Gëzim Saliu
Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi dje se operacioni që do të nisë sot kundër informalitetit është më i rëndësishmi i mazhorancës qeverisëse në këtë mandat 4-vjeçar. Përmes një konference për shtyp nga Kryeministria, kreu i qeverisë theksoi se lufta frontale kundër informalitetit do të jetë në aleancë me sipërmarrjen që zbaton ligjet. “Lufta frontale kundër informalitetit nuk fillon nga zeroja, por kalon në një fazë të dytë vendimtare, për të ulur informalitetin në nivelin e pranueshëm të një vendi normal evropian. Do të jetë një luftë frontale, jo kundër biznesit, po në aleancë me të gjithë sipërmarrjen që zbaton ligjet, respekton rregullat dhe paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit, që mashtrohet dhe grabitet përditë, kur blen një mall apo një shërbim dhe nuk merr kuponin përkatës. Është një përpjekje ku ne synojmë jo vetëm të vendosim atë drejtësi dhe atë barazi përpara ligjit dhe në raport me detyrimet që secili të kontribuojë sipas asaj që i takon”, – tha ai. Më tej Kryeministri pohoi se ky operacion do të synojë në radhë të parë që të vendosë të mëdhenjtë brenda kornizës së ligjit. “Ashtu sikundër jam i bindur që në këtë operacion, sa më shumë që çdo qytetar të bëjë detyrën e vet për të mirën e vet, pra të mos pranojë të japë paratë pa marrë kuponin, aq më shumë ne do të kemi mundësi të rrisim rrogat, të ulim taksat, të rrisim investimet”, – deklaroi Rama.
Rezultatet e samitit
Ndërkohë, një pjesë të mirë të konferencës kreu i qeverisë e shpenzoi për të sqaruar rezultatet e arritura nga qeveria në samitin e Vjenës, kjo edhe një formë për t’iu përgjigjur indirekt akuzave të opozitës, e cila theksoi se Kryeministri dështoi plotësisht në dy ditët e punimeve. “Prioriteti ynë i parë ose Korridori i Kaltër, – e thënë ndryshe Autostrada Adriatiko-Joniane, që përfundimisht do të lidhë edhe Shqipërinë në Unazën e Mesdheut, duke bërë të mundur një kalim të standardeve evropiane nga jugu i Kroacisë – është vendosur si projekt prioritar, për të cilin fillon studimi i fizibilitetit dhe hartimi i projektit dhe pastaj do të bëhet edhe financimi i tij. Po ashtu, ne kemi mbështetur projektin tjetër që Serbia e ka pagëzuar me emrin “Rruga e Paqes”, për të sistemuar të gjithë rrugën që ndërlidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës, duke bërë të mundur që edhe ky aks të jetë tërësisht i standardeve evropiane. Të dyja këto projekte do të fillojnë me përparësi në kuadrin e projekteve të infrastrukturës së rrugore”, – deklaroi Rama.
Ekonomia dhe nafta
Sipas kreut të qeverisë, mazhoranca është plotësisht brenda objektivave që deri dje konsideroheshin të pamundur nga opozita. “Jemi kthyer në ritmin e rritjes, kemi pasur 2.8% rritje në tremujorin e parë dhe vazhdojmë të synojmë objektivin prej 3% në fund të këtij viti, kemi plotësisht të konfirmuar tanimë se rritja ekonomike e 2014-ës ka qenë 2.1%. Kështu që, për sa u përket objektivave të qeverisë shqiptare, të përcaktuar me realizëm, duke pasur parasysh se në çfarë gjendje katastrofike e trashëguam vendin, jemi tërësisht në drejtimin e duhur”, – tha ai. Ndërkaq, lidhur me reformën në drejtësi, Rama tha se mazhoranca do të votojë çfarëdo lloj produkti që do të sillet nga komisioni i posaçëm parlamentar, pasi Komisioni i Venecias të ketë dhënë dritën jeshile. Një “porosi” të fundit kishte Kryeministri edhe për mediat, duke i kërkuar që të mos “u bien më daulleve” për çmimin e naftës, duke bërë të qartë se ai nuk do të pësojë ulje. “Ju lutem shumë jepini fund bërjes jehonë të këtij abuzimi të madh. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që në çmimin e naftës ka brenda edhe taksën e qarkullimit të automjeteve. Nëse bashkojmë çmimin aktual të naftës në Maqedoni, apo në Serbi, apo në Mal të Zi, me taksën që çdo posedues automjeti paguan për mjetin e tij do të shikoni që del më shtrenjtë. Është e kotë t’u biem këtyre daulleve”, – tha ai.