Shqiptarët, kufiri lindor i Perëndimit euroatlantik

0
143

Nga Nebil Çika

Shqiptarët, kufiri lindor i Perëndimit euroatlantikNë pothuaj dy javë, Shqipëria dhe hapësirat shqiptare në rajon janë vizituar nga personalitetet më të shquara perëndimore, një shtim ky i përqendruar i vëmendjes euroatlantike ndaj vendit më të izoluar të Evropës për 50 vjet gjatë Luftës së Ftohtë. Shqipëria dhe shqiptarët janë sot më pranë ëndrrës shekullore euroatlantike se kurdo në historinë moderne. Nuk është se shqiptarët nuk e kanë dashur Evropën, përkundrazi është Evropa që na ka mbajtur larg, për interesa të fqinjëve tanë me rrënjë joevropiane. Evropa u ka borxhe të mëdha shqiptarëve, pasi disa herë në histori ajo i ka copëtuar padrejtësisht dhe mbajtur larg, duke na krijuar shumë probleme si popull e komb. Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten, si racë, kufiri lindor i Evropës dhe këtë e kanë dëshmuar me veprat e tyre në histori. Turqia u bë dhe mbetet “evropiane” me kontributin e madh të shqiptareve që kanë jetuar e jetojnë atje. Sami Frashri, Mehmet Akif, Mustafa Qemal Ataturku e të tjerë shqiptarë te shuar hodhën themelet evropiane të Turqisë: alfabeti latin, himni kombëtar e deri tek shteti laik e modern e properëndimor. Greqia u ndërtua nga iluministët evropianë mbi themele të qarta shqiptare. Arvanitasit ishin pa dyshim guri i themelit të kombit dhe shtetit grek që bashkë me të kuluarën e vjetër helene mundësuan krijimin e Greqisë sipas modelit të mendjeve më të ndritura të Evropës. Në tërësinë e racave që bënë dhe bëjnë sot Greqinë, shqiptarët janë identiteti gjenetik evropian i saj, të tjerët sllavë apo mbeturina të Mesdheut arabik janë garnitura e popullit grek. Kjo vërtetohet nga numri i madh heronjve me origjinë shqiptare të pavarësisë greke, por edhe nga personalitetet e shquara që ka nxjerrë e nxjerr raca shqiptare në këtë vend.

Vetë rilindësit shqiptarë e ngritën ndjenjën kombëtare dhe projektin e shtetit shqiptar mbi rrënjët e forta evropiane të kombit tonë. Drita që vinte andej nga perëndonte, mishërimi i Rilindjes sonë Kombëtare, ishte pa dyshim thirrje e fortë e gjenit tonë evropian. Kombi ynë mbijetoi si i tillë pikërisht për shkak të gjenit te fortë evropian me gjithë dallgët e mëdha që i erdhën pikërisht nga shtëpia e tij, Evropa. Ndarja e parë fatale e shqiptarëve ishte ajo që i ndau ata midis Romës, Bizantit, por pa munduar t’i shpërbente dot me gjithë shpërnguljet e shpërndarjen masive në të gjithë Ballkanin e më gjerë. Ndarja e dyte ishte ajo e vitit 1913, kur ishin pikërisht evropianët që gabuan, duke i ndarë shqiptaret në pesë shtete në interes të fqinjëve tanë joevropianë. Kjo ishte një goditje pas shpine, pikërisht në momentin kur duhet të ndodhte krejt e kundërta e kur interesat politike dominuan mbi identitetin kombëtar e që i lidh më shumë se kushdo popujt e kombet e të njëjtës racë.

Ndarja e tretë ishte lënia në Lindjen komuniste me Rusinë dhe Kinën për 50 vjet të Luftës së Ftohtë një vendim i padrejtë që fatkeqësisht mban sërish firmën e Evropës. Por sigurisht ka vende perëndimore, si SHBA-ja, Austria etj., të cilat kanë vepruar drejt dhe kanë ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre të mundimshme në rrugën e kthimit në shtëpi.

Mbarimi i Luftës së Ftohtë hap një kapitull të ri midis shqiptarëve dhe Perëndimit euroatlantik. Perëndimi i ndriçuar nga parimet e demokracisë dhe të drejtave universale nuk mund të bënte më gabimet e të shkuarës. Ai filloi t’i riparonte ato në një proces që vazhdon e ende nuk ka përfunduar. Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, statusi i shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi përbëjnë një riformatim të forcës shqiptare në rajon, e gjitha kjo nën mbështetjen e Perëndimit euroatlantik. Sot shqiptarët janë një forcë reale politike, ekonomike, shoqërore etj. në rajon. Megjithëse janë detyruar me dhunë të jetojnë më së shumti në Lindje, ata janë sërish populli më proamerikan dhe evropian në rajon. Anëtarësimi në NATO është akti më vendimtar i rikthimit në shtëpi të shqiptareve, por edhe prova e mbështetjes së Perëndimit ndaj nesh. Shqipëria është tashme pjesë e Evropës dhe askush nuk mund ta vërë më në dyshim këtë si më parë.

Ndryshimet në politiken globale kanë bërë që Perëndimi euroatlantik ta vlerësojë identitetin tonë evropian dhe veçanërisht qenien tonë si kufiri lindor i Evropës. Gjatë vizitës që Papa Farnçesku bëri pak kohë më parë në Shqipëri, imzot Rrok Mirdita e mbështeti fjalimin e tij në faktin se Kisha Katolike Shqiptare ishte një “kishë e kufirit”, gjë që nënkupton se edhe besimtarët e saj dhe të gjithë shqiptarët ishin po të tillë edhe si evropianë. Vizita e Papës në këtë kohë të trazuar gjeopolitike është pa dyshim një dëshmi e madhe e të qenit të shqiptarëve kufirin lindor i Evropës. Por siç thashë në fillim, ngjarjet në Lindje dhe në krejt botën kanë bërë që Perëndimi dhe Evropa të riformatojnë veten dhe zonat e ndikimit sipas një qasjeje dhe raporti më realist. Vizitat e shtuara këto ditë të liderëve më të rëndësishëm euroatlantikë në kohën kur Greqia, Turqia dhe vende të tjera të lidhura fort me Evropën gjatë Luftës së Ftohtë, po tronditen nga politika dhe lëvizje antievropiane, vënë më në pah qenien tonë si komb i kufirit evropian. Ky është një moment historik afrimi e bashkimi që kërkon pa dyshim angazhimin e të dyja palëve. Sigurisht që Evropa na do në gjirin e saj si evropianë dhe për këtë duhet të bëhemi gati vetë. Liria, demokracia, mirëqenia dhe mënyra e jetesës janë parametra evropianë që shqiptaret duhet t’i arrijnë vetë. Sot vështirë mund të thuhet se i kemi plotësuar të gjitha ato që na bëjnë tamam evropianë. Fqinjët tanë, por edhe vetë ne mundohemi hera-herës të gjejmë artifica për të justifikuar largësinë tonë nga Perëndimi euroatlantik. Një prej tyre është të qenit të besimit myslimanë të shumicës së popullit tonë. Vetë Kryeministri Rama bëri një gabim të tillë pak javë më parë, kur kërcënoi publikisht Evropën se po të mos na pranonte si anëtar të saj, vendi do të kthehej nën ndikimin e terrorizmit islamik ISIS. Por ishte vetë Kancelaria Merkel që ia rrëzoi këtë pretendim, duke theksuar se të qenët myslimanë nuk është pengesë për në BE.

Si përfundim, dua te theksoj se të qenët kufiri lindor i Evropës është jo vetëm një fakt, por edhe një shans që shqiptarët nuk duhet ta humbasin më. Në këtë vëmendje e interes të shtuar euroatlantik për Shqipërinë, mjaftojnë vetëm pak gjëra thelbësore, si: liria, demokracia dhe shteti ligjor që shqiptarët të përfitojnë nga Perëndimi atë që na është mohuar në shekuj me pa të drejtë. Kthimin në familjen tonë të madhe euroatlantike. Ndruaj se me zhvillimet e fundit politike, elita dhe shoqëria jonë nuk po i përgjigjet si duhet momentit historik për të përfituar nga të qenët komb i kufirit lindor të Evropës dhe Perëndimit euroatlantik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here