Gani MEHMETAJ
Omar Sharifin për herë të fundit e takova me 2005 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venedik. Ekipi i kineastëve italianë prezantohej me filmin më të ri, me në krye aktorin e famshëm Sharif, kurse ne nga Kosova paraqiteshim me filmin “Kukumi”, prodhim i Kosovafilmit. Edhe konferencën me gazetarë e patëm të përbashkët.
Vdekjen e Omar Sharifit, njërit ndër ikonat e kinematografisë botërore, e lajmëruan të gjitha mediet elektronike e të shkruara. Ai kishte vuajtur kohë të gjatë nga sëmundja e humbjes së kujtesës. Pjesën e fundit të jetës e kaloi në vendin e vet, Egjipt, kurse e pushtoi botën me rolet e shkëlqyeshme në një seri të veprave kinematografike.
Lajmi për vdekjen e Omar Sharifit se si m’u duk, sikur po shuhej një pjesë e jetës sime, shuhej një yll në qiellin e yjve që e kisha më për zemër. Idhull i brezit tonë, zinte njërin ndër vendet kryesore. Mjaftonte të thuhej se ai do të interpretonte në një film, për të tjerat nuk pyesnim.
Omar Sharifin për herë të parë e të fundit e takova në vitin 2005 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venedik. Ekipi i kineastëve italianë prezantohej me filmin më të ri, me në krye aktorin e famshëm Sharif, kurse ne nga Kosova paraqiteshim me filmin “Kukumi”, prodhim i Kosovafilmit. Edhe konferencën me gazetarë e patëm të përbashkët. Nuk e di se kush e pyeti pas konferencës se a do të interpretonte ndonjë rol në filmin e Kosovës, kurse ai u përgjigj flakë për flakë se do ta bënte me kënaqësi. Isha drejtor dhe producent i Kosovafilmit, kështu që kur e mendoja në rolin kryesor në ndonjërin nga projektet tona kinematografike më dukej ndjenjë e veçantë. Ta kishim Sharifin në ekipin e filmit ishte krenari. Ndërsa në skenën e madhe të kinemasë na prezantuan njëkohësisht.
Në filmin “Lorenci i Arabisë”, interpretoi Sherifin Ali, në filmin “Doktor Zhivago”, të të njëjtit regjisor (Dejvid Lin), luante mjekun fatkeq. E kisha shikuar edhe filmin “Zotni Ibrahimi dhe lulet e Kuranit”. Ai realizoi shumë role të veçanta: aristokratin austro-hungarez, mongolin Xhingis Kan, shqiptarin Ali Pashë Tepelena etj. Më bëri përshtypje informacioni që kishte për Kosovën dhe për peripecitë tona gjatë vitit tragjik 1999. Në filmin italian premier interpretonte rolin e revolucionarit italian të shekullit XIX. E shpjegonte me pasion rolin e tij para gazetarëve, por fare pak fliste me të tjerët. Nuk qe mendjemadh, por disi i tërhequr.
Të nesërmen e paraqitjes po ashtu rastisëm që të jemi afër njëri-tjetrit në një pritje për të dy filmat tanë. Rrinim pranë banakut e pinim uiski. Ishte tip i qetë, fliste fare pak dhe më bëhej se qe mjaft i tërhequr, që të mos them i vetmuar. Kur e kujtoja pamjen e tij të dikurshme, me mitin e oreolin që e ndiqte, se si më dukej, sikur i kthehesha rinisë së hershme, por edhe sikur bashkëbisedoja në heshtje me yllin tim të dikurshëm – Sherifin Ali apo Doktor Zhivagon.
Në librin tim të kujtimeve “Ëndrra e madhe” kisha shënuar: “Pas premierës së filmit “Kukumi” dhe pas konferencës me gazetarë, u organizua një koktej. Pranë e kisha Omar Sharifin modest e të qetë. Se si më dukej heroi i rinisë sime, sidomos heroi nga filmi “Dr. Zhivago”, “Lorenci i Arabisë”, “Xhingis kani” etj. Rrinte përbri meje, pinte uiski në banakun e kafenesë dhe fliste për punën që bëri në filmin e fundit”.