Santos: Ndaj Shqipërisë, shumë e vështirë, por kemi ardhur për fitore /Tekniku portugez është shprehur se e di që nuk do ta kenë të lehtë përballë kuqezinjve dhe do t’u duhet të jenë shumë dinamikë për të marrë pikë

0
180

 

Santos-653x420

Sot luhet edhe sfida e dytë vendimtare për ëndrrën që të çon në Francë. Një sfidë ndaj rivalit kryesor që është edhe favoriti për të qëndruar në vend të parë. Suksesi në Lisbonë me golin e Balajt është shpresa që na mban ëndrrën që mund të marrim tri pikë. Ndërsa luzitanët i falen rikthimit të Ronaldos, që është shpresa e vetme që mund t’i mbajë të parët në tabelë. Portugalia e ka të qartë vështirësinë e ndeshjes në Shqipëri. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Fernando Santos u shpreh se luzitanët duhet të luajnë në nivelin e tyre më të lartë për të marrë tri pikët në “Elbasan Arena”. “Askush nuk duhet të ketë dyshime se do të hasim shumë vështirësi. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria nuk është një skuadër e lehtë. Nëse duam të fitojmë, është e nevojshme të jemi agresivë, dinamikë, të tregojmë dëshirë në fushë dhe të shfrytëzojmë rastet. Kualiteti ynë mund të bëjë diferencën”. Santos kërkon vetëm fitoren në Shqipëri. Mënyra për të mposhtur kuqezinjtë vjen nga ky shënim i trajnerit për lojtarët portugezë. Fitore: Organizim, përqendrim, pasion, besim. “Objektivi ynë është vetëm fitorja. Edhe Cristiano Ronaldo është i motivuar të ndihmojë skuadrën, pavarësisht se nuk ka shënuar në tri ndeshje. Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë cilësorë, ku forca e vërtetë është kolektivi dhe fakti që japin gjithçka në fushë. Nuk kam frikë, por vetëm vlerësime për punën e kolegut De Biasi, që ka ndërtuar një ekip të mirorganizuar dhe që luan për fitore”. Sipas trajnerit luzitan, gara për t’u kualifikuar në grupin I mbetet e ekuilibruar dhe dy sfidat e radhës janë vendimtare për Portugalinë, Danimarkën dhe Shqipërinë. Pikërisht në këtë moment përqendrohet edhe Ricardo Quaresma. “Objektivi ynë i vetëm është fitorja. Kemi ardhur të marrim tri pikët, edhe pse jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, pasi Shqipëria është pranë kualifikimit në Euro 2016. Shqipëria ka shpirt loje, kundërsulm të rrezikshëm dhe për këtë arsye ende nuk ka humbur në grup. Shpresoj që humbja e parë të vijë me Portugalinë”. Ylli i Beshiktashit dha siguri se Portugalia është gati, pavarësisht nga vështirësitë që paraqet sfida në Elbasan.

 

De Biasi jep direktivat e fundit, Hysaj në dyshim

 

Gianni De Biasi u dha përparësi përgatitjeve me një seancë stërvitore jashtë programit gjatë paradites së të dielës. Në kompleksin sportiv “Pepa”, në hyrje të qytetit Elbasanit, përfaqësuesja zhvilloi stërvitjen e parafundit, përpara duelit të së hënës me luzitanët. Një seancë e blinduar me forca të shumta policie dhe oficerë sigurie. Disa dhjetëra tifozë kanë ndjekur kureshtarë përgatitjet, të cilat u përqendruan kryesisht në aspektin taktik. Elseid Hysaj është stërvitur sërish i diferencuar dhe në kujdesin e stafit teknik u paraqit në spital për të bërë një rezonancë magnetike, nga e cila do të përcaktohet nëse është në gjendje të luajë apo jo ndaj portugezëve. Sapo rreshtoi skuadrën në fushë, trajneri kuqezi kërkoi fikjen e të gjithë kamerave. Sipas provave të bëra, De Biasi nuk pritet ta ndryshojë formacionin që barazoi në Danimarkë. Në mungesë të mbrojtësit të Napolit, Gjimshiti u aktivizua në krahun e djathtë, Ajeti konfirmohet përkrah kapitenit Cana në qendër, ndërsa Agolli majtas. Në mesfushë, Kukeli vepron përpara mbrojtjes, i mbështetur në qendër nga Xhaka e Abrashi. Në mesfushën me pesë Lenjani e Gashi do të pozicionohen në krahë, ndërsa Cikalleshi mbetet sulmues i vetëm. Gjatë ndeshjes, De Biasi, ndihmëstrajneri Tramezzani, por edhe kapitenin Cana jepnin direktiva të vazhdueshme për një skuadër kompakte dhe me dublime gjatë fazës mbrojtëse, për të mos u lënë hapësira yjeve portugezë Cristiano Ronaldo, Nani apo sulmuesit Eder.

 

Box

Policia publikon masat për qytetarët

 

Drejtoria e Policisë së Elbasanit publikoi masat që do të marrë për mbarëvajtjen e takimit mes Shqipërisë dhe Portugalisë në “Elbasan Arena”, i programuar të hënën në orën 20:45.

Rrugët e bllokuara:

Do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri tek “1 Maji”

Nga Bashkia deri në dalje të Unazës

Nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara pallatit të sportit

Nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës.

Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve para stadiumit.

Nga bulevardi kryesor deri në stadium do të ndërpritet dhe nuk do të lejohet hyrja e mjeteve

Lidhur me ndeshjen Policia e shtetit do të angazhojë 811 punonjës policie, nga Drejtoritë e Policisë Qarqeve të tjera do të angazhohen 550 punonjës policie. Ndërsa nga Drejtoria e Policisë Qarkut Elbasan do të angazhohen 261 punonjës policie.

 

Box

Goditjet e këndit, armiku numër 1 i kuqezinjve

 

Sulmi i Portugalisë, i udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, është pjesa së cilës Shqipëria i trembet më së shumti. De Biasi me stafin e tij po punojnë të marrin të gjitha masat për të mbyllur sa më mirë hapësirat në fushë. Megjithatë, kuqezinjtë duhet të kenë kujdes edhe nga goditjet standarde. Luzitanët kanë elementë fenomenalë, që episode të tilla mund ti kthejnë në favorin e tyre. Konfirmimi vjen nga video e publikuar nga vetë Federata Portugeze, ku tre yjet e ekipit, Cristiano Ronaldo, Nani dhe Ricardo Quaresma, zhvillojnë një sfidë nga topa joaktivë. Ekzekutimet janë mbresëlënëse dhe nga specialistë si ata spektakli është i garantuar. Në pjesën më të madhe të rasteve, portierët ishin të dorëzuar. Me stilin e tij, secili prej tre yjeve portugezë e dërgon topin atje ku gardiani nuk mund të bëjë më asgjë. Një paralajmërim i vlefshëm për Shqipërinë, që duhet të ketë kujdes të mos shkaktojë goditje dënimi pranë zonës të hënën në “Elbasan Arena”.

 

Box

Ronaldo rrethohet nga tifozët, stërvitet i qetë me skuadrën

 

Të gjithë sytë kureshtarë ishin mbi Cristiano Ronaldon, por ai i vërteti arriti të shmangte tifozët në stërvitjen e vetme të Portugalisë përpara ndeshjes me Shqipërinë, e mbajtur në “Qemal Stafa”. Ylli portugez, falë edhe masave të sigurisë, shmangu fansat në Tiranë përpara stërvitjes për të vrapuar menjëherë drejt fushës, si për të treguar se këtë herë kërkon të marrë në dorë Portugalinë. Trajneri Fernando Santos lejoi vetëm 15 minuta kamerat përpara seancës stërvitore në stadiumin e kryeqytetit, me Ronaldon që ishte në fokusin e të gjithëve. Portugezi hyri në fushë dhe shkëmbeu dhe disa batuta me kolegët e tij të skuadrës, duke u shfaqur shumë i qetë. Gjithsesi, në fund, ata tifozë të tij që nuk mundi t’i kënaqte në hyrje të stadiumit, i gëzoi me një foto grupi në përfundim të seancës. Sa i përket stërvitjes, Santos e përqendroi të gjithë vëmendjen e tij te skemat e skuadrës duke evituar ngarkesat fizike meqenëse skuadra e tij ashtu si Shqipëria luajti të premten, teksa u mund 1-0 në shtëpi nga Franca.

 

Box

Mavraj përshëndet skuadrën

 

Një surprizë vërtet e këndshme për kombëtaren shqiptare dje pasdite. Mërgim Mavraj vizitoi lojtarët kuqezinj në “Elbasan Arena”, duke i ka befasuar të gjithë me praninë e tij, pasi askush nuk e priste ardhjen e 29-vjeçarit. Ai ka takuar lojtarët, duke i mbështetur moralisht para një sfide të rëndësishme si ajo me Portugalinë. Mavraj është duke u riaftësuar dhe vetë lojtari shpreson të jetë në dispozicion të De Biasit për sfidën me Serbinë në tetor.

 

Box

Statistikat favorizojnë luzitanët

 

Portugalia vjen si favorite në Shqipëri për sfidën që mund të vendosë shumë për kualifikimin e kuqezinjve në Euro 2016, jo vetëm për faktin që luzitanët kanë në përbërje Cristiano Ronaldon, por edhe duke i bazuar te historiku i përplasjeve mes dy përfaqësueseve. Shqipëria në tri përballjet e fundit ka mundur të marrë një fitore, një barazim dhe një humbje, por në total statistikat flasin në favor të luzitanëve. Përplasja e parë daton në shtator 1996, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit. Në “Qemal Stafa” portugezët triumfuan 0-3 me gola të Figos, Helderit dhe Rui Costas. Në qershor të vitit 1997, në takimin e kthimit që u zhvillua në Lisbonë, vendasit fituan 2-0 falë finalizimeve të Joao Pintos dhe Luis Figos. Në vitin 2003, është luajtur miqësorja e vetme me Portugalinë, e cila fitoi me përmbysje në Lisbonë me rezultatin 5-3. Për kuqezinjtë shënoi dy herë Adrian Aliaj dhe Igli Tare. Shorti i vuri përballë njëra-tjetrës edhe në eliminatoret e Botërorit “Afrikë e Jugut 2010”. Në takimin e parë të zhvilluar në Bragë, kuqezinjtë rezistuan për rreth 60 minuta me një lojtar më pak, duke marrë një barazim historik 0-0. Në takimin e kthimit në Tiranë, Shqipëria ishte shumë pranë barazimit të dytë, teksa rezultati ishte mbërthyer në barazim 1-1, ku për kuqezinjtë kishte shënuar Erion Bogdani, por në kohën shtesë, Bruno Alves përfitoi nga një dalje e gabuar e Isli Hidit, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Fitorja në Aveiro falë golit të Bekim Balajt në ndeshjen e parë eliminatore të Evropianit është e vetmja e arritur ndaj Portugalisë, që në total kryeson me 4 fitore, një barazim dhe një humbje me golaverash të përgjithshëm 12/5.

 

 

 

Shënim

 

Kombëtarja më shumë e shqiptarëve, sesa e Shqipërisë

 

Artan Fuga

 

—————–

 

Sigurisht edhe unë gëzohem që 11 shqiptarë, nga gjaku ynë, ecin përpara drejt kualifikimit për në finalet e Francës.

Se mos është ndonjë meritë e madhe të jesh patriot! Si të gjithë edhe unë, sepse tregon se shqiptarët, si të gjithë, mund të ndeshen, të garojnë e të ndrisin midis popujve të tjerë.

Sikurse bëjnë mijëra refugjatë në vendet ku kanë emigruar.

Por, kur dëgjoj të thonë se është kombëtarja e Shqipërisë, këtu nis e mendohem dhe as vakem, as ftohem.

Përse?

Sepse ata lojtarë nuk përfaqësojnë aq gjendjen e klubeve shqiptare të futbollit, që, kur shoh ndonjë ndeshje midis tyre, më duket sikur kthehem dekada përpara në ndeshjet e rrugicave te Pallati i Pionierëve ku trajneri ishte Ali Pazari.

Ajo kombëtare nuk përfaqëson klubet shqiptare të futbollit. Në pjesën dërmuese ata lojtarë të mëdhenj janë bërë të tillë, sepse kanë ikur nga Shqipëria, jo sepse kanë ndenjur në Shqipëri.

Ndonjë naiv do të më thotë se edhe kombëtaret e tjera kështu formohen, me lojtarë që luajnë jashtë vendit. Po more mo, por diferenca midis atyre kombëtareve dhe klubeve vendase nuk është fare e madhe sikurse ndodh me greminën midis klubeve lokale dhe kombëtares sonë.

Më vjen për të qarë kur lexoj trajnerin shqiptar De Biazi, kur thotë se po shikon një ndeshje jashtë për të ndjekur ndonjë futbollist shqiptar.

Nga kjo pikëpamje, kombëtarja shqiptare e futbollit, që u klasifikoftë sa më lart, nuk përfaqëson megjithatë kushtet e rinisë shqiptare në Shqipëri për të luajtur futboll, as infrastrukturën e sportit, as buxhetet për sportin, as politikat e sportit, për faqe të zezë, asgjë nga Shqipëria, veç tifozëve njëqind karat shqiptarë.

Nga kjo pikëpamje, ajo është thjesht një produkt reklame, një etiketë marketingu për Shqipërinë, formë pa përmbajtje që mund të promovohet.

Pas saj nxitet një nacionalizëm që si patriotizëm mund të orientohet drejt punës, kulturës, sportit vendas, por jo si rivalitet me kombet e tjera, as nuk shërben si instrument matës i zhvillimeve të tyre dhe tona, as në sport e as gjetiu, ajo përfaqëson shqiptarët, madje shqiptarët e ikur, sesa Shqipërinë.

Faktikisht, ajo përfaqëson atë që Shqipëria duhet të ishte, por jo atë që është, përfaqëson atë që Shqipëria nuk është.

Pra, është formë pa përmbajtje sikurse themi ne në marketingun promocional.

Unë do të doja që ajo të ishte përfaqësuese e rinisë së Shqipërisë, e klubeve të Shqipërisë pastaj e përmirësuar me pak shqiptarë nga jashtë, të ishte përfaqësuese e shpirtit futbollistik që zhvillohet në qytetet dhe stadiumet e Shqipërisë. Atëherë po.

Ajo më shumë është një sipërmarrje multinacionale sesa një markë produkti prej Shqipërie.

Kurse kështu, shpesh një fitore e kombëtares akaparohet nga politika si parametër zhvillimi, që në fakt nuk është, dhe krijon iluzione, përdoret edhe nga disa media si mjet propagande, e kjo ul potencialet shërbyese të pushtetit publik ndaj qytetarit dhe e bën qytetarin edhe më të hutuar duke pyetur veten: Pse jam keq kur kombëtarja e Shqipërisë renditet kaq mirë në Evropë???

E mirë si skuadër, si e tillë përparoftë, iluzore si vegël propagande, mos na hutoftë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here