Shifrat e gjysmës së parë të vitit janë bërë publike nga Ministria e Brendshme Gjermane ku Shqipëria renditet e treta për numrin e azilkërkueseve, duke shtatëfishuar shifrat
Më shumë se 22 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani në 6 muajt e parë të 2015-ës. Shifrat e gjysmës së parë të vitit janë bërë publike nga Ministria e Brendshme Gjermane ku Shqipëria renditet e treta për numrin e azilkërkueseve. Sipas autoriteteve gjermane, në të njëjtën periudhë të 2014-ës në Gjermani aplikuan për azil 3913 shqiptarë, por këtë vit shifra u shtatëfishua. Edhe për muajin qershor, shqiptarët janë renditur të dytët në listën e azilkërkuesve në Gjermani, me 5932 kërkesa, mbi 1000 më tepër se një muaj më parë, për të vazhduar kështu trendin e ikjeve masive nga vendi, duke mbetur vetëm pas sirianëve që i largohen konfliktit disavjeçar në shtetin e tyre.
Shqiptarët të dytët
Në përmbledhjen e gjysmës së parë të 2015-ës, edhe pse renditemi pas sirianëve dhe shqiptarëve të Kosovës, lëmë mjaft mbrapa irakianët dhe afganët e shpërngulur nga lufta. Ajo që bie në sy në shifrat e publikuara është trendi rritës nga muaji në muaj për sa i përket shqiptarëve të larguar në drejtim të vendit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, ndërsa konfirmohet trendi zbritës për ata të Kosovës, të cilët “boom”-in e largimeve e kishin në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe muajt e parë të 2015-ës. Përballë një situate të tillë, ku në listën e dhjetë shteteve me më tepër azilkërkues janë përfshirë edhe Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina, Gjermania po mendon t’i shpallë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor vende të sigurta të origjinës, pasi mundësitë që ata të njihen si azilkërkues janë shumë të vogla.
Pranimi i kërkesave
Vetëm një në 13 shqiptarë që aplikuan për azil në vendet e Bashkimit Evropian një vit me parë arriti ta fitonte statusin e azilantit. Sipas të dhënave të databazës së statistikave të Eurostatit, pjesa më e madhe e kërkesave u pranua nga Franca dhe Britania e Madhe, më pak nga Gjermania e Suedia. Gjatë vitit 2014 gjykatat franceze dhanë vendime për mbi 5800 aplikime shqiptarësh për azil, 555 prej tyre ishin pozitive. Ndërsa në gjykatat gjermane u dhanë 3 mijë vendime për aplikimet e shqiptarëve dhe vetëm 75 prej tyre rezultuan pozitive. Kërkesat për azil nga Shqipëria kanë ardhur ne rritje. Sipas mediave gjermane, ministri i brendshëm, Tomas de Maizier, deklaroi se fluksi i azilkërkuesve i vë të gjithë përballë një sfide të mëdha, ndërsa theksoi se duhet bërë dallimi mes njerëzve vërtet në nevojë dhe atyre që largohen për arsye të tjera.
Lihet në qeli Isai, qëlloi bariun për vdekje kur po hante bukë
Gjykata e Korçës ka dhënë dje masën e sigurimit personal arrest ne burg për Abaz Isai, 54 vjeç, autorin e vrasjes së bariut 26-vjeçar Mario Laho pas një konflikti për kullotat, katër ditë më parë në stanet e Malit të Gramozit në Ersekë. Në seancën e zhvilluar këtë martë, autori ka pranuar vrasjen ka rrëfyer para togave të zeza, por ka mohuar se ajo ishte me paramendim. Sapo nisi seanca, Prokuroria e Korçës ka argumentuar se rreth një muaj më parë babai i viktimës ishte dhunuar nga vrasësi i djalit të tij, ngjarje e cila është regjistruar edhe nga policia. Më tej për t’i dalë në mbrojtje të babait, Mario Laho ditën kur ndodhi ngjarja, i ka dalë në rrugë dhe ka rrahur bariun, i cili më pas i mori edhe jetën, Abaz Isai. Sipas palës mbrojtëse, ky i fundit ka shkuar në stane që i riu t’i kërkojë falje për poshtërimin që i ka bërë dhe nuk ka shkuar për ta vrarë. Ndërsa Abaz Isai, ka rrëfyer se ai ndodhej nën efektin e alkoolit kur mbërriti në stan, ndërsa arma ishte e groposur që prej 1997. Me tej ai thotë se i ka futur brenda në stan të gjithë ata që ndodheshin të pranishëm, por viktima ka tentuar ti marrë armën nga duart, duke përfituar nga errësira dhe nga konfrontimi fizik mes njëri tjetrit, arma është shkrehur nga pakujdesia. Trupa gjykuese pasi dëgjoi rrëfimin e të moshuarit, Isai, palën mbrojtëse, mori në konsideratë kërkesën e prokurorisë, masën e sigurisë “Arrest në burg” për autorin e këtij krimi.
Arrestohet drejtori i Hipotekës së Lushnjës dhe shoferi, morën 3000 € ryshfet
Drejtori i Hipotekës së Lushnjës, Elvis Bajaziti, dhe shoferi i tij, Aurel Tiranishti, janë vënë në prangat e Policisë së Lushnjës, pasi u kapën në flagrancë duke marrë ryshfet. Ata u kapën duke i marrë 3000 Euro shtetasit me iniciale D. B. nga qyteti i Lushnjes në këmbim të dhënies së certifikatës së pronësisë. Elvis Bajaziti, 29 vjeç banues në lagjen “Kongresi” dhe Aurel Tiranishti, 35 vjeç, banues në banues në lagjen “Gafur Muço” të Lushnjës u kapën në flagrancë nga efektivët e Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Lushje në lokalin e D. B., teksa i merrnin atij shumën e parave. Shoferi, Aurel Tiranishti kishte rolin e sekserit në paratë që u merrnin qytetarëve. Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Pas arrestimit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka reaguar lidhur me arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Lushnjës, Elvis Bajaziti dhe shoferi i tij, Aurel Tiranishti pasi u kapën në flagrancë duke marrë ryshfet. “Jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin në çdo qelizë të administratës publike. Inkurajojmë organet ligjzbatuese dhe i mbështesim ato në goditjen e këtyre fenomeneve që shfaqen në institucionet e shërbimit publik”, – është shprehur Naço. Ministri tha se inkurajon qytetarët, që të vijojnë denoncimin e çdo sjelljeje apo veprimi korruptiv nga punonjësit e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ministria e Drejtësisë shkarkon zyrtarin e arrestuar.