“Të këndosh këngën e flamurit e të mos paguash taksat është shfaqje hipokrizie. Shkollë nate për tatimorët”
Gëzim Saliu
Operacioni kombëtar kundër informalitetit çeli dje siparin në një takim mes të gjitha institucioneve të linjës që pritet të jenë të përfshira në të. Kreu i qeverisë, Edi Rama, deklaroi se ky operacion do të ketë një rëndësi parësore për vendin dhe në këtë kontekst ai paralajmëroi si bizneset që nuk paguajnë ashtu edhe tatimorët që bëhen palë me evazorët fiskalë. “Të këndosh këngën e flamurit e të mos paguash taksat është shfaqja më kuptimplotë e hipokrizisë ndaj vendit tënd. Prandaj, nëse u them sot qytetarëve të këtij vendi se kur refuzoni të paguani një mall apo një shërbim pa e marrë kuponin tatimor, ju bëheni pjesë në një përpjekje patriotike, sepse refuzoni hajdutërinë, që e pengon vendin tonë në rrugën e civilizimit të mëtejshëm. Refuzoni mënyrën e trishtueshme të të jetuarit prej vitesh duke ia hedhur njëri-tjetrit, sepse ky vend nuk bëhet, s’na mbetet gjë tjetër vetëm t’ia fusim njëri-tjetrit dhe pastaj shohim. Refuzoni inercinë e të shkuarit përpara, duke dëmtuar të ardhmen e vendit, familjes e fëmijëve tuaj. Jeni në llogore dhe nuk ka nevojë të shkrepni armën e nacionalizimit, por merrni kuponin tatimor dhe mos paguani pa e marrë kuponin tatimor”, – deklaroi Rama.
Operacioni
Sipas kreut të qeverisë, krahas masave që do të merren ndaj bizneseve si edhe vetë qytetarëve që nuk do të marrin kuponin tatimor, do të ketë penazilimi deri në arrestime me burg për tatimorët e korruptuar. “Njësoj si vëllezërit dhe si motrat tuaja që në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, bënin të njëjtën gjë, dhe sot janë prapa hekurave, aty do të shkojnë edhe ata ndër ju që bëjnë atë që bënin ata. Do t’i qepemi këmba këmbës kush do jetë tradhtar i popullit dhe i ligjit në këtë betejë. Bëni si të doni vetëm një gjë Drejtoria e Tatimeve ka një Kod Etik që përcakton si duhet të paraqiteni. Ne jemi organizuar shumë mirë për ta ndjekur edhe këtë proces dhe do inkurajojmë mediat bizneset me videot që të përcjellin shëmbëlltyren e asaj që nuk duhet të jetë inspektori i tatimeve”, – theksoi Rama. Më tej, Kryeministri tha se në këtë operacion sjellja e administratës duhet të jetë shembullore edhe para atyre që kapen me shkelje është ligji që vepron dhe jo goja. “Nga ana tjetër në bashkëpunim me FMN-në e BE-në kemi hartuar të gjithë kalendarin e shkollës për ju. Të gjithë punonjësit tatimorë, do shkojnë dhe në shkollë jo vetëm në punë. Akademia fiskale që e ringritëm nga hiri që e gjetëm dhe që vitin e shkuar ka pasur një volum të konsiderueshëm trajnimesh që tash e mbrapa do ta bëjmë shkollë nate për ju. Ditën në punë, natën në shkollë për të mësuar se kush është detyra juaj për të mos sorollatur njerëz që kanë vënë gjakun e jetën për të vënë biznesin e nuk i kanë borxh asnjë tatimori që të shfaqet fodull dhe injorant”, – pohoi Rama, duke shtuar se në Shqipëri ka filluar të vijë era shtet. “Por për një shtet që meritojnë fëmijët tanë duhet ende punë dhe pjesë shumë e rëndësishme është operacioni që nisim sot. Një operacion në mbrojtje të konsumatorit dhe në krah të sipërmarrësve që paguajnë taksat dhe kundër zinxhirit të hajdutërisë që shkencërisht quhet informalitet, por shqip quhet hajdutërisht”. Ndërkaq, i pranishëm në konferencë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi se lufta ndaj informalitetit nuk është fushatë kryqëzuese ndaj biznesit. Në të njëjtën linjë, drejtorja e Doganave, Pranvera Fagu, theksoi: “Do ta fitojmë betejën, sepse nuk po luftojmë bizneset, por paligjshmërinë”. Nga ana e saj, drejtorja e Tatimeve, Brisida Shehaj, theksoi në këtë takim: “Lufta ndaj informalitetit është në mbrojtje të biznesit. Jemi të bindur që do të kemi mbështetje për operacionin, pasi lufta është ndaj informalitetit, jo ndaj biznesit. Me aksionin tonë duam të luftojmë abuzuesit dhe evazorët”.