Violeta Murati
Dera e Akademisë së Shkencave është hapur, dje, për Aurel Plasarin për promovimin e një libri historik, “Shqipëria dhe shqiptarët në Evropën e Piut II”. Libri tregohet se ka rëndësi historiko-kulturore, që paraqet pozicionin e Arbërisë dhe të arbërve në veprën e Enea Silvio Piccolominit, por edhe të pjesës tjetër të Evropës. Është ndër rastet e rralla që promovohet një libër historik pa pasur historianë rrotull. Ndonëse dy folësit, studiues të njohur të letërsisë, Agron Gjekmarkaj dhe Persida Asllani, janë përpjekur të ndërhyjnë me njohurinë e tyre në kontekste kulturore
Dera e Akademisë së Shkencave është hapur, dje, për Aurel Plasarin për promovimin e një libri historik, “Shqipëria dhe shqiptarët në Evropën e Piut II”. Libri tregohet se ka rëndësi historiko-kulturore, që paraqet pozicionin e Arbërisë dhe të arbërve në veprën e Enea Silvio Piccolominit, por edhe të pjesës tjetër të Evropës. Është ndër rastet e rralla që promovohet një libër historik pa pasur historianë rrotull. Ndonëse dy folësit, studiues të njohur të letërsisë, Agron Gjekmarkaj dhe Persida Asllani janë përpjekur të ndërhyjnë me njohurinë e tyre në kontekste kulturore, për të justifikuar pozicionin e tyre në përcaktimin e vlerës së një libri historik, si ai shqyrtohet – këtë nuk kanë mundur ta japin. Mungesa e historianëve për pjesën e informimit rrëzon “rëndësinë” historike, duke u mbajtur prej dy studiuesve më një këmbë argumentin, atë të kulturës dhe qasjes së dobët mbi çështjen e humanizmit evropian. Ky botim i Plasarit vjen pas atij rreth Skënderbeut, për të cilin historianët sërish kanë heshtur ose nuk kanë lexuar gjë. Këtë keqardhje nuk mund ta kalonte në heshtje botuesi i tij, Piro Misha. Edhe studiuesja e letërsisë, Floresha Dado, pothuaj të njëjtin kontekst ka pasur, kur tha se kemi të bëjmë me një vepër shkencore, një test për studiuesit për ta njohur veprën dhe për të hyrë në debatin shkencor, sidomos për mjedisin tonë. Kjo kërkesë vjen si duket për lënien jashtë të Plasarit mes debateve të historianëve. Kaq ka qenë edhe kompetenca, me të drejtë e Dados që doemos nënkuptonte njerëzit kompetentë, studiues të historisë.
Dado ka përforcuar teoritë e shkencës në këtë rast se çfarë përmban problematika shkencore, sidomos sa i takon metodologjisë vetjake dhe intuitës shkencore kur përballë ke leximin e dokumentit. Duke u ngritur në origjinalitet, kjo vepër do të donte së paku të hynte në debatin e ndonjë historiani, dhe jo të “dhurohej” një derë e hapur nga Akademia e Shkencave pa mundur të sillet për një vepër shkencore argumenti shkencor, konkret ai historik. Si mendimtar apo si historian, studiues apo teoricien i historisë është Aurel Plasari në këtë vepër?!
Botuesi, Misha, me të drejtë do të shtonte se Plasari ka një krijimtari të gjatë, ka mjaft libra për Evropën dhe mjaft shkrime mbi këtë temë, ka ngacmuar, sidomos në kontributet në historiografi. Por kjo nuk i përgjigjet një auditori historik, për të hapur debate apo për të ndier domosdoshmërinë e thellimit, në të gjitha kontekstet e sidomos për rishkrimin e historisë. Kjo e fundit, duke hyrë edhe në shqetësimet e fshehta të Plasarit, si “kontribuues”, por i anashkaluar nga historianët. Një “aventurier i madh”, siç e ka cilësuar ndonjë historian i Kishës duke ia përgojuar të ritë? Apo një “papë i madh”, siç e kanë quajtur historianë të tjerë? Pa dyshim, Plasari e vendos Papa Piun II në rangun e një humanisti emërmadh dhe i pari që ripohoi unitetin shpirtëror të Evropës me përfshirjen në të si të pjesës së saj perëndimore, edhe të asaj lindore, çfarë e zhdukte tendosjen e dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit duke e riaktualizuar konceptin Evropë e duke i dhënë përmbajtjen e re tanimë politike. “Pa përfilljen e kësaj përmbajtjeje të re dhe, përkatësisht, këtij konstruksioni të ri evropian asokohe në përftim e sipër, nuk do të kuptohej dot pozicioni i Arbërisë dhe i arbërve në raport me kontinentin evropian jo vetëm gjatë periudhës së luftërave antiturke të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti, por edhe mbas tyre. Në një kontekst të tillë vendi që zunë Arbëria dhe arbrit në veprën e Enea Silvio Piccolominit i ofrohet edhe Evropës së sotme si një nga dëshmitë më kërshërore dhe njëherësh më të qenësishme të përfshirjes së tyre aktive, si pjesëmarrës e pjesëdhënës, në historinë e saj në kapërcyellin nga Mesjeta e vonshme në Kohën e Re”. Aurel Plasari përpiqet të gjurmojë praninë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, çfarë ka mbetur nga lëvizja humaniste e shekullit XV.
Si lexohet Evropa humaniste sot?! Plasari ka një argument të tij, më shumë në pozicionin e një ideologu, se sa historiani, duke iu referuar atyre që bëjnë kritika sot për mënyrën e bashkëfunksionimit të popujve të Evropës. Sjell shembullin e një prej themeluesve të saj, që në ditët e sotme përdor termin “formula e pendimit”, në lidhje me themelimin e atij që quhet sot Bashkim Evropian: nëse do niste nga e para ky proces, fillimi do ishte kultura; duke qenë në anë të atyre që besojnë në rëndësinë e saj, në unitetit e fshehtë shpirtëror që mban të bashkuar popujt. Mbi këtë, pothuaj model perfekt për studiuesin është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk afrohen në modelin e bashkimit me bazë legjislacionesh të njëjta. Duket një nën zë i studiuesit “kundër” kësaj Evrope që propozohet sot, që jo pak është artikuluar dhe po artikulohet nga një anë e majtë ideologësh.
“Princat e krishterë” u dëftuan aq frikacakë, të paaftë, bishtnuan….
Aurel Plasari
“Karta evropiane e identitetit e shqiptarëve”, edhe kështu mund të titullohej ky libër për nga rëndësia kultuhistorike që paraqet pozicioni i Arbërisë dhe i arbërve në veprën e Enea Silvio Piccolominit, veçan te De Europa e tij, por edhe në pjesën tjetër të saj. Përfshirja në Europën e tij si e pjesës së saj perëndimore, ashtu edhe e asaj lindore, – çfarë e zhdukte tendosjen e dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit si pa baza reale gjeografike, historike, kulturore, – i mundësoi vizionit politik të Piut II t’ua pohonte sa arbërve, aq edhe Arbërisë vendin e tyre në konstruksionin e Evropës humaniste. Nga studiuesit e historisë evropiane të shqiptarëve kjo situatë pothuajse nuk është vënë re. Ndoshta nuk është kuptuar.
Një nga meritat madhore që i njihet humanistit Enea Silvio ishte që aktualizoi konceptin Evropë, të trashëguar nga mitologjia dhe tradita mesjetare, duke e mbushur atë me përmbajtje të re dhe duke përuruar vizionin e një Evrope si bashkësi gjeografike, historike, kulturore dhe – sidomos – politike, të panjohur si të tillë deri përpara tij. Pozicioni ndërkombëtar në të cilin, në kapërcyellin e Mesjetës së vonshme dhe Kohës së Re, vendoseshin arbrit dhe Arbëria në veprën e një humanisti si Enea Silvio, i cili i dha konceptit Evropë përmbajtjen e re nëpërmjet pajtimit të unitetit shpirtëror dhe njëherësh politik të saj, nuk mund mos të tërheqë vëmendje edhe më përtej. Edhe vetëm kreu “Albania”, njëri nga krerët e rëndësishëm të librit De Europa, të detyron të kujtosh që Piu II përshkruante tanimë një vend që në burimet e gjeografisë antike nuk e kishte ndeshur si të tillë, ndonëse kishte shtënë në punë Ptolemeun, Strabonin, Plinin etj.
Evropa e tij humaniste konstruktohej në kontingjencat e ballafaqimit të popujve të Evropës me ekspandimin e përdhunshëm turko-osman. Në ato kontingjenca qëndresa dhe luftërat e popullsive arbre, si situatë e re politike evropiane, do të tërhiqnin sa vëmendjen, aq edhe interesin e humanistit emërmadh ndaj Arbërisë. Në rrethanat e kërcënimit nga një rrezik i përbashkët për popujt evropianë nuk mund të mos i vihet një theks këtij ballafaqimi të arbërve me ekspandimin turk në Kontinent, sepse ai pati ndikimin e vet në ngritjen e potencialit arbër dhe funksionalizimin e tij, brenda qytetërimit përkatës, në Evropën e asaj kohe. Në fillim me fitoret e njëpasnjëshme të turqve, mandej me kulmin në pushtimin e Kostandinopojës prej tyre, ekspandimi në fjalë nuk do të kishte vetëm implikime fetare, sikurse mendohet rëndom. Madje as vetëm implikime politike, siç do të shihet. Kundërvënia ndaj ekspandimit turk në emër të një modeli qytetërimor përbënte një karakteristikë të spikatur të vetë Lëvizjes humaniste në kapërcyell të Kohës së Mesme dhe Kohës së Re përkundrejt “rrezikut të jashtëm”.
Është e vërtetë që humanistët do të trashëgonin idenë e vjetër mesjetare të kryqëzatës, por nuk ka dyshim që ajo do të modernizohej prej tyre duke e vendosur problemin kryqtar në horizontin e një lufte mes qytetërimit dhe barbarisë. Ishte një orvatje për të konverguar në një synim të vetëm traditën e krishterë me diturinë klasike. Ky qe projekti që u mishërua më së miri në veprën e Enea Silvios. Humanistët e valëvisnin flamurin e kryqëzatës kundër Turkut në emër të mbrojtjes së “letrave të bukura”, siç i quanin, armiq të të cilave paraqiteshin turqit e ardhur nga Azia. Që një kundërvënie e tillë mund të konceptohej në mënyrë të thjeshtuar, ndoshta edhe të stereotipuar, kjo sot dallohet qartë. Por nuk mund të mohohet që refuzimi humanist gjithsesi nuk ishte arbitrar. Nga njëra anë turqit, kur u bënë krye e Islamit në shek. XIV, ishin shumë larg zhvillimit dhe shkëlqimit që kishin zotëruar popujt e Lindjes së Afërme – për shembull arabët e Gadishullit Iberik – dhe as mund të bëhej fjalë për lidhje të tyre me trashëgiminë klasike si në rastin e dijeve arabe. Nga ana tjetër pikërisht në atë kohë humanistët evropianë po e rizbulonin, madje duke e përvetësuar, trashëgiminë klasike si frymëzuese të modelit të tyre qytetërimor. Edhe vetë përvoja konkrete e sundimit turk në territoret që turqit pushtonin nuk dëshmonte kurrfarë prirjeje për realizimin e lirisë, tolerancës dhe, në përgjithësi, për kultivimin e atyre vlerave për të cilat humanizmi evropian punonte. Tregimet që qarkullonin në Perëndim për doket turke në viset e pushtuara, veçan ato për pushtimin e Kostandinopojës, për trajtimin sa të njerëzve të fesë aq edhe të aristokracisë vendëse, dëshmonin të kundërtën. Arbrit jo vetëm do ta provonin mbi vete këtë situatë, por edhe do ta dëshmonin dikur, sikurse në një varg memorialësh që do të vijonin t’u dërgonin fuqive të krishtera evropiane edhe nga ish-“Mbretëria e Arbërisë”.
Në një kontekst të tillë u ngrit figura e Enea Silvios si autori i cili, në kohën e vet, pati një vetëdije më të qartë për Evropën: për atë Evropë të re politike që rishfaqej në fundin e Mesjetës dhe fillimin e Kohës së Re. Piu II paraqitet si ai që e jetoi më thellësisht këtë situatë dhe e konvertoi atë në objekt të parapëlqyer të jetës së tij dhe të veprës së tij. Me vështrimin e tij kulturhistorik, ende pa u krijuar papë, ai ia kishte njohur edhe botës bizantine evropianitetin duke theksuar aspektet e përbashkëta të kulturës evropiane qysh në vitet `30 kur kishte punuar me oracione dhe shkrime për bashkimin e Kishës së Lindjes me Kishën e Perëndimit. Deri edhe rënia e Kostandinopojës nën pushtimin turk përbënte për të një hop qenësor, që e detyronte ta përsaktësonte dhe pasuronte edhe më konceptin e ri të Evropës. Është fjala, pa ndonjë dyshim, për një koncept kundërshtimor: koncept që luhatej mes mesjetarizmit të trashëguar dhe humanizmit në vlim e sipër.
Sepse nuk mund të mos vihet re që, si humanist, Enea Silvio propagandonte një Evropë të përftuar si njësi e harmonishme kulturash, ndërsa në praktikë, me veprimet e tij si Kryeprift, vijonte të mbronte idenë e Republica Christiana-s, që do të thoshte të unifikuar mbi idealin e një kryqëzate të llojit mesjetar. Por edhe në këtë kundërshti konceptuale Enea Silvio rezultoi përfaqësues, pothuajse me të tëra karakteristikat, i historiografisë humaniste të lëvizjes së Rilindjes evropiane.
Në Italinë e kohës së tij, aty ku historiografia laike u shfaq më herët se në vendet e tjera, ajo funksionoi si mjet formimi dhe propagande me interes shtetëror: për të formuar legjislatorë, diplomatë, ministra, princa, burra shteti. Ky funksion i ri i historiografisë i shtyu humanistët e mëdhenj t’u qaseshin edhe problemeve të kohës me frymën e Polibit, duke e përfillur historinë si disiplinë së cilës nuk i interesonin veçse luftërat dhe politika. Në këtë vështrim shkrimet e humanistëve, ndër to edhe vepra e Enea Silvios, mund të mos kënaqin nga pikëpamja mirëfilli historiografike. Por ato përbëjnë vlera jo të zakonshme si burime informacioni.
Situata origjinale e interesit humanist për popujt e ndryshëm dhe vendet e ndryshme, veçan për personalitet e tyre të spikatura, krijoi kushtet e mbrothëta për përfshirjen dhe përshkimin edhe të arbërve dhe Arbërisë në veprën e Piut II. Në të mbetën “të sanksionuara”, siç do të shihet, edhe marrëdhëniet krejt të veçanta të tij, si humanist ndoshta më shumë se si Kryeprift, me arbrit dhe Arbërinë. Për regjistrimin në këtë dëshmi të arbërve dhe Arbërisë në Evropën politike nuk mund t’i zvogëlohet merita, përkundrejt Piut II, partnerit të tij në bregun përkundrejt: prijësit ushtarak dhe politik të arbërve Gjergj Kastrioti. Në formulimin e politikës së tij ai diti, më mirë nga çdo tjetër prijës arbër bashkëkohës i tiji, të peshonte e të vlerësonte interesin e vet dhe të atdheut të vet në marrëdhënie me Kontinentin të cilit Arbëria dhe arbrit i përkisnin. Lidhja e interesit të Arbërisë së tij me pjesën tjetër të Evropës rezultoi një konstante e politikës së tij. Se si “pjesa tjetër” e Evropës e konceptoi qëndrimin e vet ndaj arbërve dhe Arbërisë së tij – veçan në situatat e luftërave të arbërve të udhëhequr prej tij – kjo mund të lexohet edhe prej dëshmive të një vepre si ajo e Enea Silvios.
Qëndrimi i Evropës gjatë periudhës kur thuhej se turqit osmanë e kërcënonin me pushtim, përdhunë dhe skllavërim, – duke ia rrezikuar drejtpërsëdrejti qytetërimin dhe në veçanti gurin e themelit të atij qytetërimi, d.m.th. besimin e krishterë, – paraqitej në përgjithësi problematik. “Princat e krishterë” u dëftuan aq frikacakë, shpirtvegjël, të pafuqishëm e të paaftë për qëndresë sa t’i bishtnonin mbrojtjes së Kontinentit bashkë me qytetërimin e tij. Pati prej tyre që nuk lëvizën as gishtin e këmbës për t’u përfshirë në projektet e mëdha evropiane antiturke. Por do të duhej tjetër vend, jo ky libër, për të treguar historinë e degradimit të tyre.
Rëndësi ka që në histori të shënohet se si, mbas rënies nën pushtimin turk të Krujës, Lezhës dhe Drishtit më 1478, të Shkodrës më 1479, të Durrësit më 1501 etj., arbrit do të vijonin të ngulmonin ta bënin jetën, politikën dhe luftën me pjesën tjetër të Evropës. Edhe kur, prej fundit të shek. XV, pothuajse e gjithë Evropa juglindore binte nën pushtimin turk për t’u bërë pjesë e “Perandorisë osmane”, do të vijonte roli i arbërve me prirjen për kryengritje nga njëra anë dhe për rifunksionalizimin e koalicioneve evropiane për luftë kundër pushimit turk, nga tjetra. Šufflay ka pasë dalë në përfundimin se ishin pikërisht “luftërat e Skënderbeut” ato që i dhanë shkas formimit në mbarë Evropën të konceptit të një “Arbërie më vete”, e cila për të kishte indicie të ketë vijuar deri në shek. XVII. Shekulli XVII është pikërisht kufiri që ka të bëjë me dallimin mes Arbërisë së mirëfilltë dhe të quajturës “Albania Turcica”.
*Parathënie e botimit, vënë në dispozicion nga botimet “IDK”. Titulli është redaksional