Mark Simoni
Megjithëse më kishte pëlqyer shumë eseja e Frojdit “Poeti dhe fantazimi”, kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend se me një frazë të kësaj eseje (të këtij psikanalisti, ndër njerëzit më prozaikë që kam lexuar), do të nisja parathënien e një libri poetik, aq më tepër të librit të Eli Kaninës që është përtej kufirit të poezisë apo, siç thonë budistët, “më poetik se vetë poezia”.
Ja çfarë thotë Frojdi: “Shumë herë ne profanët e letërsisë jemi habitur nga kurioziteti se nga ç`thellësira e merr lëndën e tij krijuese Poeti. Dhe për aq më tepër, se si mundet ai të lerë brenda nesh mbresa aq të fuqishme dhe të zgjojë tek ne ndjenja të forta që s’kishim menduar kurrë se do t’i përjetonim”.
Kam menduar shpesh se fantazia është një proces paraletrar, një zhgun talenti që megjithëse e kanë shumë vetë jo të gjithë arrijnë ta bëjnë letërsi. Sa fantazistë kanë ikur nga kjo botë duke, ua lënë fantazinë e tyre herë shpikjeve dhe aventurave e herë të tjera duke e marrë me vete, pa e ditur askush. Letërsia e Eli Kaninës e bën lexuesin e saj përfytyrues, e vesh me një situatë imazhiniste, e bën të ndjeshëm dhe gjithë sentiment, e bën ëndërrimtar, herë-herë të brishtë. Pra, vargu i Kaninës hyn në gjendjet dhe në psikikën e lexuesit deri në skutat më të thella. Janë përfytyrime që ka kjo autore, (të ngritura në fantazi e imagjinatë), që e dërgojnë poezinë deri në ndërgjegjen më të thellë të lexuesit. Kjo autore luan në mënyrë fantastike me vetëdijen dhe pavetëdijen, koshiencën dhe emocionin, gjendjet transcendente, gati hipnozë emocionesh, që më kujton Sartrin kur shkruante për teorinë e emocioneve: “Ne quajmë emocion një rënie të beftë të vetëdijes tek magjikja”. Sa bukur e përcakton gjeniu. Një rënie. Jo një ngritje. Është si të biesh në kllapi, ku truri prodhon imazhe të deformuara nëpër realitete jokoshiente. Por është e mrekullueshme kjo rënie, brilante, sepse vetëdija hyn në domenet e magjikes, asaj që i jep shkëlqim tjetërsoj situatës, e ngre subjektin në një dimension tjetër, e bën realitetin shumëdimensional. Pikërisht kjo tendencë e poezisë së Eli Kaninës ma kujtoi Sartrin dhe studimin e tij rreth emocioneve.
Mbasi jemi këtu, m’u kujtuan nga dy skeda dhe definicionet e Ariodante Marinit dhe Herman Heses. I pari shkruan tek “Orteku i përfytyrimeve … “Unë e lë përfytyrimin të krijohet brenda meje”, ndërsa i dyti “Jeta është një fantazmagori. Por figurat e pasqyruara në shpirtërat tanë kanë një realitet të thellë e të pazakontë”.
LEXIMI
Së bashku me fantazinë kemi dhe dy gjendje paraletrare që na tërheqin në letërsi (“Na fusin në libër”, – thotë Joyce). Është marrëdhënia që lexuesi vë me letërsinë dhe librin në përgjithësi. Aty mund të kemi madje modulin magjik që na bën ta dashurojmë librin e të mos shqitemi më prej tij. Dhe pikërisht, sipas Mallarme-s: “Objekti i letërsisë është të na mësojë se si të lexojmë”.
Leximi është gjest ndaj autorit dhe veprës së tij, është raport që ka një amplitudë herë-herë nga njëri ekstrem në tjetrin. Që nga ajo që thotë Paul Valery “Kurrë nuk bëhet një lexim i mirë, nëse kemi një urrejtje ndaj autorit”, e deri tek situata që përmend W. H. Auden se, nëse shijet e të dyve, (lexues-autor) përputhen, “Ky është një aksident fatlum”.
Sa tekanjoze situatat që e rrethojnë librin dhe letërsinë, që nga fantazia, leximet, marrëdhëniet me autorin dhe veprën e tij, e pastaj tek vepra dhe fati i saj, tek autori dhe trillet e jetës së tij. E në këtë agregat ndërhyjnë rrethanat, gjendjet, predispozitat, arketipat e shijeve, profilet psikologjike, formimet letrare, tendencat, rrymat, shkollat, prirjet, targetet.
Eli Kanina lexohet me shumë interes për mënyrën se si i trajton temat delikate, pa rënë në grackën e të zakonshmes, por me shumë elegancë, finesë, trill të lehtë, tundim. Ajo i kalon me lehtësi kufijtë e fantazisë së lexuesit dhe e dërgon pikërisht këtë lexues në domene dhe areale ku ka mbërritur poezia e Kaninës, dhe atje e edukon lexuesin me stile tjetërsoi percepsionesh. Rrezja e atmosferës që krijojnë vargjet e kësaj autoreje, shkojnë përtej botës së fjalës, shkojnë deri tek intuita, inteligjenca, botët e tjera. John Ashbery shkruan: “Të shkosh përtej asaj që shprehet me fjalë, kjo është njohja e thellë e mënyrës krijuese të autorit”. Eli Kanina ka dalë përtej gardhit të lëndinës së poezisë së zakonshme. Ka shkuar larg, ndaj dhe lexuesi pret çdo ditë se çfarë do të thotë kjo autore me poezinë e saj.
EROTIKA
E gjithë dëshira erotike është në realitet një dëshirë e letërsisë”, shkruan në esenë e tij “Erotika dhe letërsia” Filip Sollers (autori i librit të famshëm “Lavdërimi i infinitit”). Dhe vazhdon: “Sepse letërsia është gjithnjë erotike, prej natyrës së saj, dhe erotika pa letërsinë nuk ekziston”.
Në këtë kapitull do të mundohem të trajtoj marrëdhëniet delikate që ka letërsia me erotikën, trupi i femrës si burim frymëzimi i letërsisë me profil erotik, si dhe poezinë me nëntekst shumë racionale të Eli Kaninës, që shkruan një poezi të ndjeshme e dashurore, por që ruhet nga vetëdija dhe ndërgjegjja e saj krijuese për të mos e lënë letërsinë e saj të keqkuptohet, por të jetë tepër dinjitoze.
Erotika është një trazim verbal që vjen në letërsi si “dëshirë erotike” dhe është pikërisht letërsia që e nxjerr atë nga trupi dhe përfytyrimi. “Ka shumë shkrimtarë që e trajtojnë me një mungesë relative temën erotike, herë-herë duke dashur ta ruajnë letërsinë nga rreziku i mundësive erotike, dhe herë të tjera duke qenë se janë pikërisht gjestet ajo gjuha fizike që na ndihmon ta kuptojmë deri në thelb erotikën, mbasi letërsia nuk ka mjetet e mjaftueshme, si piktura, për të na ofruar këtë realitet magjik” shkruhet në një studim. Për më tepër Prymer thotë se “letërsia është viktima e parë e stereotipit të imazhit”.
John Abdaik shkruan se trupi femëror është i pari objekt estetik, krijuar jo vetëm në pikturë e skulpturë. Dhe ky shkrimtar na sjell shembullin: “Kërthiza jote është si kupë e rrumbullakët, që s’ka nevojë për liker”, – dëgjohet se si shungullon zëri i fortë mashkullor në Këngën e Solomonit”. “Barku yt është si tufë gruri, rrethuar me zambakë”. Po këtë krahasim e ka bërë dhe Robert Graves në librin e tij “Vështro si frynë veriu”. Ndërsa Kafka në një letër dërguar Max Brodit shkruan: “Pa ardhur vera s’ke se si t’i shohësh ato linja të bukura kureshtëndjellëse. Janë të buta, mbartëse të një sasie të madhe uji, dhe ashtu e ruajnë freskinë për ca kohë”. Elizabeth Harduik nënvizon bukuritë e trupit femëror kur flet për librin e Simonë De Buevar “Seksi i dytë”. Harduik thotë: “Gratë padyshim janë më delikate se burrat. Dhe sikur të mos ishte kështu, historia e botës do të qe krejt ndryshe. Çdo grua e ka provuar potencën nga një burrë, ashtu si ciklonin që e provon një degë e brishtë peme”.
Tek libri “Mbi dashurinë” Stendali ndalet dhe tek Nazet e Grave. Ai nënvizon: “Këto naze janë që në zanafillën e femrës, si nevojë që i detyron ato gra ta kalojnë jetën mes armiqsh të këqij dhe njëkohësisht magjepsës”.
Të gjithë ato autorë që janë seriozisht në letërsi, kanë shkruar poezi ku ndjehen jehona erotike, ndonjë turbullim i lehtë, kanë ngritur në art elementë shumë magjepsës që ka jeta e njeriut, (e sidomos e gruas), sharmin dhe nuret e femrës, bukuritë, gjestet e saj erotike, aktet dhe gjendjet trupore, linjat tunduese. Padyshim që të shkruash erotikë jo vetëm që duhet ta njohësh estetikisht se si kjo i përqaset letërsisë, por trajtimi do finesë, elegancë, kurim me shumë kujdes, frymë dhe gjest, akt dhe përmbajtje, kumte të fshehta. Janë ca raporte fjalësh, nëntekstesh, metaforash, jehonash, instinktesh të vetëdijshme, që e bëjnë këtë lloj poezi ndër më të bukurat si temë, ndër më mrekullohet e mahnitëset.
Eli Kanina, autorja e këtij libri është në profesion mjeke. Pra vjen nga fusha ku proceset dhe etapat fiziologjike, anatomia e trupit dhe shumë element të njeriut kanë qenë objekt i studimeve të Kaninës. Dhe kemi eksperiencat e shumta që shkrimtarët që vijnë në letërsi nga fusha jo letrare, se pari sjellin me vete në letërsinë e tyre arsenalin e dijeve të profesionit që kanë, (këto si krahasime, metafora, figura). Nga mjekësia ka ardhur në letërsi dhe Çehovi, edhe Ferdinant Seline. Këto dy autorë jo pak herë kanë qenë të keqkuptuar nga opinioni rreth ca skenash që “quheshin erotike”, vetëm e vetëm sepse aty këtu ndjehej trupi i ndonjë femre, ndonjë aromë, ndonjë linjë, ndonjë belbëzim apo jehonë e brendshme gruaje.
Eli Kanina nuk është keqkuptuar në këtë shkallë, por ka dhe ndonjë rast, kur lexues jo të formuar e pa njohje të erotikës në letërsi, kanë hamendësuar se ndonjë poezi e kësaj autoreje është erotike. Ka lexues që kanë një predispozitë të brendshme për të lexuar anën erotike të çdo tingulli, prandaj çdo fjalë që ka lidhje me trupin ndez tek ato lexues zjarrin erotik.
Eli Kanina njeh sensin e masës, ndikimin e fjalës në psikikën e lexuesit, njeh psikolinguistikën si tërësi e marrëdhënies fjalë-psikike, zotëron elementë që e miklojnë lexuesin, (mbasi njeh psikologjinë), por është shumë e kujdesshme në të bërin letërsi. Kjo poete duke qenë mjeke, nuk ka kompleksin e kufizimit të fjalorit. Ndaj shpesh te shkrimtaret gra çdo linjë, çdo lakore, çdo tingull afshi merret e lexohet si impuls erotik, (sa ç’është dhe po aq i vërtetë). Vargjet e poeteve duket se përherë pulsojnë energji dhe ndjesi erotike, fjalët trupore lexohen në nëntekstin e tyre si metafora erotike. George Bataille tek libri i tij “Erotika” e quan këtë gjendje si “Zgjim të heshtur”. Asnjë autor i formuar nuk refuzon ta ketë dhe erotikën pjesë të letërsisë, por maturimi i bën këto shkrimtarë që të bëjnë artin e ndjenjës pa rënë në kllapinë e vulgaritetit.
Mjellmat e çuditshme e metaforike të Eli Kaninës, jam krejt i sigurt se do ta dërgojnë larg përfytyrimin tonë të leximit. E çfarë ka më shumë mision letërsia se sa ta marrë me vete kudo lexuesin e saj.