Qeveria pranon dështimin në administratën doganore

0
205

Ervin Kaduku

Qeveria–  Shkëlqim Cani kërkon të ndryshohet rrënjësisht metoda e punës në Dogana, duke pranuar rënie të të ardhurave ndaj planit. Nënkuptohet kështu që ishte shkarkim “dorëheqja” e ish-drejtores Spiropali. Por, çfarë u deshën ekspertët e “Crown Agents”?!…

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka prezantuar dje shefen e re të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Pranvera Fagu (Behushi), e cila është emëruar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave në krye të këtij institucioni, pas dorëheqjes së kreut të mëparshëm Elisa Spiropali dhe pas zëvendësimit të përkohshëm të saj në këtë post nga zv.ministrja e Financave.

Nga fjalët që kreu i Financave deklaroi publikisht, kuptohet qartë që largimi i ish-kryetares së FRESSH-it, të katapultuar në detyrën shumë të rëndësishme në krye të njërës nga administratat kryesore që siguron të ardhurat për buxhetin e shtetit shqiptar, nuk ka qenë për arsyen që u publikua. Pra, nuk kemi të bëjmë me dorëheqje, por më një shkarkim.

Ministri Cani u ndal në gjendjen aktuale të doganave shqiptare, duke theksuar “nevojën emergjente për të ndryshuar metodën e punës, lidhur me grumbullimin e të hyrave doganore”. “Ka një mosrealizim në të ardhurat nga doganat, për të cilin duhet nxjerrë përgjegjësia, secili duhet t’u dalë zot detyrave të veta”, – tha Cani, duke iu kërkuar drejtuesve të doganave që në çdo sektor, drejtori apo degë të vendosen tregues të matshëm ditorë të punës.

Ministri Cani kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave funksionimin e një sektori real të statistikave doganore, por sidomos të analizës së të ardhurave, që ka munguar, duke dëmtuar ecurinë normale të këtij institucioni në riorientimin e zgjidhjeve në bazë të këtyre analizave.

Ministri kërkoi informacion të përditshëm nga dogana dhe tha se “edhe analiza e treguesve do të jetë e përditshme, jo vetëm në DPD, por edhe në ministrinë e Financave”.

Ministri e vlerësoi të papranueshme gjendjen në doganat shqiptare dhe kërkoi të merren masa urgjente, duke filluar me ndryshimin tërësor të mënyrës së të menduarit dhe të punuarit në doganë.
“Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat, por ne do të synojmë grumbullimin e plotë të të ardhurave, me çdo mënyrë, duke iu dalë për zot detyrave dhe duke këmbëngulur që, për të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij angazhimi, të mos ketë vend në administratën e shërbimit doganor shqiptar”- nënvizoi Cani.
Më pas, ministri i Financave u ndal konkretisht në disa tregues specifikë të punës në shërbimin doganor, duke kërkuar angazhim sidomos për respektimin e plotë të kontratave koncesionare, pjesë e punës së doganave, siç janë kontratat me shoqëritë që ofrojnë shërbimin e skanimit, të markimit të karburanteve, të pullave fiskale, etj. Theks i veçantë u vu në përmirësimin e punës për zhdoganimin e cigareve dhe në evidentimin e faktorëve që kanë çuar në një rënie të dukshme të zhdoganimit të tyre, rrjedhojë edhe e faktorëve të tregut të brendshëm të prodhimit e tregtimit të duhanit, sidomos atij të grirë.

Ministri i Financave bëri me dije se ministria dhe institucionet në varësi të saj janë duke hartuar dhe realizuar një plan të kujdesshëm masash për të përmirësuar grumbullimin e të ardhurave fiskale në tatime e dogana, etj., që i paraprin një aksioni kombëtar, në front të gjerë, në luftë kundër informalitetit.

Drejtoria e re e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Fagu (Behushi), duke falënderuar për detyrën e re dhe mbështetjen e dhënë nga ministri Cani, tha se e vlerëson si sfidë detyrën e kreu të doganave dhe kërkoi të punohej si ekip, si një skuadër për të përballuar problemet e vërejtura në shërbimin doganor shqiptar.

Problemet duket se dalish shumë qartë: Në dogana puna ka dështuar totalisht. Të ardhurat e planifikuara nuk janë ato që mendoheshin, ndërkohë që ka zëra për krijimin apo vazhdimin e linjave të vjetra të kontrabandës, në krye të të cilave ka qenë vetë ish-drejtorja pa pikë përvoje Spiropali. Kjo drejtuese, që u zgjodh vetë nga kryeministri Edi Rama për arsye politike, është përgjegjesja kryesore për situatën e krijuar, që nuk mund të mbulohet me dy-tri aksione të suksesshme anti-evazion të fillimit të mandatit të saj.

Problemi që del në këtë mes është: Ku është këtu roli i agjentëve të huaj të asistencës doganore nga shoqëria private “Crown Agents”, që mori mandat të posaçëm mbi administratën tonë me ndërhyrje nga miku i qeverisë shqiptare Tony Blair? Sikur ishte premtuar botërisht që, nga puna e tyre, do të rriteshin të ardhurat doganore me të paktën 1% të Prodhimit Bruto të vendit çdo vit të marrëveshjes së qeverisë shqiptare me të. Po tani po dëgjojmë të flitet për dështime dhe mosrealizime!

Të mos çuditemi kur edhe në ministri të tjera të dëgjojmë tani e tutje të flitet për fiasko të këtij lloji. Të paktën, tani ministrat po e pohojnë vetë dështimin, që është vënë në dukje vazhdimisht nga opozita apo edhe ekspertët e fushës…

 

 Ardian Fullani do të vijojë të “komandojë” sektorin bankar

 Një lajm ogurzi vjen nga sektori më delikat i ekonomisë: ai bankar. Sapo është emëruar shefi i ri i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ata janë zyrtarë, që mandatin nuk e kanë të përjetshëm. Por problemi fshihet diku gjetkë.

Drejtori i ri është Genc Mamani. Për ata që kanë kohë që merren me sektorin e bankave, ky nuk është një emër i panjohur. Mamani ka qenë gjatë gjithë mandatit të Ardian Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë në pozicionin e njërit prej zyrtarëve më të afërt të guvernatorit të bankës qendrore. Pozicion që e ka mbajtur edhe kur Fullani ka drejtuar – gjithnjë me probleme – banka të nivelit të dytë.

Ka qenë tani Banka e Shqipërisë ajo, që ka vendosur largimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të ASD, Toni Gogu, dhe zëvendësimin e tij me Genc Mamanin. Genc Mamani mbante detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë, si një nga dy anëtarët e propozuar nga vetë Banka Qendrore. Ai ka punuar për shumë vite në Bankën Qendrore, si drejtor kabineti i ish­-guvernatorit Ardian Fullani. Pas zgjedhjes së Gent Sejkos guvernator, Genc Mamani u emërua në detyrën e drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun në Bankën e Shqipërisë.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave drejtohet nga një Këshill Drejtues prej pesë anëtarësh, të cilët emërohen nga Autoriteti Mbikëqyrës, që është Banka e Shqipërisë. Dy prej anëtarëve i propozon vetë Banka Qendrore, dy Ministria e Financave dhe një Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Drejtori i përgjithshëm është njëkohësisht i vetmi anëtar i Këshillit i punësuar me kohë të plotë në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Ndryshimi në drejtimin e ASD vjen pas ndryshimeve ligjore të vitit të kaluar, që i dhanë më shumë autonomi agjencisë, pas sugjerimeve nga misioni i vlerësimit të sistemit financiar, i kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucioni që menaxhon skemën e sigurimit të depozitave në Shqipëri, që sipas ligjit garanton të gjitha depozitat e individëve deri në shumë e 2.5 milionë lekëve.

Pyetja lind natyrshëm: A është ky “alter ego” shumëvjeçar i zyrtarit më të lartë e më të paguar të shtetit shqiptar në sektorin bankar, tashmë nën akuzën e prokurorisë për shpërdorim detyre me pasoja shumë të rënda ekonomike, personi i duhur për t’i besuar, në këtë kohë krizash të rënda financiare globale, sigurinë e parave të lëna mënjanë nga shqiptarët?

Dikush do të thoshte” më mirë të caktonin Fullanin vetë… Të paktën, ka përvojë më shumë se Mamani!

 

 Vonohen kinezët, Haxhinasto bën vizitë të detyruar tek ambasadorja

 Koha po kalon, por nuk po duket ende asnjë gjurmë e realizimit të marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe kompanive shtetërore kineze për ndërtimin me koncesion të pjesës më të vështirë të Rrugës së Arbrit. Më parë ishte thënë se në shtator do të fillonin punimet, por duket se kjo kohë do të shtyhet për më larg.

Një gjë e tillë u kuptua dje nga vizita e ministrit të Transportit Edmond Haxhinasto në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës. Sipas njoftimit zyrtar, ai paraqiti një sërë projektesh të tjera në zhvillimin e infrastrukturës, në sektorin hekurudhor, të porteve dhe aviacionit civil, si edhe nevojat në fushën e furnizimit me ujë dhe kanalizime. Ambasadorja Jiang konfirmoi mbështetjen e qeverisë kineze në ndërmarrjen e kompanive që duan të angazhohen në Shqipëri, thotë ministria. Ajo e njohu ministrin me disa platforma të financimit të projekteve në vend dhe u shpreh se, me përfundimin e procesit të negocimit të kontratës, Rruga e Arbrit mund të fillojë edhe brenda vitit. Pra, nga shtatori, koha e fillimit – tani për tani – u shty për në dhjetor.

Ndër projektet e tjera që Haxhinasto u prezantoi kinezëve bëjnë pjesë autostrada adriatiko-joniane, e mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Procesit të Berlinit. Projekt tjetër me rëndësi rajonale mbetet Korridori VIII, segmentet Thumanë-Vorë-Rrogozhinë, që është nxjerrë disa herë në tender, por ka dështuar, by-pass-i i Elbasanit, tuneli nën Karaburun Orikum-Palasë, që hidhet për herë të parë në publik, etj.

Në mungesë të investitorëve të tjerë perëndimorë, që qeveria Rama nuk po tërheq dot, gjithnjë e më shumë Shqipëria po kthen sytë nga Kina.

 

 Maqedonia përgatitet për lidhje hekurudhore me Shqipërinë

 Konsorciumi i përbërë nga kompania spanjolle “Tipsa” dhe ajo franceze “Lui Berzhe” po punon për përgatitjen e projektit kryesor për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-Lin, në kufirin me Shqipërinë, i cili është pjesë e Korridorit 8. Ndërtimit të kësaj pjese të hekurudhës, e cila do të lidhte Shqipërinë, Maqedoninë dhe Greqinë do t’i paraprijë faza e pare, e cila parashikon shpronësimin e tokës ndërtimore, ndërsa më pas do të fillojë edhe procedura për publikimin e thirrjes për kompanitë e interesuara për pjesëmarrje në aktivitetet ndërtimore.
“Sipas vlerësimeve për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-Lin, janë të nevojshme rreth 350 milionë euro, ndërsa vlera e saktë të ndërtimit të kësaj pjese të Korridorit 8-të do ta përcaktohet pas hartimit të projektit kryesor. Kërçovë-Lin është pjesa e pandërtuar e trasesë perëndimore të hekurudhës të Korridorit 8, që do të lidhte Detin e Zi, Bullgarinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Italinë.
Sipas planeve, pjesa hekurudhore e Korridorit 8 do të përfundojë në vitin 2022. Nga gjitha variantet e shqyrtuara për ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë-Lin është zgjedhur variant, i cili ka gjatësi prej 62.6 kilometrash dhe shpejtësi të projektuar prej 100 kilometrash në orë.

Por kjo do të kërkonte një ndërhyrje nga ana e qeverisë shqiptare për të rivënë në punë pjesën e hekurudhës që kalon në territorin e saj, që deri tani po ndryshket kot.

 

 Euroja rritet në vlerë në tregun vendas

 Optimizmi i marrëveshjes me Greqinë është ndier dhe në tregun e brendshëm shqiptar, me ritme më të larta se në shtetet e tjera, teksa euro është forcuar tek ne, ndryshe nga bursat ndërkombëtare ku ra, pas një optimizmi fillestar.
Monedha e përbashkët ka kërcyer dje sërish mbi 140 lekë, duke u rritur me 0.14 lekë. Kjo është rritja më e fortë ditore që është shënuar që nga fillimi i majit dhe vjen pas një rënieje prej gati tre javësh radhazi të euros në tregun vendas.

Edhe dollari ka shënuar rritje në tregun e brendshëm, duke u këmbyer me 126.52 lekë, 1.03 lekë.
Në tregjet ndërkombëtare euro u rrit fillimisht pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë, por ra më pas, teksa investitorët e zhvendosen fokusin e tyre në perspektivën e normave më të larta të interesit në SHBA dhe mbetën në ankth pasi e ardhmja e monedhës së përbashkët është ende e pasigurt.

Monedha e përbashkët, e cila u rrit fillimisht nga lajmi i marrëveshjes me Greqinë, iu kthye sërish humbjeve, për t’u tregtuar me 1% më pak gjatë ditës në 1.1050 euro për dollar.

 

Greqia merr kredi të reja, por pranon kushtet e BE-së

Marrëveshja paraprake e Greqisë, që u arrit vetëm dje në mëngjes me kreditorët, i referohet ekskluzivisht një plani të reformave, që ka paraqitur Brukseli. Vetë Eurogrupi e cilësoi këtë arritje si gur themeli për negociatat e mëtejshme të përfitimit të planit të tretë të shpëtimit dhe jo si një marrëveshje përfundimtare për të implementuar një plan të tillë. Gjithsesi kjo marrëveshje paraprake përfshin në më shumë se 90% të njëjtën përmbajtje me propozimin e Trojkës së datës 26 qershor. Refuzimi i Greqisë për këtë marrëveshje solli edhe referendumin e datës k Korrik. Eurogrupi thekson mundësinë e lehtësimit të borxhit nëpërmjet ndërhyrjeve shtesë, si shtyrja e afateve, por duke e lënë gjithçka si një mundësi të hapur dhe jo si realitet i afërt. Nga ana tjetër, Eurogrupi përjashton kategorikisht mundësinë e reduktimit të borxhit.

Pika e dytë që sjell një qasje krejt tjetër ndaj problemit grek, është ajo e privatizimeve. Në marrëveshjen e 13 korrikut, për herë të pare, përmendet krijimi i një fondit të posaçëm të privatizimeve, që do të menaxhohet nga autoritetet greke, por që do të mbikëqyret nga Trojka, ku do të transferohen asetet e vendit. Ky fond do të jetë i pavarur dhe do të gjenerojë para’ nëpërmjet shitjes së këtyre aseteve apo nëpërmjet mjeteve të tjera. Kreditorët vlerësojnë se paratë që do të gjenerojnë shitja e këtyre aseteve do të sigurojnë pagesën e borxheve të reja dhe atyre të prapambetura.

Ndër të tjera Eurogrupi kërkon implementimin e 4 pikave kyçe brenda 15 korrikut, të cilat parlamenti grek duhet të nxitojë që ti kthejë në ligj. Këto pika përfshijnë reformimin e skemës së TVSH­-së, të njëjtë me propozimin e 26 qershorit; pavarësinë e institutit të statistikave Elstat, po ashtu të njëjtë me atë të 26 qershorit; si edhe reformën e pensioneve.

Pika e dytë e planit të reformave është thuajse e njëjtë me atë, së cilës grekët i thanë “Jo” në referendumin e datës 5 korrik, me një ndryshim të vetëm: Taksimi i ri për hotelet dhe restorantet do të hyjë në fuqi duke filluar prej tetorit 2015.

Kurse pika e tretë, që i referohet reformës strukturore fiskale, është tërësisht e njëjtë me propozimin e Trojkës të 26 qershorit, së bashku me taksën e sipërmarrjes, në rritje nga 26%, në 28%.

Edhe pika e katërt, që u kthye në mollën e sherrit mes palëve, reforma e pensioneve, përputhet plotësisht me kërkesën e kreditorëve të datës 26 qershor.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here