Një kronikë nga një fshat në Bosnjë që nuk gjendet me GPS dhe vështirë se gjendet me makinë, zgjoi interesin për mundësinë e vendosjes së celulave të ISIS-it. Më një panoramë të jashtëzakonshme, me pyje me ujëra të bollshme, por pa rrugë, me shumë pak banorë me një varfëri ekstreme. I bukur nga pikëpamja ekzotike dhe për t’u vizituar e si i thonë fjalës “t’ia mbathësh me vrap pa të zënë nata, se nuk ke të futësh kokën”. Mediat me shqetësim të madh vunë në dukje se aty janë blerë jo pak hektarë tokë, prej elementesh të quajtur xhihadistë, me një të shkuar në Siri ose që janë nxitës të njerëzve që shkojnë në Siri.
Përtej historisë së fshatit të humbur diku në Bosnjë, a rrezikon që metastazat e këtij fenomeni të kenë zgjatimin e tyre edhe në vendin tonë? Unë them se po. Nuk ka nevojë që të jesh ekspert i rëndësishëm, në zë apo fillestar në fushën e sigurisë, që ta marrësh vesh, rrezikun e vendosjes së celulave terroriste në Shqipëri. Aq më pak një konferencën dy-tri simpoziume e shumë workshop-e, nuk i shërbejnë drejt dhe aq sa duhet qëllimit për të luftuar terrorizmin.
Terrorizmi është potencialisht i mundshëm për të hedhur rrënjë në Shqipëri, për aq kohë sa mijëra njerëz janë të varfër, janë të pashpresë dhe nuk kanë mundësinë të arsimohen, kurohen dhe ushqehen, në vendin e tyre. Për aq kohë sa varfërohen, keq edukohen, neglizhohen në marrjen e ndihmës mjekësore, që rezulton jo rrallë herë me vdekje, shoqëria ka tendencën e radikalizmit. Shteti që ka për funksion t’ia lehtësojë jetën, ia bën më të vështirë atë dhe kjo është një arsye më tepër drejt mos arsyetimit të rrënjëve të varfërisë.
Varfëria deri më tani i ka shtyrë njerëzit drejt rrugëve të Evropës, por shumë shpejt në mos ka ndodhur do t’i shtyjë të përqafojnë kauza për të cilat nuk dinë shumë, por i shikojnë si shpëtim shpirtëror dhe një mundësi për t’iu kundërvënë të keqes që ka hedhur rrënjët tek. Ata. Nëse përpiqemi të arsyetojmë se kjo është rruga më e keqe për disa njerëz, e kemi gabim, ta përkufizojmë gjithçka tek arsyeja. E si mund të arsyetojë për normat demokratike në një shoqëri, të mirën dhe të keqen një njeri që nuk mbush dot barkun me bukë? Si është e mundur t’i kërkosh një njeriu të mos i marri në qafë fëmijët dhe veten, kur ai tashmë, nuk është as baba, as prind, e as burri i shtëpisë që duhet të sigurojë të ardhurat për ta? Ai del në rrugë për të kërkuar një punë që e gjen e një ditë e që i mungon për javë të tëra. Ai niset të punojë kopshtin, por nuk ka as vegla, as ujë, as plehra, për të mbajtur gjallë ato pesë barishte që mbjell. Edhe nëse ja del të, marri ndonjë prodhim prej tyre, ato mjaftojnë, sa për shtëpinë e tij. Nëse tepron gjësend, ai s’mund t’i nxjerri dot në treg. Kur i nxjerr i shet shpejt e shpejt, ndonjëherë edhe “badaiva” që të mos i kalben dhe kthehet me kokën e varur në shtëpi, pasi nuk mund të mbijetoj me ato pak të holla. Nuk mund të vesh, mbath, ushqej, e çoj fëmijët në shkollë.
Nuk flitet të kursejë për pushime, të paguaj për internetin, të blej PlayStation. Jo! Për bukën e gojës. Në kushtet që i ofrohen është gati t’i dorëzohet ofertës së parë që i vjen. Punë në Turqi? Padyshim edhe në fund të botës. Aq më mirë me gjithë familje se bëhen shumë krah pune. Truri i tij s’ka nevojë të shpëlahet, pasi është tashëm thuajse gjysmë i vdekur dhe i gatshëm të mbajë plot broçkulla për “çlirimin shpirtëror, që vjen duke luftuar kundër satanait, atij që ja ka bërë të keqen”. Nuk rëndësi si i vemi emrin kësaj propagande: Xhihadiste, marksiste, arriviste, anarkiste, raciste, ksenofobe, etj. Ne duhet të shkojmë tek problemi. Edhe nëse i largohet terrorizmit, me pak fat, me më shumë vetëdije qytetare që mund të jetë njëri apo tjetri, nga kthetrat e varfërisë ai mund të shpëtoj si ndjekës i teorisë revolucionare, për luftë deri në jetë a vdekje, kundër “barkmëdhenjve, kapitalistëve, atyre dyqanxhinjve që e vjedhin çdo ditë. Luftë kundër gjithçkaje me qëllim krijimin e një bote të re. Koha e revolucionit të vitit 1917, nuk duket se është e largët nëse e injorojmë çdo ditë varfërinë.
Po aq i rëndësishëm është arsimi. A jemi në kushtet, kur arsimi bëhet barrierë e këtyre të këqijave.
Për fatin tonë të keq jo? Në vendin tonë kemi me dhjetëra shkolla të rrënuar, qindra nxënës që udhëtojnë me këmbë për të ndjekur shkollën, shumë fëmijë që nuk kanë ç’të hanë në mëngjes, pale më të kenë mundësi të marrin diçka për të thyer urinë në orët e pushimit. Ne nuk i sigurojmë atë që shteti, qeveria ka për detyrë parësore: Akses të barabartë për të gjithë për arsim. Shumë familje janë të pamundura për të marrë librat për fëmijët e tyre. Me një burokraci të pashembullt në gjithë rajonin, ne endim prindin sa në një zyrë në tjetrën, me fatura me TVSH, e pa TVSH, për të marrë atë që i takon mbështetur në të ardhurat që kanë. Greqia, Maqedonia, Serbia e madje shteti më i ri në rajon, Kosova i jep falas tekstet shkollore në arsimin 9-vjeçar, i cili është detyrueshëm me ligj. Ndërkaq ne i japim me lekë në dorë, i vërdallosim nja tre muaj prindërit dhe në fund të dhjetorit, i japim lekët, kur “është katandisur kokoshi një thelë”. Ndërkohë që fëmija vetë duhet të punojë të nxjerri bukën e gojës. Në mungesë të një tavoline të lidhur me qafën nëpërmjet një rripi, në kohët moderne ai ka një çantë shpine të mbushur me çakmak, facoleta, cigare, leukoplaste e gjëra ambulante që shiten.
Përfaqësuesit e shtetit: Punonjës social, mësues, psikolog, policë, e shumë të tjerë i shohin në rrugë, por nuk thonë asgjë. Për të lehtësuar varfërinë e tyre, disa blejnë ndonjë send, duke i bërë më shumë keq sesa mirë. Të gjithë shkelin ligji dhe bëhen palë me të keqen, ndërkohë që askush nuk ngre zërin, e të marri masat e duhura, që kjo gjendje të mos përsëritet. Në çdo dyqan, supermarket, minimarket, shkruhet me shkronja të bukura “Ndalohet shitja e duhanit për fëmijët nën moshën 18 vjeç”. Po për ata që shesin që në klasë të pestë cigare të të gjitha llojeve, cili ligj i kap? E nëse i kap ligji, a mjafton tërheqja e vëmendjes, konfiskimi i mallit, arrestimi i prindit? Jo. Ne duhet ta afrojmë këtë fëmijë tek shkolla, prindin ta ndërgjegjësojmë për të mirën e shkollës, e t’i japim mundësinë këtij të fundit, të mbaj me djersën e vet familjen. Po ne këtë e kemi kufizuar tek patronazhi i shkollës nga ministrat, shkollat komunitare, marshimi i maturantëve me pjesëmarrjen e ministres. Të gjitha këto nuk janë iniciativa por veprime idiote.
Ne na mungon shërbimi psikologjik në shkolla. Ne nuk dimë me saktësi: Sa fëmijë janë të abuzuar seksualisht, prej prindërve, të fortëve të lagjes, mësuesve të tyre, vëllait apo motrës sipas rastit. Ne nuk dimë sa përdorues të bimëve narkotike kemi. Sa fëmijë kanë pësuar trauma si rrjedhojë e dhunë në familje? Ne marrim një gjysmë informacioni, por atëherë kur nuk vlen. Kur një automatik zbrazet në shkollë, një vajzë, hidhet nga ballkoni, tarraca, urra e vinçi atëherë marrim vesh. Dhe kur e marrim vesh çfarë bëjmë? Prenotojmë urgjentisht studiot televizive. Vishemi e krihemi, zgjedhim fustanet e duhura dhe dalim “gjysmë të tronditura” e japim mend.
Sipas zakonit shqiptar “që çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë” i rikthehemi rutinës tonë. E ç’mund të presim nga kategori fëmijësh, për të cilët folëm më lart? Shumë pak ose aspak kontribut për atdheun e tyre. Ata janë potencialisht njerëz të ISIS, e kujtdo celule, pavarësisht emrit që do të ketë. Dhe kjo është fare e kuptueshme. Ata asnjëherë nuk e ndien dorën e shtetit. Ata nuk i përfilli askush kur ishin në hall, qoftë edhe me një fjalë të mirë. Atyre shkolla, nuk u dha një libër, një çantë, dy stilolapsa, e tre fletore që të ishin si shokët e tyre. Atyre, nuk u dha askush një sanduiç, që të ngopnin barkun, së paku deri sa të mbarojë mësimi? Ku ishte shteti, qeveria atëherë kur kishin nevojë? Askund. Babanë ja lanë papunë, nënën që endet në shtëpi dhe nuk asgjë të hedh në tenxhere, motrën e vëllain të rreckosur dhe veten që se ka parë asnjëherë në dritën e duhur, por në dritën e zbehtë të qiririt.
Shteti, ndihet kur dërgon forcat special dhe shumë policë, për t’i arrestuar. Shteti filmon aksionin e “suksesshëm” të radhës, Shteti mban shënim sa ikën në Siri, Gjermani, Greqi e gjetiu. Qeveria nuk është për kujdesin e përditshëm. Ajo është për statistika, konferenca, mburrje dhe padyshim për të dalë sa më e bukur, hekurosur dhe xhelatosur në ekran.