Gjithçka për ishullin magjik, nga lashtësia, kohët militare edhe e ardhmja turistike e tij
Përgatiti Etleva Smaçi
“Ishulli i Sazanit konsiderohet si “çelësi i derës” për hyrjet dhe daljet në kanalin e Otrantos si dhe në hapësirat e detit Mesdhe dhe mund të kontrolloheshin me lehtësi lëvizjet e anijeve të ndryshme, në detin Adriatik të Mesëm e të Sipërm”.
Rrënjët e lashta të Sazanit
Dikur kur përmendej ishulli i Sazanit, në përfytyrimin e gjithkujt përvijohej baza ushtarake që shërbente si një shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut, fortesa e pamposhtur ku armiqtë do të “thyenin” kokën. Si në gjithçka tjetër edhe për ishullin e Sazanit ideologjia komuniste krijoi mitin e saj, që sigurisht nuk ishte fare pa të vërteta. E vërteta e parë që u deformua sipas interesave të kohës lidhet me qenien e ishullit bazë ushtarake. Për vetë pozicionin e tij gjeostrategjik si një pikë kruciale që lidh Adriatikun me Jonin, funksioni i këtij ishulli që prej lashtësisë, sipas dokumenteve ka qenë pikërisht ai i një pike apo baze mbrojtëse. Ishulli i njohur si Sason (greqisht: Σάσων) përmendet në antikitet nga Polibi si pjesë e një episodi ushtarak të ndodhur në 215 para Krishtit. Kurse në dokumentet romake dhe bizantine gjenden shënime se Sazani u pushtua nga mbreti Anzhu i Napolit në 1279 dhe u mbajt si zotërim nga përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare deri në shekullin e 14-të, shpesh nën mbrojtjen e Venedikut. Pushtimi turk do të shënonte një tjetër fazë për fatet e ishullit dhe historinë e tij. Ai do të pushtohej nga osmanët rreth viteve 1400, por deri më 1696 sipas dokumenteve vazhdonte të ishte në zotërim të Venedikut. Fati i tij do të ndryshonte përsëri kur do të përshihej në vendimin që do të merrej për ishujt Jonian me pushtimin e Greqisë nga Anglia, të cilët ishin dhënë përfundimisht Britanisë në vitin 1815 si një republikë autonome nën mbrojtjen britanike. Në vitin 1864 ishulli i Sazanit do t’i dorëzohej Greqisë së bashku me pjesën tjetër të ishujve Jonianë, por edhe pse nuk ishin të pushtuar nga osmanët, përsëri kontrollin de facto mbi ishullin do ta kishin këta të fundit. Një situatë e tillë vazhdoi deri në vitin 1912 në përfundim të Luftës së Parë Ballkanike, kur ushtarët grekë pasi hynë në ishull shpallën pretendime zyrtare ndaj tij. Në përfundim të Luftës së Dytë Ballkanike më 1913, do të ishin Italia dhe Austro-Hungaria që do të ushtronin presion ndaj Greqisë për evakuimin e trupave nga gjithë Shqipëria jugore, duke përfshirë këtu edhe ishullin e Sazanit. Në këto kushte Greqia e pa se mbajtje me forcë e ishullit mund të çonte në një përplasje të pashmangshme me Italinë, gjë që nuk i interesonte ndaj dhe u tërhoq. Por Italia do ta rikthente menjëherë vëmendjen e saj nga ishulli i Sazanit dhe pas pushtimit që i bëri më 30 tetor 1914, do të krijonte dhe do të vendoste një komandë ushtarake në të. Zyrtarisht kjo komandë do të ratifikohej në Traktatin e Fshehtë të Londrës, më 26 prill 1915.
Pas Luftës së Dytë Botërore
Kurse në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria formalisht do të dorëzonte ishullin te forcat italiane, më 2 shtator 1920 si pjesë e protokollit shqiptaro-italian. Ishulli i Sazanit ruajti statusin e një bazë ushtarake italiane deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga pikëpamja administrative ai ishte pjesë e Lagostës, brenda provincës italiane të Zarës. Kësaj periudhe të qëndrimit italian në ishullin e Sazanit i përkasin ndërtimi i farit si dhe ndërtimi i disa objekteve të fortifikuara detare. Po në këtë kohë nisi edhe popullimi i ishullit me një numër të paktët familjesh me origjinë nga Pulja, që përgjithësisht ishin peshkatarë. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ishulli do t’i rikthehej përsëri zotëruesve autoktonë, shqiptarëve. Në bazë të Traktatit të Paqes të nënshkruar mes dy vendeve, ky dorëzim do të bëhej më 10 shkurt 1947. Por duket se dhe përfundimi i luftës nuk do të shënonte “paqe” për ishullin e Sazanit. Një erë e re lufte, Lufta e Ftohtë, mes dy fuqive të mëdha, do ta rriste ndjeshëm interesin ndaj tij. Me Flotën e 4 Amerikane të dislokuar në Mesdhe, prani e rusëve në Gjirin e Vlorës ishte jetike, pasi ishulli i Sazanit konsiderohej si “çelësi i derës” për hyrjet dhe daljet në kanalin e Otrantos si dhe në hapësirat e detit Mesdhe dhe mund të kontrolloheshin me lehtësi lëvizjet e anijeve të ndryshme, në detin Adriatik të Mesëm e të Sipërm. Ajo ç’ka është e vërtetuar me dokumente tashmë të deklasifikuara, është krijimi i një baze nëndetësesh në ishull, kurse pjesa tjetër e krijimit të një fabrike me armë kimike e biologjike nga ana e rusëve ngelet një spekulim gazetaresk. Dekada e parë e çlirimit të Shqipërisë që shënoi dhe kulmin e marrëdhënieve mes BS-së dhe vendit tonë, e vendosi ishullin në qendër të projekteve dhe marrëveshjeve të përbashkëta shqiptaro –ruse. Në mënyrë të veçantë anëtarësimi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, u shoqërua me nënshkrimin e dy marrëveshjeve ushtarake, përkatësisht në vitet 1957 dhe 1959, ku sanksionohej dislokimi i një njësie të Flotës Detare Shqiptare dhe asaj luftarake sovjetike, si dhe njësi të artilerisë së kalibrit të rëndë të mbrojtjes bregdetare dhe mbrojtjes kundërajrore. Kësaj faze i përkasin edhe punimet e reja të bëra në ishull, ku krahas banesave për familjarët e ushtarakëve në shërbim, do të shtoheshin edhe objekte të reja, si p.sh., shkolla e ishullit, kinemaja etj. Edhe pas 60 vitesh, ato njihen si objekte të ndërtuara nga rusët.
box
Prishja me rusët
Një ishull i izoluar nga bota, por edhe për vetë shqiptarët
Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik do të shënonte edhe fazën, kur ishulli i Sazanit do të drejtohej ushtarakisht pa asnjë varësi të jashtme ushtarake apo politike, që do të zgjaste gati 30 vjet. Si një vend i izoluar politikisht, për Sazanin ky izolim ishte i dyfishtë. Askush nuk mund t’i vizitonte banorët e ishullit në shtëpitë e tyre, në të mirë a në të keq. Madje ata e përjetonin çdo ngjarje me një shkallë të lartë gatishmërie luftarake. Edhe më e theksuar u bë kjo situatë pas viteve `70, kur ndodhi prishja me aleatin e fundit lindor, Kinën. Pikërisht në këto vite popullimi i ishullit shënon dhe kulmin e tij. Sipas rrëfimeve të atyre që kanë jetuar dhe drejtuar ishullin e Sazanit, mendohet se në këtë periudhë në të ka pasur gati 150 familje. Krahas objekteve ekzistuese u ndërtuan pallatet 3-katëshe, përgjithësisht në kubaturë 1+1, kurse numri i banorëve arrinte rreth 480. Të jetoje në ishullin e Sazanit në atë kohë, nuk kishte asgjë mistike, përkundrazi shumë prej ushtarakëve që jetuan e punuan atje mendojnë se ishte një sakrificë e madhe, por të mbrujtur me ideologjinë e kohës, ata pohojnë se i shërbyen atdheut, nën uniformë, nën betimin e bërë, pikërisht në një kohë të vështirë.Në çdo sekondë në ishull, afërsisht 360 vetë ishin në shërbim drejtimi, shërbim roje dhe shërbim kufiri Pas viteve 90-të edhe ishulli i Sazanit përjetoi ndryshimet që ndodhën në vend. Pak nga pak prej tij filluan të iknin familjet e para ushtarake, duke kthyer atë tashmë në një ishull të pabanuar, ose ndryshe një muze në natyrë, unik ndoshta për llojin e tij.
/////////////////////////////
Fq.11
Militarizimi
Si u shndërrua Sazani i bukur në “kala graniti”, i fortifikuar për luftë
Në ishull gjendeshin 162 gryka zjarri kundërajrore e topa obusë 122 mm dhe qindra ushtarë
Për njohësit e artit ushtarak, të dhënat e nxjerra në dritë nga dokumentet për armatosjen e ishullit të Sazanit janë të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se ky ishull gjatë viteve të komunizmit u konceptua si një bazë ushtarake e fuqishme. Kështu në të gjendeshin 162 gryka zjarri kundërajrore e topa obusë 122 mm, duke pasur për qëllim që përballohej çdo zbarkim i mundshëm i flotave armike, të mbështetura këto nga armatimet e tjera. Bazuar në kujtimet e drejtuesve të ishullit të Sazanit efektivi i kohës së luftës llogaritej të shkonte deri në 2780 veta, kurse për kohë paqeje ky efekti mendohej se arrinte në 45%, që konsiderohej si një normë e lartë gatishmërie. Organika e kohës së paqes, në çdo kohë rezultonte e kompletuar 100%. Me mbi 290 oficerë, mbi 100 nënoficerë dhe me 1000 ushtarë aktiv të dy viteve të shërbimit, në një hapësirë aq të ngushtë, detyra në ishull kërkonte përgjegjësi të lartë. Ishulli i Sazanit ishte i vetmi vend në territorin e Shqipërisë, ku lejohej fortifikimi për mbrojtje në rrethim. Në disa rajone mbrojtje batalionesh, vetëm për mitraloza të rëndë dhe automatikë kishte 2840 qendra zjarri dhe një sistem të gjerë tunelizimi për strehimin e rezervave të municioneve, ushqimeve dhe gjithçka tjetër që nuk duhej të ishte në sipërfaqen e tokës. Në sistemin e mbrojtjes rol të veçantë kishte artileria bregdetare, ajo tokësore dhe artileria kundërajrore. Regjimenti Bregdetar i Ishullit ishte me 6 bateri të kalibrit 85, 100 dhe 122 mm top obus, me një larghedhje nga 11.9 km deri në 24 km. Artileria tokësore ishte e mbështetur në grupin e mortajave 120 mm, bateritë e topave 76 mm dhe në topat reaktivë 12 grykësh, me një fuqi zjarri të madhe. Në mbrojtjen kundërajrore dominonte kalibri 57, 37 dhe 14.5 mm, Ishulli i Sazanit mbrohej nga mbi 162 gryka zjarri gjithsej dhe me një kryqëzim zjarr me bateritë e artilerisë në Karaburun, Zvërnec dhe bregut të Vlorës. Ishulli i Sazanit ishte “objekt i rëndësisë së veçantë”në kuadrin e mbrojtjes bregdetare dhe mbrojtjes së përgjithshme të vendit, ishte një nga pozicionet prej nga ku kontrollohej porta e Adriatikut dhe e Jonianit, si pika më e avancuar në perëndim të vendit. Në një sipërfaqe të kufizuar, 5.8 km katrorë dhe një perimetër 11.3 km, me rreth 2.8 km katrorë në pjesën lindore të pyllëzuara me pishë dhe pjesa tjetër e mbuluar nga shkurre, që shkonin deri në lartësinë 2-2.5 metra, me një terren shkëmbor në 60% të sipërfaqes së tij, me një sistem rrugor jo fort të mirëmbajtur deri në 60 km, me disa kilometër tunelizime, me një sistem ndërlidhje nëntokësore, me një central elektrik me kapacitet të mbante deri në dy lagje të qytetit të Vlorës, me rezerva karburanti dhe uji të mjaftueshme dhe me shumë elementë të tjerë ndihmues logjistik, ishulli i Sazanit, në planizimin luftarak rezultonte të luftonte 6 muaj në rrethim, pa asnjë ndihmë nga jashtë. Pikërisht për të gjitha këto ky ishull i ngjante, një fortesë ushtarake e papushtueshme”.
Gjeografia dhe relievi i ishullit
Sazani është një perlë turistike e pashfrytëzuar deri më sot. Ishulli ka një gjeografi të përsosur për të zhvilluar turizmin detar, atë të aventurës, të historisë dhe të peshkimit. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por e hapur dhe shumë e thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një sazani3lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera, janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për turizmin dhe sportet nënujore.
box
Projektet
E ardhmja, një pikë e preferuar turistike në Mesdhe
Sot, nëse Sazani do të futet në projektet e qeverisë shqiptare, do të jetë diçka shumë e mirë dhe me përfitime të mëdha. Iku koha e “portës së bregdetit” në mbrojtjen e vendit. Më së pari, ishulli duhet të “lirohet” nga detyrimi i të qenit “objekt i rëndësisë së veçantë” me vendim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai duhet të bëhet një vend i hapur për qytetarët. Urgjentisht duhet të shfuqizohet prania militare dhe Pika e Kontrollit të Bregdetit, të cilët mund të zhvendosen dhe ta kryejnë atë detyrë diku tjetër, nëse është e nevojshme. Deri tani, nën autoritetin formal të Komandës së Distriktit Detar të Vlorës, në këtë korridor janë kryer vepra të shëmtuara e të dënueshme në aspektin e trafiqeve dhe të zhveshjes së nëndetit nga pasuritë e rralla mijëvjeçare, duke bërë krim të hapur në dëm të pasurisë kombëtare. Ka ardhur koha që, kujdesi në planin perspektiv të trajtimit të Sazanit në kompleksin turistik të Gjirit të Vlorës dhe më gjerë, të bëjë që ishulli me mundësitë turistike që ofron, t’i rikthejë gjithçka që ky popull ka investuar për të, atëherë kur mbrojtja e vendit ishte një detyrim dhe nder për të gjithë ne që kemi shërbyer në atë vend”.