Shkëlqimi dhe rënia e “Laburizmit të Ri”

0
231

Nga Anthony Giddens

 Anthony Giddens“Laburizmi i Ri” ka vdekur, e sigurisht që ka arritur çasti ku duhet të ndalet përdorimi i kësaj shprehjeje. Natyrisht, disa nga prirjet e tij më të qenësishme nuk janë varrosur bashkë me të. Ka mjaft rëndësi përpjekja për t’i vënë frè superpushtetit që sektori financiar mban mbi ekonominë dhe të rigjallërohet sektori industrial. Pa dyshim, Britania e Madhe do të vijojë të ketë një ekonomi pas-industriale, ku parësore mbeten sektori i shërbimeve dhe veprimtaritë që lidhen me sektorin e dijes.

* * *

Tashmë  është bërë i modës zhvlerësimi i mënyrës se si Partia Laburiste britanike ka administruar pushtetin. Për kritikët më të ashpër, pushteti i laburistëve – e më konkretisht ‘Laburizmi i Ri’ – shquhet si një dështim kokekëmbë. Partia u ra ndesh të drejtave civile, tradhtoi idealet e së majtës, nuk ia doli mbanë të ngadhënjente ndaj pabarazisë. Çka është më e keqja, ajo u përfshi kryekëput në një luftë shkatërrimtare në Irak.
Nuk mundem kurrsesi të them se nuk i kuptoj disa prej kritikave, por njëkohësisht më duhet të vë në dukje se mund të mbrohen bindshëm shumë prej parimeve bazë të politikave laburiste. Po e nis nga pika më e rëndësishme për të krahasuar periudhën laburiste në qeverisje, me fatin që patën homologet e saj të vendeve të tjera të së njëjtës periudhë: me demokratët e Bill Klintonit në SHBA, socialistët francezë të Lionel Zhospenit dhe social-demokratët gjermanë të Gerhard Schrëderit.
Sa i takon laburistëve anglezë, ata ia dolën mbanë të qëndronin më shumë kohë në pushtet krahasuar me homologët e tyre në botë. Kjo ishte një arritje me vlerë nëse marrim parasysh faktin se përgjatë një shekulli të ekzistencës së saj, Partia Laburiste britanike nuk kishte pasur asnjëherë rastin të qeveriste me dy mandate të plota në vazhdë. Shndërrimet ideologjike që iu përqasën shprehjes “Laburizmi i Ri”, qenë në masë të madhe shkaktaret e suksesit të saj elektoral. Vlerat e së majtës, që nënkuptojnë solidaritet, zhbërje të pabarazisë dhe mbrojtje të shtresave në nevojë – e për më tepër besimi i përftuar se qeveria lufton fort në mbrojtje të tyre – vijuan normalisht në tërësinë e tyre, ndonëse politikat e konceptuara për t’i vënë në zbatim duhej të kishin ndryshuar tërësisht.
Nevojitej ngutshëm një marrëdhënie krejt e ndryshme mes qeverisë dhe sipërmarrësve, për t’u vetëdijesuar në rolin kyç të kësaj marrëdhënieje si në krijimin e të mirave materiale, ashtu si edhe në kufizimin e pushtetit shtetëror. Prej këtej mund të kuptohet edhe parulla “prawn coctail” që Partia Laburiste hodhi në publik për të fituar mbështetjen e Qendrës Tregtare-Financiare të Londrës. Shpërfaqja e një ekonomie që qarkullonte ‘në korsinë e tretë’ apo bazuar në nivelin e dijes së saj, mundësuan tkurrjen e rolit të klasës punëtore pikërisht kur kjo klasë ishte bastioni i Laburizmit.
Si rrjedhojë, për të fituar zgjedhjet, një parti e qendrës së majtë duhet të mbërrije në një elektorat sa më të gjerë. Në këtë pikë, tashmë Laburistët nuk mund të ishin një formacion klasor. Me Toni Blerin në krye, partia duket sikur gjeti udhëheqësin ideal për të përmbushur qëllimet e saj.
Në rrethanat e një tregu të globalizuar, qëllim parësor duhet të jetë mirëqenia ekonomike, që vlerësohet si jetike për të vënë në zbatim politika sociale sa më frytdhënëse. Një qeverisje e kujdesshme ekonomike mund të ofrojë për pasojë burimet e nevojshme, si në rritjen e shkallës së zbatimit të drejtësisë sociale, ashtu edhe në rritjen e shpenzimeve për politikat e mirëqenies sociale. Laburistët nuk duhej të ishin një parti e një Shteti të fuqishëm, por e një Shteti të mençur.
Përveç politikave të ndjekura nga “Laburizmi i Ri”, pikësynimi kryesor i saj ishte të shfronësonte të djathtën në lidhje me disa pika kryesore programore, me qëllim që qendra e majtë të ofronte më shumë mundësi zgjidhjeje të problemeve që haseshin, krahasuar këto me çka ofronte e djathta: kundrejt kriminalitetit, emigracionit dhe identitetit kulturor. Formula e Toni Blerit “intolerancë ndaj krimit të organizuar dhe qëllimeve të të tij”, ishte më shumë se një parullë.
Gjatë 10 viteve, Britania e Madhe pati një rritje ekonomike të qëndrueshme, një gjendje kjo që nuk mund të përqaset vetëm me “flluskën e sapunit” që pësoi sektori i pasurive të patundshme apo ai i kreditimeve. Zhvillimi ekonomik ia arriti asokohe të përcaktojë edhe “pagën më të ulët në shkallë kombëtare”. U krye një hop cilësor në shërbimet publike, duke kryer reforma të qenësishme në këtë sektor, ashtu si edhe në atë shëndetësor e arsimor. Pati një tkurrje të nivelit të pabarazisë sociale në vend, edhe pse ky ndryshim nuk shkoi atje ku pritej.
Transferimi i kompetencave në Skoci dhe Uells janë hapa për t’u vlerësuar pozitivisht. U shkua drejt hartimit të legjislacionit që mundësonte zgjedhjen e kryetarëve të Bashkisë në mënyrë të drejtpërdrejtë, një mundësi kjo që e gjetën me vend edhe qytetet e mëdha, midis tyre edhe Londra. Në Irlandën e Veriut ngjan të jetë e arritur një paqe jetëgjatë. Treguesit e kriminalitetit në vend janë ulur, ndërsa politikat e diversitetit kulturor kanë gjetur shtrirje gjithnjë e më të gjerë.
Qeveritë socialiste firmosën Kartën Sociale të Europës dhe Konventën Europiane në Mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, duke miratuar Ligjin e Lirisë së Informimit, si edhe atë të martesës civile të bashkëshortëve homoseksualë. Shoqëria britanike është sot më e hapur se kurrë më parë. Në lidhje me politikën e jashtme, ndërhyrjet ushtarake në Bosnje, Kosovë dhe Sierra Leone mund të vlerësohen si të suksesshme. Sa mirë do të ishte sikur të kishte ndalur këtu! Vendimi kokëshkretë i Blerit për t’u shndërruar në aleatin kryesor të Xhorxh Bushit në pushtimin e Irakut ishte thelbi i zvetënimit të figurës së tij politike. Aq më tepër kur justifikimi i tij thelbësor- armët e shkatërrimit në masë – rezultoi pandehmë e pabazë.
Më pas u vijua gabim pas gabimi, çka rrënuan sqimën e tij. Bleri nuk ia doli mbanë të integronte Britaninë e Madhe në Bashkimin Europian, ndërkohë që lidhjet e tij të afërta me udhëheqës të lartë europianë, veçmas me Silvio Berluskonin, rezultuan të pakëndshme. Ka mjaft arsye që t’i dalësh krah përafrimit mes politikanit e sipërmarrësve dhe vënies së theksit tek rëndësia që ka ‘Qendra Tregtare-Financiare’ e Londrës. Ishte një gabim trashanik lënia dorë të lirë për “pawn coctail” duke u mundësuar pavarësi habitshmërisht të skajshme, çka e ktheu Mbretërinë e Bashkuar në një parajsë të stërmadhe fiskale. Ideja që laburistët “duhej të tregoheshin të flashkët ndaj mendësisë njerëzore të pasurimit në mënyrë të neveritshme” ndihmoi në krijimin e kulturës së papërgjegjshmërisë.Unë nuk mundem dot të pranoj idenë thjeshtëzuese se neolaburizmi ishte thjesht një vazhdimësi e theçerizmit, që me fjalë të tjera do të thotë se Toni Bler e Gordon Braun qenë “bijtë e Margaretës”.
Politikat laburiste mishërojnë ndërhyrje në masë të konsiderueshme të Shtetit në jetën ekonomike, ndonëse kanë përparësi të nxisin ofertën dhe të tregojnë interes të veçantë ndaj drejtësisë shoqërore. Përveç kësaj, udhëheqësit laburistë duhet ta kenë mjaft të qartë se të njohësh të drejtat e tregut nuk do të thotë t’i biesh në gjunjë atij.
Sa i takon sistemit proporcional zgjedhor dhe reformës tërësore të kornizës kushtetuese, është e kuptueshme se laburistët duhej të ishin përqendruar tek parimet dhe jo tek bindjet politike.
Është rritur mjaft numri i partive që janë detyruar ‘t’i shkojnë pas’ propozimeve të laburistëve të rinj. Tashmë konservatorët britanikë e mbështesin të drejtën e homoseksualëve, pranojnë nevojën e uljes së nivelit të varfërisë, miratojnë ligjet për ndryshimet klimatike më nismë laburistësh, e as nuk ua ndjen për atë shprehjen e famshme të Theçerit: “Ajo që e quajnë shoqëri, nuk ekziston”.
Sakaq, kriza financiare botërore trokiti në derë dhe u duk se solli fundbotën, por njëherazi shërbeu si perdja e aktit të fundit të së ardhmes së “Laburizmit të Ri”. Pa pritur e pa kujtuar, tronditja e fortë pështjelloi të gjitha prirjet; tashmë janë të pranishme keisianizmat dhe ndërhyrjet e shtetit në ekonomi.
Ndërkaq, jo vetëm që mundemi të vëmë rregull në tregjet financiare, por mbi të gjitha duhet të veprojmë kësisoj. Së fundmi, ndihet situata e rënduar në transaksionet financiare, e mbi të gjitha, është mundësuar vënia e taksës mbi të pasurit. Partitë kryesore janë të mendimit se duhen kryer rishtas politikat aktive zhvillimore dhe të rigjallërimit të sektorit të industrisë. Ndryshimit klimatike dhe rreziqe të tjera mjedisore janë bërë pjesë e pashqitshme e debateve politike tradicionale. Tashmë nga teoria mbetet të kalohet në praktikë.
Në këtë kuptim, “Laburizmi i Ri” ka vdekur, e sigurisht që ka arritur çasti ku duhet të ndalet përdorimi i kësaj shprehjeje. Sigurisht, disa nga prirjet e tij më të qenësishme që parashtrova më sipër nuk janë varrosur bashkë me të. Ka mjaft rëndësi përpjekja për t’i vënë frè superpushtetit që sektori financiar mban mbi ekonominë dhe të rigjallërohet sektori industrial. Sigurisht, Britania e Madhe do të vijojë të ketë një ekonomi pas-industriale, ku parësore mbeten sektori i shërbimeve dhe veprimtaritë që lidhen me sektorin e dijes.
Reforma e shtetit të mirëqenies sociale do të jetë nga më të rëndësishmet, aq më tepër kur përparësi do të ketë administrimi më me nikoqirllëk. Një sfidë më vete do të jetë edhe kryerja e politikave progresiste ndaj emigracionit, pa humbur mbështetje elektorale, si dhe duke ulur nivelin e kriminalitetit në vend. Po ashtu, mbajtja e një drejtpeshimi të përshtatshëm mes respektit ndaj lirisë së individit dhe mbrojtjes ndaj terrorizmit.
Duke mos qenë pjesë e pushtetit, problemi kyç i laburistëve do të jetë ai i zvogëlimit në masë të zënkave e sherreve të brendshme, si një virus ky që prek të gjitha llojet e partive – por sidomos ato të majta – pasi kanë pësuar edhe një rrënim zgjedhor. Në respekt të saj, rindërtimi ideologjik mund të luajë e kryejë një rol të rëndësishëm.
Pikënisje vlen të jetë ripërcaktimi i rolit në rrafsh publik. Duhet thënë që blerianët mbështeten më shumë te politikat e tregut krahasuar me braunianët, të cilëve u rreh zemra më shumë për Shtetin.

E megjithatë, në sektorin publik gjejnë kulm të përbashkët si të parët ashtu edhe të dytët. Duhet të vihet në qendër të vëmendjes një kapitalizëm i përgjegjshëm që bashkëjeton me konceptin e ndërlikuar të ofrimit të mbështetjes në rast nevoje.

*Anthony Giddens – frymëzuesi intelektual i “Rrugës së Tretë” dhe “Laburizmit të Ri”, që çuan në pushtet Toni Blerin.

(Marrë nga “El Pais”; “Auge y caída del Nuevo Laborismo”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here