumë se 20 minuta, deputeti i qarkut të Shkodrës nuk qëndroi pa “ngacmuar” ish-kolegët e tij. Fillimisht ai ka folur me Erjon Braçen, i cili ishte në këmbë në momentin kur Doshi hyri në sallë. “Pse s’flet ti kshu, si ju shkoi fushata”, – i është drejtuar ai Braçes, ndërsa ky i fundit thjesht ka përshëndetur ftohtë ish-kolegun. Po ashtu Doshi ka komunikuar me deputetin Ervin Bushati, të cilin e kishte pas karriges së tij, ndërsa më pas është larguar qetësisht nga salla, duke iu drejtuar kafes së Kuvendit. Mësohet se në këtë kohë ai është ftuar nga deputeti socialist Arben Ndoka për një kafe, por Doshi nuk ka pranuar ftesën, duke shprehur pakënaqësi për sjelljen e ligjvënësit të Lezhës ndaj tij. “Po si mund të pi kafe me ty unë mor burrë! Unë shkova deri lart e luftova për ty, që të bëheshe deputet dhe ti ça bane? Nuk pate as burrërinë për mos me votu arrestimin tim”, – mësohet të jetë shprehur Doshi.

 

Batutat pa mikrofon në Parlament, çfarë nuk u dëgjua në media

  1. Dogjani: Deputeti i mazhorancës i largoi me makinë vëllezërit Aliko pasi vunë tritolin te kreu i PD-së në Komunë. Ministri Tahiri në Komisionin e Sigurisë kishte si zv.ministër një që ka punuar që në kohën e Enverit.

A.Çuko: Më vjen keq për deklaratat e deputetit parafolës, i cili foli si e ëma e Zeqos në majë të thanës.

  1. Dogjani: Ti e mban mend shumë mirë Arben kur vije dhe më xhiroje me telefon fjalimet e mia se të kam mbajt mbrapa. Njëherë the se u lodhe duke mbajt telefonin.
  2. Çuko: Historia nuk është tamam kështu siç e tregoi ai, por gjithsesi rëndësi ka mbështetja e deputetëve për strategjinë ushtarake.

Tom Doshi vjen në Parlament, i drejtohet Braçes që qëndron në këmbë: Çe ke që s’flet ti…

Braçe dhe Bushati falsin me Doshin, deputeti shkodran: Si ju shkoi fushata? Nga shpia si i keni pas?

Berisha: Koço Kokëdhima ju peshon ju të gjithë, le të dalë ndonjë e të thotë jo!

  1. Braçe pa mikrofon: Ja unë them, mua jo.

Berisha: Si jo mor zotëri, pse po e them kot unë këtë Koço kanabisi. Koço peshon qeverinë.

Braçe pa mikrofon: Po ç’janë këto që thua…?

Berisha: Në qoftë se vazhdohet kështu me eksodin, do ndëshkohemi. Shqiptarët janë në luftë me E. Ramën.

  1. Manja: Ky që foli nxiu imazhin e vendit të tij, kjo është sjellja e një politikani ballkanas…

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here