Maqedonia në udhëkryq! Një fillim jo i lehtë, pak histori!

0
158

sali berisha komentNga Prof. dr. Sali Berisha

Maqedonia e pas-Luftës së Dytë Botërore shtrihet në një territor dikur me histori sherri, për dominimin e të cilit, por më së shumti për zhdukjen e shqiptarëve, në emër të Serbisë, Bullgarisë, Greqisë së Madhe u bënë dy luftëra ballkanike. Ajo, që në ish-Mbretërinë Jugosllave të paraluftës quhej “Banovina e Vardarit”, u shpall pas luftës nga Josif Bros Tito, si Republikë e Maqedonisë në kuadrin e RF të Jugosllavisë. Tito, gjatë sundimit të tij, bëri gjithçka për të paraqitur para botës si të veçantë dhe të konsoliduar kombin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Në fillimin e viteve 1990, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Republika e Maqedonisë arriti, falë urtësisë të Presidentit Gligorov dhe mbështetjes ndërkombëtare, të shkëputej paqësisht nga Federata Jugosllave dhe të shpallte me referendum, në shtator të vitit 1991, pavarësinë e saj. Po në këtë vit, ky vend miratoi Kushtetutën, në preambulën e të cilës, Maqedonia shpallej si shteti i maqedonasve. Shqiptarët ishin promotorë të rëndësishëm të pavarësisë së Maqedonisë. Por, ata bojkotuan referendumin e Pavarësisë, mbasi asnjë nga kërkesat e tyre të drejta: për barazi etnike; shkollim në gjuhën amtare në të gjitha ciklet e sistemit arsimor; pjesëmarrje proporcionale në të gjitha nivelet në institucionet e vendit, nuk u pranuan nga udhëheqja maqedonase. Po kështu, ata nuk votuan Kushtetutën e Maqedonisë, mbasi ajo shpallte maqedonasit pronarë të shtetit të tyre. Në kundërreagim, në janar të vitit 1992, shqiptarët në Maqedoni mbajtën referendumin e tyre, për një autonomi territoriale, kulturore. Shpallja e Maqedonisë si shtet i pavarur u prit me skepticizëm nga komuniteti ndërkombëtar. Në maj të vitit 1992 kam pritur në Tiranë të ndjerin Leri Igellberger, asokohe Sekretar Shteti në detyrë i SHBA-së, me të cilin biseda pothuaj gjatë një dite të tërë u përqendrua për zhvillimet në ish-Jugosllavi, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë. Në këtë takim Igellberger ndër të tjera më pyeti direkt se çfarë mendoja unë: A duhet të njihej Maqedonia si shtet i pavarur? Pyetjes së bashkëbiseduesit tim unë iu përgjigja se në mendimin tim, Maqedonia duhet të njihet dhe të pranohet si shtet i pavarur. Leri përsëri m’u kthye: Mirë, cilat janë argumentet tuaja, pse ajo duhet të njihet? “Mendoj se Maqedonia duhet të njihet dhe të ekzistojë si shtet i pavarur, qoftë dhe si hipotezë pune”, – iu përgjigja unë. Duhet të pranoj se përgjigja ime “qoftë dhe si hipotezë pune” ishte si të thuash sui generis dhe vinte, më së shumti, nga background-i im shkencor dhe jo politik. Në kërkime shkencore je i detyruar të ndërtosh hipoteza, modele pune edhe jo përfundimtare. Leri rrudhi pak sytë dhe mu kthye disi i çuditur: si mund të pranohet një shtet i pavarur si hipotezë pune, çfarë nënkuptoni ju me hipotezë pune? Përgjigja ime ishte se: “nënkuptoj, me këtë, krijimin e një shteti të pavarur, mbasi besoj se kjo do mund të parandalojë konfliktin e përgjakshëm në Jugun e Ballkanit, para të cilit ai i veriut do të dukej shumë i vogël”. “Në Maqedoni, për ndarjen e territoreve të saj, disa shtete të rajonit mund të hynin në një luftë të përgjakshme. Ndërsa me një Maqedoni të njohur nga SHBA dhe vende të tjera të mëdha, por edhe të garantuar në një mënyrë apo një tjetër, si shtet i pavarur, konflikti në jugun e Ballkanit për ndarjen e territoreve të saj, mund të shmanget. Do eci apo jo ky vend i pavarur, do t’i rezistojë dot kohërave, atë nuk mund ta themi, le të presim dhe të shohim. Rëndësi kapitale, aktualisht, ka shmangia e konfliktit për ndarjen e territoreve të saj, konflikt që do të ndezi Ballkanin si kurrë ndonjëherë”. Bashkëbiseduesi im kishte kaluar vite të tëra me detyrë në Beograd, ishte njohës i shkëlqyer i ish-Jugosllavisë dhe rajonit, por në atë bisedë të gjatë që pata me të, në Tiranë dhe në Krujë, më tha në një moment se “mendoja se dija çdo gjë për ish-Jugosllavinë, por gjërat po zhvillohen krejt ndryshe”. E vërteta është se, SHBA e njohën Maqedoninë vetëm në vitin 1994, pra rreth 3 vjet pasi ky vend kishte shpallur pavarësinë. Por, nga ana tjetër, në dhjetor të vitit 1992, me angazhimin e tyre Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi rezolutën e vendosjes së UNRPROFOR-it në Maqedoni, që do të shndërrohej në vitet e mëvonshme në UNPREDEP. Pas miratimit të rezolutës të OKB, SHBA dislokuan, në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë,me mandat të OKB, një batalion paqeruajtës të ushtrisë së tyre, kurse në kufirin me Serbinë u vendos një batalion paqeruajtës nga vendet nordike. Në këtë mënyrë, SHBA u bënë garant dhe mbrojtës i shtetit të pavarur të Maqedonisë, të cilin ende nuk e kishin njohur, duke dhënë kështu një kontribut historik në parandalimin e një konflikti që do mund të përfshinte, së paku, pesë shtete të rajonit. Hezitime për njohjen e Maqedonisë së pavarur treguan dhe vende të BE-së. Ndonëse Komisioni Badinter rekomandoi njohjen e saj si shteti pavarur, para republikave të tjera, vendet e BE-së njohën të parat Kroacinë dhe Slloveninë dhe, ndofta edhe për shkak të ndikimit të Greqisë, njohën vetëm më vonë Maqedoninë. Kundërshti serioze dhe përpjekje të hapura për pengimin e njohjeve të saj  ndërkombëtare, vinin nga Beogradi dhe Athina. Beogradi nuk mund të besonte se Maqedonia (e Vardarit) e cila, në mendjen e serbëve dhe skicën (nacertania) e tyre, ishte thjeshtë Serbia e jugut, kurse banorët e saj sllavë ishin serbë, do të dilte nga vatha dhe nuk do të ishte pjesë e Serbisë së Madhe. Ndërsa Athina, nuk mund të pranonte kurrsesi një shtet të ri me emrin Maqedoni. Në thellësitë e psikikës greke, emri Maqedoni është ngulur gjerë në nënvetëdije. Me këtë emër njihet Veriu i Greqisë apo Maqedonia e Egjeut. Për Greqinë, një shtet që me këtë emër hynte si pykë midis asaj dhe Serbisë, ishte kërcënim dhe i papranueshëm, pa lëre pastaj më përvetësimin e Aleksandrit, të Maqedonisë dhe simboleve të tij. Në ligjin grek, po të ofendosh Aleksandrin, dënohesh deri 5 vjet burg dhe kjo ka ndodhur, ndërsa po të ofendosh Krishtin, je thjeshtë ateist, nuk ke sanksione ligjore. Greqia, njohu Maqedoninë pas arritjes së marrëveshjes interim, midis saj dhe Maqedonisë në vitin 1995. Kurse Serbia, do të njihte fqinjin e vet të ri, në vitin 1996. Vetëm dy fqinjët e tjerë direkt të saj, Bullgaria dhe Shqipëria, mirëpritën pavarësinë e Maqedonisë: Bullgaria, do të ishte vendi i parë që do njihte shtetin e Maqedonisë, por jo kombin dhe gjuhën e tij, mbasi për këtë vend, sllavët e Maqedonisë ishin bullgarë, kurse gjuha e tyre ishte dialekt i bullgarishtes. Këto kundërshti do të zgjidheshin më vonë bazuar në referencat kushtetuese respektive Shqipëria, do të ishte ndër vendet më të para që e njohën shtetin e pavarur të Maqedonisë pa kushte, përveç barazisë etnike, kushtetuese,ligjore të shqiptarëve dhe do të vendoste me këtë vend marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim të gjithanshëm. Ndërkohë që njohjet ndërkombëtare vazhdonin dhe Maqedonia u pranua dhe anëtare e OKB dhe në organizata të tjera, duhet thënë se pavarësisht nga këto, hartat, intrigat dhe projektet për ndarjen e saj midis fqinjëve qarkulluan deri nga fillimi i vitit 1995. Në këto harta, që kishin për origjinë Athinën dhe Beogradin, Shqipëria shpërblehej me një territor të gjerë të saj, por kërkohej që Serbia të shpërblehej me një territor të gjerë të Kosovës. Vija e ndarjes së Kosovës zbriste pothuaj në Rrafshin e Dukagjinit. Pjesa tjetër e Maqedonisë do i bashkohej Serbisë dhe Bullgarisë. Greqia nuk mbetej pa gjë, por pretendimet e saj territoriale nuk ishin të mëdha. Ajo kishte një objektiv strategjik madhor: kufirin e përbashkët me Serbinë, sipas tyre, kundër harkut islamik Bosfor-Adriatik. Ndaj dhe Maqedonia nuk duhet të ekzistonte. Plotësisht i bindur se çdo ndarje e re në trevat shqiptare ishte në kundërshtim me interesin tonë kombëtar, këto propozime merrnin gjithnjë një përgjigje të prerë, negative nga Tirana. Në këtë kuadër dhe për këtë qëllim, Kryeministri i Greqisë mori iniciativën e një takimi trilateral në Athinë, të nivelit më të lartë: Millosheviç-Micotaqis-Zhelev. Ky takim të kujtonte apo evokonte lidhjet e dikurshme ballkanike, që kishin si qëllim kryesor zhdukjen e shqiptarëve dhe ndarjen e territorit të Maqedonisë. Ndaj kësaj nisme, si një lidhje ortodokse ballkanike e re, reagova publikisht por edhe me rrugë diplomatike, duke deklaruar se rajonit nuk i duhen aleanca mbi baza fetare. Takimi dështoi sepse i ndjeri President Zhelev, kundërshtoi ftesën. Ky bullgar i madh, burrë shteti i shquar dhe mik i çmuar i paqes, në një takim që pata më vonë në Sofje, do të më thoshte se: sakrificat e tmerrshme dhe humbjet e mëdha të jetëve që ka pasur kombi im, kur është implikuar në luftëra për territore të Maqedonisë, rreshtimi i tij i gabuar, duke besuar se mund t’i marrë ato territore, e bënë atë të mos pranonte kurrë të përfshihej në skenarë ndaj atij vendi. Përveç këtyre, dua të theksoj se, asokohe për një lloj ndarje tjetër, ishte dhe partia aktuale maqedonase në pushtet VMRODPMN, udhëheqja e të cilës ndjehej krejtësisht bullgare dhe lobonte, fatmirësisht pa sukses, në Sofje për shpërbërjen e Maqedonisë. Përsëri, gjatë periudhës së konfliktit ndëretnik të vitit 2001, në të cilën qeveriste VMRODPMN me kryeministër Lubçe Georgievski, që sot mban pasaportë bullgare, autoritetet maqedonase, nëpërmjet Akademisë së Shkencave, filluan të bënin hartat për ndarjen e territoreve (të banuara nga shqiptarët) të Maqedonisë, por dhe shkëmbim territoresh me Shqipërinë

Maqedonia dhe albanofobia

Pas shpalljes së pavarësisë, në vitet në vazhdim të dekadës së fundit të shekullit që shkoi, Maqedonia arriti konsolidimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, i rezistoi përpjekjeve të Millosheviçit dhe bllokadave të Greqisë për destabilizim. Por duhet thënë se, që në muajt e parë të jetës së saj, një faktor tjetër pre-ekzistues që ishte kultivuar për gjatë shekullit që kaloi, me potencial destabilizues, madje dhe më të madh se të gjithë faktorët e tjerë, doli fuqishëm në skenën e shtetit të pavarur të Maqedonisë. Kjo dukuri ishte albanofobia, frika e etnisë maqedonase ndaj shqiptarëve. Natyrisht, albanofobia nuk është një fenomen specifik i Maqedonisë, ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë omniprezente tek fqinjët e tjerë direkt të shqiptarëve në Ballkan. Por, për një seri arsyesh në këtë vend ndofta ka qenë, herë-herë, dhe më e harbuar. Tito, për të garantuar epërsinë e maqedonasve, sundimin e tyre, ndoqi ndaj shqiptarëve në këtë republikë politikën e: • spastrimit të tyre të qetë, të planifikuar etnik, nëpërmjet emigracionit të organizuar; • mosshkollimin e tyre, duke menduar se kështu do të dizinteresoheshin për veten dhe të drejtat e tyre; • asimilimin e qindra dhe mijëra shqiptarëve ortodoksë të Rekës dhe zonave të tjera në këtë vend. Para pavarësisë së Maqedonisë, terrori ndaj shqiptarëve në këtë vend ishte i njëjtë me atë të Millosheviçit në Kosovë. Aty, historia e shqiptarëve, gjuha shqipe, flamuri, këngët patriotike gjer edhe muret rrethuese të banesave, konsideroheshin armiqësore. Por, pas shpalljes së pavarësisë dhe sanksionimit me kushtetutë të Maqedonisë si shtet i maqedonasve, albanofobia, si trashëgimi e të shkuarës dhe proces i pandalshëm, do të dëshmohej një gjyle e rëndë në këmbët e këtij shtetit dhe shumë shpejt, do minonte stabilitetin e tij. Kjo dukuri primitive shprehej, në politika të qarta zyrtare, diskriminuese antishqiptare. Banorë të trojeve të tyre shekullore, dhe me identitet të konsoliduar shqiptarët, konsideroheshin nga maqedonasit, një rrezik real, ndaj dhe duheshin shtypur dhe mbajtur si qytetarë të dorës së dytë. Vendet e Ballkanit janë të pasura në minoritete nder to Maqedonia, është një vend multietnik. Në të gjitha regjistrimet zyrtare, edhe pas genocideve shfarosëse të luftërave ballkanike ndaj shqiptarëve, edhe pas një spastrimi etnik të gjatë, të heshtur të tyre, siç theksova më sipër, të programuar për dekada të tëra nga Tito dhe me gjithë manipulimet e këtyre regjistrimeve, qytetarët me origjinë maqedonase përbëjnë jo më shumë se 60 – 63% të popullatës në këtë vend. Ndërsa 27-30% e saj janë shqiptarë, të tjerët turq, serbë, bullgarë, romë, etj, etj. Pra, Maqedonia është vend me mazhorancë të vogël dhe minorancë të madhe. Shqiptarët, në këtë republikë, sikundër kudo në Ballkan në tërësi, janë një vazhdimësi etnike e gjeografike dhe jo enklave. Pavarësisht nga kjo përbërje qartësisht multietnike, autoritetet nacionaliste maqedonase shpallën, muajt e parë të ekzistencës të shtetit të tyre të pavarur në preambulën e Kushtetutës, Maqedoninë si shtet nacional të maqedonasve, pra si shtet të bazuar në parimin etnik. Ata, sanksionuan me kushtetutë, maqedonasit si primarë të shtetit të tyre, ndërsa shqiptarët dhe kombësitë e tjera i shpallën si qytetarë të barabartë në një shtet në të cilin maqedonasit do ishin “më të barabartë se të tjerët”. Ata, krijuan kështu bazën kushtetuese të hegjemonisë së maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe diskriminimit të këtyre të fundit dhe të tjerëve. Kushtetutat kthehen në satra, për ato që u mohojnë qytetarëve. Kjo Kushtetutë, i mohonte shqiptarët si element konstitutiv i shtetit të vendit të tyre të Maqedonisë. Ky përjashtim do të çonte vendin, pashmangërisht, drejt një konflikti të rrezikshëm ndëretnik. Pluralizmi dhe Pavarësia e Maqedonisë, nuk sollën zbutjen, zvogëlimin e albanofobisë. Pluralizmi politik në Maqedoni, nisi jetën e tij me sloganet elektorale “vdekje shqiptarëve”, në fushatën zgjedhore të parë pluraliste në këtë vend. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e pavarur përbënin, që në fillim, një shqetësim serioz jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. Prandaj dhe SHBA, BE dhe OSBE u angazhuan seriozisht në përmirësimin e standardeve ekzistuese të marrëdhënieve ndëretnike me këtë vend. Presidenti Klinton ngarkoi për këtë çështje, një nga këshilltarët e tij më të mirë, ambasadorin Bob Frouik; OSBE, ish-Ministrin e Jashtëm të Holandës, Hans Van der Shtoel; Bashkimi Evropian diplomatin Gert Ahrens. Shqipëria, në këtë aspekt, dha ndihmesën e saj në bashkëpunimin direkt, të ndërsjellë por dhe ndërkombëtar. Natyrisht, më duhet të them se me gjithë përpjekjet e mëdha dhe arritjet e pamohueshme rezultatet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në këtë vend, në tërësi, ishin modeste. Shqipëria ishte ndër vendet më të para që njohu Maqedoninë. Në të gjitha bllokadat e saj nga Greqia ne qëndruam në anën e saj, duke paguar dhe kostot absurde të zemërimit helen. Në të gjitha rastet, Tirana ka inkurajuar forcat politike shqiptare të vendit fqinje, të respektojnë institucionet dhe të marrin pjesë në to. Ndonëse përfaqësuesit e shqiptarëve merrnin pjesë në qeveri dhe parlament, në tërësi, kjo ishte thjeshtë pjesëmarrje e udhëheqjes por jo integrim i shqiptarëve në qeverisje, përkundrazi diskriminimi dhe segregacioni vazhdonte të thellohej. Në takimin tim të parë me Presidentin Gligorov në Pogradec dhe Ohër, në vitin 1992, duke konstatuar problemet madhore që kishte me shkollimin e popullatës shqiptare në Maqedoni, i kërkova atij që të hapej një fakultet mësuesie për shqiptarët në Universitetin e Shkupit. Presidenti Gligorov më premtoi se, vitin tjetër akademik, Fakulteti do të hapet dhe unë e njoftova këtë zotim publikisht, si një arritje të takimit tonë. Por, një vit më vonë, kjo nuk ndodhi. Në takimin tonë pas një viti, përgjigja e Presidentit Gligorov ishte se: ky Fakultet nuk mund të hapet, pasi nuk pranon pala tjetër. Senati dhe Rektori e kundërshtojnë. Pra, pala tjetër, udhëheqja e etnisë maqedonase, kishte frikë, nuk toleronte dhe nuk lejonte shkollimin në gjuhën amtare të etnisë shqiptare. Ajo ishte dakord të dënonte shqiptarët me padije, sepse ata nuk konsideroheshin të barabartë me maqedonasit shtetformues dhe duhet të mbeteshin si qytetarë të dorës së dytë, prandaj dhe si të tillë ata, dhe as mësuesit e tyre, nuk mund të shkollohen në arsimin e lartë, në gjuhën e tyre. Në këto rrethana, akademikë shqiptarë të Maqedonisë, me iniciativën private, hapën universitetin e Tetovës. Trupa akademike e universiteteve të Prishtinës dhe Tiranës dhanë ndihmesë në këtë Universitet. Përsëri bëmë çdo përpjekje vetë direkt, por dhe me miqtë tanë në Evropë dhe SHBA, që autoritetet maqedonase të “legalizonin universitetin” e Tetovës, të njihnin diplomat e tij dhe të parashikohej edhe një buxhet për të. Qëndrimi i autoriteteve maqedonase ishte i prerë, “kjo është e pamundur”. Ata shumë shpejt e shpallën të paligjshëm këtë universitet dhe ndërmorën sulmin, terrorin shtetëror policesk ndaj Universitetit të Tetovës, në të cilin u vra një student, u plagosën shumë të tjerë, u arrestuan drejtuesit e Universitetit,qeveritarët vendorë të Tetovës dhe Gostivarit dhe qindra student,studente dhe qytetarë me origjinë shqiptare. Ndërkohë, forcat e sigurisë, shërbimet sekrete të këtij vendi, inskenonin skenarë dhe terrore shtetërore në zonat me shumicë shqiptare si në Strugë, Ladorisht, Bit Pazar, Shkup, Tetovë, Gostivar, në të cilat u vranë apo u burgosën, torturuan qindra e qindra shqiptarë. Por pasojat e kësaj politike nuk u vonuan. Ishin studentët e Universitetit të Tetovës dhe jo vetëm ata që, me shumicë, vitin e pare të këtij shekulli, do të rroknin armët, do të rreshtoheshin në radhët e UÇK-së dhe pavarësisht nga disa anatemime fillestare të padrejta të Tiranës zyrtare dhe ndërkombëtarëve, ata, në një luftë guerile tejet eficente, do luftonin për liritë dhe të drejtat e munguara dhe shpejt do të krijonin mirëkuptim dhe mbështetje të gjerë për kauzën e tyre të drejtë.

Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi zemërthyer i saj!

Falë ndërhyrjes energjike dhe përcaktuese të SHBA-së dhe BE-së, gatishmërisë të palëve ndërluftuese për dialog, realizmit të Presidentit Trajkovski, konflikti në Maqedoni do të zgjidhej brenda disa muajve. Ky konflikt i rrezikshëm, do të përfundonte me marrëveshjen historike të 13 gushtit 2001, firmosur në qytetin e Ohrit, nga përfaqësues të lartë të BE-së, SHBA-së dhe palëve në konflikt. Marrëveshja e Ohrit, përbën një arritje historike, madhore në përpjekjen e shqiptarëve të Maqedonisë për të drejtat e tyre të munguara. Zbatimi i saj i sinqertë dhe pa komplekse, besoj se do mund të shndërronte, atë dokument dhe anekset e tij, në një marrëveshje paqe të vërtetë për vendin fqinj, do mund të shërbente si bazë solide për një shtet multietnik dhe shoqëri multikulturore në Maqedoni. Kjo marrëveshje, i jepte fund ndëshkimit kushtetues të shqiptarëve si etni jo shtet-formues dhe do të mund të shënonte kalimin e Maqedonisë nga shtet etnik në shtet multietnik në të vërtetë post-etnik. Në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe anekseve të saj, në rrafshin institucional, ka progres thelbësor dhe askush nuk mund ta mohojë. Sot, në funksionimin e parlamentit ekzistojnë, po të respektohen, mekanizmat mbrojtëse nga abuziviteti i maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në këtë vend, si mekanizmi Badinter apo “shumica” Badinter. Arritjet në fushën e arsimit, me gjithë diskriminimin që përsëri ekziston, janë qartësisht pozitive dhe realisht të mëdha. Por ky është progres zemërthyer dhe jo i plotë. Dhe tani, pas kaq vitesh, përsëri nene shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar, ligji për gjuhët nuk shpreh frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Decentralizimi është gjysmak dhe i paralizuar nga nacionalizmi maqedonas dhe unitarizmi i tij kushtetues, diskriminim i thellë konstatohet në alokimin e fondeve për kulturën dhe arsimin, dhe më e keqja është se diskutimet për zbatimin e tyre bëhen si midis palëve ndërluftuese dhe jo palëve që shikojnë në marrëveshje, dokumentin e bashkëjetesës së tyre në paqe dhe stabilitet. Vështirësi serioze nxirren për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nga autoritetet maqedonase. Kjo ka ringjallur mosbesim për vlerën e saj. Nga disa kërkohet tejkalim i kësaj marrëveshje me dokumente të reja. Kështu, në zbatim të marrëveshjes, janë mijëra e mijëra shqiptarë që janë emëruar në detyra të ndryshme por, diku për mungesë “strehimi”, diku për mungesë “zyrash”, ata paguhen 70% të rrogës dhe nuk dalin në punë ndërkohë që, për shkak të mungesës së tyre në punë, emërohen në ato detyra maqedonas. Çdo vit miratohen në buxhet investime në projekte jetike për Maqedoninë Perëndimore, e banuar kryesisht nga shqiptarë, ndërkohë që ky është thjesht një miratim formal, sepse asnjë investim i qenësishëm, nuk është bërë këto 20 vjet në Maqedoninë Perëndimore. Investimet kanë vërshuar të gjitha drejt Maqedonisë Lindore dhe kryesisht në projektin grandoman “Shkup 2014”, projekt që synon maqedonizimin me çdo kusht të qytetit, kryeqendër e dikurshme e shqiptarëve dhe, de facto, ndarjen e tij në pjesën moderne maqedonase, të lavdisë së Aleksandrit që kurrë nuk e ka pasur, të ndërtuar edhe me taksat e shqiptarëve dhe, në atë të prapambetur, të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në vizitën time të fundit në Maqedoni, në vitin 2013, u ktheva në Shqipëri me ndjenjën dhe përshtypjen sikur kisha vizituar jo një, por dy vende të ndara dhe aspak miqësore njëra me tjetrën, përshtypje të cilën nuk e pata në vizitën para saj. Por, nga ajo kohë, është kaluar në një seri aktesh albanofobie të rrezikshme në të cilat rol kryesor kanë pasur në tërësi, autoritetet zyrtare të Maqedonisë. Kështu rasti i Sopotit, vrasjes së pesëfishtë të dënuar me ashpërsi nga të gjitha forcat politike shqiptare kudo që janë, shndërrohet në një mollë të vërtetë sherri. Kjo, për shkak të procesit krejtësisht jo transparent të trajtimit të këtij akti të rëndë kriminal. Autoritetet maqedonase e shpallën atë, fillimisht, një akt të terrorizmit islamik, që nuk ishte absolutisht i tillë. Pra, përdorën besimin fetar për të goditur etninë shqiptare. Në takimin tim të radhës pyeta Kryeministrin Gruevski se përse ata vrapuan ta quanin atë një akt terrorist islamik. Ai më dha përgjigje absurde se, sipas tij: ta quanin ndëretnik, ishte më e rëndë, ndërkohë që në mes qëndronin grindje për çështje civile kontraktuale. Në maj të këtij viti doli se në një bisedë telefonike të regjistruar ish Ministrja e brendshme e Maqedonisë Jankullovska thotë se ata i dënuam pa prova. Vetëm tre vjet më parë, në kundër përgjigje të vizitës dhe nderimit ceremonial me vendosjen e një kurore të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, shqiptarë me origjinë, në varrezën e luftëtarëve të UÇK-së, sakrifica e të cilëve qëndron në themelin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Gruevski, jo vetëm dënoi publikisht aktin e Ministrit të kabinetit të tij, por me shpejtësi të rrufeshme, dërgoi në parlament ligjin për shpërblim, pensionin e paramilitarëve maqedonas, banditë të vërtetë që, njëlloj si çetnikët serbë, kishin bërë masakër në fshatrat shqiptare. Ky akt zgjoi zemërimin dhe reagimin e shqiptarëve, të cilët e bllokuan ligjin në parlament, nëpërmjet paraqitjes së mijëra e mijëra amendamenteve për të. Në vizitën e fundit në Tiranë, i kërkova kryeministrit Gruevski që, në ligjin në fjalë, të përfshihen edhe luftëtarët e UÇK-së dhe më këtë, bënte një gjest pajtimi dhe mbyllte një kapitull të historisë së vendit të tij. Përgjigja e tij ishte se: kjo nuk mund të bëhet. Kjo do, së paku, 30-40 vjet për t’u bërë. Pra mora një përgjigje të ngjashme me atë që më dha Presidenti Gligorov 21 vjet më parë për Fakultetin e Mësuesisë në gjuhën shqipe në Shkup. Në fushatën e parë pluraliste zgjedhore në Maqedoni, nacionalistët maqedonas kërkonin votën e qytetarëve të tyre me sloganet: “Vdekje shqiptarëve”, “Maqedonia është e maqedonasve”. Sot, 24 vjet më vonë, në fushatën e fundit elektorale, kryeministri i vendit do të lëshonte në një komunë të banuar më së shumti nga shqiptarë thirrjet: “Kërçova është e maqedonasve” ndërkohë që aty,për shkak se shumica e banorëve janë shqiptarë, fitoi kandidati i tyre. Ai, pasi humbi aty, kërkoi falje për sloganet që përdori në fushatë. Këtu, mjerisht, më duhet të them se, në jetën time politike kam takuar vetëm një politikan kryesor të këtij vendi, një ish kryeministër i cili ishte thellësisht i bindur në domosdoshmërinë jetike të marrëdhënieve të mira me shqiptarët dhe që ishte i përkushtuar ndaj tyre. Sot, edhe 14 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, përsëri mund të thuhet, siç provoi ngërçi në zbatimin e saj si dhe rasti i Sopotit dhe ne veçanti i Kumanovës se në Maqedoni baruti i albanofobisë ende nuk është lagur dhe se, ky progres i shënuar në këto vite në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, nuk ka ngushtuar kanionin e frikshëm që ndan shqiptarët dhe maqedonasit në këtë vend. Përkundrazi, ai është sot i thellë, në disa aspekte psikologjike e shpirtërore, ndofta sa ç’ishte në fillimin e viteve ’90.

(Pjesa e parë e shkrimit, vazhdimi në numrin e nesërm)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here