Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kërkojnë nga Bashkimi Europian që të kenë ndikim më të madh tek Serbia në nënshkrimin e marrëveshjeve në aspektin ekonomik dhe zbatimin e tyre.
Bisedimet që po mbahen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë nuk kanë dhënë rezultate të mira në aspektin ekonomik, madje disa marrëveshje që kanë të bëjnë me çështjet ekonomike nuk kanë gjetur fare zbatim.Kështu vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.Marrëveshja kryesore e cila është jetësuar në praktikë, kujtojnë ata, është ajo për njohjen e vulave doganore.Por, sipas tyre, efektet në Kosovë kanë qenë simbolike për arsye se Kosova ka eksport shumë të ulët krahasuar me importin e madh të produkteve të Serbisë që vijnë në Kosovë.
Agim Shahini, kryetari i AKB-së(Aleancës Kosovare të Bizneseve), thotë se shumë marrëveshje ekonomike të nënshkruara, të cilat nuk kanë gjetur zbatim, kanë penguar bizneset kosovare. Ai thekson se dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë, e ka penguar në masë të madhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Delegacioni i Kosovës pothuajse në shumicën e rasteve po tregohet tejet tolerant dhe kjo tolerancë po e dëmton biznesin, ekonominë dhe prodhimtarinë. Kjo është duke vazhduar edhe me kartonët e gjelbër, që ne vazhdimisht kemi pasur probleme me Serbinë”, tha Shahini.
Ndërsa eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për “Evropa e Lirë”, ka vërejtur se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dhënë disa fryte simbolike, por fatkeqësisht jo në nivelin e premtuar.
“Serbia është e prirë të nënshkruajë marrëveshje dhe të mos i zbatojë ato. Një intervenim i drejtpërdrejtë në shtetin e Kosovës nga ana e Serbisë në aspektin ekonomik është edhe ndarja e vijave buxhetore të Serbisë për Kosovën, për arsye se ne ende kemi financimin e strukturave paralele nga Serbia në Kosovë përkundër faktit se me Marrëveshjen e Brukselit të prillit të vitit 2013 është paraparë ndryshe”, theksoi Gashi.