Prokuroria ngre zyrtarisht akuzat, tre provat që mbërthejnë Becchetin

0
156

francesco Becchetti” Francesco Becchetti do të mbajë përgjegjësi për tri akuza, atë të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimit të parave” dhe “Krijimin e skemave mashtruese” me qëllim përfitimi

 

Prokurorja Antoneta Sevdari, pas administrimit të provave materiale, marrjes në pyetje të shumë personave, sekuestrimin e praktikave të kompanive të familjes Becchetti dhe një sërë provash të tjerë shkresore, ka zyrtarizuar akuzat për dosjen e biznesmenit Italian. Sipas akuzës, Francesco Becchetti do të mbajë përgjegjësi për tre akuza, atë të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, akuzën e “Pastrimit të parave” dhe “Krijimin e skemave mashtruese” me qëllim përfitimi. Burimet thonë, se Becheti ka vjedhur ortakët në kompanitë ku ishte bashkëpronar, duke përfituar shuma të mëdha parash pa dijeninë e tyre.

 

Skema mashtruese

Veprën e pastrimit të parave, sipas prokurorisë, Becchetti e ka konsumuar me investimin e miliona eurove te kryer në Shqipëri, prej të cilave ka përfituar me anë të falsifikimit të dokumenteve nga kompania e nënës së tij. Ndërsa akuzën e “Krijimit të skemave mashtruese”, prokurorët e kanë ngritur mbi bazën e transaksioneve të ndryshme të parave mes kompanive të tij dhe të pjesëtarëve të ngushte të familjes nga jashtë Shqipërisë. Ai, thonë prokurorët, sajonte punime, e kontrata fiktive vetëm me qëllimin e përfitimit të parave nga rimbursimi i TVSH-së apo edhe nga kompanitë e tjera që ishin në pronësi të familjarëve apo administratorëve të tij. Sipas prokurorisë, për ngritjen e akuzave të reja dhe zyrtarizimin e tyre, është njoftuar avokati mbrojtës dhe vete Francesco Becchetti personi i shpallur në kërkim. Ai mendohet se ndodhet në Angli, ku dhe është njoftuar me anë të postës në adresën që mbrojtja i ka vënë në dispozicion akuzës. Referuar Kodit Penal, nëse biznesmeni italian Becchetti deklarohet fajtor për këto vepra tashmë të ngritura nga prokuroria, rrezikon një dënim nga 3 deri në 10 vjet burg.

 

Administratorët

Prokurorët kanë zyrtarizuar akuzat edhe për administratorin Mauro De Renzis, i cili është njëherazi aksioner në televizionin Agon Channel. Sipas akuzës, italiani i shpallur në kërkim me vendim gjykate akuzohet për 5 akuza. Atë të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, ku së bashku me Becchettin kanë përvetësuar para duke vjedhur bashkëpronarët e kompanive. Akuzën e “Pastrim të parave” për investimin në Shqipëri të parave me origjinë të paligjshme. Atë të “Mospagim taksash dhe detyrimeve” për një shumë rreth 5.5 mln euro. Akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” me qëllim përfitimin e shumave të mëdha parash nga rimbursimi i TVSH-së dhe kompanive të tjera të familjes Becchetti. Si dhe akuzën e “Kontrabandës”, pasi një pjesë të pajisjeve të sjella në Shqipëri për televizionin Agon Channel nuk kanë paguar detyrimet doganore.

 

Bashkëpunëtorët

Nën akuzë, është marr edhe nëna e Francesco Becchettit, Liljana Condomiti ndaj të cilës prokuroria ka ngritur akuzën e “Pastrimit të parave”, të cilat sipas akuzës janë investuar në televizionin Agon Chanel dhe disa kompani të tjera të familjes në Shqipëri. Këto para dyshohet se janë përfituar me anë të falsifikimit të dokumenteve. Po të njëjtën akuzë, ka edhe Eriona Troplini, bashkëpronare e televizionit Agon Channel, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Prokuroria duket se ka zgjeruar hetimet. Ajo i ka komunikuar akuzë edhe shtetasit shqiptar Stavri Peçi, ish-drejtues teknik i kompanisë që kishte marr koncesionin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Prokuroria, e akuzon te pandehurin Peçi për “Falsifikim të dokumenteve” në bashkëpunim, pasi Ai ka dorëzuar dhe falsifikuar fatura të punimeve dhe pagesave të kryera për punë që në terren nuk rezultojnë të jenë kryer fare në hidrocentralin e Kalivaçit. Me komunikimin dhe ngritjen e akuzave zyrtare, prokuroria ka bërë zgjatjen e hetimeve edhe për 3 muaj, për të vazhduar me grumbullimin e provave te tjera konkrete.

 

BOX

Kërkesa e Agon Channel për lirimin nga sekuestroja

 

Gjyqtarja Manjola Bejleri, me datë 30 korrik, ora 13:00, do të vendosë nëse kompanitë e Francesco Becchettit dhe televizioni Agon Channel do të vazhdojnë të mbeten të sekuestruar apo do të lirohen. Gjyqtarja Bejleri, vendosi të shtyjë seancën e djeshme për në datën 30 korrik, pasi nuk ishte paraqitur prokurorja e çështje, e cila mësohet se është marr me komunikimin e akuzave ndaj të dyshuarve të kësaj dosje. Ndërkohë, avokatët e Liliana Condomitit, kërkuan që të lirohet nga sekuestrimi televizioni Agon Channel, me pretendimin se prokuroria nuk ka prova konkrete ndaj të dyshuarve. Më 5 qershor, gjyqtarja Bejleri urdhëroi sekuestrimin e të gjithë kompanive të familjes Becchetti, vendim ky që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here