Shtrëngohen rregullat për rimbursimin e TVSH-së bizneseve

0
169

Ervin Kaduku

rimbursimin e TVSH-së bizneseve–  Qeveria rezulton se ka pranuar ndryshime të sistemit aktual të rimbursimit të TVSH-së, duke caktuar një drejtori të posaçme në Tatimet, që mund të përbëjë një organ për seleksion klientelist…

Deri tani, qeveria ndoqi një politikë joshëse ndaj biznesit, duke shpejtuar rimbursimet e TVSH-së, që në fakt kishte krijuar një fond të konsiderueshëm borxhi, që shteti u kishte ndërmarrjeve private, çka i pengonte këto të fundit në aktivitetin e tyre normal. Kthimi i TVSH-së ndërmarrjeve private është tashmë pjesë përbërëse e një zëri buxhetor, që është krijuar enkas dhe që ka të bëjë me kthimin e detyrimeve të prapambetura, të cilat shteti u ka grumbulluar në vite bizneseve.

Por, ndërsa po thuhej deri tani, madje, ishte krijuar edhe tërësia e akteve nënligjore nga Financat – që rimbursimi të bëhej automatikisht, sidomos për detyrimet e reja, tashmë duket se qeveria po bën një prapaktheu të madhe në drejtim të kundërt, duke vendosur një tip bordi, që të monitorojë se kujt biznesi t’ia japë dhe kujt jo, kujt më parë e kujt më pas TVSH-në, që është një shifër të cilën biznesi e ka paguar si paradhënie për shtetin dhe më pas ka të drejtën ta marrë mbrapsht, pasi atë në fund të fundit e paguan konsumatori fundor.

Duket se me këtë nismë qeveria shqiptare po rrëshqet në një pozicion antibiznes dhe klientelist…

Projektligji ka mbërritur në Kuvend. Ja justifikimi, që i ka bërë kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, si dhe deputeti tjetër i PS-së, Ervin Bushati, të cilët kanë paraqitur si nismë të tyre projektligjin.

Për të ndryshuar rregullat, kërkohet të amendohen të paktën dy ligje, ai për TVSH-në dhe ai për procedurat tatimore.

 

Relacioni

Në kuadër të reformave fiskale, konkretisht të vjeljes dhe administrimit të të ardhurave tatimore, nga ana e FMN-së qeverisë shqiptare i është propozuar që procesi i rimbursimit të TVSH-së të pësojë një ndryshim. Ky ndryshim konsiston në krijimin e një njësie qendrore për rimbursimet pranë Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve, që duhet të vendosë se si do të trajtohet çdo kërkesë për rimbursim nga bizneset. Synimi është që sistemi i rimbursimit të jetë gjerësisht i automatizuar, duke përdorur sistemin e ri të IT-së, që do të vihet në shfrytëzim nga një ekip punonjësish pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët do të merren me analizën e rasteve dhe kërkesave mbi bazën e riskut. Ky ekip është menduar të quhet Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së (DRTVSH).

Kur një kërkesë për rimbursim çmohet me risk dhe duhet kontrolluar, ose duhet kryer ndonje veprim tjetër, DRTVSH-ja ia dërgon kërkesën për veprim të mëtejshëm DRT-së përkatëse. Procedura aktuale e rimbursimit konsiston në verifikimin e të gjitha kërkesave për rimbursim përmes një kontrolli të TVSH-së të thelluar, që kërkon kohë dhe nga ekspertët e FMN-së çmohet se është i panevojshëm.

Në kushtet kur sistemi i ri i propozuar është tërësisht i ndryshëm nga procedura aktuale e zbatueshme, e parashikuar nga dispozitat ligjore objekt propozimi për ndryshim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përgatitur propozimet konkrete për ndryshime ligjore dhe normative, me qëllim krijimin e hapësirave ligjore për të proceduar sipas propozimit të bërë.

 

Projektligji i propozuar

KUVENDI I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

VENDOSI:

NENI 1

Pika 1 e nenit 75/1 “Rimbursimi i TVSH-së dhe kompensimi i detyrimeve tatimore” ndryshon si më poshtë:

“Nëse personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, rezultojnë me tepricë kreditore dhe paraqesin pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në DPT kërkesën për rimbursimin e TVSH-së së paguar tepër, nëpërmjet formularit “Kërkesë për rimbursim të TVSH-së’ sipas modelit të miratuar, Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Tatimore, ku është i regjistruar tatimpaguesi, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesit dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesve eksportues, verifikon situatën tatimore të tatimpaguesit dhe miraton tepricën kreditore si të rimbursueshme dhe, kur është e nevojshme, ushtron kontroll bazuar në analizën e riskut. Pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pesë ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Në rast të kundërt, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

 

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Duket se qeveritarët do të krijojnë një institucion të ri filtrimi të bizneseve që do të trajtohen mirë apo jo nga Tatimet…

 

OSHEE bllokon sot të gjitha subjektet debitore në bregdet

Të gjithë bizneset konsumatorë të energjisë elektrike në zonat bregdetare që janë debitorë për faturat e prapambetura të papaguara ndaj OSHEE-së, brenda datës 10 korrik duhet të likuidojnë detyrimet, në të kundërt, nuk do të mund të kenë mundësi për t’u furnizuar me energji elektrike. Sipas burimeve të OSHEE-së, këto biznese nuk kanë afat më shumë edhe se 20 ditë për të paguar faturën paraardhëse, pasi nuk do të lejohen më që të krijojnë borxhe të reja.

Ndryshe nga bizneset, konsumatorët familjarë kanë afat deri më 15 korrik për të përfituar nga skema lehtësuese e pagesës së faturave të energjisë. “Pas kësaj date, nuk do të bëhet më asnjë tolerim”, – thonë burimet e OSHEE-së.

Në periudhën maj-qershor pas inspektimeve, OSHEE deklaroi se rreth 70% e bizneseve sezonale që operojnë në zonat turistike nuk kishin shlyer faturat e energjisë elektrike, duke akumuluar rreth 2 miliardë lekë borxh ndaj shtetit. Nga kontrollet ka rezultuar se kryesisht, këto biznese janë sezonale, çka e vështirëson më shumë mbledhjen e detyrimeve të prapambetura për energjinë elektrike të konsumuar, ndaj OSHEE është shprehur e vendosur se në rast të mos shlyerjes së faturave, ato nuk do të furnizohen me energji elektrike.

Sidoqoftë, në mes të sezonit, një nismë e tillë është kundërproduktive, pasi largon turistët…

 

Bursa energjetike

Ministria e Energjisë dhe Industrisë prezantoi sot nismën e re për krijimin e tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri në një tryezë pune, në bashkëpunim me qeverinë norvegjeze, Sekretariatin e Energjisë, ekspertë, etj.

Ministri i MEI-t, Damian Gjiknuri, vlerësoi asistencën e qeverisë së Norvegjisë në realizimin e këtij projekti, bazuar në modelin e shtetit nordik, të njohur për burimet e mëdha energjetike dhe alternimin e burimeve energjetike.

Gjiknuri çmoi rëndësinë që ka zgjerimi dhe zhvillimi i tregut të liberalizuar të energjisë, si një hap i rëndësishëm për tregun rajonal të energjisë. “Tryeza për krijimin e bursës së energjisë përcakton një skedul për liberalizimin e tregut të energjisë”, – tha Gjiknuri, i cili njoftoi se hapat kanë nisur për bashkimin e tregut të energjisë me Kosovën.

“Po bëhen hapa për të bashkuar tregjet me vendet fqinje si me Kosovën”, – tha ministri, sipas të cilit, vitin tjeter nis ndërtimi edhe i linjës 400 Kv me Maqedoninë. Gjithjashtu, ai vlerësoi rëndësinë që ka krijimi i zyrës së përbashkët për energjinë, duke theksuar se sa më i madh tregu, aq më shumë ka mundësi financimi i projekteve të energjisë si dhe alternimi i burimeve energjetike, mjete që rrisin sigurinë energjetike edhe në rajon.

Në këtë kuadër, Gjiknuri tha mes të tjerave, se po bëhen investime për lidhjen e interkonieksioneve të energjisë të Shqipërisë me vendet fqinje. “Ne kemi objektiv, që në vitin 2020 Shqipëria do të jetë e lidhur me gjitha vendet e rajonit”, – tha Gjiknuri.

 

BSH: Filialet e bankave greke nuk mund të heqin kapitalet nga Shqipëria

BSH sqaron se edhe në rast se falimentojnë mëmat, bankat shqiptare me kapital grek kanë status juridik të pavarur nga pronarët në Greqi. Bankat që operojnë në Shqipëri i nënshtrohen legjislacionit dhe kuadrit rregullator të Republikës së Shqipërisë.

Teksa situata është ndezur në Athinë dhe po shtohen shqetësimet lidhur me sistemin bankar grek, Banka e Shqipërisë garantoi edhe një herë sot se kriza në Greqi nuk është risk për bankat greke që operojnë në Shqipëri, pasi prej kohësh sistemi i mbikëqyrjes dhe ai rregullator, që normon veprimtarinë e bankave shqiptare me kapital grek ka qenë i ndryshëm nga ai i bankave të tjera.

Burimet në BSH, në përgjigje të interesimit të Monitor për ndikimet e krizës greke në bankat me kapital grek në Shqipëri, sqaruan se si pasojë e kombinimit të një sërë treguesish të kujdesit është e pamundur që këto banka të transferojnë fonde (depozita të rezidentëve) nga Shqipëria në Greqi.

“Në vazhdimësi, që nga momenti kur kriza greke u rikthye në axhendën e ditës, kemi theksuar se bankat shqiptare me kapital grek nuk kanë ekspozime në Greqi, as ndaj sektorit financiar grek (depozita apo kredi në ndonjë nga bankat greke apo institucion tjetër financiar jo-bankë), as ndaj sektorit të korporatave (firma apo kompani private që i nënshtrohen juridiksionit të shtetit Grek), as ndaj sektorit publik Grek (investime në bono thesari të qeverisë greke për shembull).

Për më tepër,. Që në valën e parë të krizës, disa vjet më parë, këtyre bankave ju është imponuar një regjim shumë konservator. Niveli i kapitalizimit të veprimtarisë, gjendja e likuiditetit, limitet e ekspozimit, frekuenca e raportimit dhe numri i kontrolleve ka qenë dukshëm më intensiv, sqaruan më tej burimet brenda Bankës.

 

Çfarë ndodh nëse falimentojnë mëmat

Por çfarë ndodh nëse se mëmat përfshihen në proces të shpejtë konsolidimi pasi agjencia Reuters disa orë më parë dha lajmin se katër bankat greke – National Bank of Greece (NBGr.AT), Eurobank (EURBr.AT), Piraeus (BOPr.AT) dhe Alpha Bank (ACBr.AT) –mund të reduktohen në vetëm dy, një masë që pa dyshim mund të hasë me rezistencë të fortë në Athinë. Por burimet në Bankën e Shqipërisë pohuan se, bankat shqiptare me kapital grek kanë status juridik të pavarur nga pronarët në Greqi.

Pavarësisht se, pronarët e tyre janë grupe bankare që e kanë origjinën në Greqi, bankat që operojnë në Shqipëri i nënshtrohen legjislacionit dhe kuadrit rregullator të Republikës së Shqipërisë. Logjika mbi të cilën ndërtohet dhe ushtrohet veprimtaria bankare, është e bazuar në një grup të mirëpërcaktuar rregullash, kushtëzimesh dhe kontrollesh, pavarësisht origjinës së investitorit, referojnë më tej të njëjtat burime.

Për më tepër vështirësitë që po has sistemi bankar në Greqi, sipas BSH, janë më së shumti të lidhura me mungesën e likuiditetit dhe jo me keq menaxhim apo paaftësi të grupeve përkatëse. Një kombinim rrethanash politike dhe psikologjike ka bërë që besimi publik të pësojë lëkundje, e për rrjedhim situata të jetë ajo që po shohim këto ditë, sqaroi BSH.

“Dëshirojmë të risjellim në vëmendjen e opinionit publik kujdesin dhe masat që Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, ka ndërmarrë për të patur në vazhdimësi një sistem bankar të shëndetshëm dhe likuid. Nga kjo situatë nuk bëjnë përjashtim as bankat me kapital grek përkundrazi, situata e tyre e kapitalizimit dhe e likuiditetit është në nivele më të larta. Këto banka kanë kohë që po rishikojnë pjesën që ato zënë në treg në drejtim të tkurrjes dhe të administrimit më të kujdesshëm të rrezikut. Me kërkesë të Bankës së Shqipërisë, ato kanë sjellë kapital të ri gjatë viteve të fundit duke bërë që niveli aktual i kapitalizimit të veprimtarisë të jetë në nivele historike” pohuan ekspertët e Bankës Qendrore.

 

 

Ndryshojnë rregullat për pajisjen me patentën e automjetit

Çdo person që dëshiron të pajiset me leje drejtimi do ta ketë të detyrueshme marrjen e njohurive për dhënien e ndihmës së parë në rast aksidenti vetëm pranë Kryqit të Kuq Shqiptar. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8738, datë 12.0.2001 “Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, ka qenë nismë e disa deputetëve të LSI-së, me qëllim që t’i jepet më shumë vëmendje trajnimit të individëve për dhënien e ndihmës së parë, duke tentuar kështu për të shmangur pasoja të rënda në rast aksidentesh. Konkretisht në projektligj thuhet se “Kursi i ndihmës së parë për kandidatët për leje drejtimi, ku merren njohuritë e nevojshme për dhënien e ndihmës në rast aksidenti, zhvillohet nga një organizate me veprimtari në fushën shëndetësore e licencuar nga agjenci ndërkombëtare dhe të njohura nga autoritetet përkatëse të Bashkimit Evropian për trajnime në fushën e ndihmës së parë mjekësore”.

Kryqi i Kuq Shqiptar është e vetmja organizatë që plotëson këto kritere dhe që aktualisht ka ofruar trajnimin për kursantët. Kursi disa ditor është i detyrueshëm për çdo kandidat për leje drejtimi. Po ashtu është i detyrueshëm në Kodin e Punës për bizneset që 1 në 10 punonjës të jetë i trajtuar për ta dhënë këtë ndihmë. Nga grupet e interesit ka pasur disa herë kërkesa që ky kurs të bëhej në autoshkolla dhe të mos qëndronte si monopol i Kryqit të Kuq, të cilat nuk janë marrë në konsideratë. Kuvendi ka miratuar ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor.

 

 

INSTAT: Tremujori i parë, ekonomia u rrit 2.8%

Ekonomia është rritur me 2.82 për qind në tremujorin e parë të vitit 2015 në krahasim me të njëjtin tremujor të 2014, sipas publikimit të djeshëm të INSTAT-it. Treguesi i këtij tremujori për rritjen ekonomike vjen me një metodologji të re, ku matja është bërë si nga metoda e prodhimit dhe nga ajo e konsumit, ndërsa deri tani matej vetëm nga metoda e prodhimit. Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it, Gjergj Filipi, tha se, sipas metodës së re të matjes së PBB tremujore, Bujqësia është rritur me 1 .85% në krahasim me tremujorin e parë 2014, grupi “Energji, uje dhe lëndë djegëse” u rrit me 7.64%, ndërtimi u rrit me 1.84% dhe grupi “Tregti hotele restorante” u rrit me 1.18%. Më tej, grupi ”Informacion dhe komunikim” u rrit me 2.6%. Aktiviteti financiar dhe sigurimit 13.07%, Pasuritë e paluajtshme me 1.23%, administrata publike 3.4% dhe grupi të tjera shënoi një rënie me 3.4%.

INSTAT ka publikuar për herë të parë ndryshimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas nomenklaturës se, aktiviteteve Rev 2, në linje me metodologjinë bashkëkohore që përdor sot Bashkimi Evropian.

Me këto ndryshime metodologjike, kalohet nga Vlera e Shtuar Bruto në Prodhimin e Brendshëm Bruto tremujor që është treguesi i plotë gjithëpërfshirës i ekonomisë shqiptare (në ndryshim nga vlera e shtuar bruto, PBB përfshin dhe llogaritjen e taksave dhe subvencioneve). Me parë PBB botohej vetëm me bazë vjetore dhe jo tremujore.

Drejtori i INSTAT Filipi tha se ndryshimet thelbësore me metodologjinë e re janë se, del për herë të parë PBB tremujore, rritet numri i degëve te ekonomisë të përfshira dhe PBB matet si nga metoda e prodhimit dhe nga ajo e konsumit, deri tani matej vetëm nga metoda e prodhimit

Dalja me këtë metodologji i bën te pakrahasueshme këto më të dhënat e mëparshme, ndërkohe që seria është rishikuar deri ne 2008, dhe deri në tetor do rishikohet deri në 1996, tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here