Bolt: Po mendoj për Rio 2016

0
176

 

usainnnn

 

Sprinteri xhamajkan, Usain Bolt, ka vendosur të mos marrë pjesë në asnjë garë të mbetur të 2015-ës, pasi do të jetë i fokusuar në përgatitjet për Olimpiadën e Rio De Zhanejros, ku i duhet të mbrojë tri medaljet e arta të fituara në Londër. 29-vjeçari ka preferuar të ndalojë për pak kohë për të nisur stërvitjen muajt e ardhshëm. Në adresën e tij në Twitter, Bolt shkruante: “Pas entuziazmit të javëve të fundit në Kampionatin Botëror në Pekin, kam vendosur të mos garoj më në vitin 2015. Që tani po mendoj për vitin tjetër dhe për Lojërat Olimpike të Rios, ku do të tentoj të mbroj medaljet në 100, 200 dhe 4 herë 100 metra”. Bolt foli më pas për mitingun e Brukselit, ku do të mungojë, si dhe për faktin që e ka mbyllur sezonin pa dëmtime. “Kam garuar shumë herë në Bruksel, për disa vjet, mbetet një nga garat më të bukura të cirkuitit. Pista është e shpejtë dhe gjithnjë aty jam ndjerë si në shtëpinë time. Kisha dëshirë të merrja pjesë në këtë turne, por jam i lumtur që këtë herë po e mbyll sezonin pa asnjë dëmtim dhe gati për të nisur mbarë stërvitjen për vitin 2016”. Në fund, atleti xhamajkan nuk harron të përshëndesë dhe falënderojë fansat e tij. “Gjatë këtij viti kam marrë shumë mbështetje e fjalë të mira nga fansat e mi, që më kanë inkurajuar në momente të vështira që kam kaluar, për shkak të dëmtimeve. Ndaj, dua t’i falënderoj të gjithë dhe besoj se ua kam rikthyer pas këtë besim me rezultatet e arritura në Botëror”.

 

 

Bufon: Pirlo na duhet akoma

 

Kritikat ndaj Andrea Pirlos për paraqitjen e dobët ndaj Maltës i pret Gianluigi Buffon. Sipas portierit të Juventusit, mesfushori i New York City-t mund t’i japë shumë kombëtares në momentet më të rëndësishme, ndaj nuk duhet gjykuar vetëm për një sfidë si ajo me Maltën. “Marotta është shprehur se një lojtar duhet ta kuptojë se kur është momenti për të hequr dorë. Unë mendoj se ky moment nuk ka ardhur as për Andrea Pirlon dhe as për mua. Diskutimi i Marottës ishte i përgjithshëm, që mund të vlejë edhe për mua. Pirlo mund të rezultojë i vlefshëm, madje do të thosha thelbësor, kur sfidat të bëhen vendimtare”. Për formën që tregoi në fitoren 1-0 të Italisë me Bullgarinë, kapiteni i të kaltërve komentoi: “Bëra një pritje shumë të rëndësishme dhe e them këtë sepse po fitonim me vetëm një gol diferencë. 150 ndeshje me kombëtaren? Përtej moshës, është e rëndësishme të tregoj se e meritoj të grumbullohem në përfaqësuese”. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar, Italia kryeson grupin H në kuotën e 18 pikëve, e ndjekur nga Norvegjia dhe Kroacia me 16 dhe 15 pikë.

 

 

Mancini: Në derbi me mentalitetin e duhur

 

Një fitore në derbi me Milanin do të ishte qershia mbi tortë në këtë fillim sezoni për Interin. Një merkato e fuqishme dhe dy fitore radhazi në Serinë A i japin moralin e duhur skuadrës zikaltër për përballjen me kuqezinjtë e Sinisa Mihajlovicit. Sipas Roberto Mancinit, nisja e mirë e sezonit ndikon shumë në besimin që fiton skuadra për t’i përballuar me lehtësi ndeshjet e mëdha, sikurse është derbi i Milanos. “Kemi marrë dy fitore në dy takimet e para, rezultate këto që mund të na shërbejnë për të pasur më shumë besim, por në një kampionat të gjatë 6-7 ndeshjet nuk do të thonë asgjë. Duhet të punojmë fort për të ruajtur vazhdimësinë e lojërave dhe rezultateve. Ndaj Milanit do të jetë një ndeshje e veçantë, e cila duhet përballuar me mentalitetin e duhur”. Në raport me takimin e fituar ndaj Carpit, Mancini do të ketë në dispozicion edhe goditjet e fundit të merkatos, Ljajic, Felipe Melo dhe Alex Telles. “Jam i kënaqur, sepse merkatoja e futbollistëve edhe e çuditshme dhe e veçantë, jo gjithmonë i arrin objektivat. Kemi qenë të zotë në mënyrën se si i kemi menaxhuar gjërat. E kemi përforcuar skuadrën me lojtarë shumë cilësorë. Tani është e rëndësishme t’i bëjmë të luajnë bashkë”.

 

 

Barcelona në kërkim të përforcimeve

 

Barcelona do të kërkojë të përforcohet gjatë afatit kalimtar dimëror, ndërsa përforcimet kryesore pritet të jenë Nolito dhe Andriy Yarmolenko. Sulmuesi i Celta Vigos do të jetë prioritet për ta zëvendësuar Pedro Rodriguez që u largua në drejtim të Chelseat. “Është e vërtetë se ne jemi duke vlerësuar disa lojtarë. Nolito është një lojtar që e do trajneri dhe unë e di shumë mirë, por kjo nuk është një situatë e lehtë”, ka thënë drejtori sportiv i Barcelonës, Robert Fernandez për Esport3. “Ai është një mundësi dhe ne do të shohim nëse do të mund nënshkruajmë me të apo jo. Andriy Yarmolenko është një lojtar i mirë, por ne nuk kemi negociuar për të”, – ka shtuar ai. Barcelona ka arritur të nënshkruaj me Arda Turanin dhe Alex Vidalin, por asnjëri nuk ka të drejtë të luajë deri në janar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here