Arkivi i Ali Pashës / Një poemë e panjohur, në fondin e dokumenteve

0
171

Irakli Koçollari, studiuesi i Ali Pashës, për më shumë se 25 vite, sjell ekskluzivisht për “Standard” një poemth të panjohur për pashain e Janinës, të nxjerrë nga fondi i dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës”. Personazhi më i anatemuar në historinë shqiptare, mbushur me dritëhije, në këto vite përmes Koçollarit realizon një dimension historik shkencor, duke konturuar e përmbushur realitetin e këtij personazhi me të dhëna të reja, siç është edhe kjo poemë e shkruar në greqishten e kohës

 

ali pasheProf. as. dr. Irakli Koçollari

 

Bota kulturore dhe intelektuale që krijoi Ali Pasha

Në fondin e dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës”, mes pasurive të tjera, ende të panjohura, gjendet edhe një poemth në vargje, i panjohur gjer më tash. Ai mban numrin 1453 dhe është vendosur në kapitullin e dokumenteve, të cilave nuk u identifikohet dot koha e krijimit të tyre, pasi, në fakt, dy faqet në të cilat janë shkruar vargjet nuk mbajnë mbi vete as datën dhe as vendin se ku dhe kur ato janë shkruar.

Në pamje të parë duket disi e çuditshme, që në një font të tillë materialesh, sikundër është dokumentacioni, korrespondenca shtetërore dhe personale e Pashait të Janinës, të gjendet edhe një poemth, një krijim në vargje, që për nga natyra dhe karakteri i dokumenteve të këtij fondi, del përtej evidencës së subjekteve që ai mbart.

Megjithatë, do të thoshim se veprimtaria krijuese dhe prania e provave dhe produktit intelektual në botën alipashajane nuk është një befasi dhe as një surprizë. Në këtë kuptim, ky poemth nuk është asgjë tjetër, veçse një copëz dëshmie nga jetës aktive kulturore, që kishte filluar të gjallonte me kohë në oborrin e Pashait në Janinë, dhe jo vetë, por më gjerë akoma, në tërë shtrirjen administrative të pashallëkut.

Në mënyrë të padiskutueshme, ishte një frymë e tërë, një qëndrim dhe orientim politik i vetë tepelenasit për të tërhequr, mbajtur pranë dhe mbështetur njerëzit e ndritur të kohës, për të stimuluar dhe mbështetur ata, për të investuar në shkollimin e mjaft prej tyre në universitetet e perëndimit si në Milano, Napoli, Vjenë dhe gjer në Drezden. Qe produkt i politikave dhe mbështetjes personale të Ali Pashës hapja e shkollave të para në Janinë, ku filluan të studionin të rinj shqiptarë dhe grekë, myslimanë dhe kristianë; shkollimi dhe diplomimi në Perëndim, në fushat e shkencave të natyrës, në mjekësi, shkencat sociale, etj. Ky kontigjent të rinjsh, të mbështetur nga tepelenasi gjer financiarisht, formoi një brez të tërë intelektualësh të shquar, të cilët formatuan elitat e para të ndritura të të dy popujve, shqiptarëve dhe grekëve.

Nga radhët e tyre lindën dhe u rritën personalitete të rëndësishme të botës së letrave dhe të kulturës në tërësi, të tillë si: Haxhi Shehreti – poet dhe diplomat i shquar shqiptar, autor i poemës së njohur “Alipashaida” (Koçollari, I: “Alipashaida”, Onufri, 1998); Bolanu – intelektual dhe themelues i shkollës së parë në Janinë, Kostandin Paparigopulo – mësues dhe këshilltar i Ali Pashës, mandej rektor i parë i Universitetit të Athinës; Meksët – mjekë dhe intelektualë të shquar, përkthyes në shqip të Dhjatës së Re; Marko, Noti dhe Boçarët e tjerë – ushtarakë në formacionet e Ali Pashës, mandej – hero i revolucionit për pavarësinë e Greqisë, hartues i fjalorit të parë greqisht-shqip, dhe tjetri, Noti, ministër i Mbrojtjes i Greqisë së pavarur; Jorgo Koleti – intelektual, dikur ministër i Financave i Ali Pashës dhe mandej Kryeministër i parë i Greqisë; Zotot, Zhapat etj.

Është produkt i dekadave të tij dhe të frymës që krijoi Ali Pasha edhe krijimtaria e një prej poetëve pararendës shqiptarë, të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, Hasan Zyko Kamberit. Adhurimi i poetit për tepelenasin dhe vlerësimet e tij për të shfaqen qartë në letërkëmbimin që ruhet ende.

I ndikuar thellësisht prej iluminizmit dhe zhvillimeve tronditëse në Francë dhe në Evropë, Ali Pasha ndiqte më vëmendje dhe debatonte gjatë rreth transformimeve ligjore, politike, konstitucionale, kulturore, kujton Pukëvili dhe udhëtarë të tjerë që takuan ato dekada tepelenasin.

 

Reformat institucionale për dije dhe kulturë

Nën këtë frymë dhe mbështetur mbi këto vizione, Ali Pasha ndërmori një sërë reformash të thella, në fushën e kulturës dhe arsimit, masa që i shërbyen formimit intelektual dhe përhapjes së dijes në radhët e fëmijëve dhe të rinjve në Janinë dhe më gjerë, nëpër tërë krahinat e Pashallëkut. Nën këto koncepte ai ndërtoi të parën bibliotekë në radhën e qyteteve ballkanase, në qytetin e Janinës, ndërtesa e së cilës është edhe sot në atë vend si monument kulture, me një fond mjaft të madh librash për kohën. Është investim tërësisht i Ali Pashës ndërtimi i medresesë së parë në radhën e tërë pashallëqeve ballkanase edhe kjo e ngritur në po atë qytet, ndërtesë që ruhet edhe sot në qytetin e Janinës. Bashkë me to dhe krah tyre Ali Pasha investoi dhe ngriti Shkollën Ushtarake të Kalorësisë dhe Shtëpinë e Oficerëve, objekte këto që ruhen si monumente të trashëgimisë kulturore edhe sot, në qytetin e Janinës.

Duket disi e pabesueshme, por ishte ky monark mysliman që ndërtoi dhe restauroi me urdhrin dhe kujdesin e tij personal, rreth dyzet kisha dhe manastire, të cilat ruhen ende edhe sot, si monumente kulture, dhe gëzojnë statusin e objekteve të trashëgimisë kulturore, për shkak të vlerave arkitektonike dhe artistike që ato kanë, piktura, skulptura etj. Të gjitha këto objekte me vlera të spikatura shtrihen dhe ruhen aktualisht në territoret e Shqipërisë dhe Greqisë së sotme (Papastavros, Anastasios; “Ali Pasas”, ……).

Gjatë viteve të sundimit të tij, Pashai ngriti edhe një Shkollë Ushtarake të Artilerisë, në Bunila, në afërsi të Janinës, ku këshilltarë dhe ushtarakë të huaj përgatisnin ushtarakë shqiptarë dhe grekë.

Në kuadrin e argëtimit, formimit me dije sa më të gjëra dhe masive të popullsisë, Ali Pasha ngriti, ndoshta, të parin Kopsht Zoologjik në Janinë, ku kishte sjellë nga Afrika hipopotamë, luanë, pantera dhe kafshë të tjera të egra.

Pa folur për reforma dhe ndërmarrje në lëmenj dhe fusha të tjera të shkencës, kulturës, ndërtimtarisë, etj, Ali Pasha shërbeu si një mbështetje e parë dhe e rëndësishme e zgjimit dhe gjallimit të jashtëzakonshëm të botës shpirtërore dhe asaj nacionale tek shqiptarët dhe grekët.

Në këtë klimë të begatë dhe të favorshme, është e kuptueshme që përherë e më tepër, gjer në ditët tona, të vazhdojmë të gjejmë gjurmë dhe prova të jetës dhe veprimtarisë së pasur kulturore të shqiptarëve të kohës.

 

Poemthi, dhe kush duhet të jetë poeti Zaharia?!

 

Në një vështrim të parë dhe të kujdesshëm të poemthit, duket qartë se vargjet nuk janë të plota, pra ajo është vetëm një pjesë e krijimit, ndoshta është vetëm pjesa e fundit të subjektit të trajtuar në këto vargje.

Natyrisht ne nuk arrijmë të njohim identitetin e plotë të autorit, por fatmirësisht në fund të krijimit, autori ka shkruar me dorën e tij dhe na vetëprezantohet kështu:

“Në Francë unë punova, më quajnë Zaharia”.

Nuk dimë asgjë më shumë për krijuesin e këtyre vargjeve, poetin Zaharia. Megjithatë, duke njohur të gjithë fondin e dokumenteve të Arkivit të Ali Pashës”, personazhet që përmenden në to apo edhe ata që kanë komunikuar me Ali Pashën, pa dashur ta përjashtojmë, dhe në të njëjtën kohë as ta identifikojmë prerazi, mund të themi se poeti Zaharia mund të jetë Zaharia Kasneci.

Konkludojmë dhe individualizojmë Zaharia Kasnecin si autorin e mundshëm të vargjeve për disa arsye. Së pari, këtë personazh e gjejmë edhe në disa dokumente të tjera që gjenden në fondin e këtij arkivi. Ai ka disa letër këmbime me Ali Pashën personalisht, por në fondin e arkivit gjenden edhe disa letra që ai ua drejton bashkëfshatarëve të tij në Vuno, në rastet kur ai është ndodhur jashtë Pashallëkut. Nga kjo korrespondencë, intimiteti në fjalorin e përdorur në letrat e shkruara duket se Zaho Kasneci ka pasur marrëdhënie miqësore apo më tej akoma, mund të ketë qenë mik i Ali Pashës.

Një tjetër argument që mbështet idenë se duhet të jetë pikërisht ky njeri autor i vargjeve është edhe fakti që nënvizon “poeti Zaho” se ai “ka pasë punuar në Francë”. Por, edhe në dokumentet e tjera që gjenden në këtë arkiv, të shkruara nga Zaho Kasneci, mësojmë se miku i Ali Pashës, Zaho Kasneci, ka punuar në Francë për shumë vite.

Nga ana tjetër, duke iu referuar përmbajtjes së poemthit, mësojmë se në të flitet për ekzekutimin e gjashtëqind kardhiqotëve tek Hani i Valaresë, një ngjarje kjo që edhe sot e kësaj dite ruhet në kujtesën popullore dhe flitet ende rreth saj. Për këtë ngjarje, në ato kohë edhe tani ka njerëz që akuzojnë Ali Pashën dhe një pjesë tjetër që argumentojnë të kundërtën.“Poeti Zaho”, përmes vargjeve të tij, e merr në mbrojtje aktin e Ali Pashës në ekzekutimin e kardhiqotëve, çka nënkupton se ai është të paktën mbështetës, për të mos thënë mik i tij. Pikërisht, ky fakt e bën më bindës pretendimin se poeti duhet të jetë Zaho Kasneci nga Vunoi. Themi “nga Vunoi”, pasi në dokumentet e tjera të shkruara nga Zaho Kasneci dhe që gjenden në këtë arkiv, ai shprehet qartë se “është nga Vunoi” dhe jo vetëm kaq, por disa prej letrave të tij u drejtohen të afërmve të tij pikërisht në këtë fshat.

Një tjetër variant, për të provuar ose përjashtuar si autor të mundshëm të vargjeve Zaho Kasnecin, është edhe rruga shkencore. Mund të merren letrat e shkruara nga Zaho Kasneci që ruhen në arkiv dhe poemthi i shkruar nga “poeti Zaharia” dhe të bëhet ekzaminimi grafik i shkrimit prej ekspertëve, për të konkluduar përfundimisht se kush është autori i vargjeve.

 

 

“Hani i Valaresë” dhe qëndrimi i poetit

 

Sikundër përmendim, vargjet i referohen ekzekutimit të kardhiqotëve tek Hani i Valaresë, nga ana e forcave të Ali Pashës. Ky konflikt i njohur në histori erdhi si pasojë e përpjekjeve që bënë të gjithë kundërshtarët vendas të Pashait, në bashkëpunim me forcat franceze, për të përmbysur tepelenasin. Plani i organizimit të tyre u zbulua, prandaj pa humbur kohë Ali Pasha i goditi ata në vendin ku ata ishin grumbulluar, në fortesën e Kardhiqit. Mbas goditjeve të para me artileri, rreth gjashtëqind komplotistët u detyruan të dorëzoheshin dhe më pas u urdhëruan të shkonin tek Hani i Valaresë, vend ku edhe u ekzekutuan nga forcat e pashait.

Nga vargjet e poetit dhe tërë brendia e këtij fragmenti duket qartë që poeti kundërshton qëndrimet që mban ndaj kësaj ngjarjeje prifti ortodoks, i cili megjithëse nuk individualizohet se kush është, duket se ai është kundërshtar i Ali Pashës, të paktën për këtë ngjarje.

Kundërshtimin e tij, ndaj qëndrimit të priftit ortodoks, poeti bile e ironizon përmes vargjeve të tij ndërsa ai shprehet, “gazeta plot të shkruash sa mundesh, histori”. Nga konteksti i vargjeve duket se prifti kristian-ortodoks, ka marrë përsipër të shkruajë apo ka shkruar tanimë një librushkë apo gazetë me përmbajtje jo të mirë (ndoshta poemë apo dedikim) për ekzekutimin e kardhiqotëve nga ana e trupave të Ali Pashës.

Sa për kohën se kur duhet t’i këtë shkruar “poeti Zaho” vargjet, me siguri mund të themi vetëm faktin se ato nuk janë shkruar përpara vitit 1812, pasi këtë vit ndodhi ngjarja tek Hani i Valaresë. Pra, vargjet janë shkruar ose më 1812, menjëherë pas ngjarjes, ose pak kohë më vonë.

(Poemthi i gjendur në “Arkivin e Ali Pashës” është i shkruar në greqishten e kohës dhe është përkthyer nga ana jonë)

 

 

FRAGMENTI I POEMËS

 

Me ta dhe ti o prift shërbeve kohës shkuar

Nxitoje tërë gëzim, por mbete i trishtuar

 

Sepse Veziri i Madh, ky burrë i rëndë i shtetit

Emrin, nderin mbrojti, Oborin e dovletit

 

Ushtarët e tij trima, burra, luftëtarë

që muarrën Kardhiqin, qenë trima kordhëtarë

 

Qenë Mirditorë ata, nga Shkodra të tjerë qenë

Lëshuar si azganë në sulme tundën dhenë!

 

Prandaj o prift, plakush, nga pas më ndiq atje

Ku punët janë mbyllur, tej në Valare

 

Dhe si njeri i bredhur, që shpirtrat thellë lexon

Kremtoju të Dyzetat, shërbesat, ç’është zakon

 

Në fund një lutje jepu, shpenguar plot liri

Kardhiqiotëve që bënë, gjithë kët’ histori

 

Qëkur të shkojmë atje, n’të madhen Tepelenë

të vuash, drithërohesh, brenda shpirtit, thellë

Ndaj merre ti ushqimin, krodhe thatë dhe ujë

Në mend mos ço se desha, të mos harrohem kurrë

 

Kristjan i mirë në qofsh, Dyzetat ti kremtoi

Pastaj të agjërosh dhe lutje ti drejtoi

 

Mandej dhezotëria, do t’dojë të të nderojë

(Pa shih nëëndër Zoti mos del të tëndriçojë)

Dhe për shërbesat ç’ka, të mban ty përgjithmonë.

 

Do kesh kështu ti rastin të shohësh atë ushtri

Dhe letra pastaj shkruaj, mbushi, histori…

 

Kështu unë përfundoj, veç lutem përsëri

Për të dyzetatat, prapë mos ardhsh o hirësi

 

Në do të them dhe emrin, që kall ty lemeri

Në Francë unë kam punuar, me quajnë Zahari

 

Fundi

 

Të gjithë miqve tanë “njatjeta u dërgoj

Sa kanë mënd në kokë, ti prek’ kush mos guxoj

 

 

 

Info/kult

Adonis, kandidati për “Nobel”, shkruan për Atjonin e ri

 

Libri i ri i “19-vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti “Për atë që dua(m)” sapo ka dalë në qarkullim dhe nga familjarët kjo pati domethënie me përvjetorin e 20-të të lindjes. Në librin “Për atë që dua(m)”, në kapitullin e fundit gjenden faqe të tërë me thënie për Atjonin nga miqtë, shoqet dhe shokët e tij, nga ata që e kanë njohur e nga ata që e kanë lexuar, nga emra të shquar shkrimtarësh deri dhe nga Helena e Ismail Kadare, po dhe nga shkrimtarë të vendeve të tjera.

Revista e njohur e PEN Clubit Italian, ku Atjon Zhiti ishte anëtari më i ri i kësaj organizate botërore, teksa studionte për filozofi në Milano, në numrin e saj të fundit në faqen e librave të rinj, ka njoftuar dhe botimin shqiptar “Për atë që dua(m)”. Presidenti i PEN-it italian, poeti Sebastiano Grasso, përshëndet promovimin e librit dhe rrëfehet se e çmonte shumë Atjonin dhe jo vetëm ai, djaloshin nga Shqipëria, aq inteligjent dhe tejet i çiltër, me interesa të shumta, gjithë kërshëri, nga ajo që të çon përpara dhe me guxim qytetare për të vepruar. Sebastiano Grasso ka thënë se “Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin”.

Po kështu, një nga poetët më të mëdhenj në botë sot, Adonis, kandidat i hershëm për çmimin “Nobel” dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze nëpër botë, këto ditë dhe i çmimit gjerman “Erih Maria Remark”, që jeton qysh prej 30 vjetësh në Paris, i mërguar nga Siria, të cilin Atjoni e ka takuar në Milano, për promovimin e librit të tij në Tiranë, shkruan me dorë një mesazh në gjuhën e tij amtare dhe e firmos në përkthimin italisht: “E kam njohur Atjonin në shtëpinë e mikut poet Sebastiano Grasso dhe Atjoni kishte aftësinë ta iluminonte poezinë, ngaqë ai vetë është një poemë, pothuajse magjike”. Po kështu, nga Shkupi shkruan dhe shkrimtari Kim Mehmeti: “Jam aty, – thotë ai, – në Librin e Dhembjes, personazh…” Dhe të tjerë vazhdojnë të shkruajnë… Kjo frymë përbashkuese që krijoi Atjoni rreth vetes midis brezash e vendesh, me kredon e tij për ta ndryshuar botën nëpërmjet buzëqeshjes, është shndërruar në një program të bukur për të rinjtë që i donte dhe e duan ende më shumë…

Re. Ku.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here