Nga Violeta Murati/
Diana Dobreva çështjet e shpirtit dhe të njeriut i mban larg religjionit, si arsye të ekzistencës. Për të kuptuar shoqëritë e sotme, vendin e saj, Bullgarinë apo Ballkanin e tërheqin ngjarjet tronditëse, çfarë bëhet shkak për dilema të mbijetesës. Dhuna, imoraliteti, hipokrizia, perversiteti, çnjerëzorja… që sot i përkthen në sëmundje të kohës, kanë qenë shkaku pse mori “Dekameronin” e Xhovani Bokaços për të kryer misionin e saj si regjisore.
Diana Dobreva çështjet e shpirtit dhe të njeriut i mban larg religjionit, si arsye të ekzistencës. Për të kuptuar shoqëritë e sotme, vendin e saj, Bullgarinë apo Ballkanin e tërheqin ngjarjet tronditëse, çfarë bëhet shkak për dilema të mbijetesës. Dhuna, imoraliteti, hipokrizia, perversiteti, çnjerëzorja… që sot i përkthen në sëmundje të kohës, kanë qenë shkaku pse mori “Dekameronin” e Xhovani Bokaços për të kryer misionin e saj si regjisore. Shqetësimi i saj shkon mbi teh; mes cinizmit dhe vulgaritetit. Kur Bokaço shkroi veprën, sigurisht ishte epokë tjetër e flitej dhe sëmundja që tronditi njerëzinë ishte fizike, malaria – kjo bëri njerëzit të zhyteshin në panik e të shpërthenin të gjitha veset e ndyrësitë e tyre.
Ky kontekst sot për Dobrevën nuk ka ndryshuar, përveçse është “ndërru” sëmundja. Teatri vazhdon të mbetet një shkëlqim estetik i tyre, ndërsa për regjisoren bullgare që rrugës karrierën kompleksiteti teknik dhe ai konceptual për të mbërritur në një punë të mirë artistike lidhet me eksperimentin mbi potencën që ka aktori. Mban peshën e tragjikes, ndërron në komiken, përdor pantonimën, imazhin, përdor gjithë konstruktin stilistik të skenës, plastikën – pothuaj të gjitha mundësitë teknike që ofron teatri, i jep në skenë. Asgjë të re, por eksplorim në individin, aktorin. Një përballje agresive e regjisores e mbështetur mbi talentin e aktorit.
Luan me religjionin, nuk e ka vdekjen për katarsis, por si vazhdimësi të jetës kur dashuria fiket. Me këto drita, Dobreva do të jetë fare afër nesh, me një projekt të ri me trupën e teatrit shqiptar në Maqedoni. Shkaku: tingëllimi në shqip i Shekspirit. E ka dëgjuar për herë të parë dhe ka mbetur e magjepsur me shqipen e shqiptarëve në maqedoni, duke vendosur të luajë “Makbethin” me to. Vitin që vjen, thotë se do të rikthehet në Butrint me këtë shfaqje, pasi kjo skenë antike e ka bërë të përjetojë dimensionin natyror, ajo që është shpirt për njerëzit, për të është e njëjtë me teatrin.
Në intervistën e mëposhtme, Dobreva tregon këtë risk në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000”, që po mbahet në Butrint, Sarandë.
Një natë më parë dhatë në skenën e Butrintit, shfaqjen “Dekameroni”, cili ishte impresioni?
Kur shkruam në Butrint dhe pamë amfiteatrin, mbetëm të shokuar. Kur nisëm të bënim prova, të preknim skenën, të luanim, aktorët ndienin një dimension tjetër shpirtëror, sikur mbi shpirtin e tyre qëndronte një shpirt tjetër, që i shkëpuste nga skena, i bënte me krahë. Ndërsa ishim para publikut, spektakli mori një dimension tjetër. Po luanim në një vend pa muret e skenës klasike me yjet që na rrinin mbi kokë. Një teatër natyror që mori përmasa në thellësi dhe lartësi, në tri dimensione të tij, shumë më i madh si spektakël. Nga kjo skenë shfaqja u ridimensionua dhe këtë e ndien edhe artistët.
Shfaqja juaj thyente tabu, ishte provokim mbi gjërat që njeriu ka më të shenjtë, besimin dhe dashurinë. Çfarë ju ka shqetësuar në shoqërinë e sotme bullgare, pse kjo zgjedhje?
Po, është e vërtetë që kam provokuar, mbi një vepër si “Dekameroni”, kjo është krejtësisht e pranueshme. Është vepra që ta jep këtë mundësi. Në kohën kur u shkrua kishte rënë murtaja, ndërsa mes njerëzve shpërthyen veset, shthurja, imoraliteti, asgjë njerëzore apo humane nuk merrte më rëndësi. Sado që vdekja i shkatërroi ata, dashuria mbeti si e vetmja mundësi e mbijetesës. Sa i takon religjionit mund të them në shoqëritë moderne ka shumë dashuri por ka dhe shumë hipokrizi. Me këtë vepër kam kaluar si mbi tehun e thikës, duhej ruajtur ekuilibri.
Çfarë ju ka frikësuar përveç faktit estetik?
Po, e vërtetë pata frikë, pasi vepra në vetvete, siç thashë, qëndron në teh të thikës, ku shumë lehtë mund të shkisnin në cinizëm dhe vulgaritet. Mund të rrëshqisnim nga kjo situatë. Kemi bërë përpjekje për të qëndruar në ekuilibër dhe sigurisht interpretimi duhej ta mishëronte, të vinte si natyrshmëria e sjelljes së fëmijës.
Ishte një përballje agresive juaja mbështetur mbi talentin e aktorëve. Sa ishte e mundur?
Kam punuar individualisht me secilin aktor, në detaje, dhe, siç thashë, duhej gjetur ekuilibri midis banales e cinizmit dhe besueshmërisë të një loje, estektikisht të bukur.
Në konceptin e punës suaj si regjisore, mbështetur në aktorin, pamë të realizuar mjaft teknika të njohura nga teatri, por çfarë sillet në vepër si mjet a shenjë bullgare apo nga Ballkani… për shembull mjaft tronditëse vajza që preu kokën e të dashurit, e mbolli në një vazo dhe jetoi me të.
Nuk ka ndonjë mbështetje elementesh nga Bullgaria apo Ballkani. Kur kam lexuar veprën e “Dekameronit”, në fund jam tronditur kur lexova që vajza ka pasur me vete gjithë jetën një pjesë nga qenia e tij. Kjo ishte tronditëse për mua, ndaj e vendosa si element.
Një vepër që vë në lojë religjionin, murgesha, hoxhë, prift, siç thoni duke i shpëtuar cinizmit, lidhet kjo me shoqërinë bullgare?
Kam vënë në lojë edhe religjionet, pasi edhe brenda tyre ka që nuk besojnë, por e bëjnë këtë gjë për të mbuluar veset e tyre. Brenda devotshmërisë ka një pjesë të atyre, që e ushtrojnë fenë dhe marrin role drejtuese, që veshjen e kanë si formë, ndërsa sjellja e tyre është hipokrite, ashtu siç ka plot njerëz që besojnë me shpirt e me zemër, dhe dashurinë më të madhe e kanë ndaj Zotit. Disa e kanë në formë dhe disa e kanë të vërtetë. Ku u shkrua “Dekameroni”, kishte rënë murtaja dhe njerëzit donin të mbijetonin përmes dashurisë, marrëdhënieve njerëzore. Në shoqërinë e sotme s’ka më sëmundje fizike, por njerëzit rendin drejt biznesit, që në logjikë mund të shkelin mbi të tjerët, si mund të jetojë njeriu në këtë xhungël, kaos. Pra, ajo që është thelbësore është sinqeriteti dhe dashuria.
Sapo morëm vesh se do të vini “Makbethin” me një trupë shqiptare, me teatrin shqip në Maqedoni. Si erdhi ky projekt, pse në shqip Shekspiri?
Po, aktualisht pas largimit nga Butrinti, jam në prova në Shkup, do të udhëtoj për atje. Kemi pak kohë që kemi filluar provat. Kur kam dëgjuar për herë të parë gjuhën shqipe, në skenë ishte diçka impresionuese e magjishme dhe reflektova duke menduar si do të tingëllonte Shekspiri në shqip. Menjëherë kam menduar “Maktbethin” për ta realizuar përmes kësaj gjuhe që për mua është qiellore, potente, kaq tingëlluese, magjepsëse por sigurisht e zgjodha dhe nga pikëpamja e aktualitetit politik, atë të fuqisë që ka pushteti. Në fakt kjo është aktual në çdo shoqëri. Te trupa e teatrit në Shkup gjeta një kastë aktorësh shqiptarë shumë të mirë, ishte interesante.
Për veprën punoj me dy tekste, paralele për çdo frazë, për të pasur të qartë çfarë flet aktori me gojën e tij. Sigurisht kam edhe përkthyesin nga bullgarishtja në shqip.
Meqë të ka tingëlluar kaq e magjishme, keni mësuar shqip?
Sigurisht po, kam filluar të kuptoj gjithçka rreth tekst, pasi jam dashuruar tashmë me gjuhën shqipe.
Ku do ta jepni shfaqjen, pas Shkupit cili do të jetë turi?
Po, kemi bërë një projekt, kemi në plane që shfaqja të shkojë në disa festivale dhe vende. Tani jam në Butrint dhe jam kaq e impresionuar nga kjo skenë dhe them se do të kthehem përsëri këtu, vitin e ardhshëm. Falë Alfred Bualotit, i cili bën përpjekje të jashtëzakonshme me buxhete të pakta dhe në këtë botë biznesi tregtish, parash, organizohet ky festival që demonstron shpirtin njerëzor. Kjo është gjë është e jashtëzakonshme në këtë botë.