Taksat, dy shtete shqiptare, dy qasje / Pranimi i dështimit: Kosova përgjysmon TVSH-në, tek ne nis aksioni

0
168

 

 

kase fiskale

Nisi dje operacioni në shkallë të gjerë i administratës fiskale për të ulur me forcë nivelin e evazionit tatimor. Ndërkohë, duket se Prishtina ka zgjedhur një rrugë shumë më produktive

 

Ervin Kaduku

 

Ndërkohë që nisi me bujë të madhe aksioni i shpallur nga qeveria për uljen e evazionit tatimor me përdorimin e gjuhës së forcës, Kosova ka lehtësuar xhepat e familjarëve me uljen e paralajmëruar për në 1 shtator të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Janë këto dy taktika fiskale, njëra me përdorimin e policisë, burgut dhe gjobës dhe tjetra me uljen e taksave. Ekspertët janë gati të gjithë në unison për të vlerësuar se rruga e dytë është më produktive. Ashtu sikurse të gjithë pohojnë se aksioni qeveritar në Shqipëri shpreh një dështim të politikave fiskale, që mban në fuqi taksa të larta, përballë korrupsionit të tatimorëve dhe paaftësisë së tyre.

 

Kosova

Duke filluar nga dje, 1 shtator 2015, të gjitha produktet esenciale do të kenë në Kosovë një masë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në 8%, nga 16% sa ishte më parë. Drithi, mielli dhe produktet e këtyre, çka përfshin bukën dhe prodhimet e ngjashme me të, do të jenë me TVSH 8%. Me të njëjtën masë do të tatohen edhe vaji për gatim, qumështi, vezët dhe kripa. Edhe shërbimet publike si furnizimi me ujë (por jo të ambalazhuar), energjia elektrike dhe ngrohja qendrore do të kenë TVSH vetëm në masën 8%. Sipas paketës së re fiskale, Ligji për Tatimin e Vlerës së Shtuar do të përcaktojë tani dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar e TVSH-së, 8 për qind. Kjo do të thotë se për produkte të tjera, për të cilat nuk ka ulje apo largim të TVSH-së, ky tatim do të rritet në masën 18%.

Pra, në Kosovë qeveria ka vendosur që të reduktojë drastikisht TVSH-në (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), për një numër të madh produktesh e shërbimesh dhe sidomos ato të konsumit të përditshëm të qytetarëve, në përputhje me programin e saj, për të reduktuar ndjeshëm barrën fiskale për një sërë lëndësh të para dhe produktesh esenciale, me qëllim uljen e kostos së shpenzimeve për shtresat në nevojë. Zyrtarët e Ministrisë së Financave vlerësojnë se qëllimi i ndryshimit të ligjit të TVSH-së ka qenë përkrahja e ekonomisë së vendit dhe qytetarëve. “Kjo masë pritet të përmirësoj likuiditetin e bizneseve prodhuese vendore. Gjithashtu presim që këto masa, në periudhën afat-mesme, do të shërbejnë si një stimul shtesë për investimet e huaja dhe vendore”, thotë ministria e Financave.

 

Shqipëria

Një qëndrim krejtësisht në kah të kundërt është vënë re duke nisur nga e njëjta ditë – 1 shtatori – në territorin e shtetit tjetër shqiptar në Ballkan, shtetit-amë të shqiptarëve, Shqipërisë.

Shumica e njerëzve që në mëngjeset e tyre kishin rutinën e të bërit pazar tregojnë se tashmë edhe bulmetin, frutat dhe perimet i marrin me kupon tatimor. “Kurrë nuk kisha blerë një kg domate me kuponin përkatës”- tregojnë ata. Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm i bizneseve si dyqane veshjesh apo konfeksionesh, bar-kafe, dyqan lulesh, dyqanet e kompanive celulare se asgjë nuk ka ndryshuar me ardhjen e 1 shtatorit, duke qenë se kanë qenë të pajisur me kasë fiskale që në fillimet e aktivitetit të tyre tregtar.

Megjithatë, ishte thuajse e pamundur që të mos hasje biseda nëpër dyqane të ndryshme rreth këtij aksioni. Shitësit shpreheshin se kanë vendosur edhe një fletë të ngjitur në dyqane (përgjithësisht ato ushqimore apo fruta-perime) që shkruajnë qartësisht, me germa të mëdha: “Klientë, ju lutem merrni kuponin tatimor”.

Një shitëse pranë rrugës “Sami Frashëri” në kryeqytet, teksa po peshonte artikullin e kërkuar, në mënyrë të menjëhershme preu kuponin tatimor dhe e vendosi brenda qeses, duke i thënë blerësit: mbaje se edhe juve ju kontrollojnë. Gjithçka për dy banane me vlerë 80 lekë.

E njëjta situatë në tregun e fruta-perimeve pranë Vasil Shantos, një amvisë i shtoi shportës së saj të konsumit për sot një kg domate, për të cilat, për herë të parë, iu vendos kuponi tatimor, për një vlerë prej 60 lekësh.

 

Gjobat

Gjobat, duke nisur nga sot, për biznesin apo blerësin e produktit/shërbimit:

Mungesa e kasës fiskale:
a. hera e parë e konstatuar: gjobë në masën e 50 mijë lekëve
b. Konstatimi i të njëjtës shkelje për herë të dytë: konfiskimit të të gjithë sasisë së mallit.
c. vazhdimi i kësaj shkeljeje, i përsëritur: evazion tatimor dhe ndjekje penale.

– Për moslëshimin e kuponit tatimor nga bizneset,
a. gjoba shkon nga 200 mijë lek për subjektet e tatim fitimit
b. 50 mijë lekë për bizneset e tjera.

– Mosmbajtja në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit: gjobë në masën 40 mijë lekë dhe kur nuk njofton për difekt në kasën fiskale, në masën 25 mijë lekë.

– Mosmarrja e kuponit tatimor për një individ blerës: gjobë në masën 1 mijë lekë.

 

Justifikimi

Ministri i Financave dje ka dalë publikisht për të thënë se shifra që mungon në buxhet nga të ardhurat e pakta ka justifikimin e vet. Sipas tij, kryesisht kjo shumë mungon në buxhet për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa pjesa tjetër lidhet me uljen e importit të energjisë dhe prodhimeve bujqësore, të cilat kanë dhënë efekt në uljen e të ardhurave në buxhet, por kanë efekt pozitiv në ekonomi.
“Me përgjegjësinë qeverisë dhe transparencën e publikut nuk është e vërtetë se mungojnë 15.5 miliardë lekë në buxhet. Do t’i marr sot zë për zë. Pas një analize të plotë të gjendjes, 15.5 mld lekë që mungojnë, janë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe çmimet në këto tregje nuk varen nga qeveria shqiptare. Mbi 2 mld lekë mungojnë nga ulja e importit të energjisë. 1.2 mld lekë mungojnë nga ulja e interesit bankar, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik për mirë, edhe pse na japin më pak të ardhura. 730 mln lekë mungojnë për shkak të lehtësirave fiskale në importin e makinerive dhe lëndëve të para për të prodhuar sa më shumë në vend. Humbën diçka nga të ardhurat, por fituam më shumë prodhim në ekonomi. 500 mln lekë mungojnë nga importi i ushqimeve sepse bujqësia po prodhon më shumë. 44 përqind është rritur eksporti i mallrave bujqësore. Humbëm gjysmë miliardi, por fitojmë shumë nga prodhimi vendas. 2.2 mld lekë i mungojnë buxhetit për arsye se TVSH e rimbursuar me sistemin automatik kemi rimbursuar më shumë ndaj biznesit duke i dhënë atë që i takon, ndryshe nga ç’ishte bërë nga qeveritë e shkuara. Hoqëm dorë nga mbajtja e asaj që i takon biznesit. 2 mld lekë mungojnë nga taksa e qarkullimit, karbonit dhe ambalazhit”, tha Cani. Lind pyetja: nuk parashikojnë dot, kur hartojnë projektbuxhetin, as një risk për të ardhurat “ekspertët” e ministrisë së zotit Cani?!Paniku në Ministrinë e Financave është i kuptueshëm. Në mes të vitit fiskal MF konstatoi papritur që, deri në fund të vitit, do të mungojnë rreth 250 milionë dollarë të ardhura nga tatimet dhe doganat, ose rreth 7% e buxhetit total, si shtesë mbi deficitin e parashikuar 3.8%. Po dhe rezultatet e korrikut për buxhetin ishin aspak më të mira se ato të 6 muajve të mëparshëm. Po dhe FMN-ja që u largua pa miratuar këstin e radhës së kredisë.

Shtoju këtyre dhe acarimin akut të krizës së vendeve në zhvillim, në tregjet ndërkombëtare këto javët e fundit, bashkë me arratinë masive të kapitaleve nga këto vende. Bashkë me uljen rekord të çmimit të naftës në javët e fundit, në nivele të papara që nga kriza e 2008-’09, po ashtu dhe me çmimet e lëndëve të tjera të para dhe atyre bujqësore. Normale pra, që në Ministrinë e Financave të punohet me “orar të zgjatur” këto ditë.

 

“Harresa” e lotarisë me kuponët

Aksioni kundër informalitetit dhe evazionit fiskal në vend parashikon masa ndëshkuese për shkelësit por edhe masa motivuese për zbatimin e ligjit. Një ndër masat motivuese që është parashikuar në strategjinë e financave publike 2014-­2020 dhe në memorandumin e nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar është ajo e nxitjes së qytetarëve për të kërkuar kuponët tatimorë në momentin e blerjes. Referuar asaj që është bërë publike deri më tani, aksioni parashikon ndëshkimin me gjobë edhe të klientëve që nuk tërheqin kuponin tatimor. Megjithatë, në strategji dhe në memorandum parashikohet edhe një masë tjetër, ajo e përfitimit nga kuponët tatimorë por që ende nuk është konkretizuar si nismë edhe pse diskutimet po zhvillohen prej vitesh. Në strategjinë e Ministrisë së Financave, hedhja e parë e shortit ishte parashikuar të kryhej në prill të këtij viti, por kjo nuk është bërë e mundur për shkak të implementimit të sistemit te ri elektronik të taksimit si dhe për shkak të pamundësisë teknike për t’u zbatuar në kushtet kur por diskutohet për përqendrimin e administrimit të kasave fiskale. Modeli që parashikohet të aplikohet në Shqipëri për nxitjen e qytetarëve për të kërkuar faturat fiskale është një model që aplikohet në vendet e rajonit për uljen e evazionit fiskal. Në vende të tjera, përmes numrit të faturës fiskale, qytetarët mund të fitonin apartamente, makina, kompjutera apo shpërblime të tjera. Në Kosovë tashmë funksionon lotaria me kuponat tatimorë. Ndërsa në Shqipëri, mbetet ende për t’u përcaktuar se si do të funksionojë llotaria, çfarë dhuratash do të jepen dhe si do të sigurohet fondi që do të përdoret për këtë qëllim.

Dy vende, dy qëndrime totalisht të ndryshme. A thua që qeveria jonë e ka më drejt? Në përgjithësi, tatimpaguesit këta dy vjet të qeverisjes prisnin një lloj shërbimi ose përfitimi më të mirë si përgjigje për votat dhe tatimet që paguajnë, por meqenëse qeverisja ka dështuar në sigurimin e të mirave bazë publike ose në sigurimin e tyre në mënyrë të mjaftueshme, tatimpaguesit nuk kanë qenë të gatshëm për t’i paguar tatimet dhe si pasojë rezulton nivel i lartë i evazionit tatimor. Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit tatimpaguesit nuk janë të sigurt nëse tatimet që ata paguajnë po përdoren për të financuar të mirat dhe shërbimet publike e kanë ulur gatishmërinë e tyre për të paguar sidomos kur tatimpaguesit vërtetojnë se pagimi i tatimeve në raport me koston e mitmarrjes të një zyrtari tatimor është më e vogël.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here